Respektimi dhe mirësjellja ndaj prindërve portë drejt kënaqësisë së Zotit dhe Xhenetit të Tij

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     29-03-1448 H    11-09-2026 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema   Respektimi dhe mirësjellja ndaj prindërve portë drejt kënaqësisë së Zotit dhe Xhenetit të Tij

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka thënë: “Nëse ju jeni të drejtë, sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen.” (El-Isra’ 25)

Ky është ligjërim hyjnor nga Zoti për ju, se Ai e di kush prej jush është i sinqertë në qëllimin për t’u sjellë mirë me prindërit e tij. Vërtetë Allahu ia fal gabimet dhe lëshimet që mund t’i kenë ndodhur ndaj njërit ose të dy prindërve, nëse pendohet dhe heq dorë nga mosbindja ndaj tyre.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Ai ka thënë në Librin e Tij të qartë: “Nëse ata mundohen të të bëjnë që të më shoqërosh (në adhurim) diçka për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë…” (Lukman 15)

O besimtarë! Bindja ndaj prindërve nuk merret parasysh kur kryhet një gjynah i madh dhe as kur braktiset një detyrimi individual. Ndërsa në çështjet e lejuara, bindja ndaj tyre është e detyrueshme, kurse në çështjet e pëlqyeshme është më mirë që muslimani t’u bindet prindërve të tij.

O ju muslimanë! Ky është një rregull shumë i çmuar të cilin shumë njerëz e neglizhojnë. Kuptojeni mirë dhe zbatojeni atë si në dije dhe me vepra.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai i dha babait tënd një shkallë në mirësjellje ndaj tij, ndërsa nënës tri shkallë përparësie në mirësjellje para babait, sepse ajo të ka mbajtur në bark, të ka ushqyer me gji dhe të ka rritur. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha burrit i cili e pyeti: “Kush është më i denjë për shoqërimin tim të mirë?” Ai tha: “Nëna jote.” Burri pyeti: “Po pastaj kush?” Ai tha: “Nëna jote.” Burri pyeti: “Po pastaj kush?” Ai tha: “Nëna jote.” Burri pyeti përsëri: “Po pastaj kush?” I dërguari tha: “Babai yt.”

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen e tij të pastër, shokët e tij të mirë, tabi’inët dhe ata që i pasojnë ata në mirësi.

Në vijim

O ju besimtarë! Disa njerëz i binden gruas së tyre, dhe babanë ose nënën e çojnë në azil pleqsh, ndonëse ata është kanë mundësi, janë të aftë të kujdesen për ta. Disa harrojnë se nëna e tyre ka kaluar net të gjata pa gjumë për hir të tyre dhe se babai i tyre ka kaluar rininë e tij duke punuar për t’i mbajtur, për t’i ushqyer dhe për t’u siguruar atyre një jetë të denjë.

Mosbindja e disa bijve dhe bijave ndaj prindërve është përkeqësuar aq shumë, saqë djali e godet babanë dhe vajza e godet nënën. Madje, disa prej tyre kanë arritur deri aty sa nuk mbajnë më asnjë lloj lidhjeje me prindërit e tyre.

A është kjo nga mirësia, mirësjellja ndaj prindërve me të cilën na urdhëron Zoti? Apo është mosbindje ndaj tyre, për të cilën Zoti ka kërcënuar me dënim? A është kjo prej mirësive ndaj prindërve, apo është sjellje e keqe dhe mohim i mirësive që ata kanë bërë?

O bijtë e Kudsit dhe rrethinave të tij! Në të vërtetë, fëmija, bashkëshortja dhe shoku që të pengojnë apo largojnë nga mirësia ndaj prindërve të tu dhe të zbukurojnë për ty mosbindjen ndaj tyre, janë armiqtë më të mëdhenj për ty.

Auf Ibn Maliku, u ankua të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për sjelljen e ftohtë të familjes dhe fëmijëve të tij ndaj tij. Zoti shpalli fjalën e Tij: “O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq midis grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!”(Et-Tegabun 14)

O besimtarë! O besimtare! Zoti ynë, i Madhëruar dhe i Lartësuar, meriton të adhurohet sepse Ai na krijoi dhe na solli në ekzistencë. Ndërsa prindërit meritojnë që bijtë dhe bijat e tyre t’u bëjnë mirë me fjalë e me vepra, t’i mbështesin dhe të sakrifikojnë për ta, sepse ata janë shkaku që fëmijët e tyre erdhën në këtë botë.

Për shkak të rëndësisë së mirësisë ndaj prindërve dhe detyrimit për këtë nga bijtë dhe bijat, Zoti e ka lidhur mirësinë ndaj tyre me detyrimin e adhurimit të Tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.” (El-Isra’ 23) Për këtë arsye, shirku, të bërit shok, Zotit dhe mosbindja ndaj prindërve janë nga gjynahet e mëdha. A ka nga ata që pendohet tek Zoti? A ka nga ata  që heqin dorë nga mosbindja ndaj prindërve të tyre?

LEXO  Nxitja për të bërë mirë në fund të Ramazanit

O muslimanë! O muslimane! Falënderoni Zotin për begatinë e besimit dhe falënderoni baballarët dhe nënat tuaja për mirësinë e edukimit. Lutuni për ta pas namazeve dhe në çdo kohë, sepse kjo është pjesë e falënderimit tuaj ndaj tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Lukman 14)

Flisni butë me baballarët dhe nënat tuaja, lidhuni me ta përmes ndihmës financiare dhe shoqëroni me mirësi, dhe nëse ata nuk janë në udhëzim. Bëhuni mbështetës për ta në bindjen ndaj Zotit. Zoti ynë i Lartësuar dhe i Madhërishëm thotë: “…por sillu mirë me ta në këtë jetë…” (Lukman 15)

O muslimanë! Mirësia ndaj baballarëve dhe nënave tuaja forcon themelin e familjes muslimane në Kuds dhe rrethinat e tij. Prandaj u bëjmë thirrje veçanërisht grave që të jenë çelësa të së mirës me bashkëshortët e tyre, në mënyrë që ata të sillen mirë me baballarët dhe nënat e tyre dhe të ruhen nga mbështetje e tyre në mosbindjen ndaj tyre. Gruaja një ditë do të bëhet nënë dhe gjyshe. Mosbindja ndaj prindërve është borxh që mund të shlyhet në këtë botë para vdekjes. Prandaj, kini frikë Zotin, o bashkëshorte, dhe silluni drejt me nënat dhe baballarët e bashkëshortëve tuaj.

O muslimanë! O muslimane! Silluni mirë me baballarët, gjyshërit dhe xhaxhallarët tuaj, silluni mirë me nënat, gjyshet dhe hallat tuaja, sepse mirësia ndaj tyre është nga veprat më të mira me të cilat njeriu afrohet tek Zoti.

Një burrë nga Ensarët ka thënë: “O i dërguari i Zotit, a ka mbetur ndonjë mënyrë për t’u bërë mirë prindërve të mi pas vdekjes së tyre?” I dërguari ka thënë: “Po, lutja për ta, kërkimi i faljes për ta, përmbushja e amaneteve dhe porosive të tyre pas vdekjes, nderimi i miqve të tyre dhe mbajtja e lidhjeve farefisnore të cilat nuk i ke veçse nëpërmjet tyre.” Kjo është ajo që mbetet për ju.

O besimtar! O rob i Zotit! Ruaju nga zemërimi, bezdisja dhe mërzitja nga prindërit tu, sepse këto janë shenja të mosbindjes ndaj tyre. Mos e thirr ata me emrat si për shembull: “O haxhi”, ose “O babai i filanit.” Mos iu drejto nënës me shprehjet si: “Oj haxheshë” ose “O nëna e filanit”. Kjo vjen nga mendjemadhësia jote, sepse mendon se je bërë i madh dhe tashmë je i barabartë me ta. Kjo është mosbindje ndaj tyre, prandaj shmangi.

Disa komentues kanë thënë për fjalën e Zotit të Lartësuar: “…por drejtoju atyre me fjalë respekti…” (El-Isra’ 23), domethënë, fjalë të buta e të këndshme, si: ‘O babai im’, ‘O nëna ime’, pa i thirrur me emër ose me nofkë.” Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, i ka thënë një burri, duke e këshilluar për mirësinë ndaj babait: “Mos ec para babait tënd, mos u ul para tij dhe mos e thirr me emër.”

Tavusi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Prej sunetit është që të nderohen katër persona”, nga ata ka përmendur prindërit, “prej sjelljeve të vrazhda është që njeriu ta thërrasë babanë e tij me emër.” Këtu mbaron fjala e Tausit, Zoti qoftë i kënaqur me të.

O muslimanë! O muslimane! Nuk duhet të përuleni nga mëshira para askujt, përveçse ndaj baballarëve dhe nënave tuaja, sepse kjo është çështje me të cilën Zoti ju ka urdhëruar. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës…” (El-Isra’ 24) Domethënë, tregohuni të përulur ndaj prindërve tuaj, siç përkulet populli para udhëheqësit, në fjalë, në qëndrime dhe në shikime. Sa net kanë qëndruar pa gjumë për hatrin tuaj?! Sa herë kanë mbetur të uritur që ju të ngopeni?! Sa herë kanë mbetur të etur që ju të pini?! Sa shumë janë lodhur për rehatinë tuaj?! Prandaj, mëshironi, lutuni për ta dhe shërbejuni sipas nevojave të tyre, ashtu siç ju rritën kur ishit të vegjël. E gjithë kjo është pjesë e mirësisë ndaj tyre, të cilën Zoti jua ka bërë detyrim. Ruhuni nga mosbindja në të gjitha format e saj, sepse ajo është rrugë drejt poshtërimit në këtë botë dhe humbjes në botën tjetër.

I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve dhe zemërimi i Tij është në zemërimin e tyre.”

O muslimanë! Prindërit tuaj janë nga portat më të mira të Xhenetit. Hapini ato me mirësinë ndaj tyre dhe mos i mbyllni ato me mosbindjen ndaj tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Prindi është dera e mesme e Xhenetit, nëse dëshiron, humbe atë derë, ose ruaje.”

Kush e i ka hidhëruar prindërit e tij, le t’i gëzojë ata. Një burrë erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe tha: “Erdha të të jap besën për hixhretin, ndërsa i lashë prindërit e mi duke qarë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha: “Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin ashtu siç i bëre të qajnë.”

LEXO  Lumturia e familjes muslimane

O musliman! O rob i Zotit! Nëse dëshiron furnizim të bollshëm dhe që Zoti ta zgjatë jetën tënde, ruaju dhe ruaju fort nga mosbindja ndaj prindërve! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Nga lidhjet farefisnore më të rëndësishme janë me prindërit tuaj. Prandaj afrohuni tek Zoti duke u bërë mirë atyre.

Kush dëshiron nga ju që Zoti t’ia largojë brengat dhe shqetësimet, le t’u bëjë mirë prindërve të tij. Tre njerëz, të cilët ngelën në shpellë dhe nuk mundën të dilnin për shkak të shiut, iu lutën Zotit duke përmendur veprat e tyre të mira. Njëri prej tyre përmendi mirësinë e tij ndaj prindërve dhe e luti Zotin të ua lehtësojë gjendjen, shkëmbi që kishte bllokuar shpellën u zhvendos pak. Jahja, paqja e Zotit qoftë mbi të, për të cilin Zoti ka thënë: “Dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.” (Merjem 14) Isai, paqja e Zotit qoftë mbi të, i cili, sipas fjalëve të tij që kanë ardhur në Kuran, ka thënë: “Dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm..” (Merjem 32])

Prandaj ndiqni shembullin e të mirëve, të zgjedhurve prej profetëve dhe njerëzve të devotshëm. Nuk ka mjerim me mirësinë ndaj prindërve dhe nuk ka lumturi me mosbindjen ndaj tyre.

Hasani është pyetur: “Çfarë është mirësia ndaj prindërve?” Ai tha: “T’u japësh atyre nga ajo që zotëron dhe t’u bindesh në atë që të urdhërojnë, përderisa nuk është gjynah.” E pyetën: “Po çfarë është mosbindja?” Ai tha: “T’i braktisësh dhe t’i privosh.”

Prandaj, o ju njerëz, kini frikë Zotin në lidhje me prindërit tuaj. Jepuni atyre pozitën që Zoti ua ka caktuar dhe ndaloni çdo formë të mosbindjes ndaj tyre. Dënimi i mosbindjes mund të jetë i shpejtë në këtë botë, ndërsa pasoja e saj është pendimi dhe turpi në botën Tjetër, Ahiret. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka thënë: “Tri lutje janë të pranuara, në të cilat nuk ka dyshim: Lutja e të dëmtuarit, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindërve kundër fëmijës së tyre.”

Prandaj, kini shumë kujdes nga lutja e prindërve kundër jush për shkak të mosbindjes, sepse ajo pranohet. Silluni me ta me mirësi, jini të përulur ndaj tyre dhe binduni urdhrave të tyre përderisa nuk përmbajnë mosbindje ndaj Zotit. Dhe mos e lini lutjen për kërkim falje për ata, gjatë jetës dhe pas vdekjes së tyre.

O muslimanë! O muslimane! Mos u shoqëroni me atë që është i pabindur ndaj prindërve të tij ose ndaj njërit prej tyre dhe mos i besoni atij. Ai është prej njerëzve të korruptuar, që prishin marrëdhëniet, nga ata që ka prishur marrëdhënien me prindërit e tyre, dhe i kanë prishur ato me Krijuesin dhe Zotin e tyre. Si mund të shoqërohet dhe t’i besohet shoqëria e atij  që tregohet i pabindur ndaj asaj që e ka lindur, e ka rritur, është lodhur dhe ka punuar për të!?                   Omeri Ibn Abdulazizi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Mos u miqëso kurrë me atë që është i pabindur ndaj prindërve të tij; sepse si mund të sillet mirë me ty ai që është sjellë keq me prindërit e tij?!”

O besimtarë! O besimtare! Nga që nëna është më e dobët, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka veçuar paralajmërimin kundër mosrespektimit të saj dhe ka thënë:“Vërtet, Zoti jua ka ndaluar mosrespektimin dhe keqtrajtimin e nënave.”

Mosrespektimi ndaj nënës është i ndaluar nga Sheriati, legjislacioni Islam, i ndaluar nga natyra njerëzore dhe i ndaluar nga morali dhe edukata, sepse ajo është që të ka mbajtur në bark, të ka ushqyer me gji dhe të ka rritur. Prandaj, le të ndalet ai që i kundërshton dhe i keqtrajton prindërit e tij, para se të shkatërrohet, le të ndalet ajo që i bën keq nënës së saj, para se ajo të shkatërrohet.

Ka’b El Ahbari ka thënë: “Vërtet, Zoti ja shpejton shkatërrimin robit nëse ai është i pabindur ndaj prindërve të tij, në mënyrë që Zoti t’ia shpejtojë atij dënimin.”

Në një hadithin e shenjtë ka ardhur: “Dy gjynahe janë ato, dënimi i të cilave shpejtohet: padrejtësia dhe mosrespektimi i prindërve.”

LEXO  Arsyet për qëndrueshmëri të zemrave

O Zot, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga padrejtësia dhe mosrespektimi i prindërve. O Zot, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga morali i keq.

“O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!”(Ibrahim 41)

Adhurues të Zotit! Kërkoni falje Zotit dhe pendohuni tek Ai, sepse vërtetë Zoti i Madhëruar, është Falës, Pranues i pendimit, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na begatoi me namazin në xhaminë e shenjtë të Aksasë dhe na nderoi me të.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Atë e falënderojmë dhe nuk e mohojmë. Shkëputemi dhe distancohemi nga ai që e kundërshton Atë. Vetëm Atë e adhurojmë, vetëm për Të falemi dhe Atij i bëjmë sexhde. Shpresojmë në mëshirën e Tij dhe i frikësohemi dënimit të Tij.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dërgoi atë me Islamin, ai Islam që ngrihet lart dhe mbi të cilin nuk ngrihet asgjë tjetër,  Islamin që Zoti e ka bërë amanet në qafat e muslimanëve, të cilin e ndihmojnë dhe thërrasin njerëzit drejt tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen e tij të pastër, shokët e tij që e bartën fenë, tabi’inët dhe ata që i pasojnë me mirësi.

Në vijim

O besimtarë! Nëse mosrespektimi ndaj prindërve është një mosbindje që lidhet drejtpërdrejt me ta dhe brenda kufijve të familjes muslimane, atëherë kjo mosbindje mund të dalë nga familja përtej saj, duke përfshirë tërë umetin musliman me një mosbindje shpirtërore, e cila është edhe më e rrezikshme dhe më gjithëpërfshirëse.

O ju muslimanë! Umeti musliman në këtë kohë po tregohet i pabindur ndaj Librit të Zotit të tij, nuk gjykon sipas tij dhe nuk e mbron atë. Umeti është i pabindur ndaj sunetit të të dërguarit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe udhëzimit të tij, e ngre zërin e vet mbi zërin e tij me fjalë dhe vepra. Umeti musliman është gjithashtu i pabindur ndaj shokëve të të dërguarit të Allahut, nuk ndjek gjurmët e tyre, nuk udhëzohet me udhëzimin e tyre dhe nuk ecën në rrugën e tyre.

Nga format e mosbindjes së umetit musliman është fakti i të larguarit nga origjinaliteti i tij. Ai imiton perëndimin në mosbesimin dhe vlerat e tij, ndërsa lakmon dhe thërrimet e devijimeve të tij. Mosbindja e umetit tonë bëhet edhe më e madhe kur ajo është mosbindje ndaj misionit të tij, për të cilin Zoti i Lartësuar e ka ngarkuar dhe e ka zgjedhur ndër popujt, që përmes kësaj shpalljeje t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë, duke i thirrur drejt saj, duke e bartur atë dhe duke vepruar sipas saj.

O ju besimtarë! Mosbindja e umetit musliman, nga të cilat përmendëm disa shembuj, përfshin masat dhe elitën, dijetarët dhe njerëzit e thjeshtë. Dhe pse kjo mosbindje ndryshon në shkallë dhe në nivele, ajo është përhapur gjerësisht dhe ka prekur të gjithë.

Detyrë e umetit, me të gjithë përbërësit e tij, është të ngrihet nga kjo mosbindje që e ka penguar nga mirësia për njerëzit, të nxitojë drejt mirësisë me Librin e Zotit të tij, dhe me të dërguarin e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,   t’i bëjë mirë vetes duke iu bindur Zotit dhe duke gjykuar sipas ligjit dhe fesë së Tij.

E gjithë kjo në zbatim të fjalës së të dërguarit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Feja është këshillë.” Ata thanë: “Për kë, o i dërguari i Zotit?” Ai tha: “Për Zotin, për Librin e Tij, për të dërguarin e Tij, për udhëheqësit e muslimanëve dhe për muslimanët mbarë.”

O adhurues të Zotit! O besimtarë! O muslimanë! Ashtu sikurse Zoti e shpejton dënimin e fëmijës që nuk respekton prindërit në këtë botë, para dënimit të Ahiretit, nëse ai nuk pendohet për mosbindjen ndaj tyre, po ashtu ne shikojmë dënimin që u zbret muslimanëve në formën e poshtërimit, nënçmimit, dobësisë dhe pakësimit të fuqisë e të numrit, për shkak të mosbindjes së tyre ndaj fesë së tyre, Librit të Zotit të tyre dhe sunetit të të dërguarit të tyre, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

Prandaj, pendim dhe  pendim, o ti djalë i pabindur! Pendim dhe pendim, o bijë e pabindur! Kthim dhe vetëm kthim, o muslimanë, drejt fesë dhe sheriatit, legjislacionin e fesë, tuaj. Ngrihuni për t’i bërë mirë atij duke u kapur fort pas tij, ashtu siç ju ka urdhëruar Zoti.

Pastaj, Zoti ju ruajt dhe ju mbrojt, vazhdoni të dëshmoni mirësinë tuaj ndaj xhamisë Aksa. Udhëtoni drejt saj për të falur namaz dhe për të përmendur Zotin në të.

O Zot, na fal ne dhe prindërit tanë. “ mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra’ 24)

“Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” (Al’ Imran 38)

Zoti ynë, na jep drejtësinë e tyre, përmirësimin e tyre dhe mirësinë e tyre.

O Zot, na bëj ne dhe pasardhësit tanë prej atyre që shkojnë dhe vinë në Aksanë tonë, dhe na bëj prej robërve të Tu të devotshëm.

O Zot, ndihmo Islamin dhe muslimanët, lartëso fjalën e së vërtetës dhe fenë.

O Zot, mundëso shlyerjen e borxheve nga ata që kanë borxhe, shëro të sëmurët dhe të prekurit nga sprovat, ktheji të munguarit tek familjet e tyre të sigurt, jepu muslimanëve mirësi e shpëtim nga çdo fatkeqësi, e nga çdo vështirësi jepu lehtësim dhe rrugëdalje.

O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë ata që kanë të drejta mbi ne. O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërishëm e Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1676214794505194/1385126780438272

Post Author: endrit