Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 09-06- 1442 H 22-01-2021 D
Shejh Ahmed Bin Talib Hamid Tema Cilësitë e njerëzve që mendojnë
Lavdërimet janë për Zotin e Lartësuar, i Plotëfuqishmi, Kujdestari dhe Ndihmuesi, askush nuk i ngjason Atij, nuk ka të barabartë me Të, dhe nuk ka rival. Ai është i Vetëm i pa Shok, i pa ortak dhe pa zëvendësues. Asgjë e askush nuk i shëmbëllen Atij, Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.
E lavdëroj Zotin e Madhërishëm me lavdërimet e falenderuesve, dhe e falenderoj Zotin e Madhërishëm me falenderimet e përkujtuesve. E përmend Zotin e Madhërishëm me përmendjen e të veçuarve, që e përmendin Zotin në vetmin e tyre: “Për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab 35)
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi pranuese për Pushtetin e Tij, njohëse për ekzistencën e Tij Një i Vetëm, nënshtruese në adhurimin vetëm për Atë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i përzgjedhuri nga të gjitha krijesat dhe i dashuri i Tij. Allahu i Madhërishëm e ka përzgjedhur për shpalljen e Tij, ka vulosur me të të dërguarit e Tij, e ka dërguar atë mëshirë për të gjitha botërat dhe udhëzues për të gjithë njerëzit, udhëtarë në këtë botë. Tregues i të vërtetës, ndriçues i rrugës së drejtë, dhe argument për të gjitha krijesat: “me qëllim që kush duhej të vdiste, të vdiste me prova të qarta dhe, kush duhej të mbetej gjallë, të jetonte me prova të qarta. Vërtet, Allahu i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.” ( El-Enfal 42)
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë! Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon Shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë. Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit. Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh, ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen. Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet: “Vallë, ju mohuat pas besimit?! Atëherë shijoni dënimin për shkak se nuk besuat!” Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Këto janë Shpalljet e Allahut, që t’i lexojmë ty me të vërtetën dhe Allahu nuk i dëshiron askujt padrejtësi. Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë dhe tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet.” (Al Imran 102-109)
O ju besimtarë! Vërtetë Allahu i Madhërishëm zgjedh nga robërit e Tij besimtarët, të zotët e mendjes që janë të ditur me Të, e njohin Zotin, dhe urdhërat e Tij, ka përmendur ndëshkimin që do të kenë ata që devijojnë nga rruga dhe udhëzimi i Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)? Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj. Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin; dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë; dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit: Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e, që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë – mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!” (Er-Ra’d 19-25)
Kujt ja ka hapur Allahu gjoksin e tij, (mbushur me iman), besimi ka ndriçuar zemrën e tij, dhe ka dëshiruar rrugën për tek Zoti i tij, ai i përmbahet rrugës së njerëzve të mendjes dhe të dijes, duke u kujdesur për kufinjtë e Zotit të tij, duke u kapur pas udhëzimit të dërguarit dhe të zgjedhurit të Tij, dhe duke ndjekur rrugën e drejtë në të cilën Zoti ka ftuar robërit e Tij të devotshëm dhe ka thënë: “ Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (El-En’am 153)
Njerëzit e mendjes, ata të cilët i janë lutur Zotit të tyre për rrugën e drejtë dhe kanë thënë: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi…” (El-Fatiha 6-7) Allahu i Madhërishëm, poseduesi i Mirësive të Mëdha i bashkoi: “me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertë, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta! Kjo dhunti është nga Allahu, e mjafton që Allahu e di çdo gjë. ” (En-Nisa 69-70)
Njerëzit e mendjes, janë ata të cilët mendjet e tyre kanë prioritet bindjen ndaj Zotit para mosbindjes dhe kundërshtimit të Tij, diturinë para injorancës, dhe fenë para dynjasë, këtë botë. Ata pasuan diturin duke braktisur dëshirat, me frikën në bindje ndaj Zotit, dhe me këshillat e mira. Për ata dituria ishte bukuri, arsyeja madhështi, dhe merita përsosmëri. Ata ishin të kënaqur me nevojën e tyre për Zotin ndryshe nga të gjitha krijesat e Tij: “kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” ( El-Fatir 15)
Njerëzit e mendjes, janë njerëzit e përkujtimit dhe njerëzit e mendimit, njerëzit e lutjeve dhe përgjërimeve, dashurisë, frikës dhe shpresës. Ata janë njerëz që dëshirojnë sinqerisht takimin me Zotin e Plotëfuqishëm dhe që të kenë përfundim të mirë. Allahu i Madhërishëm për robin dhe të dërguarin e Tij, dhe të përzgjedhurin e të gjitha krijesave të Tij, ka thënë: “Thuaj: “Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë. Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij”. Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim”. Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë, kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!” Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e dukshme!” Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!” Le të gëzohen ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen nga Allahu! Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi, të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëzit e mençur. Vallë, a mund ta udhëzosh ti (o Muhamed) atë që meriton të dënohet dhe a mund ta shpëtosh atë që gjendet në Zjarr?! Ndërkaq, ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet. “ (Ez-Zumer 11-20)
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tij të larta. Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo gabim, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës, Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin që zbriti librin, Kuranin, Ai është mbrojtësi i njerëzve të mirë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Drejti dhe i Vërteti.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Zotit, të cilin Ai e ka dërguar mëshirë për të gjitha Botërat.
Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, është transmetuar se ka thënë: “ Kam qëndruar, një natë, tek tezja ime, Mejmune, gruaja e profetit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Jam shtrirë për në gjumë duke u mbështetur në gjërësinë e shtrojës (vendit ku flinin). I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u shtri dhe ai familja e tij në gjatësinë e shtrojës. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ra në gjumë. Deri nga mesi i natës, ndoshta pak para saj ose ndoshta pak pas mesit të natës, e pastaj u zgjua i dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe largoi gjumin duke fërkuar fytyrën me duart e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Më pas ka lexuar dhjetë ajetet e fundit të sures Al ‘Imran. Pastaj është ngritur, është afruar tek një enë me ujë dhe ka marrë abdes nga ajo, ka marrë abdes në formën më të mirë dhe është ngritur dhe ka falur namaz.”
Ndërsa nëna e besimtarëve, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, është pyetur për gjënë më të çuditshme që ka parë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Për një moment ajo ka heshtur, e më pas ka thënë: “ Një natë nga netët që ai ishte tek unë më ka thënë: “O Aishe a më jep leje sonte që të adhuroj Zotin tim?” I kam thënë: “ Pasha Allahun unë e dua afërsinë tënde dhe e dua dhe sekretin, fshehtësinë tënde.”
Aishja ka thënë: “ Është ngritur, pastruar, ka marr abdes, dhe është ngritur për të falur namaz.” Ka thënë: “ Ka vazhduar duke qarë deri sa i janë lagur faqet nga lotët e tij.” Ka thënë: “ Ka vazhduar duke qarë dersa i është lagur mjekra e tij.” Ka thënë: “ Ka vazhduar duke qarë dersa është lagur toka, lotët i kan rënë në tokë.” Pastaj ka ardhur Bilali për ta thirrur atë për në namaz, e kur e ka parë duke qarë, i ka thënë: “ O i dërguari i Zotit, përse qanë kur Zoti ti ka falur çfarë kanë kaluar dhe çfarë do të vijnë?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A nuk duhet të jem rob falenderues?! Ka zbritur tek unë sonte ajete Kuranore mjerë për ata që do ti lexojnë dhe nuk meditojnë në to.” Pastaj ka lexuar fjalën e Allahut të Madhërueshëm që thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për njerëzit e mençur, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i Zjarrit. O Zoti ynë, cilindo që Ti e fut në Zjarr, Ti e ke turpëruar atë. Dhe për mohuesit nuk do të ketë kurrfarë ndihmuesi. O Zoti ynë! Ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe kështu besuam. O Zoti ynë! Na i fal gjynahet, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me të mirët! O Zoti ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!” Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu”. Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga rendja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend! Por, ata që i frikësohen Zotit të tyre do të kenë kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përjetësisht, si dhuratë prej Allahut. Dhe ajo që ndodhet tek Allahu, është dhurata më e mirë për besimtarët e devotshëm. Midis ithtarëve të Librit, me siguri ka të atillë që e besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve, si dhe atë që u është shpallur atyre, duke qenë të përulur para Allahut dhe pa i këmbyer Shpalljet e Tij me ndonjë vlerë të paktë. Ata do të kenë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre. Vërtet, Allahu është i shpejtë në llogari! O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin për të qenë të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al ‘Imran 190-200)
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin dhe më të devotshmin nga krijesat e Zotit, Allahu ju ka urdhëruar që ta përshëndesni me salavate dhe selame kur ju ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot fale, mëshiroje dhe bekoje të robin dhe të dërguarin Tënd, zotërinë tonë Muhamedin. Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Halifet e parë të cilët udhëhoqën me drejtësi, Ebu Bekerin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, mbi të gjithë shokët e tij, mbi tabiinët dhe të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e fundit.
O Zot të lutemi që të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirsinë, dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.
O Zot lartëso Islamin dhe muslimanët.
O Zot poshtëro politeizmin dhe politeistët.
O Zot shkatërro armiqtë e umetit dhe armiqtë të fesë Tënde.
O Zot jepi paqe dhe siguri këtij vendi, dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot na jep siguri në vendet tona, përmirso drejtuesit dhe përgjegjësit e çështjeve tona.
O Zot jep drejtues të muslimanëve atë që të frikësohet, është i bindur ndaj Teje, dhe kërkon kënaqsinë Tënde, o Zoti i Botrave.
O Zot jepi sukses në të mirë drejtuesit tona. O Zot udhëzoje atë në vepra të mira dhe devotshmëri. O bëj që punët e tij të meritojnë kënaqsinë Tënde dhe jepi sukset atij në udhëzimin Tënd.
O Zot jepi sukses atij, zëvëndësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre në çdo të mirë, o Zoti i Botrave.
O Zot mundësoju atyre këshilltarë të mirë dhe të dobishëm, të cilët e këshillojnë në të mirë dhe e ndihmojnë në punë të mira, o Zoti i Botrave.
O Zot na i fal gjynahet, të voglat dhe të mëdhatë, të parat dhe të fundit e tyre, të dukshmet dhe të fshehtat e tyre.
O Zot të lutemi të na japësh Xhenetin dhe çfarë na afrojnë tek ai nga fjalët dhe veprat.
O Zot na ruaj nga zjarri i Xhehenemit dhe çfarë na afron me të nga fjalët dhe veprat.
O Zot të lutemi të na dhurosh kënaqësin Tënd dhe Xhenetin, dhe kërkojmë mbrojte nga zemërimi Yt dhe nga zjarri i Xhehenemit.
O Zot të lutemi të na japësh besim të plotë dhe vendosmëri të patundur, kthimin tek Ti jo të hidhur dhe turpërues.
O Zot të lutemi të na japësh dituri të dobishme, furnizim të mirë, vepra të mira të pranuara tek Ti.
O Zot të lutemi të na japësh çdo të mirë, të shpejtë dhe jo të vonuar, nga ato që dimë dhe ato që nuk dimë. Kërkojmë mbrojtjen Tënde nga çdo e keqe, të shpejtë dhe jo të vonuar, nga ato që dimë dhe ato që nuk dimë.
“O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët (në istikam) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” (Al ‘Imran 147)
“Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!” (El-Bekare 286)
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)
O Zot ynë na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, Falenderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato. Përkutjimi i Allahut është gjëja më e madhe. Allahu është i Ditur për çfarë veproni.