Nga shenjat e besimit është të folurit mirë dhe ruajtja e gjuhës

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    28-04-1448 H     09-10-2026 D

Shejh Halid El Muhana

Tema   Nga shenjat e besimit është të folurit mirë dhe ruajtja e gjuhës

Lavdërimet janë për Zotin për të gjitha mirësitë e Tij, siç i takon Madhështisë së Tij dhe ashtu siç Ai e meriton, i Lartësuar qoftë Madhështia e Tij!

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Dëshmoj me një dëshmi ndaj së cilës gjymtyrët tona nënshtrohen me bindje, duke ecur në rrugët e Zotit të tyre me përulësi, pa u shmangur prej saj, pa kërkuar rrugë tjetër dhe pa dëshiruar ndonjë zëvendësim për të.

Dëshmoj se i dërguari, prijësi dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob dhe i dërguar i Zotit, i zgjedhuri i Tij nga të gjitha krijesat dhe i besuari i Tij për shpalljen hyjnore. Zoti e dërgoi atë mëshirë për të gjitha botët, shembull për ata që veprojnë sipas të vërtetës dhe argument për të gjithë njerëzimin. Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij të mirë e të pastër, mbi shokët e tij të ndritur e fisnikë, mbi ata që ndjekin rrugën e tyre dhe udhëzohen me udhëzimit të tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin tuaj dhe punoni vepra të mira në këtë botë për botën e përtejme, Ahiretin! Për këtë ju ka porositur Zoti juaj, Ai është më i Madhi Mëshirues ndaj jush, ka thënë: “Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit). Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).” (El-Bekare 223)

Adhurues të Zotit! Nga shenjat e përsosmërisë së kësaj feje dhe plotësimi i mirësive të Zotit ndaj muslimanëve është se Ai i ka udhëzuar drejt fjalëve dhe shprehjeve përmes të cilave shtojnë shpërblimet dhe besimin e tyre, duke u ngritur përmes tyre në shkallë më të larta në Xhenet, mëshirë dhe mirësi nga Zoti ndaj tyre. Këto virtyte dëshmojnë për vlerën dhe nderin e këtij umeti, si dhe për pozitën e tij të lartë tek Zoti. Përmes tyre besimtari e lidhën veten me moralin madhështor të profetit të tij, ku me një përqindje të madhe tregon sinqeritetin e dashurisë, shembullin e mirë dhe pasimin e saktë.

Adhurues të Zotit! Ai, të cilin Zoti e ka cilësuar me moral madhështor, ishte njeriu me moralin më të mirë. Morali i tij i lartë shfaqej në shumë cilësi, aq të shumta saqë nuk mund të numërohen dhe as që të mund të përfshihen të gjitha në një përshkrim. Por se ai ishte më i qarti prej tyre në shpjegimin e tij dhe më i qarti në deklarimin e tij, ai ishte njeriu me fjalët më të mira, me të folurën më të ëmbël, me bisedën më të bukur dhe me shprehjet më të drejta. Ai nuk përdorte fjalë të ashpra përballë të tjerëve, përderisa kishte mundësi të shprehej me butësi. Fjalët e tij ishin të mira kur dikush i kërkonte një premtim të bukur, kur dikush kërkonte një lajm të gëzueshëm dhe madje edhe kur duhej të qortonte dikë për një gabim. Në komunikimin e tij, ai zgjidhte fjalët më të mira, më të bukura dhe më të buta, duke u larguar nga shprehjet e njerëzve të vrazhdë, të ashpër dhe të pamoralshëm.

Ai nuk ishte njeri që bërtiste, as i vrazhdë, as i pahijshëm në të folur dhe as njeri që përdorte qëllimisht fjalë të ndyra. Nuk ka dyshim se përsosja e njeriut qëndron në përsosjen e fjalëve dhe të veprave të tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  arriti shkallët më të larta në të dyja këto fusha dhe u ngrit në majat më të larta të njerëzisë.

Kush studion sunetin e tij, do e gjejë atë të mbushur me udhëzime për përdorimin e shprehjeve të bukura, që bartin kuptime pastërtie e kthjelltësie, si dhe për zgjedhjen e emrave më të bukur që shprehin optimizëm dhe mirësi.

Të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  i pëlqenin emrat e bukur dhe përgëzohej me të mirë prej tyre, ndërsa emrat me kuptime të shëmtuara nuk i pëlqenin dhe i ndryshonte ata. Ai gjithashtu i udhëzoi besimtarët drejt përdorimit të shprehjes më të butë dhe më të përshtatshme, edhe kur dy shprehje kishin kuptim të njëjtë ose të përafërt. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  ka thënë: “Askush prej jush të mos thotë: ‘U bëra i keq (i prishur) në shpirt’, por le të thotë: ‘U bëra i rënduar (i trazuar) në shpirt’.”

Imam Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kuptimi i të dyja shprehjeve është i njëjtë, domethënë se njeriu ndihet i përzier dhe i rënduar, ndërsa gjendja e tij shpirtërore është përkeqësuar. Profetit nuk i pëlqeu të përdori fjalën ‘ i keq’, për shkak të shëmtisë dhe papërshtatshmërisë që përmban. Andaj, i udhëzoi ata të përdorin shprehjen e bukur, të braktisin shprehjen e shëmtuar dhe të zëvendësojnë fjalët e papëlqyeshme me fjalët më të mira.”

Vëllezër të fesë! Fjalët e mira dhe shprehjet e bukura janë nga rrugët që i çojnë banorët e Xhenetit drejt tij dhe janë gjithashtu pjesë e kënaqësive që ata do të përjetojnë në të, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ata qenë udhëzuar drejt fjalës së mirë…” (El-Haxhxh 24) Domethënë, u udhëzuan që në këtë botë të flasin fjalë të mira, më e larta dhe më e vlefshmja prej tyre fjala e teuhidit dhe e sinqeritetit: La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut. Në të përfshihet çdo përmendje e Zotit dhe gjithçka që lidhet me të, nga leximi i Librit të Tij, Kuranit, lutja drejtuar Atij, madhërimi, falënderimi, shpallja e madhështisë së Tij dhe lavdërimi i Tij për cilësitë dhe mirësitë që na ka dhuruar. Për këtë dëshmon fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Fjalët më të dashura tek Zoti i Madhëruar janë katër: SubhanAllah (I Lartësuar qoftë Allahu!), Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut!), La ilahe il-lAllah (S’ka Zot tjetër përveç  Allahut!) dhe Allahu Ekber (Zoti është më i Madhi!).”

LEXO  Nxehtësia e verës përkujtim i zjarrit dhe mirësia e dhurimit të ujit

Po kështu, çdo fjalë e mirë që përmban mësimin e një dije të dobishme, bamirësi, përmirësim apo pajtim mes njerëzve. Këto janë fjalët që ngrihen drejt Zotit, të pranuara dhe të pëlqyera prej Tij. Ato e bëjnë thënësin të denjë për lavdërim dhe bëhen shkak që Zoti t’i japë sukses e ndihmë për të kryer vepra të mira, të cilat ngrihen drejt Tij, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Tek Ai ngjiten fjalët e bukura, ndërsa veprën e mirë Ai e ngre Vetë.” (El-Fatir 10)

Njeriu shpërblehet për këto fjalë në Xhenet me kënaqësi të së njëjtës natyrë, aty ku ai nuk do të dëgjojë asgjë tjetër përveç fjalëve të pastra nga e pavërteta dhe lëndimi i tjerëve,

sikurse Zoti i Plotëfuqishëm, duke përshkruar pjesë të kënaqësive të banorëve të Xhenetit, ka thënë: “Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh, por vetëm fjalët “Paqe, paqe!’” (El-Uaki‘a 25–26) Domethënë, ata nuk do të dëgjojnë aty fjalë të pavërteta, as shprehje të shëmtuara që i bëjnë njerëzit të meritojnë gjynahin. Ata do të dëgjojnë vetëm përshëndetjen dhe selamin nga Zoti i tyre, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”.’” (El-Ahzab 44)

O ju muslimanë! Themeli i besimit të muslimanit është fjala e teuhidit dhe e imanit, besimit: La ilahe il-lAllah, S’ka Zot tjetër përveç  Allahut! Kjo fjalë e mirë, që nuk ka fjalë më të mirë dhe të më pastër se kjo, nuk jep vetëm se fryte të mira dhe prej atij që e beson sinqerisht priten fjalë të bukura. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Ibrahim 24–25)

Atijetu Ibn El Aufi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Ky është shembulli i besimtarit, prej tij vazhdimisht dalin fjalë të mira dhe vepra të mira që ngrihen për tek Zoti.”

Adhurues të Zotit! Zoti është i Pastër dhe i Përsosur në ekzistencën, cilësitë, veprat dhe fjalët e Tij. Fjala e Tij është e pastër, e mirë, dhe nuk pranon veçse atë që është e pastër, e mirë. Ai nuk i do veçse fjalët e mira dhe nuk i përshtaten madhështisë së Tij veçse fjalët e pastra që dalin nga krijesat e Tij. Drejt Tij ngrihen vetëm fjalët e mira.

Zoti i do njerëzit që flasin mirë, ndërsa i urren fjalët e këqija dhe të ndyra. Ai e urren thashethemin dhe fjalët e kota, si dhe njerëzit që përdorin shprehje të pahijshme, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit, asgjë nuk do të jetë më e rëndë në peshoren e besimtarit sesa morali i mirë. Vërtet, Allahu e urren njeriun e pahijshëm, atë që përdor fjalë të ndyra.”

Nuk ka dyshim se themeli i fjalëve të mira është fjala e teuhidit dhe e besimit, rrënja e së cilës është e ngulitur fort në zemrën e besimtarit, ndërsa degët e saj, të përfaqësuara nga veprat e mira, ngrihen lart në qiell. Prandaj, ajo jep si fryte vetëm fjalë të mira dhe virtyte të bukura.

Ndërsa themeli i fjalëve të këqija është fjala e shirkut, të cilën Zoti e ka krahasuar me një pemë të keqe, kur ka thënë: “Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.” (Ibrahim 26) Ajo nuk ka rrënjë të forta, as degë të larta dhe as fryte të pastra. Për këtë arsye, jep vetëm fjalë dhe vepra të këqija.

O vëllezër të besimit! Fjalët e mira i përshtaten besimtarit të mirë, sepse përputhen me zemrën e tij, me besimin e tij dhe me natyrën e tij. Ndërsa fjalët e këqija i përshtaten njeriut të keq, sepse përputhen me veprat e tij dhe me atë që mban në zemër, sikurse Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm ka thënë: “Gratë e pandershme janë për burrat e pandershëm dhe burrat e pandershëm janë për gratë e pandershme. Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme. Ata janë të pastër nga shpifjet që thuhen (kundër tyre) dhe do të falen e  do të kenë një shpërblim bujar (në Xhenet).” (En-Nur 26)

Adhurues të Zotit! Fjala e mirë është një mjet për t’u mbrojtur nga ndëshkimi i Zotit dhe për të shpëtuar nga hyrja në Zjarr, Xhehenem.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ruajuni Zjarrit, Xhehenemit, qoftë dhe duke dhënë një gjysmë hurme. E nëse dikush nuk e gjen as këtë, atëherë le ta bëjë këtë përmes një fjale të mirë.”

O besimtarë! Zoti e urdhëroi profetin e Tij që t’i porosiste njerëzit të sillen me edukatë, të flasin me butësi me njëri-tjetrin, gjatë bisedave dhe diskutimeve të zgjedhin fjalët më të mira.           Kjo sepse nga qëllimet më madhore të Sheriatit është bashkimi i fjalës dhe afrimi i zemrave të njerëzve. Nëse nuk veprojnë kështu, shejtani, armiku i tyre, përmes mënyrës së keqe të komunikimit mes tyre, mbjell armiqësi, nxit të keqen dhe ndez fitnen mes tyre, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.” (El-Isra’ 53)

LEXO  Festa e Bajramit ritual adhurimi dhe thirrje në natyrshmëri

Ndoshta një fjalë e mirë bëhet shkak që Zoti të largojë mosmarrëveshjet, konfliktet, urrejtjen dhe armiqësitë! Përmes saj, Zoti ka pajtuar mes dy njerëzve dhe ka afruar ata që ishin larguar nga njëri-tjetri. Kështu, shpërblimi për atë që e thotë bëhet i madh dhe sevapi i tij i jashtëzakonshëm, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm thënë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (En-Nisa’ 114)

Sa nga fjalët e mira që ka thënë njeriu pa u kushtuar shumë rëndësi, përmes tyre ka arritur kënaqësinë e Zotit dhe Ai e ka ngritur në shkallët më të larta! Po ashtu, sa fjalë ka thënë njeriu pa menduar mirë për to dhe pa shqyrtuar pasojat e tyre, e pastaj ato e kanë çuar drejt Zjarrit, Xhehenemit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, robi mund të thotë fjalë që e kënaq Zotin, pa i kushtuar asaj rëndësi të madhe, e Ai e ngre atë përmes saj në shkallët më të larta. Po ashtu, robi mund të thotë fjalë që e zemëron Allahun, pa menduar për të, dhe përmes saj zhytet në Xhehenem.”

Sa fjalë i vijnë njeriut në mendje në çastin e zemërimit, të cilat, nëse do t’i thoshte, dëmi i tyre do të ishte më i madh se dobia! Por, nëse i zëvendëson me fjalë të mira, atij i largohet zemërimi dhe i mbetet shpërblimi. Sulejman Ibn Suradi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon: “Dy burra u fyen me njëri-tjetrin në prani të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Njërit prej tyre filloi t’i skuqej fytyra dhe t’i fryheshin venat e qafës.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Unë di një fjalë që, nëse ai do ta thoshte, do t’i largohej gjendja që po përjeton: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-raxhim,  Kërkoj mbrojtjen e Zotit nga shejtani i mallkuar.”

O ju muslimanë! Çdo fjalë që e afron njeriun me Zotin është fjalë e mirë. Në këtë përfshihet fillimi i selamit, kthimi i tij dhe mësimi i dijes së dobishme. Për atë që e thotë fjalën e mirë konsiderohet sadaka, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Fjala e mirë është sadaka.”

Arsyeja pse fjala e mirë konsiderohet sadaka për çfarë qëndron në zemrën e personit që i drejtohet dhe i dhurohet, nga gëzimi dhe lehtësimi që ai ndjenë prej saj. Kjo i ngjan gëzimit që ndien nevojtari kur merr sadaka në çastin kur ka më shumë nevojë për të.

Kur fjala e mirë prek zemrën e njeriut të lënduar, të shqetësuar, të brengosur apo të pikëlluar, vlera e saj bëhet më e madhe dhe shpërblimi për të thënësin më i madh.  Fjalët e mira marrin rëndësi të veçantë dhe vlera e tyre rritet kur i varfëri ose nevojtari i drejtohet njeriu të pasur për t’i kërkuar ndihmë.

Nëse personi të cilit i drejtohet ia plotëson nevojën dhe e shoqëron këtë me fjalë të mira, atëherë mirësia e tij bëhet më e plotë dhe zemra e kërkuesit gëzohet më shumë. E nëse ai nuk ka mundësi t’ia plotësojë nevojën, atëherë fjala e mirë, si lutja për të, premtimi i bukur dhe çdo shprehje që i sjell gëzim në zemër, mund të zërë vendin e sadakasë. Madje mund të jetë më e mirë sesa sadakaja që pasohet nga përmendja e të mirës dhe fyerja e atij që e ka marrë. Provë dhe argument për këtë është fjala e Zotit të Vërtetë: “Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje.” (El-Bekare 263) Dhe fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Ruajuni Zjarrit të Xhehenemit qoftë dhe duke dhënë gjysmën e një hurme. E nëse dikush nuk e gjen as këtë, atëherë le ta bëjë këtë përmes një fjale të mirë.”

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!

Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Dëgjuesit të Gjithçkaje, të Gjithëdijshmin, dija e të Cilit përfshin atë që shpirtrat e robërve të Tij bartin dhe gjokset e tyre mbajnë të fshehtë. Dëgjimi i Tij përfshin gjithçka që gjuhët e tyre shprehin haptazi.

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi profetin tonë, Muhamedin, të cilin Zoti i tij e dërgoi mëshirë për të gjitha botët.

Në vijm

O adhurues të Zotit! Kush dëshiron që fjala e mirë dhe të folurit e bukur të jenë nga cilësitë e tij, le ta mësojë veten ta ruajë gjuhën që të flasë vetëm aq sa i duhet për ta argumentuar atë që thotë  dhe për të shprehur nevojën e tij dhe të heqë dorë nga fjalët e tepërta, sepse ato mund ta bëjnë të rrëshqasë dhe i sjellin keqardhje. Le t’i peshojë fjalët para se t’i shqiptojë, duke pasur gjithmonë parasysh fjalën e Zotit të tij të Lartësuar: “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf 18)

Le ta ushtrojë veten të heshtë për gjërat që nuk e shqetësojnë dhe nuk i përkasin, sepse kjo është pjesë e përsosmërisë së Islamit të tij. Sa më shumë të flasë njeriu, aq më shumë mund të shtohen gjynahet e tij.

Omeri Ibn Abdulazizi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kush nuk e konsideron fjalën e tij si pjesë të veprave të tij, do t’i shtohen gabimet.”

Imam Ebu Amrin El Euzaiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kush e kupton se të folurit e tij është pjesë e veprave të tij, do të flasë më pak.”

LEXO  Pasimi i veprave të këqija me të mira rruga drejt shpëtimit

Imam Maliku, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Dije se është e keqe e madhe që njeriu të flasë për gjithçka që dëgjon.”

Nuk ka dyshim se ruajtja e gjuhës, përveçse dëshmon për pjekurinë e mendjes, dëshmon edhe se robi e ndien mbikëqyrjen e Zotit të tij dhe i frikësohet Atij. Ajo është gjithashtu shenjë e përpjekjes për të përmirësuar Islamin dhe përsosur besimin e tij.

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Musliman është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë.”

Gjithashtu, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush beson Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le të thotë fjalë të mira ose të heshtë.”

O besimtarë! Muslimani i vërtetë e kupton rrezikun që fjala mund t’i sjellë fesë së tij dhe pasojat që ajo mund të ketë për të në botën Tjetër, Ahiret, nëse e lëshon gjuhën të flasë fjalë të ndyra dhe të këqija, nëse zhytet në biseda të kota bashkë me ata që zhyten në to, nëse flet pa pushim e pa masë, pa i peshuar fjalët dhe pa e frenuar gjuhën.

Sa shumë njerëz i kanë këto tipare dhe njihen për to! Ata janë mashtruar nga rrjedhshmëria e gjuhës, e cila mund t’u bëhet më e dëmshme se goditja e shpatës. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “A ka diçka tjetër që i hedh njerëzit me fytyrë në Zjarr, ose tha: me hundë, përveç rezultatit të gjuhëve të tyre?”

Për këtë arsye, ruajtja e gjuhës dhe e organit intim është shkak për të merituar hyrjen në Xhenet, pas besimit dhe kryerjes së obligimeve fetare, mbështetur në fjalën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush ma garanton atë që ka midis dy nofullave dhe atë që ka midis dy këmbëve, unë i garantoj Xhenetin.”

Dijeni se nga mënyrat më të mira për t’u mësuar me fjalët e mira është ta zbusim gjuhën dhe ta mbajmë të njomë me përmendjen e shpeshtë të Zotit. Kush e mëson gjuhën e tij të përmendë Zotin e ruan atë nga e pavërteta dhe fjalët e kota. Kujt i thahet gjuha nga mos përmendja e Zotit, ajo i njomet me çdo të pavërtetë, fjalë të kotë dhe të pahijshme.

O Allah, Zoti ynë! Drejto fjalët tona, përmirëso veprat tona na dhuro fjalë të mira që ngrihen tek Ti, dhe na udhëzo të bëjmë vepra të mira që pranohen tek Ti.

Umeti Islam, kudo që ndodheni! Dy vendet e shenjta, Meka dhe Medina, kanë një shenjtëri të madhe tek Zoti. Ato zënë një vend të lartë në zemrën e çdo muslimani me besim të sinqertë dhe gëzojnë dashurinë e tij të plotë. Kush synon t’u bëjë keq dhe të ngre kurthe kundër tyre, Zoti ia çon përpjekjet dëm dhe e  poshtëron atë. Sa i përket Mekës, ajo është Shtëpia e Shenjtë e Zotit. Aty ndodhet Qabeja, kibla e muslimanëve. Ajo është toka më e mirë e Zotit dhe vendi më i dashur tek Ai. Zoti ka kërcënuar me dënim të dhembshëm ata që synojnë të bëjnë një gjynah të rëndë në të. Atëherë, ç’mund të thuhet për ata që synojnë ta sulmojnë dhe t’i bëjnë padrejtësi, një grup rebelësh e gjynahqarësh që pretendojnë se po e ndihmojnë Zotin, të cilët kanë humbur rrugën dhe nuk janë të udhëzuar?! Ky është një krim i madh, i kryer nga grupi terrorist Huthi. Vepër e ngjashme me të ishte ajo për të cilën Zoti bëri ushtrinë e elefantit shembull paralajmërues për ata që ndjekin rrugën e tyre dhe ndëshkim që shërben si mësim për ata që vijnë pas tyre.

Ndërsa Medina është vendi ku emigroi i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vendi ku prehet trupi i tij, vendbanimi i përkrahësve të fesë së tij, streha e besimit dhe vendi ku zbritën shpallja dhe Kurani.

Zoti i ka mbrojtur banorët e saj nga kushdo që i ka frikësuar apo ka kurdisur komplote kundër tyre. Ai ka paralajmëruar me ndëshkim këdo që synon t’u bëjë keq, bazuar në fjalën e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili nuk flet nga dëshira e vet: “Çdo kush që kurdis intriga kundër banorëve të Medinës do të shkrihet e do të zhduket ashtu siç shkrihet kripa në ujë.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Kush dëshiron t’u bëjë keq atyre, Zoti do ta shkrijë atë ashtu siç shkrihet plumbi në zjarr ose kripa në ujë.” Në një hadith tjetër në Sahih, thuhet: “Medina është vend i shenjtë. Kush kryen aty një vepër të ndaluar ose i jep strehim dikujt që ka kryer një vepër të tillë, mbi të do jetë mallkimi i Zotit, i Melaikeve dhe i të gjithë njerëzve! Zoti nuk do t’ia pranojë atij Ditën e Gjykimit as veprat që i ka pasur obligim dhe as ato vullnetare.”

Adhurues të Zotit! Dërgoni lutje dhe përshëndetje për profetin tuaj, ashtu siç ju ka urdhëruar Zoti juaj, sepse kush dërgon një salavat mbi të, Zoti dërgon dhjetë salavate mbi të.

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e parë të drejtë, pasuesit dhe ndjekësit e sunetit, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë sahabet, shokët e tij, njerëzit e pajisur me vlera dhe virtyte të larta, me tabi’inët dhe ata që i pasojnë në mirësi,  o Ti që je i Lavdëruar dhe Mbrojtës!

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe jobesimtarët, shkatërroji armiqtë e Tu, armiqtë e fesë.

O Zot, ruaje xhaminë Aksa nga kurthet e atyre që kurdisin kurthe dhe nga sulmet e të padrejtëve,  agresorëve. O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë dhe ndihmoji kundër armiqve të Tu, o Zot i botëve!

O Zot, jepi sukses në të vërtetën dhe në udhëzim udhëheqësit dhe kujdestarin e  çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të Shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur me të, udhëzoje atë drejt mirësisë dhe devotshmërisë.

O Zot, ndihmo atë dhe princin e Kurorës në gjithçka që sjell mirësi për popullin dhe vendin,  dhe në të mirë të Islamit dhe muslimanëve.

O Zot, ruaj kufijtë tanë dhe ndihmo ushtarët tanë që qëndrojnë vigjilent në kufijtë e vendit tonë. O Zot, ji ndihmës dhe përkrahës i tyre, cakto për ata nga ana Jote një mbrojtës e ndihmës. O Zot, saktëso goditjet e tyre, udhëzo vendimet e tyre dhe poshtëro armikun tonë dhe armikun e tyre.

O Zot, atij që synon t’i bëjë keq Mbretërisë së Arabisë Saudite, vendit tonë, fortesës së Islamit dhe mbrojtëses së muslimanëve, përmes kurtheve dhe të keqes, kthe kurthin kundër vetes së tij dhe bëje që pasojat e së keqes t’i bien mbi kokë, o Ti që je i Fuqishëm dhe Ngadhënjimtar!

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1703277075132299/2236433756932036

Post Author: endrit