Hytbe e Qabes 15 Dhulhixhe 1440 h 16-08-2019 D
Shejh Mahir Muajkili Tema: Përmendja e Allahut.
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut, na udhëzoi në islam, na e bëri detyrë haxhin drejt Shtëpisë së Tij të Shenjtë. Haxhin e ka bërë shkak për të fituar Banesën e Paqes dhe pastrim të gjynaheve. Allahun e lavdërojmë dhe e falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje dhe Atij i jemi mirënjohës për çdo të mirë.
Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, i vetëm e i pashoq,Sundimtari, i Shenjti, Paqedhënësi.
Dëshmoj se Profeti ynë, i dashuri ynë Muhamedi është robi i Allahut dhe i dërguari i Tij. Më i miri që ka falë namaz, që ka dhënë zekat, që ka kryer haxhin e që ka agjëruar.
Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij, prijësat e ndritur dhe pasuesit e tyre derisa të vazhdojë rrotullimi i dritës dhe i errësirës, paqe dhe shpëtim paçin gjithmonë.
O besimtarë porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Me devotshmëri arrihen mirësitë, largohen fatkeqësitë, rregullohen punët dhe zemrat, falen gabimet dhe gjynahet.
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Surja Ahzab; 70,71)
O haxhinj të Shtëpisë së Shenjtë të Allahut! Sa shpejt kalojnë ditët, orët dhe vitet!? Pak ditë më parë po prisnim një prej adhurimeve më të mëdha një prej veprave më të bukura. Po prisnim ditët më madhështore të kësaj bote; ditën e Arafatit, ditën e Kurbanit dhe ditën e Qëndrimit (në Mina). E sot, haxhinjtë e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut po kthehen të gëzuar me mirësitë e Allahut dhe mëshirën e Tij.
Juve që ju ka nderuar Allahu me Haxh në Shtëpinë e Tij, që ju ka zgjedhur i Lartësuar mes tërë krijesave të Tij, me ju i Gjithëmëshirëshmi është krenuar para melaikeve të Tij, qëndruat në Arafat, bujtët në Muzdelife, bëtë tavaf rreth Qabes së nderuar, që bëtë telbijeh bashkë me të tjerët duke u munduar të përfitoni prej mirësive të më të Mëshirëshmit e mëshiruesve. Ju i jeni lutur një Zoti bujar, i keni kërkuar një Mbreti madhështor që kur të jep ske nevojë më për askënd, që kur jep mirësi të nderon.
Para Tij nuk ka gjynah të madh të cilin ai nuk e fal apo mirësi të cilën nuk e jep. O çfarë netësh të ndritura e çfarë ditësh të bukura keni kaluar!?
Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Surja Junus; 58)
O Popull musliman! Një prej objektivave dhe qëllimeve më të mëdha të haxhit është realizimi i përmendjes së Allahut të Lartësuar. Përmendja e Allahut është një prej adhurimeve më të rëndësishme. Nuk ka gjë më të madhe që mund të afrojë njeriun me Allahun si përmendja e Tij. Shumë lloje të adhurimit në Haxh janë ligjëruar për të realizuar atë. Tavafi rreth Shtëpisë së Lashtë, Sa`ji mes Safasë dhe Mervasë, hedhja e guralecëve dhe kurbani janë ligjëruar vetëm për të kryer përmendjen e Allahut.
Haxhinjtë pasi e e kryejnë peligrinazhin e tyre përsëri përmendja e Allahut është ajo me të cilën ata i përmbyllin veprat e tyre.
I biri i Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) ka thënë: Njerëzit në kohën e injorancës gjatë sezonit të haxhit ishin të tillë; Një person ngrihej e thoshte: Babai im ka pasë ushqyer njerëzit, i ngarkonte devetë
plot e përplot, paguante këtë e atë. Ata përmendnin vetëm atë që kishin bërë baballarët e tyre.
Allahu i zbriti Muhamedin ajetin: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër!” (surja El Bekare; 200.)
Besimtarë kështu del në pah vlera e madhe e përmendjes së Allahut gjatë Haxhit e kudo. Të gjitha adhurimet në islam janë ligjëruar për realizimin e përmendjes së Allahut të Lartësuar.
Përmendja e Allahut është një prej adhurimeve më të lehta, më të larta, më të mira dhe është më e madhe se çdo gjë.
“Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Surja Ankebut: 45)
Allahu përmendjen e atyre që e përmendin Atë e ka bërë si shpërblim për përmendjen e tyre ndaj tij. Allahu thotë:
“ Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” (surja El Bekare; 152).
Allahu i ka lavdëruar besimtarët që përmendin Atë, ku thotë:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët, për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Surja Al Imran:191,192)
Përmendja e Allahut, o njerëz, me të mbillet xheneti. Banorëve të xhenetit i bëhet zakon përmendja e Allahut ashtu sikurse njeriu instiktivisht merr frymë.
Në sunenin e Tirmidhiut transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë takova Ibrahimin natën e Israsë e ai më tha: O Muhamed jepi selam prej meje popullit tënd dhe tregoju atyre se xheneti e ka të mirë dheun e të ëmbël ujin. Ai është djerrinë. Ai mbillet me Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe ilallah, Allahu Ekber.”
Përmendja e Allahut është porosia e të Dërguarit të Allahut për shokët e tij.
Në sunenin e Tirmidhitut transmetohet se një person ka thënë: O i Dërguar i Allahut veprat e islamit më janë shtuar, andaj më trego diçka që ti përmbahem asaj. Ai tha: Le të jetë gjuha jote e njomur prej përmendjes së Allahut.
Le të jetë gjuha jote e njomur prej përmendjes së Allahut.
I Dërguari i Allahut një ditë e kapi Muadhin për dore dhe i tha: “O Muadh, pasha Allahun unë të dua ty, pasha Allahun unë të dua ty. O Muadh të porosis që pas çdo namazi mos i le pa përmendur këto fjalë: O Allah më ndihmo të të përmend Ty, të të falënderoj Ty e të të adhuroj Ty sa më mirë.” Transmeton Ebu Daudi.
Po të shohësh tekstet e Kuranit e të Sunetit ke për të parë se e tërë mirësia është në përmendjen e Allahut. Ajo largon stresin dhe brengat, sjell rrizk, kënaqësi dhe gëzim. E mbulon personin me autoritet e hijeshi.
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (surja Ra`d; 28)
Transmetohet në sunenin e Tirmidhiut se Profeti ka thënë: A t`ju tregoj më të mirën e veprave tuaja, më të pastërtën e tyre tek Sunduesi juaj, më të lartën në grada për ju që është më e mirë për ju se shpenzimi i arit e i argjendit dhe më e mirë për ju se të përballeni me armikun tuaj ku të godisni qafat e tyre e ata t`u godasin qafat tuaja?! Ata thanë po. Ai tha: Përmendja e Allahut.
Përmendja më e mirë pas Kuranit janë fjalët: Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe ilallah, Allahu Ekber.” Ato janë vepra të dobishme që mbesin për botën tjetër.
Kush thotë “Subhanallahi ue bihamdihi” njëqind herë në ditë do ti fshihen gabimet edhe nëse janë sa shkuma e detit.
“E la hauleh ue la kuvete ila bilah” është një thesar prej thesareve të xhenetit.
Në sahihun e Buhariut: Dy fjalë të dashura tek i Gjithëmëshirëshmi, të lehta në gjuhë dhe të rënda në peshore; Subhanallahi ue bihamdihi, subhanallahiladhim.
Kush e lë përmendjen e Allahut, Allahu e lë atë njeri. Sa neglizhent të jetë njeriu në përkujtimin e Allahut aq më larg Allahut do të jetë. Neglizhenti, mes tij dhe Allahut ka acarim i cili nuk largohet vetëm se me përmendjen e Allahut.
Allahu të vërtetën thotë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Surja Taha; 124-126)
O Allah na bëjë mirënjoës ndaj Teje, përmendës ndaj Teje, të penduar tek Ti, të përulur para Teje.
O Allah na zbukuro me bukurinë e besimit dhe na udhëzo e na bëj udhëzues të të tjerëve!
“Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset,
agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Surja Ahzab; 35)
Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës dhe Mëshirëplotë.
Hutbeja e Dyte
Falënderimi i takon Allahut. Allahun e falënderojmë që me mirësitë e tij realizohen të mirat. Atij i takon falënderimi në këtë botë e në botën tjetër. Atij i takon falënderimi aq sa mbushet toka e sa mbushen qiejt.
Dëshmoj se nuk ka Hyjni që meriton të adhurohet përpos Tij, ai është i vetëm e i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Lëvdatat e Allahut dhe begatia e Tij qofshin mbi të Dërguarin tone, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij paqje dhe shpëtim pastë.
O besimtarë kryerja e peligrinazhit me rend e siguri, me bollëk e bujari, me thjeshtësi e lehtësim është një mirësi shumë e madhe dhe është detyrë të falënderojmë dhuruesin e kësaj mirësie. Falënderimi i vërtetë për Zotin është bindja dhe zbatimi i urdhërit të Tij, largimi prej ndalesave të Tij.
E urdhëri më i madh i Allahut të lartësuar është Teuhidi, njëshmëria e Tij, e Lartë është madhështia e Tij dhe të shenjtë janë emrat e Tij.
E ndalesa më e madhe është Shirku, të bësh pjestar me të në adhurim dikë tjetër.
“Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (Surja El Enam; 162,163)
Në hadithin e saktë thuhet: Allahun nuk e falënderon një person i cili nuk i falënderon njerëzit.
Allahu ia shpërbleftë Shërbyesit të Dy Xhamive të Shenjta dhe mëkëmbësin e tij besnik, princit të Mekës dhe zëvendësit të tij të cilët i ka nderuar Allahun me përkujdesjen ndaj Shtëpisë së Tij dhe me shërbimin ndaj musafirëve të Tokës së Tij të Shenjtë. Allahu i shpërbleftë të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin me sukses të haxhit të sivjetshëm. Në veçanti policët tanë të rendit, kufitarët roje të kufijve të vendit tonë, Allahu ua pranoftë sakrificën, i ndihmoftë kundër agresorit të tyre, i ruajtë, i drejtoftë dhe i shpërbleftë me shpërblimin e Tij.
Urime për ju haxhinj të Shtëpisë së Shenjtë të Allahut!
Urime për ju haxhinj të Shtëpisë së Shenjtë të Allahut që e plotësuat ritualin e Haxhit. Përgëzime për atë se u është premtuar pranimi e Allahu nuk e thyen premtimin. Mendoni mirë për Zotin tuaj sepse ai është në mendimin e robit të Tij për Të.
Ai ka premtuar se kush kryen haxhin në këtë Shtëpi, duke mos bërë gjynahe dhe gjëra imorale kthehet siç e ka lindur nëna e tij.
Me haxhin tuaj nisni një jetë të re të sinqertë me Allahun e madhërishëm. Kujdesuni për ç`ka keni fituar. Sezonet e mirësisë janë shanse që njeriu nga një jetesë me neglizhime i pa interesuar për fenë e Allahut të kalojë në një jetë fetare të përpiktë i përkushtuar ndaj Allahut.
Prej shenjave të pranimit është vepra e mirë pas një vepre të mirë dhe zbatimi i urdhëresave njëra pas tjetrës.
Nëse ditë e begata të Haxhit kalojnë duhet të dimë se adhurimin ndaj Allahut nuk e kufizon koha apo vendi.
Ju që Allahu u ka dhënë mundësinë të fitoni kënaqësinë e Tij, që ua ka bërë të lehtë prezantimin në momentet që ai dhuron drejtohuni në çështjen e tij dhe qëndroni në fenë e Tij e mos u bëni si endësja që e prish pëlhurën pasi e ka qepur fort.
Dijeni se standarti i pranimit është sinqeriteti në punë dhe pasimi i të Dërguarit.
Në sahihun e Muslimit transmetohet se Sufjan Eth Thekafij ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut më thuaj një fjalë në islam që të mos pyes më askënd tjetër veç teje. Ai tha: Thuaj besova Allahun e pastaj drejtohu.
Robi edhe kur drejtohet në fe mund të gabojë e mund të ketë mangësi prandaj dhe Allahu i madhërishëm ka thënë:
“…andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij!” (surja Fusilet; 6)
Kështu që robi sa herë që të gabojë duhet të pendohet e të kthehet tek e vërteta. Pastaj të përpiqet të jetë i përpiktë ose afër përpikmërisë. Të punojë vazhdimisht vepra të mira edhe nëse janë të pakta derisa të takojë Zotin e tij.
Në Dy Sahihet transmetohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: Saktësoni dhe afrojuni dhe gëzohuni se në xhenet nuk do ta fusë askënd puna e tij. Ata thanë: As ty o i Dërguar i Allahut!? Ai tha: As mua, vetëm nëse më mbulon Allahu me mëshirë prej Tij. Dijeni se puna më e dashur tek Allahu është e vazhdueshmja edhe nëse është pak.
Dijeni o besimtarë se Allahu ju urdhëron për diçka fisnike ku e fillon me Veten e Tij. Allahu ka thënë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët!
O Allah mbroje fenë tënde!
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë, me pasuri e bollëk dhe tërë vendet muslimane!
O Allah! O Gjallë e i Përjetshëm! Me mëshirën tënde na ndihmo! Rregulloji tërë çështjet tona e mos na lë të mbështetemi në vetet tona për asnjë çast!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!
O Allah ata që kanë qëllim ti bëjnë keq vendit tonë dhe vendeve muslimanëve, kurthet e tyre hidhi mbi ta dhe planet keqdashëse ktheji mbi ta o Zot i botëve!
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë Shërbëtorin e Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.
O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij dhe ndihmësve të tyre të bëjnë atë që është e dobishme për njerëzit e për vendin!
O Allah shpërbleja me të mira kontributin e tyre për Dy Xhamitë e Shenjta dhe për vizitorët e tyre. O Allah shpërbleja me mirësi të gjithë atyre që u shërbejnë haxhinjve të Shtëpisë Tënde, të gjithëve atyre që kujdesen për musafirët e Tu.
O Allah mbushi peshojet e veprave të tyre me vepra të mira.
O Allah mbushi peshojet e veprave të tyre me vepra të mira.
O Allah bekoji ata në punët e tyre, në jetët e tyre, në pasardhësit e tyre dhe në familjet e tyre. Me mëshirën Tënde, mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë Tënde. O i Gjithmëshirshëm, o Mëshirplotë, O posedues i madhështisë dhe i fisnikërisë!
O Allah jepi sukses udhëheqësve të muslimanëve në atë që ti dëshiron e kënaqesh!
O Allah n ai fal gjynahet, n ai mbulo të metat, na i lehtëso çështjet, na i realizo shpresat tona në kënaqësinë Tënde!
O Allah ruaji Haxhijntë dhe vizitorët, o Allah ktheji ata në familjet e tyre shëndoshë e mirë e të fituar,
Me mëshirën Tënde, mirësinë, bujarinë dhe fisnikërinë Tënde o më i mëshirëshmi i mëshiruesve.
O Allah pranoje prej nesh ti je Dëgjuesi i Gjithëdituri, na prano pendimin se Ti je pranuesi i pendimit Mëshirëploti!
I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!