Hytbe e Qabes 22-51441 H 17-01-2020 D
Shejh Fejsal Gazaui Tema: Çelësi i mirësive.
Falenderimi i takon Allahut, Atë falenderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetvetes e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se ska hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, Ai është i vetëm e i pashoq.
Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është robi i Allahut dhe i dërguari i Tij. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa 1).
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)
Njohja e emrave të bukur të Allahut është një fushë e dijes me pozitë të lartë, madje është një prej njohurive më të mëdha. Njohja e Allahut dhe dija rreth Tij thërresin në dashurinë për Allahun, madhërimin, lartësimin, drojën, frikën dhe shpresën ndaj Tij. Kjo dije nxit në kryerjen e veprave me sinqeritet për Të. Sa më shumë të forcohet kjo njohje në zemrën e robit më shumë i drejtohet Allahut, më shumë i dorëzohet ligjit të Tij, më shumë i përmbahet urdhëresave të Tij e më shumë i largohet ndalesave të Tij.
Një prej këtyre emrave të bukur i përmendur në librin e Allahut është El Fettah. Ky emër është përmendur në dy ajetë të librit të Allahut;
Thuaju: “Ne do të na mbledhë Zoti ynë e do të gjykojë ndërmjet nesh me drejtësi. Ai është Gjykatës i drejtë e i Gjithëdijshëm.” (Sebe; 26).
“Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë!” (El Araf; 89).
Dijetarët kanë sqaruar kuptimin e emrit El Fettah të Allahut të lartësuar. Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë se El Fetah ka dy kuptime; Kuptimi i parë është gjykues, i cili gjykon mes njerëzve, gjykon mes tyre me ligjin e Vet, gjykon mes tyre duke shpërblyer të bindurit e duke ndërshkuar kundërshtarët në këtë jetë e në jetën tjetër. Kuptimi i dytë është çelës. Allahu është ai që i çel robërve të tij të gjitha dyert e mirësive.
Allahu thotë: “Begatitë, që Allahu ua çel njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush…” (Fatir; 2).
Ai çel dhe u jep robërve të tij gjërat e dobishme jetike dhe fetare. Allahu, ata që i ka zgjedhur me mëshirën dhe kujdesin e Tij u çel drynat e zemrave dhe derdh mbi ta njohuritë edukative dhe të vërtetat e besimit me të cilat përmirëson gjendjen e tyre dhe i drejton në rrugën e drejtë. Allahu në veçanti të përkushtuarve në dashurinë dhe angazhimin me adhurimin e Tij u çel njohuri edukative, gjendje shpirtërore, drita vezulluese, botëkuptime dhe shije të sakta. Ai gjithashtu u çel robërve të tij dyert e fateve dhe rrugën e furnizimit me mirësi. Të devotshmëve u jep furnizim dhe mundësi që nuk i mendojnë kurrë. Të mbështeturve tek Ai u jep më tepër nga sa kërkojnë e shpresojnë. U lehtëson atyre çështjet e vështira dhe u hap dyert e mbyllura.
Vëllezër! Kur robi beson se Zoti i tij i lartësuar është El Fettah duhet të drejtohet sa më mirë vetëm tek Allahu i vetëm që ti çelë dyert e udhëzimit, dyert e furnizimit dhe dyert e mëshirës, që ti çelë zemrën e t`ia hapë kraharorin drejt të mirës.
Allahu thotë: A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) (Zumer; 22).
Kjo çelje dhe hapje nuk ka kufi. Çdo besimtar ka marrë prej saj pjesën e tij. Allahu prej saj ka privuar vetëm mohuesit.
O rob i Allahut sa bukur është të njihesh me emrin e Allahut ‘El Fettah’, të meditosh në kuptimet e tij e ti lutesh Allahut me të. Allahu u përgjigjet lutjeve të tua dhe realizon dëshirat dhe shpresat që ti ke.
Nëse beson se Allahu është ‘El Fettah’ dije se ai është gjykatësi. Ai ngre lart dhe ul poshtë. Ai i zbulon realitetet. Ai i zbardh çështjet dhe largon pështjellimet. Kështu që mos u pikëllo kur të godet ndonjë fatkeqësi apo kur injoranti sillet keq ndaj teje. Mos u frikëso e mos u mërzit se Allahu ‘El Fettahu’ është ndihmësi dhe përkrahësi yt.
Nëse në veten tënde ke bindje të fortë se Allahu është ‘El Fetah’ i cili të çel dyert e mbyllura, çështjet e pazgjidhëshme atëherë mos u brengos. Nëse të ndërpriten lidhjet me njerëzit dhe të dalin pengesa në arritjen e mirësive që dëshiron mos u trishto por drejohu tek ‘El Fettah’ dhe nxito për tek Ai i cili ka në dorë çelësat e çdo gjëje.
A e di o rob i Allahut se cili është ‘El Fettah’?! Ai i çel dhe i hap njerëzve të mirat jetike e ato fetare dhe u hap atyre të gjitha dyert e mirësive. Ai i çel robit çdo derë që i mbyllet në fytyrë për shkak fakeqësish e problemesh, ngatërresash e vështirësishë.
Ky kuptim po të zinte vend mirë në zemrën tënde e po ta adhuroje Allahun duke ditur këto kuptime atëherë vendosmëria jote do të ishte më e fortë se e të tjerëve dhe vullneti yt më i lartë. Do të ndjeheshe i sigurtë sepse ti je me ‘El Fettah’ i pastër nga të metat e i lartë është Ai. Përderisa adhuron Allahun ‘El Fettah’ përgjërohu dhe përulu para Tij dhe paraqite hallin tënd tek Ai dhe kërkoi atij duke thënë: O ‘Fettah’ hapi për mua dyert e mëshirës tënde! O ‘Fettah’ hapi për mua dyert e furnizimit tënd.
Lutu duke thënë: Çështjen time e drejton vetëm Ti, brengën time e largon vetëm Ti o Fettah çele për mua atë që është mbyllur, lehtësoje për mua atë që është e rëndë, lehtësoje për mua atë që është e vështirë. Ti je Çelësi i asaj që mbyllet prej dyerve të udhëzimit, të furnizimit, të dijes e të lehtësimit.
Lute atë me sinqeritet, me bindje dhe siguri sepse vetëm Ai do ta çelë furnizimin prej andej nga se pret. Kështu që mos iu drejto askujt tjetër veç Tij dhe ji i sigurtë vetëm në mëshirën dhe mirësinë e Tij. Shkurtoji shpresat dhe ndërpriti ëndërrimet dhe mbaji shpresat vetëm tek Allahu i madhërishëm.
O muslimanë dyert që duhen çelur janë të shumta kështu që kërkoni ti hapë ato Ai i cili mundet. Allahu është ai i cili e çel derën e pendimit për robërit e tij. I Dërguari
i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu i madhërishëm shtrin dorën e Tij gjatë natës të pendohet gabimtari i ditës dhe shtrin dorën e Tij gjatë ditës të pendohet gabimtari i natës, derisa të lindë dielli nga perëndimi. Transmeton Muslimi.
Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu kur i do të mirën një robi i hap derën e pendimit, të keqardhjes, të përuljes, nënshtrimit, të nevojës, të kërkimit të ndihmës, të kthimit të sinqertë tek Allahu, të lutjeve të vazhdueshme dhe derën e kryerjes së veprave të mira të mundëshme për tu afruar tek Ai. Derën e gjetjes së mangësive të vetvetes, vështrimit të mirësive të Allahut dhe mëshirës, bamirësisë dhe bujarisë së Tij.
Në vazhdën e çeljes është edhe hapja e dyerve të qiellit nga Allahu për të zbritur begatitë e qiellit e për t`iu përgjigjur lutjeve.
Allahu thotë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (EL Araf: 96).
Prej tyre është edhe çelja që Allahu i jep besimtarit para vdekjes ku i mundëson një vepër të mirë. I Dërguari i Allahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu kur i dëshiron të mirën një robi e ëmbëlton. Të pranishmit thanë: Si e ëmbëlton? Ai tha: Allahu i çel të punojë një vepër të mirë përpara se të vdesë e pastaj ia mer shpirtin në atë vepër. Transmeton Ahmedi.
Ma`rufi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Allahu kur ja do të mirën një robi i hap atij derën e punës e i mbyll derën e debatit, e kur një robi i do të keqen ia mbyll derën e veprave e i hap derën e debatit.
O rob të Allahut duhet ta madhërojmë Allahun në vetet tona e ta dimë me plot siguri se atë që ia ka çelur Allahu robit nuk mund ta pengojë askush e atë që nuk ia ka dhënë Allahu robit nuk mundet askush tjetër t’ia japë. Allahu ka hapur për robërit e tij dyert e mëshirës e të furnizimeve të llojllojshme, i ka hapur atyre depot e bujarisë së Tij. Shiu apo ndonjë furnizim tjetër që u vjen atyre askush nuk mundet ta ndalë. Atë që Allahu ua ndal nuk ka kush që t’ua sjellë. Tek Ai janë depot e në dorën e Tij janë mirësitë.
Kur robi e mbush zemrën e tij me këtë botëkuptim i ndryshon të gjitha perceptimet e tij, ndjenjat dhe përllogaritë në këtë jetë. Për këtë njeriu duhet të lidhet sa më shumë me Allahun e të paraqesë nevojën para Tij në çdo aspekt. Ti lutet vetëm Atij, të ketë frikë e shpresë vetëm tek Ai. O Allah na bëj prej atyre që mbështeten
tek Ti e Ti tu mjaftosh, që të kërkon udhëzim e ta udhëzosh, që të kërkon falje e që e fal, që të kërkon ndihmë e që e ndihmon, që të lutet e i përgjigjesh. Me këto që thashë i kërkoj falje Allahut për vete e për ju.
Hutbeja e Dyte
Falenderimi i takon Allahut, madhështorit të lartit, i pashoqi në bukuri e në lartësi.
Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut i vetëm e i pashoq, pa të njëjtë, pa të ngjashëm e i pashembullt. Të Atij janë emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Ai është i madhi e i larti.
Dëshmoj se zotëria ynë dhe profeti ynë Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Adhuruesi më i madh i Allahut ndër njerëz, më i përkryeri në frikën ndaj Allahut, më fisniku në moral, profet madhështor e me vyrtyte të larta.
O rob i Allahut medito në fjalët e Allahut “Begatitë, që Allahu ua çel njerëzve nga mëshira e Tij, nuk mund t’i pengojë askush…” (Fatir; 2). Askush nuk mund ta ndalë mëshirën e Allahut nëse ai e çel atë mbi ty dhe nuk mund ta dëbojë apo ta ngrejë atë nëse Allahu e sjell për ty.
Lute Allahun me emrat e Tij të bukur si emri ‘El Fettah’ përpara teje me lejen e Allahut nuk do të rrijë mbyllur asnjë derë. Sigurinë tënde ta kesh tek ajo që gjendet tek Allahu. Mos u merr me përllogaritjet e njerëzve e me matjet e tyre. Njerëzit kur robin e zë ndonjë sëmundje e rëndë i thonë: Kjo sëmundje do të të vrasë, nuk ke shpresë për tu shëruar. Gjithashtu kur i vështirësohet një derë e furnizimit i thonë mos u mundo kot, nuk ke për të pasur sukses kështu që mos u lodh. Mirëpo kush mund të qëndrojë me robit dhe mëshirës së Zotit?! Shërimi është në dorë të Allahut. Sa njerëz kanë qenë duke mbaruar por u ka ardhur shpëtimi prej Allahut e më pas është shëruar e ka gëzuar shëndet të plotë sikur të mos kishte kurrëfarë problemi më parë. Sa njerëz në kërkim të furnizimit i marrin shkaqet e Allahu ia çel rrizkun e i hedh plot mirësi e më parë ishte pa gjë e fukara. Njerëzit nuk munden të pengojnë ndonjë të mirë të cilën dëshiron Allahu që ti ta fitosh. Kështu që lidhe zemrën tënde me Allahun ‘El Fetah’ Ai e lehtëson çështjen tënde, e mbaron hallin tënd, të heq stresin, të sjell mirësi e rrugëdalje prej nga se pret. Rregullimi i Tij është më i larti se çdo rregullim, mundësia e Tij është e pakufijshme. Ai diçkaje vetëm i thotë bëhu e ajo bëhet. Depot e Tij janë plot. Furnizimi është në dorën e Tij. Ai jep shumë e është ndarësi i dhuratave dhe zbritësi i begative.
Kujto porosinë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) ndaj atij burrit të cilin e ftoi ta lidhë zemrën e tij me Allahun e lartësuar e ti hiqte tërë shpresat nga ajo që gjendet në duar e njerëzve. Ai këtij njeriu i ka thënë: Ndrydhe shpresën në atë që kanë në dorë njerëzit. Do të thotë shtrëngoje zemrën dhe vendos në brendësinë tënde ndjenjën të mos kesh shpresë në diçka që gjendet në duart e njerëzve. Mos prit gjë prej tyre dhe prej askujt vetëm prej Allahut. Hiqe shpresën prej njerëzve. Shpresën ta kesh vetëm tek Allahu. Njerëzit më të humbur janë ata që lidhen me diçka tjetër veç Allahut. Kujdes e mos ji i pavëmendshëm ndaj këtyre kuptimeve madhështore. Përjetoji ato gjithmonë dhe kur hyn e kur del prej xhamisë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nëse dikush prej jush hyn në xhami le të thotë: O Allah më hap dyert e mëshirës Tënde. Dhe kur të dalë të thotë: O Allah të kërkoj prej mirësisë Tënde. Transmeton Muslimi.
Mëshira, vlera, mirësia e të gjitha janë në dorë të Allahut. Ato ia çel dhe ia bën të lehtë Allahu atij që dëshiron. Ato çka përmendëm më lart janë një pjesë prej fryteve të emrit ‘El Fettah’. Allahu është Ai i cili ngre lart të vërtetën, i jep fitore përkrahësve të saj dhe nënshtron të kotën dhe përkrahësit e saj dhe hedh mbi ta ndërshkime të ndryshme.
O musliman, prej kuptimeve të çeljes së të mirave ndaj robërve që ia vlen të përmendet është fakti që Allahu ia çel kujtdo dyert e veprave të mira që të afrojnë me Allahun me të gjitha llojet dhe kategoritë e tyre.
Disa njerëzve u çel leximin e kur`anit dhe meditimin rreth tij. Disave u çelet namazi dhe kryejnë shumë namaz nafile. Disave u çelet në dua. Disa të tjerëve në agjërim. Disave u çelet në mbajtjen e lidhjeve farefisnore. Disave u çelet në ndimën e nevojtarëve, në përkrahjen e të vobektëve dhe heqjen e brengave ndaj të brengosurve. Disave u çelet në urdhërimin për mirë e në ndalimin nga e keqja. Disave u çelet në aspektin e ndërmjetësimit e të pajtimit mes njerëzve. Disave u hapen dyert e dijes e të njohurive.
E kështu o rob i Allahut kur të çelet një derë e dyerve të mirësisë e vëren se të çlirohet kraharori dhe ndjen dëshirë për të atëherë shtojë dhe shfrytëzoje rastin. Hakim ibn Umejr (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Atij që i çelet një derë e mirësisë le ta shfrytëzojë sepse nuk i dihet se kur mund të mbyllet.
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e dhuruar e mbi mirësinë e dhënë. Allahu thotë fjalë fisnike: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah përmende lart Muhamedin, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke përmendur lart familjen e Ibrahimit.
O Allah bekoje Muhamedin, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. Ndihmoji robërit e tu monoteistë, shkatërroi armiqtë e Tu armiqt e fesë.
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona
Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë.
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.
O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës.
O Allah ne të kërkojmë ty me emrin tënd El Fettah e të lutemi Ty se Ti je El Fettah e ti je më i miri çelës, na i hap zemrat tona me iman, me dritë e me besim të palëkundur, na i hap depot e mëshirës Tënde, dyert e bujarisë Tënde, tryezat e bamirësisë Tënde, gjerësinë e mirësive të tua. Ti je Dëgjuesi që përgjigjesh. Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.