Mbuloi të metat e të tjerëve – Meka 23.10.2020 

Hytbe e Qabes                            06-03-1442 H     23-10-2020  

Shejh Mahir El Muajkili            Tema: Mbuloi të metat e të tjerëve

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i Cili ka përfshirë çdo gjë në dijen e Tij, e për çdo gjë ka caktuar masë. Ai ka hedhur me mirësinë e Tij mbulesë mbi krijesat e Tij. Unë e falënderoj Allahun e lartësuar dhe i jam mirënjohës, tek Ai pendohem dhe Atij i kërkoj falje.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq.

Dëshmoj se zotëria dhe profeti jonë Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Allahu e dërgoi atë tek njerëzit për justifikim e qortim. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatia e Tij qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij të cilëve Allahu u ka mundësuar përmendje të përjetshme e shpërblim madhështor, mbi tabiinët dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

O besimtarë! U porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Kush i frikësohet Allahut do të mbrohet prej Allahut. Kush kërkon të mbulohet me mbulimin e Allahut, Ai e mbulon atë dhe e shpëton.

Devotshmëria ndaj Allahut është porosia më e madhe, veshja më e mirë dhe sjellja më fisnike.

“Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El Bekare; 281).

O popull Islam. Mirësia e mbulesës është një prej mirësive dhe dhuratave të Allahut. Jeta e njerëzve nuk mund të jetë e mirë veçse me të. Shpirtrat nuk gëzohen veçse nën hijen e saj. Ajo është hijeshi e bukuri, ndriçim e lartësi. Me të umeti ruan tërësinë e tij, lidhjet dhe ndërtesën e tij. Mbulesa o rob të Allahut është mbulimi i të metave, fshehja e mangësive, mospublikimi i të këqijave dhe shkarjeve qofshin në fjalë apo vepra, të prekshme apo të nënkuptueshme.

Zoti ynë ia ka atribuar vetes së Tij këtë cilësi të lartë. Ai është ‘Es Sittir’ Mbuluesi. Në synenin e Ebu Daudit përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu i madhërishëm është i Turpshëm e Mbulues e do turpin dhe mbulesën.

Fryt i besimit në këtë cilësi fisnike është turpi prej Allahut të lartësuar. Robi duhet të përpiqet të mos njolloset me gjynahe ndaj krijuesit të tij. Nëse vetja e mund atëherë le të mbulohet me mbulesën e Allahut ndaj tij sepse Zoti është i mëshirshëm dhe fisnik. Prej mëshirës dhe mirësisë së Tij Ai nuk nxiton ta ndëshkojë robin e nuk nxiton ta marrë në llogari por hedh mbi të mbulesë me qëllim që të mos demaskohet me gjendjen e tij. Mirësia e Allahut zbret pandërprerë mbi robin, bamirësia e tij është e vazhdueshme. Jo vetëm kaq por Allahu e thërret njeriun të pendohet e të kthehet për tek Ai. Nuk e lë të humbë shpresat prej mëshirës së Tij. Ai e thërret robin me pozitën e nderit të adhurimit dhe gëzohet me pendimin e tij. Allahu i lartmadhërishëm, poseduesi i emrave të lartë i do të penduarit.

“Thuaj: O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer; 53).

Kush vështron në jetën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) e gjen atë të kujdeshëm për të mbuluar turpësitë, për të fshehur mangësitë dhe shkarjet. Ai (salallahu alejhi ue selem) një person që binte në ndonjë gjynah e orientonte të mbulonte veten e tij. Një gjë e tillë ka ndodhur me Maizin (Allahu qoftë i kënaqur me të) e me të tjerë. Ai i ka përzënë disa herë pasi ata kanë pohuar vetë për imoralitetin.

Ai (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: O njerëz ka ardhë koha që ju të ndaleni tek kufijtë e Allahut. Ai i cili kryen diçka të pisët le të mbulohet me mbulesën e Allahut.

Atij kur i vinte ndonjë lajm i urryer fliste tërthorazi e nuk i binte troç, mbulonte e nuk demaskonte. Ai (salallahu alejhi ue selem) thoshte: Si është puna që disa njerëz thonë kështu e kështu.

Në sahihun e Muslimit prej ibn Mes`udit r.a përcillet se ka thënë: Një burrë erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) e i tha: O i Dërguar i Allahut unë u përzieva me një grua në periferi të Medines. Unë bëra gjiçka me të vetëm që nuk kreva mardhënie. Unë jam këtu që të gjykosh ndaj meje çka të duash. Umeri tha: Allahu të ka mbuluar sikur ta kishe mbuluar veten tënde. Ai tha: Profeti (salallahu alejhi ue selem) nuk foli asgjë. Ky person u çua dhe po largohej. Profeti (salallahu alejhi ue selem) i dërgoi nga pas një person i cili e thirri dhe i recitoi këtë ajet: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.” (Hud; 114). Një prej të pranishmëve tha: O Profet i Alalhut kjo është veçanërisht për të? Ai tha: Jo por për të gjithë njerëzit.

Sahabët Allahu qoftë i kënaqur me ta e kishin kuptuar mirë metodën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) në sjelljen ndaj mëkatarëve dhe gabimtarëve në lidhje me mbulimin e të metave, shkarjeve dhe gjynaheve.

Ibn Ebi Shejbeh në Musanefin e tij përcjell se Ebu Bekër Es Sidiku ka thënë: Nëse kap një pirës alkoli do dëshiroja ta kishte mbuluar Allahu dhe nëse do të kapja një vjedhës do të dëshiroja ta mbulonte Allahu.

Pozita më madhështore e mbulimit, kur shfaqet mëshira e Allahut dhe falja e tij është dita kur Allahu të tubojë njerëzit që nga i pari e deri tek i fundit.

Në dy sahihet përillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu e afron besimtarin dhe vendos mbi të perden e Tij dhe e mbulon e i thotë: A e di këtë gjynah? Ai thotë: Po o Zot. E kështu pasi i pranon gjynahet e tij dhe mendon në vetvete se do të shkatërrohet Allahu i thotë: Unë ti mbulova ato në dynja e Unë ty sot po ti fal ato. I jepet libri i veprave të tij të mira. Kjo do të thotë se Allahu ia fshiu gjynahet të cilat ia kish mbuluar në dynja e ia fali në ahiret.

Prej madhështisë së mëshirës së Zotit të madhërishëm për atë që mbulon veten dhe pendohet tek Zot i tij duke shpresuar mbulimin e Allahut dhe pendimin ndaj tij është fakti se Allahu me mirësinë dhe bujarinë e Tij ia shdërron të këqijat në të mira.

Në sahihun e Muslimit në hadithin e Ebu Dherit r.a përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) përmendi një person që ditën e gjykimit i thuhet: Paraqitini atij gjynahet e vogla e ngrejini të mëdhatë. Atij i paraqiten gjynahet e vogla dhe i thuhet: Filan ditë ke bërë këtë e këtë. Ai thotë po. Nuk mundet ti mohojë dhe ai është në ankth përshkak të gjynaheve të tjera të mëdha se mos ia paraqesin. Atij i thuhet: Në vend të çdo gjynahu do të kesh një të mirë. Ai thotë: O Zoti im unë kam bërë gjëra që nuk po i shoh këtu? Ebu Dherr r.a thotë: Unë pashë të Dërguarin e Allahut derisa iu dukën dhëmballët.

“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan; 70).

Vëllezër besimtarë, mbulimi i bukur është hijeshi në personalitet, besnikëri, tolerancë dhe vëllazëri. Një prej formave të tij që tregojnë edhe për bashkëjetesën e mirë është mbulimi i të metave mes dy bashkëshortëve. Allahu thotë: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.” (El Bekare; 187). Në ëmbëlsitë e jetës e idhtësitë e saj, në lehtësitë e në vështirësitë e saj që të dy ata për njëri-tjetrin janë petk mbulues e zbukurim, dashuri e ngrohtë dhe përsosmëri. Të dy i ndajnë gëzimet dhe hidhërimet. Pas besës së fortë, dashurisë dhe mëshirës së ndërsjelltë nuk është e denjë që seicili prej tyre të përhapë sekretin e tjetrit.

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rrum; 21).

Vlerat e mbulimit o robër të Allahut janë madhështore. Prej tyre vjen përhapja e dashurisë dhe afrimitetit, e mendimit të mirë të muslimanëve për njëri-tjetrin dhe ndihmesa e gjynahqarit të rikthejë vetveten e të pendohet tek Zoti i tij.

Për shkak të pozitës së lartë të mbulimit Allahu i madhërishëm e urren përhapjen e gjërave të turpshme dhe të gjynaheve të rënda. Ata që bëjnë një gjë të tillë i ka kërcënuar me ndëshkim në këtë botë e në botën tjetër.

Allahu i lartësuar thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Nur; 19).

Nëse ky kërcënim i ashpër vjen vetëm për atë që pëlqen të përhapë gjërat e turpshme dhe i gëzohet zemra me diçka të tillë e si mund të jetë për atë që i përhap ato.

Në librin ‘Edeb el Mufred’ të imam Buhariut shënohet: Është thënë më parë: Se kush dëgjon për diçka të turpshme dhe e përhap atë ai është në të njëjtën pozitë me atë që e ka kryer këtë paturpësi.

Më rëndë se kaq o rob të Allahut është një person që e ekspozon veten e tij që të përjashtohet prej faljes së Allahut. Ai që e heq mbulesën që ka mes tij dhe Zotit të tij, që vepron një gjynah e Allahu ia mbulon mirëpo ai pastaj demaskon vetveten.

Imam Ibnul Kajim duke renditur rreziqet e gjynaheve e të fajeve ka thënë: “Hiqet prej zemrës konsiderimi i tyre si diçka e shëmtuar. Ato i bëhen të zakonshme e pastaj nuk i duket gjë e shëmtuar kur e shohin njerëzit e as fjalët e tyre ndaj tij derisa disa prej tyre mburren me gjynahun e ia tregojnë atyre që nuk e dijnë se ai e ka vepruar diçka të tillë. Ai thotë o filan ka bërë këtë e këtë. E ky lloj i njerëzve nuk shpëton. Atyre i mbyllet rruga e pendimit dhe dyert e tij në shumicën e rasteve. Për këtë Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: I gjithë umeti im shpëton përveç atyre që dalin haptazi (me gjynahet).

Të dalësh haptazi është kur një person bën gjynahe gjatë natës e në mëngjes edhe pse e ka mbuluar Allahu thotë: O filan mbrëmë bërë këtë e këtë. Zoti i tij e ka mbuluar gjatë natës e ai në mëngjes i heq vetes mbulesën e Allahut.

Ty që Allahu të ka nderuar me mbulimin e Tij mos ji i sigurtë ndaj të papriturës që vjen prej Allahut. Të sigurtë ndaj të papriturës që vjen prej Allahut qëndrojnë vetëm njerëzit e shkatërruar.

Nxito të pendohesh sa më shpejt sepse ai i cili pendohet për gjynahun është si ai që nuk ka kryer gjynah dhe atij që pendohet Allahu ia pranon pendimin. Ai që mbulon veten e tij e mbulon Allahu.

Në sahihun e Muslimit shënohet se ka thënë: Allahu nëse e mbulon një rob në këtë jetë do ta mbulojë edhe në jetën tjetër.

“Mbrohem me Allahun prej shejtanit të mallkuar”

“dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit: Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit e do t’u thonë): Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Rra`d; 22-24)

Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah e faj. Kërkojini falje se ai është Falës e Mëshirues.

Hutbeja e dytë

LEXO  Kujdesi për pasurinë publike - Meka 10.12.2021

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut që me mirësinë e Tij i mbulon të metat e robërve. Ai ia fshin të penduarve gjynahet dhe fajet dhe cakton për ta shpërblim.

Nderimi dhe shpëtimi qoftë mbi atë që erdhi me përgëzim e me qortim. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin për të, familjen e tij, shokët e tij, tabi`inët dhe mbi ata që ndoqën rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Një prej shkaqeve më të mëdha që mundësojnë mbulimin e Allahut ndaj robit të Tij është lufta e robit me veten e tij për të qenë sa më i sinqertë. Kush tregohet i sinqertë ndaj Allahut në fjalë e në vepra atë Allahu e mbulon në këtë jetë e në jetën tjetër. Kush kërkon të fitojë famë me veprat e tij dhe lavdërimet e njerëzve Allahu zemërohet ndaj tij dhe i paraqet njerëzve zemrën e tij të prishur.

Në Dy Sahihet shënohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: Kush ka qëllim që të dëgjohet për veprat e tij mes njerëzve Allahu e demaskon me këtë ditën e gjykimit, kush dëshiron të bjerë në sy me veprat e tij tek njerëzit Allahu e demaskon ditën e gjykimit.

Prej shkaqeve që Allahu e mbulon robin është pajisa me moralin e të qenit mbulues ndaj të metave të njerëzve. Shpërblimi vjen sipas veprës. Allahu e mbulon atë që kujdeset të mbulojë vëllezërit e tij në atë vendqëndrim ku ai ka shumë nevojë për mbulimin e Allahut dhe faljen e Tij.

Në Dy Sahihet shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush ia mbulon të metat një muslimani, Allahu do ta mbulojë atë në këtë botë e në botën tjetër.

Kjo bëhet akoma më e rëndësishme me përhapjen e mjeteve moderne nëpërmjet të cilave disa njerëz përhapin privacitë, gjuajnë të fshehtat dhe cënojnë të drejtat dhe liritë veçanërisht ndaj të dobtëve e ndaj të vegjëlve. Askujt nuk i lejohet heqja e mbulesës së tyre, shfrytëzimi i paditurisë së tyre, apo shfrytëzimi i njohurive të tyre të pakta në lidhje me atë që dëmton të ardhmen e tyre.

Kush i zbulon të metat e vëllait Allahu i zbulon të metat e tij aq sa e demaskon atë në shtëpinë e tij.

Në Sunenin e Tirmidhiut përcillet nga Ibn Umer se ka thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) u ngjit në mimber, thirri me zë të lartë e tha: O ju që keni pranuar islamin vetëm me gjuhët tuaja e që akoma nuk u ka hyrë besimi në zemër! Mos i lëndoni muslimanët e mos i ofendoni. Mos i gjurmoni mangësitë e tyre të fshehta sepse atij që gjurmon të fshehtat e vëllait të tij musliman Allahu do ti gjurmojë të fshehtat e tij dhe atij që Allahu ia gjurmon të fshehtat e demaskon qoftë edhe mes strehëzës së tij.

Në sunenin e Ebu Daudit shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) Muauijes (Allahu qoftë i kënaqur me të) i ka thënë: Ti po të gjurmosh të fshehtat e njerëzve i prish ata ose për pak sa nuk i prish.

O Besimtarë gjithashtu duhet ta dimë se ai i cili është i njohur për prishje e për keq apo që njihet për lëndime e për degjenerim apo ata që dëmtojnë të tjerët si personat që kanë ide të mbrapshta apo ata që kërcënojnë rendin dhe stabilitetin në vend ndaj tyre nuk duhet të heshtim. Ata nuk duhet të mbulohen por është detyrë që të informojmë autoritetet në lidhje me ta. Duhet ti tërheqim vërejtjen njerëzve ndaj tyre për të mbrojtur gjakun, nderet, sigurinë e vendit dhe të njerëzve. Ndërsa ai i cili i mbulon konsiderohet bashkëpuntorë në krimin dhe shkatërrimin e tyre.

Në Sahihun e Muslimit shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu e mallkoftë atë që strehon një keqbërës. Mallkimi këtu nënkupton dëbim prej mëshirës së Allahut për këdo që fsheh një keqbërës dhe e merr në mbrojtje e që bëhet pengesë që ai të marrë ndëshkimin e merituar.

O Allah të lutemi të na shpëtosh në këtë botë e në botën tjetër! O Allah! Të kërkojmë falje dhe shëndet në besimin tonë e në jetën tonë të kësaj bote, në familjet tona e në pasuritë tona. O Allah na i mbulo dobësitë tona, na dhuro paqe ndaj shqetësimeve tona. O Allah! Mbrona nga para e nga prapa, djathtas, majtas e nga sipër dhe kërkojmë mbrojtje me madhështinë Tënde nga dëmi që vjen nga poshtë!

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah mbroje fenë tënde!

O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!

O Allah të kërkojmë me mirësinë dhe dhurimin Tënd, me bujarinë dhe me fisnikërinë Tënde ti ruash vendin e Dy Xhamive të Shenjta dhe vendet e muslimanëve nga çdo e keqe dhe e urryer!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme nga vendi ynë në veçanti dhe prej të gjithë vendeve muslimane në përgjithësi!

O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi i faljes Tënde, nga befasia e ndëshkimit Tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!

O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!

O Allah na sill lehtësim pas vështirësisë, pas brengës rrugëzgjidhje dhe pas ngushtisë rrugëdalje!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në gjithë çështjet tona, na mbro prej poshtërimit në këtë jetë e prej ndëshkimit në jetën tjetër!

O Allah na i shëro të sëmurit tanë, na i shpëto të sprovuarit tanë, ndihmoji të dobëtit tanë me mëshirën Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah, o i Larmadhërishëm, o i Gjallë e i Përjetshëm jepi sukses Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Jepi atij shpërblimin më të mirë për islamin dhe muslimanët. O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij besnik të bëjnë atë që është e dobishme për islamin dhe muslimanët!

O Allah jepi sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve!

O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit