Roli i dijes në formimin e njeriut dhe në zhvillimin e kombeve

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    15-03-1448 H     28-08-2026 D

Shejh Ali Hudhejfi

Tema    Roli i dijes në formimin e njeriut dhe në zhvillimin e kombeve

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin të Gjithëmëshirshmin, Mëshirëplotin, të Gjithëdijshmin, të Urtin, Zotin Bujar, i Cili ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte. Zotin tim e lavdëroj dhe e falënderoj për të gjitha mirësitë e dhuruara, nga ato që i kemi njohur dhe ato që nuk i kemi njohur.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok,  Krijuesi i të gjitha qenieve.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi,  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari më i madh. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, njerëzit e devotshmërisë dhe bujarisë.

Në vijim

Kini frikë Zotin e Lartësuar, duke u pajisur me dije të dobishme dhe duke bërë vepra të mira.

Adhurues të Zotit! Dija është ajo që ndriçon mendjet, pastron shpirtrat, udhëzon drejt çdo të mire, ndërton shoqëritë dhe prej saj përfiton çdokush. Ajo është ndër gjërat më të mira që njeriu mund t’i ofrojë njeriut.

Çdo njeri lind i paditur, derisa Allahu i Lartësuar ta mësojë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.” (En-Nahl 78) Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.” (El-‘Alak 1–5)

Fëmija i vogël fillon të mësojë nga prindërit dhe mësuesi i tij në shkollë, ai e merr dijen pak nga pak, dhe krahas saj merr edhe shembullin që sheh para vetes. Ai vepron sipas asaj që mëson dhe sipas asaj që sheh te shembulli i tij, sepse fëmija i vogël nuk ka ende aftësinë për të peshuar dhe dalluar gjithçka.

Dhe, meqë çështja është kështu, prindërit kanë një amanet të madh dhe një përgjegjësi të jashtëzakonshme ndaj fëmijës së tyre. Pastaj vjen amaneti i mësuesit dhe përgjegjësia e shkollës për mësimin dhe për të qenë shembull i mirë. Kështu, fëmija mëson dijen e dobishme dhe edukohet me vepra të mira. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo fëmijë lind në fitrën (e pastër), por prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë ose mexhusi (adhurues të zjarrit).” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.

Në fazat e hershme të fesë Islame, njeriut i mësohet ajo që duhet të mësojë dhe ajo për të cilën askush nuk mund të jetë injorant. Ai mësohet dhe edukohet me moral të lartë dhe me cilësi të virtytshme. Nisur kjo nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj të falen që në moshën shtatë vjeçe, disiplinojini ata nëse nuk falen në moshën dhjetë vjeçe dhe ndajini në shtretër të veçantë.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi dhe Ebu Davudi, nga Abdullah Ibn Amri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy.

Kush mësohet, edukohet me namaz dhe me virtytet e larta morale që në moshë të vogël, do ndihmohet që të vazhdojë dhe të qëndrojë në rrugë të drejtë. Ndërsa neglizhimi në edukimin e mirë dhe të dobishëm e bën më pas të vështirë korrigjimin e asaj që ka kaluar dhe riparimin e asaj që është dëmtuar.

LEXO  Faktorë që kontribuojnë në stabilitet deri në vdekje

Në mënyrë që i riu të jetë një tullë e dobishme në ndërtimin e shoqërisë së tij, të sjellë dobi dhe të mos dëmtojë, të përmirësojë dhe të mos prishë, të shtojë të mirën e tij dhe të mos e dëmtojë shoqërinë me të keqen e tij, e më pastaj, pas kësaj, ai zgjedh atë që i përshtatet talentit dhe aftësive të tij në fushat e specializimeve të larta, në mënyrë që secili të përmbushë nevojat dhe kërkesat e shoqërisë.

Shoqëria ka nevojë për specializim në shkencat fetare Islame, si dhe për specializim në llojet e ndryshme të shkencave të gjuhës arabe dhe në disiplinat që shërbejnë si mjete për to. Sepse njohja e disiplinave të gjuhës arabe është domosdoshmëri për të kuptuar legjislacionin Islam, i cili është themeli i umetit Islam dhe nuk ka umet pa legjislacion.

Umeti duhet që të rinjtë dhe të rejat e tij të merren me të gjitha specializimet për të cilat ka nevojë shoqëria dhe që njerëzit i kërkojnë për çështjet e jetës së tyre të kësaj bote, nga mjekësia, bujqësia, industria, inxhinieria, ndërtimi dhe zhvillimi urban, ekonomia, sistemet e administrimit, shkencat shoqërore, shkencat ushtarake, si dhe përparimin në ato shkenca dhe fusha ku është e mundur të arrihet zhvillim i dobishëm.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “ Islami ngrihet lart dhe nuk ka asgjë që ngrihet mbi të.” Hadith është i mirë, e ka transmetuar nga Darkutniu nga Aidh Ibn Amr, Zoti qoftë i kënaqur me të. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Surja Al ‘Imran 139)

Ashtu sikurse dhe shteti ka detyrimin të kryejë detyra dhe punë të cilat nuk mund t’i kryejë askush tjetër, në çështjet e përmirësimit, reformimit dhe të mirës, po ashtu edhe shoqëria ka detyrimin të kryejë atë që i takon prej veprave të mira dhe punëve të dobishme për shoqërinë. Secili sipas mundësisë së tij dhe sipas asaj që ka fuqi e aftësi të bëjë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe secili prej jush është përgjegjës për ata që ka nën kujdesin e tij.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga hadithet e Abdullah Ibn Omerit.

O ju përgjegjës për arsimin! Secili prej jush është përgjegjës në fushën e tij dhe secili është përgjegjës për amanetin që ka marrë përsipër.

O ju baballarë dhe nëna! Përgatitini të rinjtë dhe përpiquni t’i aftësoni e t’i përgatitni ata, që ta çojnë shoqërinë e tyre drejt nivelit që kënaq Zotin e Madhëruar, që u sjell dobi muslimanëve në fenë e tyre, në jetën e kësaj bote dhe i ndihmon në sigurimin e jetesës së tyre.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, pjesët e së cilës e forcojnë njëra-tjetrën.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga hadithet e Ebu Musa El-Eshariut, Zoti qoftë i kënaqur me të.

LEXO  Mësime nga Israja dhe Miraxhi, mbështetje e popullit të Palestinës

Prandaj, niseni kthimin e tyre në studime dhe në mësim me emrin e Zotit dhe me bekimin e Tij. Zoti u dhëntë sukses të rinjve tanë dhe mësuesve në çdo të mirë.

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” ( Et-Teube 105)

Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi me ajetet dhe përkujtuesit e tij të urtë,  na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së të dërguarve dhe fjalët e tij të drejta. Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve dhe Mbrojtësin e të devotshmëve. Zotin tim e lavdëroj dhe Atë e falënderoj për bekimet e Tij që i dimë  dhe ato që nuk i dimë. Atë e falënderojmë me falënderimin e mirënjohësve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi. Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi,  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, besniku. O Zot, fale dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë  shokët e tij.

Në vijim

Kini frikë Allahun duke bërë vepra të mira dhe duke u larguar nga të ndaluarat.

Adhurues të Zotit!

Me të vërtetë, Zoti, i Gjithëdijshmi për çdo gjë, i Cili ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij dhe ka numëruar çdo gjë, e ka veçuar babait tonë, Ademit, paqja e Zotit qoftë mbi të, duke i mësuar emrat e çdo gjëje përpara se t’ua mësonte Melaikeve. Ai vendosi dhe caktoi që dija të paraprijë veprën, në mënyrë që njeriu të veprojë me dije, me qartësi dhe bindje në fenë e tij dhe me siguri për çështjen e tij.

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Dije se nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu  e di se si silleni ju dhe ku qëndroni.” ( Muhammed 19)

Çdo dije e ka fillimin nga Zoti dhe përfundimin e saj tek Ai. Besimtarët dallojnë mes tyre përmes dijes së dobishme dhe veprave të mira.

Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që veproni.” (El-Muxhadile 11)

Për shkak të vlerës së dijes deri dhe kafshët dallohen sipas saj. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Të pyesin ty ç’është e lejueshme që të hanë. Thuaju (o Muhamed): “Ju lejohet juve çdo gjë që është e dëlirë dhe atë që jua gjuajnë shtazët që i keni stërvitur e i përdorni në gjueti, ashtu siç ju ka mësuar Allahu. Pra, hani atë që jua sjellin, e përmendni emrin e Allahut!” (El-Ma’ide 4)

Por se dija e legjislacionit është dija më e mirë, bazuar në fjalën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku ka thënë: “Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve, profetët nuk kanë lënë trashëgimi dinar e as dirhem, por kanë lënë trashëgimi dijen. Kush e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe.” Hadithin e transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

LEXO  Porosi për të qenë të bindur dhe për të braktisur veprat e këqija

Sa u përket shkencave të tjera të kësaj bote, për të cilat njerëzit kanë nevojë në jetën e tyre, sado e madhe të jetë nevoja për to, ato janë pas dijes fetare për nga pozita. Kjo sepse shkencat e kësaj bote përfundojnë kur përfundon nevoja për to, ndërsa nevoja për dijen fetare ekziston si në këtë botë, ashtu dhe në botën Tjetër, Ahiret.

Prej mirësisë së Allahut ndaj besimtarit është se, nëse ai synon përmes dijes së kësaj bote t’i sjellë dobi vetes dhe njerëzve të tjerë dhe kërkon shpërblimin e Zotit për këtë dije, Allahu i shkruan atij shpërblim dhe sevap.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “ Veprat gjykohen, vlerësohen sipas qëllimeve, e çdo njeri do të ketë atë që ka synuar.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Në Ether ka ardhur: “Nijeti, qëllimi i besimtarit është më i mirë se vepra e tij.”

Andaj, muslimani duhet ta kryejë vepra në mënyrën më të mirë dhe, së bashku me përmirësimin e veprës, të ketë mendim të mirë për Allahun e Madhëruar.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që ka thënë: “ Unë jam ashtu siç mendon robi Im për Mua. Unë jam me të kur më përmend. Nëse më përmend në veten e tij, edhe Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse më përmend në një tubim, Unë e përmend atë në një tubim më të mirë se ai.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Adhurues të Zotit! “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

Prandaj, lutuni dhe dërgoni përshëndetje për zotërinë e të dërguarve.

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar, lutje dhe përshëndetje të shumta.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e parë të drejtë,  me të gjithë sahabët, me ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Kijametit. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur dhe me ne së bashku me ta, me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët. O Zot, ndihmo  fenë Tënde, librin Tënd, Kuranin,  dhe sunetin e të dërguarit Tënd, në çdo kohë dhe në çdo vend, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm.

O Zot, poshtëro idhujtarinë, jobesimtarët dhe politeistët, dhe shkatërro armiqt e Tu, armiqt e fesë.

O Zot, merr nën kujdesin Tënd çështjen e çdo besimtari dhe besimtareje dhe çdo muslimani dhe muslimaneje.

O Zot, largo shqetësimet, vështirësitë dhe fatkeqësitë nga muslimanët, bashko zemrat e tyre dhe mblidhi rreth së vërtetës, o Zot i botëve,  pasuro muslimanët dhe plotëso nevojat e tyre, o Zotërues i Madhështisë dhe Nderimit.

O Zot, ruaj këtë tokë të bekuar me kufijtë e saj, ushtarët e saj, lavdinë e saj, bujarinë e saj, unitetin e saj, sigurinë e saj dhe besimin e saj. O Zot, ruaje atë nga sulmet e agresorëve, e keqja e të ligjve dhe nga të padrejtët, o Zoti i botëve

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, udhëzoje atë drejt asaj me të cilën Ti je i kënaqur, bëje punën e tij në kënaqësinë Tënde dhe ndihmoje për çdo të mirë të vendit. Jepi sukses princit të kurorës, Muhamed Ibn Selmanit, në atë që Ti e do dhe me të cilën je i kënaqur. Ndihmoje atë për çdo të mirë të vendit dhe përmes tij ndihmo fenë Tënde.

O Zot, ruaj Bejtul Makdis, Kudsin, nga agresorët sionistë. O Zot, ruaj Palestinën nga agresioni i sionistëve. O Zot, largo atë që ka zbritur mbi popullin e Palestinës prej dëmeve, vështirësive dhe sprovave, o i Mëshirshëm.

Adhurues të Zotit!

Përmendeni Zotin tuaj shumë dhe falënderojeni për mirësitë e Tij, që Ai t’jua shtojë ato. Zoti ka premtuar shtim të mirësive atyre që janë mirënjohës.

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1669712011822139/1813634866736487

Post Author: endrit