Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 28-04-1448 H 09-10-2026 D
Shejh Abdurrahman Sudejs
Tema Përgjegjësia dhe ndershmëria e fjalës në epokën e inteligjencës artificiale
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është Unik në krijim, në dije dhe në ekzistencë. Zotin e Madhërishëm e falënderojmë me një falënderim përmes të cilit përmirësojmë jetën tonë në këtë botë dhe lartësohemi në botën Tjetër, Ahiret.
“Ty të takon falënderimi, sepse je i denjë për falënderim dhe lavdërim, për mirësitë e shumta që na ke dhënë njëra pas tjetrës.”
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai na ka dhuruar mirësi dhe dhunti të panumërta përtej të kuptuarit tonë.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Allahu e dërgoi atë me udhëzim dhe fenë e vërtetë, përmes të cilave u përhap e mira dhe lumturia. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, të cilët arritën grada të larta nderi e lavdie, tabi’inët dhe ata që ndoqën gjurmët e tyre duke shpresuar në sukses dhe qëndrueshmëri. Lutje dhe përshëndetje të shumta deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin! Kush i përmbahet devotshmërisë, do të jetë i lumtur në jetën e kësaj bote, do të shtojë mirësitë e tij dhe do të pastrohet në shpirt dhe në zemër. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
O besimtarë! Nga veçoritë më të dallueshme të shoqërive muslimane është se feja ka një rëndësi të jashtëzakonshme në drejtimin e sjelljes individuale dhe të marrëdhënieve shoqërore. Ajo është burimi i vlerave njerëzore e shoqërore dhe masa me të cilën vlerësohen idealet e tyre më të larta. Islami nuk kufizohet vetëm në çështjet e besimit dhe të adhurimit, por ai është një sistem gjithëpërfshirës për jetën. Ai e udhëheq jetën me parimet e tij dhe me bazat e legjislacionit Islam në fusha dhe marrëdhënie të ndryshme.
Nga veçoritë më të spikatura të epokës sonë është teknologjia moderne dhe përparimi i shpejtë në zhvillimin e saj, si dhe përdorimi i saj në fusha të ndryshme të jetës.
Rrjetet sociale janë të pranishme pothuajse në çdo shtëpi, madje vështirë të gjendet një njeri që nuk i përdor ato, qoftë kur është në shtëpi apo në udhëtim, në çfarëdo gjendjeje që ndodhet. Kjo e bën të domosdoshëm rikujtimin e rregullave dhe etikës që duhet të respektohen gjatë përdorimit të tyre.
Vëllezër të besimit! Rrjetet sociale dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale janë nga mirësitë që Zoti i ka dhuruar robërve të Tij. Çdo mirësi nga Zoti i Madhëruar kërkon prej nesh falënderim me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë.
Falënderimi për këto mirësi s shprehet duke i përdorur këto mjete në bindje ndaj Zotit të Lartësuar dhe gjërat që Ai i pëlqen, duke qenë gjithmonë të vetëdijshëm se Ai na vëzhgon në çdo gjë që publikojmë dhe themi, sepse Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm: “ Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” (Gafir 19)
Në rrjetet sociale njeriu mund të hasë gjëra vërtet të çuditshme, të cilat prishin marrëdhëniet dhe këpusin lidhjet e dashurisë e të respektit në shoqëri, nga sulmet ndaj fesë, nderit, mendjes dhe pasurisë së njerëzve. Këto përmbajtje përhapen nga njerëz të paditur dhe përsëriten nga persona të papërgjegjshëm, duke nxitur thashethemet, përhapur lajme të rreme dhe promovuar shpifje e trillime. Për këtë arsye, duhet të jemi të kujdesshëm gjatë përdorimit të këtyre platformave të rreme dhe faqeve të falsifikuara, ku shpesh mbizotëron përmbajtja e pavlerë dhe zhurma e turmave të papërgjegjshme.
O muslimanë! Fjala mbart përgjegjësi të madhe. Ajo është një armë me dy tehe dhe një mesazh që mund të ketë dy pasoja të kundërta. Nëse dëshironi, fjala mund të jetë diell që ndriçon ose zjarr që djeg, mund të jetë argument i qartë ose shpatë që godet, mund të jetë shi që sjell jetë ose shi i dëmshëm që shkatërron. Fjala mund të shprehë fisnikëri dhe respekt, ose të bëhet shigjetë që plagos. Ajo mund të sjellë gëzim ose të paralajmërojë shkatërrimin. Mund të jetë më e ëmbël se mjalti, por edhe më e dëmshme se plagët që shkaktojnë armët. Sa herë një fjalë ka qenë më ndikuese se një sulm fizik! Dhe sa herë një fjalë do të kishte qenë më mirë të mos thuhej fare!
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet, robi mund të thotë fjalë që e kënaq Zotin, pa i kushtuar asaj rëndësi të madhe, e Ai e ngre atë përmes saj në shkallët më të larta. Po ashtu, robi mund të thotë fjalë që e zemëron Allahun, pa menduar për të, dhe përmes saj zhytet në Xhehenem.” Hadithin e transmeton Buhariu.
Prandaj, çdo gjë që njeriu shkruan, që e shkruajnë gishtat e tij, që thotë me gojë, që e ri publikon ose e shpërndan në këto faqe, hyn në ato gjëra për të cilat do të pyetet dhe do të japë llogari. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf 18)
Për shkak të rrezikshmërisë dhe rëndësisë së fjalës, në Islam janë përcaktuar dënime dhe sanksione ligjore, qortimet dhe gjynahe vetëm për të folurit e thjeshtë, fjalët e thëna. Nga Nga ato janë fjala e teuhidit, Njësimit të Zotit, rrëzimi i kufrit dhe idhujtarisë, fjalët që lidhen me martesën dhe divorcin, si dhe të tjera.
“Ruaje gjuhën tënde që të mos thuash fjalë e pastaj të sprovohesh prej tyre, sepse sprova mund të jetë e lidhur me atë që shqipton gjuha.”
Më e keqe se kjo është përdorimi i teknologjive moderne, si inteligjenca artificiale dhe aplikacionet kompjuterike, për falsifikim dhe mashtrim; për montimin e videove, imitimin e zërave, përvetësimin e identiteteve të njerëzve dhe atribuimin e deklaratave të rreme personave që nuk i kanë thënë ato, e më pas përhapjen e tyre në rrjetet sociale dhe faqet e internetit. Kjo është gënjeshtër e ndaluar në Sheriat, legjislacionin Islam. Për më tepër, ajo përbën cenim të nderit dhe privatësisë së njerëzve, si dhe ndihmon në përhapjen dhe promovimin e të pavërtetës. Nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: O ju që keni besuar vetëm me gjuhët tuaja, ndërsa besimi ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja! Mos i lëndoni muslimanët, mos i poshtëroni dhe mos i ndiqni të metat e tyre. Kush ndjek të metën e vëllait të tij musliman, Allahu do t’ia ndjekë të metën atij, e kujt Allahu ia ndjek të metën, do ta turpërojë edhe sikur të jetë në brendësi të shtëpisë së tij.”
Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të dy, një ditë vështroi Qaben dhe tha: “Sa madhështore je dhe sa e shenjtë është shenjtëria jote! Megjithatë, besimtari ka një shenjtëri edhe më të madhe tek Zoti sesa ti.” Hadithin e transmeton Tirmidhiu si dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij.
Vëllezër të Islamit! Nëse teknologjia moderne është një prej mirësive të Zoti për ne në këtë epokë, atëherë keqpërdorimi i saj është nga shkaqet më të mëdha të dëmit për individët, familjet dhe shoqëritë.
Kjo ndodh sepse keqpërdorimi i saj çon në shkeljen e privatësisë së njerëzve, mashtrime dhe veprime të paligjshme, përhapjen e hutimit dhe të trazirave, shkatërrimin e besimit ndërmjet njerëzve, dëmtimin e sigurisë shoqërore, përhapjen e përçarjes dhe të fitneve. E gjithë kjo është një formë e shkatërrimit dhe e përhapjes të së keqes. “Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” (El-Bekare 205)
Prandaj, bëni shumë kujdes nga ri publikimi i fotografive dhe videove të manipuluara, ose i atyre që u atribuohen njerëzve me pa të drejtë, sepse kjo sjell përhapjen e gënjeshtrave, promovimin e së pavërtetës dhe nxitjen e hutimit e të trazirave ndërmjet njerëzve. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El-Huxhurat 6) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një faj i madh.” (En-Nur 15) Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mjafton si gënjeshtër për një njeri që të tregojë çdo gjë që dëgjon.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Umeti Islam! O ju që përdorni emra të rremë dhe fshiheni pas ekraneve tuaja, larg syve të njerëzve, për të sulmuar dhe për të fyer njerëzit fisnikë e të mirë! Pendohuni tek Krijuesi dhe Zoti juaj! Matini mirë fjalët që shkruani me duart tuaja! Ndalo urrejtjen dhe armiqësinë ndaj muslimanëve dhe mos i dëmto ata, që të jeni të lumtur në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” (El-Ahzab 58)
Zoti na bekoftë të gjithëve me Kuran dhe sunet, na bëftë dobi të gjithëve me ajetet dhe urtësinë që ata përmbajnë.
Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët e muslimanet, nga çdo gjynah dhe shkelje. Zotin kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni. “ Se Allahu e pranon pendimin dhe është Mëshirues.” (En-Nisa’ 16)
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e përsosi Sheriatin dhe e bëri atë të qartë, duke i sjellë lumturi umetit tonë në fenë dhe jetën e tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi njeriun më të mirë që i pastroi shpirtrat dhe i gjallëroi ata me besim, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit me zemrat më të dëlira dhe më të devotshmit e këtij umeti, dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin. Devotshmëria ndaj Tij sa shumë sjell frikë respekt dhe madhërim për Të, ndriçim të zemrës dhe përgjërim në lutje! Për Zotin, sa shumë përmirëson gjendjen e njeriut në këtë botë dhe përfundimin e tij në botën Tjetër, Ahiret!
Umeti Islam! Feja Islame ka ardhur me bashkim dhe harmoni, ndërsa ka paralajmëruar kundër përçarjes dhe mospajtimeve. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103)
Veprat kriminale që kryhen përmes rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale, si shantazhi, njollosja e reputacionit, videot e rreme dhe të manipuluara, si dhe përhapja e lajmeve që shkaktojnë panik, thashethemeve, shpifjeve dhe trillimeve, nuk janë më të panjohura për njeriun e mençur e të vetëdijshëm dhe nuk e lëkundin atë që është i bindur dhe thërret të tjerët drejt së mirës.
Hakerimi i kompjuterëve dhe telefonave celularë, mashtrimet financiare përmes platformave dhe rrjeteve, mesazhet e rreme që premtojnë pasurim të shpejtë, fshehja e veprimtarive të paligjshme tregtare, synimi i pasurisë së njerëzve dhe mashtrimi i tyre përmes metodave të ndryshme tradicionale, teknologjike dhe digjitale, si dhe sulmet elektronike në të gjitha format dhe llojet e tyre, krimet e kryera përmes inteligjencës artificiale, e cila tashmë është e qasshme për të gjithë, fanatizmi, racizmi, urrejtja, si dhe videot që nxisin ateizmin dhe imoralitetin seksual, të gjitha këto veprimtari kriminale, me format e tyre të shumta, na obligojnë ne, muslimanët, të qëndrojmë të bashkuar si një trup i vetëm përballë kujtdo që përpiqet të përçajë radhët tona dhe të shkaktojë ndasi, çrregullim e trazira, duke gënjyer për udhëheqësit, figurat e njohura dhe dijetarët, përmes videove të rreme ose fjalëve që u atribuohen atyre në mënyrë të rreme.
Umeti Islam! Nga parimet e rëndësishme për përdorimin e këtyre mjeteve bashkëkohore është vënia e tyre në shërbim të fesë dhe atdheut, si dhe ruajtja e sigurisë dhe e stabilitetit të tij.
Në këtë kontekst, njerëzit që e duan sinqerisht të mirën dhe ata të paanshëm i dënojnë dhe i kundërshtojnë me fjalët më të ashpra sulmet kriminale terroriste të kryera nga grupi terrorist Huthi kundër Mekes së Shenjtë dhe Medines së Ndritshme, si dhe shenjëstrimi i civilëve dhe i objekteve civile. Këto veprime bien ndesh me Sheriatin, provokojnë ndjenjat e muslimanëve dhe përbëjnë shkelje të hapur të të gjitha normave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Bindja jonë e plotë është se siguria dhe shenjtëria e dy vendeve të Shenjta, Mekes dhe Medines, janë vijë e kuqe që nuk mund të kalohet.
Zoti e ruajt Mbretërinë e Arabisë Saudite nga çdo e keqe dhe të urryer, përjetësoftë sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe përparimin e saj! Zoti largoftë prej saj kurthet e komplotistëve dhe sulmet e agresorëve, dhe nga të gjitha vendet e tjera muslimane! Vërtet, Ai është Dëgjuesi që u përgjigjet lutjeve.
Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni të dërguarin e nderuar, sikurse ju ka urdhërua Zoti juaj, Mëshirëploti, në librin e Tij të drejtë, Kuran, Zoti i Madhërishëm ka thënë fjalë të madhe: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje profetin e zgjedhur! O Zot, të lutemi ji i kënaqur me shokët e tij fisnikë e të mirë, me Muhaxhirët dhe Ensarët. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, si dhe me dhjetë sahabet e përgëzuar me Xhenet. Na përfshi dhe ne bashkë me ta, me bujarinë, mirësinë dhe mëshirën Tënde, o i Plotfuqishëm, o Falës i Madh!
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona! Mbështete me të drejtën dhe të mirën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princit të Kurorës, drejt gjithçkaje që i sjell krenari Islamit dhe përmirësim muslimanëve, si dhe drejt çdo gjëje që përmban mirësi dhe udhëzim të drejtë për vendin dhe popullin. O Zot, bëji ata mbështetje për Islamin dhe muslimanët!
O Zot, jepu sukses forcave tona të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe atyre që qëndrojnë në gatishmëri në kufijtë tanë! Drejto vendimet dhe goditjet e tyre dhe ndihmoi kundër armiqve të Tu dhe armiqve të tyre, o i Forti, o i Plotfuqishmi!
O Zot, fal muslimanët dhe muslimanet, bashko zemrat e tyre dhe udhëzoji ata në rrugët e paqes. O Zot, lehtëso brengën e të pikëlluarve, largo vuajtjet e të munduarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, kush synon të keqen kundër nesh, Islamit dhe muslimanëve, angazhoje me veten e tij, kthe komplotin e tij kundër tij dhe bëje planin e tij shkatërrim për të, o Dëgjues i lutjeve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, shpëto muslimanët e shtypur dhe të dobët në çdo vend që ndodhen, ruaj xhaminë Aksa krenare e madhështore deri në Ditën e Gjykimit!
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
Na fal neve, prindërit tanë, prindërit e tyre dhe të gjithë muslimanët, me mëshirën Tënde, o Mëshiruesi më i Madh!
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj