Etiketa dhe rregullat e namazit të Istihares

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    28-02-1447 H     22-08-2025 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema   Etiketa dhe rregullat e namazit të Istihares

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, të Lartin dhe të Madhërishmin, Ai i Cili, ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt, ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën. Zotin e Madhërishëm e Lavdërojmë, Ai që di sekretet dhe të fshehtat, Atë e falënderojmë për mirësitë e Tij të mëdha dhe begatitë e shumta, që janë të panumërta dhe nuk llogariten dot. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që do shpëtojë thënësin e saj në Ditën kur çdo shpirt do të shpërblehet për atë për të cilën është munduar. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i dërguri i përzgjedhur dhe profeti i dalluar. Paqja dhe mëshira e Zotit qotë mbi të, mbi familjen e tij fisnike, mbi shokët e tij të pastër,  mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira, që ndjekin gjurmët e tyre dhe imitojnë qasjen, metodën e tyre.

Në vijim

O ju njerëz! Porosis ju dhe veten time për devotshmëri, të kemi frikë Allahun. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut,  dhe  dije që nëse muslimanit i jepet diçka është mirënjohës, falënderues,  nëse privohet nga diçka është lavdërues dhe nëse sprovohet është i duruar. Të dhuruarit nga Zoti është mëshirë, të privuarit e Tij është urtësi dhe sprova e Tij është ndihmë. Kush i frikësohet ndëshkimit të Zotit ka shkurtuar distancën e largësisë.

Mjetet e komunikimit janë shtuar, por komunikimi është paksuar. Mundësitë janë zgjeruar ndërsa zemrat janë ngushtuar. Kush kërkon hakmarrje për veten e tij do humbasë kohën e tij, do i shpërndahen punët dhe do humbasë interesat e tij. Shejtani mbjell përçarje midis besimtarëve, prandaj mos u bëj ndihmës i tij kundër vëllezërve të tu. Ti je i lumtur nëse gëzohesh  me lumturinë e të tjerëve. “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.” (El-Isra’ 53)

O ju muslimanë! Njeriu është dritëshkurtër, mendjelehtë, nuk e di të padukshmen, është injorant për të ardhmen dhe nuk e di se çfarë do të sjellë fati. Pavarësisht kësaj, ai përpiqet të eksplorojë, zbulojë atë që fshihet përtej perdes së tij. Ai merr çdo mjet dhe shkak që mund t’i duhet për të arritur diçka nga ajo që dëshiron. Si mund ta bëjë këtë kur ai është një krijesë e dobët? “…pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.” (En-Nisa’ 28) E shikon këtë qenie njerëzore të dobët në përpjekjet e tij duke iu drejtuar yjeve, duke konsultuar horoskopët dhe duke vëzhguar lëvizjen e planetëve. Ai është pezull në mes të qiellit dhe tokës, duke kërkuar një lajmëtar, duke qenë i kujdesshëm ndaj një paralajmërimi, duke parë oguret dhe duke pasur frikë nga fati i keq. Kërkon nga perënditë dhe hyjnitë e tij shenja dhe tregues të çështjeve të padukshme dhe sekreteve të fatit, në mënyrë që të udhëhiqet drejt asaj që është e drejtë, në udhëtimet e tij, në tregtitë e tij, në martesën e tij, në luftërat e tij dhe në të gjitha zgjedhjet e tij.  Hedh fall me shigjeta; domethënë, ai kërkon atë që i është caktuar në njohurinë e të padukshmes duke hedhur short në idhuj. Hedh letra dhe shkopinj në tempuj dhe kërkon ndihmë nga fallxhorët, shikuesit e fatit, astrologët dhe sharlatanët, e frikëson lëvizja e zogut, shkruan me pëllëmbën e dorës, godet guralecët dhe monitoron lëvizjen e yjeve dhe të planetëve. Të gjitha këto për të folur për të panjohurën, për të parë të padukshmen, për të ditur sekretin e fatit dhe për të dalluar të mirën nga e keqja. Ai kërkon sekretet e fatit, në lëvizjen e zogut, djathtas dhe majtas, dhe në imazhin e kafshës, ogur mirë dhe ogur i keq, për t’i thënë: Bëj ose mos bëj, shko përpara ose mos shko përpara. “…dhe e përgënjeshtruan të padukshmen prej së largëti.” (Sebe’53)

Imam Shafiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Në epokën e xhahilijetit, para Islame, kur një njeri vinte për të kryer nevojat e tij personale, ai afrohej tek një zog në folenë e tij dhe e trembte atë. Nëse ai merrte anën e djathtë, vazhdonte të kryente nevojat personale, ndërsa nëse merrte anën e majtë, kthehej. I dërguari i Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij, i ndaloi të gjitha këto dhe tha: “Lërini zogjtë në foletë e tyre.”  Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi ndërsa Shejh Albani e ka konsideruar të saktë, nga hadithet e Umi Kurzi El Huzaijetu, Zoti qoftë i kënaqur me të.

I biri i Ademit, njeriu, vazhdoi në këto fantazi dhe injorancës në lindje dhe perëndim të tokës, në veri dhe në jug të saj, dhe në të gjitha tokat dhe popujt, kombet dhe qytetërimet e saj.

LEXO  Përgjegjësija ndaj atyre që kemi në kujdestari - Shejh Usama Khajat - Meke 1.3.2019

O muslimanë! Islami erdhi me përsosmërinë, bukurinë, udhëzimin dhe madhështinë e tij për të shpëtuar njerëzimin nga këto konfuzione, politeizma, injoranca dhe bestytni, dhe përcaktoi, legjitimoi, namazin e Istihares, kërkim udhëzimi.  I dërguari ynë Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ua mësoi këtë, istiharen, shokëve të tij, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ashtu siç u mësoi atyre një sure nga Kurani. Gjë që tregon rëndësinë e këti namazi dhe nevojën e muslimanit për të.

O ju vëllezër! Ky namaz i madh është lutje monoteizmi, Njësim i Zotit,  sinqeritet, kthim tek Zoti i Plotfuqishëm, kërkim i të mirës prej Tij, lavdia i qoftë Atij, e Ai është Zoti i të gjitha krijesave, Dhuruesi i shkaqeve, sebepeve, dhe Përcaktuesi i fateve. Muslimani përmes këtij namazi kërkon nga Zoti i tij ta udhëzojë dhe t’ia lehtësojë të mirën që ai synon,  të largojë prej tij të keqen që ai ka frikë dhe t’ia lehtësojë të mirën kudo që të jetë.

Muslimani kur kërkon udhëzim nga Zoti i tij ia dorëzon çështjen Atij, i drejtohet Atij, mohon fuqinë dhe forcën e tij, i drejtohet fuqisë dhe forcës së Zotit, dhe kombinon të mirat e kësaj bote dhe të botës së përtejme, Ahiretit.

O rob i Zotit! El Istihare, kërkimi udhëzim, drejtim në një çështje, është lidhje e zemrës së besimtarit me Zotin e tij, kënaqësia e tij me atë që Ai i ka caktuar atij dhe besimi i tij në atë që Ai ka. Ajo është dashuria dhe madhërimi i Zotit, arsye për siguri dhe qetësi mendore, dhe përputhshmëri me urdhrat e Sheriatit, legjislacionit të Zotit.

O ju muslimanë! Sa i përket mënyrës së kërkimit të udhëzimit, istihares, dhe lutjes së saj, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e shpjegoi atë në hadithin e  transmetuar nga dy imamët, Buhariu dhe Muslimi, Zoti i mëshiroftë, në Sahihët e tyre, nga  Xhabir Ibn Abdullahu, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, i cili ka thënë: “I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka mësuar të kërkojmë udhëzim, istihare,  në të gjitha çështjet, si kur na mësonte suret nga Kurani: “Nëse ndonjëri prej jush shqetësohet për diçka që ka ndërmend të bëjë, le të falë dy rekate namaz përveç namazit të detyrueshëm, a pastaj le të thotë: “O Zot, unë kërkoj udhëzimin Tënd me dijen Tënde,  kërkoj fuqi me fuqinë Tënde, kërkoj nga mirësia Jote e madhe. Vërtet, Ti ke fuqi dhe unë nuk kam, e Ti ke dije dhe unë nuk di, Ti je Njohësi i të fshehtës. O Zot, nëse në  dijen Tënde kjo çështje është e mirë për mua në fenë time, për jetën time dhe për përfundimin e saj, ose ai tha: në çështjet e mia të menjëhershme dhe të ardhshme,  atëherë cakto për mua dhe ma lehtëso, pastaj më beko në të. Nëse Ti e di se kjo çështje është e keqe për mua në fenë time, në jetën time dhe në përfundimin e çështjes sime, ose ai tha: në çështjet e mia të menjëhershme dhe të ardhshme,  atëherë largoje ato nga unë dhe më largo mua prej saj. Cakto për mua atë që është e mirë kudo që të jetë, e pastaj më bëj të kënaqur me të. Ai tha: Dhe njeriu emëron nevojën e tij që ai ka.”

Vëllezër të nderuar! Istiharja, kërkimi udhëzim, bëhet në çështje për të cilat njeriu nuk është i sigurt për rrjedhën e saktë të veprimit. Sa i përket çështjeve, të mirat ose të këqijat e të cilave dihen, nuk ka istihare për to, siç janë aktet e adhurimit, kërkesat ligjore, kryerja e veprave të mira dhe shmangia e gjynaheve dhe të ndaluarave. Në këto çështje nuk përfshihet, hynë istihareja. Istihare bëhet në çështje të lejuara të kësaj bote, siç është martesa, blerja e një shtëpie ose automjeti, një punë, udhëtimi i lejuar e të ngjashme. Ndërsa për adhurimet dhe kërkesat ligjore nuk ka istihare për to. Megjithatë, një musliman mund të kërkojë istihare në zgjedhjen e kohës ose mjeteve të përshtatshme, siç është koha e Umres ose Haxhit, mjetet e udhëtimit, lloji i shoqërimit dhe shoqëruesit e udhëtimit, sasia e kohës, vendndodhja e saj, metodat e ndarjes së saj e të ngjashme.

O ju muslimanë! Istihareja bëhet kur njeriu mendon për diçka, jo pasi të ketë vendosur dhe ta dëshirojë plotësisht atë. Për këtë arsye, dijetarët  kanë thënë: “Istihareja bëhet para se të fillohet diçka.”  I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush shqetësohet për diçka që ka ndërmend të bëjë…”  Sa i përket momentit të lutjes për istihare, Shejhul Islam,  Ibn Tejmije, Zoti  e mëshiroftë, thotë: “Lejohet të lutesh në namazin e istihares, dhe në raste të tjera, para ose pas selamit, daljes nga namazit.”  Ai ka thënë: “Lutja para selamit, para daljes nga namazi,  është më e mirë, sepse i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, shumicën e lutjeve të tij i ka patur, bërë para përshëndetjes, selamit, daljes nga namazi, kur ai që falet, lutet nuk largohet para përshëndetjes, selamit. Ai tha: Kjo është më mirë.” Këtu përfundon fjala e tij, Zoti e mëshiroftë. Çështja është e gjerë; kush dëshiron  mund të lutet para ose pas përshëndetjes, selamit, daljes nga namazi.

LEXO  Surja Kehf: Mësime dhe porosi

Njerëzit e dijes kanë thënë: “ Urtësia e  kryerjes së namazit para lutjes Istihares është që njeriu të kombinojë të mirat e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit, ndërsa ai ka nevojë për Zotin e tij dhe ka nevojën e Tij. Nuk ka asgjë më të madhe se namazi, sepse ajo përfshin madhërimin e Zotit, nënshtrimin ndaj Tij, lavdërimin e Tij, përuljen para Tij dhe demonstrimin e varfërisë dhe nevojës së tij për Të, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Adhurues të Zotit! Istihareja nuk e përjashton kërkimin e këshillës, por se dijetarët kanë thënë: Kombinimi i të dyjave është përsosje dhe plotësim i çështjes. Konsultimi, këshillimi duhet të jetë, të bëhet para istihares. Neveviu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Rekomandohet që të kërkohet këshilla, konsultimi para istihares. Njeriu duhet të konsultohet me dikë që është i njohur për këshillat, dhembshurinë, përvojën, përkushtimin fetar dhe njohuritë e tij.”

O ju muslimanë! Nëse musliman bën istihare, kërkon udhëzim nga Zoti, ai duhet të bëjë çfarë të dojë, ndjejë, pavarësisht nëse ndihet rehat me të apo jo, sepse në të ka të mirë. Ai nuk duhet t’i kushtojë vëmendje shenjave ose indikacioneve nga ëndrrat, ose lidhjeve me emra, njerëz, ditë ose të ngjashme. Sepse kjo bie ndesh me të vërtetën e istihares, udhëzimit nga Zoti dhe qëllimin e saj, qëllimi i të cilës është të mbështetesh te Allahu i Plotfuqishmi dhe t’ia besosh Atij çështjen. Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Nuk më intereson në çfarë gjendjeje jam, nëse është ajo që më pëlqen apo ajo që nuk më pëlqen, sepse nuk e di se çfarë është e mirë në atë që më pëlqen ose nuk më pëlqen.”  Hafiz Zain Ed Din El Iraki,  Zoti e mëshiroftë, thotë: “ Çfarëdo që bën njeriu pasi bën istiharen, kërkon udhëzim nga Allahu, ai në të ka të mirë.”

Në vijim

Zoti ju mëshiroftë! Pas kryerjes së istihares, është e rëndësishme të kesh mendim të mirë për Zotin, të jesh i sigurt se Zoti yt do të zgjedhë atë që është më e mira për ty, në interesin tënd, dhe nëse nuk përmban atë që do dhe dëshiron ti. Shejhul Islam Ibn Tejmijete, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Nëse nuk gjen ëmbëlsi dhe gëzim në zemrën tënde, atëherë akuzoje atë, zemrën, sepse Zoti yt është Mirënjohës, e shpërblen punëtorin për punën e tij në këtë botë me ëmbëlsinë që i dhuron në zemrën e tij, forcën, gëzimin dhe kënaqësinë e syrit. Gëzimi të afron më shumë me Zotin, kënaqësia e syrit të çon në rritje të bindjes ndaj Tij dhe të motivon të përpiqesh dhe të ecësh drejt Tij.”

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht, ndërsa ata (idhujt) nuk mund të zgjedhin. Qoftë i lavdëruar Allahu dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)! Zoti yt e di çfarë fshehin zemrat e tyre dhe çfarë shprehin. I tillë është Allahu! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni.” (El-Kasas 68-70)

Zoti na bëftë dobi me udhëzimet e librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit  i kërkoj falje për  vete, ju dhe të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin! Lavdërimet janë për Zotin, Atij i takojnë lavdërimet në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falenderoj për mirësitë e Tij të fshehta, të padukshme dhe të dukshme. 

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e sinqertë dhe e vërtetë që fshin gjynahet si të mëdha ashtu edhe të vogla.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij,  Zoti i tij përmes tij  udhëzoi zemrat e hutuara dhe pajtoi shpirtrat kundërshtare. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, hënat e plota që shkëlqejnë, mbi tabi’inët  dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira, lutje, përshëndetje dhe bekime të vazhdueshme dhe të shumëfishta.

LEXO  Jeta e mirë bashkëshortore - Meka 14.06.2019

Në vijim

O ju muslimanë! Kush ia beson çështjen e tij Allahut, Ai do t’i mjaftojë atij, kush i kërkon Atij sinqerisht dhe me të vërtetë, Ai do t’ia japë, kush bën istiharen,  kërkon udhëzimin e Tij, nuk do të pendohet, në zemrën e tij do të ketë qetësi dhe siguri që do t’ia largojnë të gjitha shqetësimet. Kush mbështetet në mirësinë e zgjedhjes së Allahut nuk do të dëshirojë asgjë tjetër përveç asaj që ka zgjedhur Allahu. Në hadithin e transmetuar nga Ahmedi në Musnedin e tij, Tirmidhiu në Sunenin e tij, Hakimi në Mustedrekun e tij, i cili e ka konsideruar të saktë, Dhehebiu është pajtuar me të, ndërsa Hafizi e ka konsideruar hadith të mirë, ka ardhur se nga  Sa’d Ibn Ebi Vekasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nga lumturia e birit të Ademit, njeriut, është istihareja, kërkimi i udhëzimit nga Allahu i Madhërishëm, nga lumturia të birit të Ademit është kënaqësia e tij me atë që ka caktuar Allahu. Nga mjerimi i birit të Ademit, njeriut, është neglizhenca e tij për të kërkuar udhëzimin e Allahut, për të bërë istiharen, si dhe nga mjerimit i tij, njeriut, është pakënaqësia e tij me atë që ka caktuar Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm.”

Zoti ju mëshiroftë! Frikësojuni Allahut, dhe dijeni se atij që i janë dhuruar katër gjëra nuk do t’i ndalohet, nuk do të privohet nga katër gjërë tjera: Kujt i jepet mirënjohje, nuk do të privohet nga më shumë. Kujt i jepet pendimi, nuk do privohet nga pranimi. Kujt i jepet mundësia e istihares, për të kërkuar udhëzim nga Zoti, nuk do privohet nga zgjidhja e më të mirës dhe kush kërkon këshilla, nuk do të privohet të bëjë atë që është e drejtë.

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj, Allahu i Madhërishëm dhe i Gjithëdijshëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.

O Zot, ndihmo fenë  dhe librin Tënd, sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe të gjithë robërit e Tu të drejtë. 

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona,  bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë  kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.

O Zot, mbështete me të vërtetën, me sukses dhe me drejtësi udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi sukses atij në atë që do dhe je kënaqur, udhëzoje atë në drejtësi dhe devotshmëri, furnizoje atë me mbështetës të mirë, ndero me të fenë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde,  bëje atë ndihmë për Islamin dhe muslimanët,  bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim.

O Zot, jepi sukses atij,  zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre, në atë që e vërteta dhe udhëzimi, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit. O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me synetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj  vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, bëhu për ta kujdestarë dhe mbështetës,  ndihmës dhe mbrojtës. O Zot, merr nën kujdesin Tënd çështjet e tyre, bashko forcat e tyre dhe ndihmoi ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre.

O Zot, ata janë të dobët prandaj forcoi, të uritur prandaj mundësoju ushqim, të zhveshur prandaj mundësoju të vishen, të zbathur prandaj mundësoju të mbulohen. O Zot, forco vendosmërinë e tyre dhe jepu fitore vendimtare, të qartë.

O Zot, Zbritësi i librit, Kuranit,  Lëvizës i reve dhe Mposhtësi i grupacioneve, mposht hebrenjtë tiranë, të padrejtë dhe pushtues. O Zot, ata kanë bërë padrejtësi, kanë sjellë shkatërrime dhe  devijuan. O Zot, kthe komplotet e tyre kundër tyre dhe bëj që rrethi i së keqes të bjerë mbi ta, o i Fortë, o i Plotfuqishëm.

O Zot, na ruaj nga e keqja e të këqijve, kurthet e të pa feve dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falenderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe.

Allahu është i Ditur për çfarë veproni.          

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1243553157438311

Post Author: endrit