Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme
24-05- 1442 H 08-01-2021 D
Shejh Ahmed Bin Talib Hamid Tema Mendoni për ditën e llogarisë së madhe
Lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojte nga të këqiat e veteve tona, dhe punët tona të këqia. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, dhe ai që e humbet veten e tij s’ka udhëzues tjetër veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësohuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (En- Nisa 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
Në vijim
Fjala më e vërtetë është Libri i Zotit, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Çështjet më të këqia janë të sajuarat në fe, risitë, çdo risi është shpikje, çdo shpikje është humbje dhe devijim, e çdo humbje është në zjarr.
O ju njerëz! Llogarisni vetet tuaja para se të llogariteni, peshoni veprat tuaja para se të ju peshohen, dhe përgatituni për paraqitjen e madhe para Zotit. Vërtet sot kërkohet punë dhe jo llogari, ndërsa nesër ka llogari dhe jo punë. Në ditën: “Dhe kur t’i fryhet një herë Surit, kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërmohen me një goditje shkatërrimtare, atëherë do të ndodhë Ngjarja e pashmangshme (Kiameti). Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm. Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd. Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur: Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim! Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari”. Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur, në një kopsht me pallate e grada të larta dhe me fruta të ulëta (që kapen lehtë). (Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!” Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im dhe të mos e kisha mësuar llogarinë time! Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)! Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga, pastaj digjeni në Zjarrin përvëlues, mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutësh, sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë. Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt e as ushqim tjetër, përveç qelbit, të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.” (El-Hakka 13-37)
Ndërsa kur do të jetë Dita e humbjes dhe fitimit reciprok, dita e gjykimit, ditën që do ta shihni atë me syrin e sigurisë. “ Ditës kur, nga frika do të zmbrapseni, pa pasur askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.” (Gafir 33)
“Atë Ditë ju nuk do të keni kurrfarë strehimi dhe nuk do të mund të mohoni.” ( Esh-Shura 47)
Ditën e dridhjes së madhe dhe e ringjalljes, dita e ringjalljes së njerëzve nga varret dhe paraqitja e atyre çfarë kanë pasur në gjokset e tyre: “ Kur të dridhet Toka me tronditjen e saj (të fundit), kur të nxjerrë barrët nga brendia e saj, e njeriu të thotë: “Ç’po i ndodh asaj?!” Atë Ditë ajo do të tregojë lajmet e saj sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. Atë Ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe, që t’u tregohen veprat e tyre: kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 1-8)
Ajo është dita e gjëmimit të tmerrshëm: “Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm? Kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është Gjëmimi i tmerrshëm? Atë Ditë njerëzit do të jenë si fluturat e shpërndara, kurse malet si leshi i shprishur. Sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit do të rëndojnë në peshore, ai do të ketë një jetë të kënaqur (në Xhenet). E sa i përket atij, veprat e (mira të) të cilit nuk do të rëndojnë në peshore, Ai do të ketë si strehim Humnerën (e Xhehenemit). Kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është Humnera (e Xhehenemit)? Ajo është një Zjarr i vrullshëm.” (El-Kari’a 1-11)
Allahu i Madhërueshëm ka thënë: “ Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar, derisa të shkoni në varre. Gjithsesi, do ta kuptoni! Madje, do ta kuptoni së shpejti! Kujdes! Ah, sikur ta dinit me siguri të vërtetën! Sigurisht që do ta shihni Zjarrin flakërues! Pastaj, me të vërtetë, do ta shihni atë me syrin e sigurisë. Pastaj, atë Ditë, do të pyeteni për mirësitë (e kësaj bote)!” (Et-Tekathur 1-8)
Ajo është dita që nuk flasin dhe nuk justifikohen dot; “Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.” ( El-Murselat 35-36)
Në atë ditë; “Allahu i Madhërueshëm bashkon tokën, dhe mbledhën qiellin në dorën e Tij të djathtë, pastaj thotë; Unë jam Sunduesi i gjithësisë, ku janë pretenduesit si mbretër dhe sundues të tokës?”
“Atyre që kanë mohuar, do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush është më e madhe se urrejtja juaj ndaj vetvetes, kur jeni thirrur në besim, por keni mohuar”. Ata do të përgjigjen: “O Zoti ynë, na ke bërë të vdesim dy herë dhe na ke ngjallur dy herë. Tani i pranojmë gjynahet tona. Prandaj, a ka ndonjë rrugëdalje (nga Xhehenemi)?” Atyre do t’u thuhet: “Ju keni pësuar këtë fat, sepse, kur thirrej Allahu i Vetëm, ju mohonit, por, kur i shoqërohej Atij diçka tjetër (në adhurim), ju besonit. Sot gjykimi i përket vetëm Allahut, të Lartit e të Madhërishmit. Është Ai që ju tregon shenjat e Tij dhe ju zbret riskun prej qiellit. Por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar. Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët! Ai është zotërues i cilësive më të larta dhe Zoti i Fronit. Ai e dërgon Shpalljen me urdhrin e Tij tek ata, që ka zgjedhur prej robërve të Vet, për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit me Atë; për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit! Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari.” (Gafir 10-17)
“Ditën, kur Toka do të ndërrohet me Tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah. Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari.” ( Ibrahim 48-51)
“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin),
dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj”. Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.”(Ibrahim 42-47)
Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tij të larta. Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete dhe ju, me të vërtetë Ai është Falës Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Vetmi, Ngadhënjimtari, i Plotëfuqishmi, Falësi i Madh. Ai që e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë.
Lutje dhe përshëndetje për Muhamedin, të përzgjedhurin e njerëzimit, për familjen e tij të pastër, për Muhaxhirinët dhe Ensarët, për të gjithë shokët e tij të pastër, dhe për ata që ndoqën shembullin e tyre dhe u ndriçuan me udhëzimin e tyre.
“O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (El-Haxhxh 1-2)
“Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që ruhen nga lakmia e vetvetes, pikërisht ata janë të fituarit.” (Et-Tegabun 16)
“Andaj, faleni namazin, jepni zeqatin dhe mbështetuni tek Allahu! Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mrekullueshëm është Ai!” (El-Haxhxh 78)
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin, djalin e Abdullahut, Allahu ju ka urdhëruar që ta përshëndesni me salavate dhe selame kur ju ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë, të zgjedhurin dhe të dërguarin Tënd, zotërinë tonë Muhamedin. Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Halifet e parë të cilët udhëhoqën me drejtësi, Ebu Bekerin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, mbi të gjithë shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e fundit. O Zot të lutemi që të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me Mirsinë, dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot lartëso Islamin dhe muslimanët.
O Zot poshtëro politeizmin dhe politeistët.
O Zot shkatërro armiqtë e umetit dhe armiqtë të fesë Tënde.
O Zot jepi paqe dhe siguri këtij vendi, si dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot na jep siguri në vendet tona, përmirso drejtuesit dhe përgjegjësit e çështjeve tona.
O Zot jep drejtues të muslimanëve atë që të frikësohet, është i bindur ndaj Teje, dhe kërkon kënaqsinë Tënde o Zoti i Botrave.
O Zot jepi sukses në të mirë drejtuesit dhe kujdestarit të çështjeve tona. O Zot udhëzoje atë në vepra të mira dhe devotshmëri. O Zot jepi atij këshilltarë të mirë dhe të dobishëm, të cilët e këshillojnë në të mirë dhe e ndihmojnë në punë të mira.
O Zot jepi sukses atij, zëvëndësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre në çdo të mirë o Zoti i Botrave.
O Zot na i fal gjynahet, të voglat dhe të mëdhatë, të parat dhe të fundit e tyre, të dukshmet dhe të fshehtat e tyre.
O Zot na përmirso gjendjen tonë në të gjitha çështjet, na ruaj nga poshtërimi në këtë botë dhe dënimi në botën tjetër.
O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.
“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (El-Bekare 286)
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al Imran 8)
“O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët (në istikam) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” (Al Imran 147)
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, Falenderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato. Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe. Allahu është i Ditur për çfarë veproni.