Haxhi i pranuar: Sinqeritet dhe zbatim i sunetit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     21-11-1447 H     08-05-2026 D

Shejh Abdullah El Xhuhenij   

Tema    Haxhi i pranuar: Sinqeritet dhe zbatim i sunetit

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ia përsosi ligjet e Islamit këtij umeti, e bëri të detyrueshme për ata që kanë mundësi prej tyre haxhin në Shtëpinë e Shenjtë, në Qabe, përgatiti për këtë mirësi dhe begati të madhe,  premtoi se kushdo që kryen Haxhin në Qabe dhe nuk flet pa vend ose nuk kryen gjynahe, se do të dalë i pastër pa gjynahet e tij si në ditën që e ka lindur nëna e tij. Ky është Haxhi i pranuar për të cilin Zoti nuk ka bërë shpërblim tjetër përveç Xhenetit, vendbanimit të përhershëm.

Zotin e lavdëroj dhe e falënderoj. Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqedhënësi.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që janë falur, kanë kryer Haxhin, kanë dhënë Zekatin dhe kanë agjëruar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij të drejtë dhe të ndershëm, mbi tabi’inën dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi për sa kohë që vazhdojnë netët dhe ditët, lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O ju muslimanë! Haxhinjë të shtëpisë së shenjtë, Qabes! Ju këshilloj ta keni frikë Zotin e Plotfuqishëm dhe ta kujtoni Atë fshehurazi dhe publikisht, sepse ju jeni në duart e Tij, nën pushtetin e Tij dhe i nënshtroheni vullnetit të Tij. Nuk ka shpëtim prej Tij dhe nuk ka strehim përveçse tek Ai. Jini të sinqertë me Zotin në fjalë dhe në vepra, kapuni fort pas Librit të Zotit, Kuranit, dhe sunetit të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sepse në to është lumturia, nderi dhe shpëtimi. Dijeni se Zoti i di sekretet e tuaja ashtu siç i di pamjet e tuaja të jashtme, asgjë rreth jush nuk është e fshehur prej Tij.

Adhurues të Zotit! Zoti ka dhuruar mirësitë e Tij umetit të Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi ata mbarë, i udhëzoi ata drejt pikave të referimit të së vërtetës, u ndriçoi atyre rrugën e drejtësisë, lehtësoi për ata rrugët e mirësisë dhe mjetet e lumturisë, dhe hapi për ta portat e shpresës dhe pritjes. Asnjë stinë mirësie nuk kalon pa e ndjekur atë një tjetër. Në këto ditë, ndjenjat e muslimanit janë të mbushura me mall dhe dëshirë të zjarrtë për Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, Qaben, për të kryer ritualet e Umres dhe Haxhit, dhe për të vizituar xhaminë e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij. Zotit i lutemi për lehtësi në udhëtim dhe rehati në qëndrim, Zotit i lutemi për ne dhe për ta Haxh të pranuar, vepra të mira të pranuara dhe një përpjekje të lavdëruara.

LEXO  Allahu sjell lehtësimin - Meka 20.03.2020

O populli musliman! Nga mëshira e Zotit të Plotfuqishëm mbi umetin e profetit tonë Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi të gjithë ata, është se Ai e bëri Haxhin të detyrueshëm një herë në jetë për muslimanin e përgjegjshëm nëse ai është në gjendje ta bëjë këtë. Kushdo që dëshiron të kryejë Haxhin duhet t’ia kushtojë nijetin dhe qëllimin e tij Zotit të Plotfuqishëm dhe t’i bëjë veprimet e tij në përputhje me sunetin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij, të zgjedhë të shpenzojë nga fitimet e ligjshme dhe të jetë bujar në shpenzimet e tij, sepse Zoti është i mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë, e kjo është më e madhe për shpërblimin e tij.

Hakimi ka transmetuar prej nënës së besimtarëve, Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të,  e ajo nga babai saj, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  gjatë Umres së saj i ka thënë: “ Do të kesh shpërblim sipas përpjekjes dhe shpenzimit tënd.”  Hadithi është transmetuar nga Hakimi dhe Darkutniu.

O ju haxhinjë! Ju këshilloj t’ia kushtoni veprimet tuaja vetëm Zotit të Plotfuqishëm dhe ti lidhni zemrat tuaja vetëm me Atë, Zotin e Lartësuar. Kërkoni përmbushjen e nevojave tuaja vetëm nga Zoti i Bekuar dhe i Lartësuar, sepse Ai është që përmbush nevojat, u përgjigjet lutjeve dhe është i aftë për gjithçka. Kush tjetër të nevojitet përveç Tij? Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në Tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (En-Neml 62) Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Vet. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Junus 107)

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, madhëroni, vlerësoni gjërat e shenjta të Zotit, zbatoni etiketën e duhur në Shtëpinë e Tij, Qabe, në vendin e Tij të sigurt dhe në vendin e të dërguarit të Tij fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit  qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij. Kujdesuni për pastërtinë e Haxhit, sinqeritetin e punës për Zotin e Plotfuqishëm, për sjelljen e bukur, të folurit e mirë dhe zbatimin e sunetit,  në mënyrë që të arrini shpërblim dhe sevap.

LEXO  Në ritualin e Haxhit: Rregulla, etiketë dhe udhëzime

O Zot, të kërkojmë Ty besim të vërtetë, vepra të drejta që pranohen, pendim të sinqertë, haxh të pranuar, falje për gjynahet tona, mbulim të të metave tona, udhëzim për zemrat tona, dritë për mendjet tona, mëshirë nga ana Jote dhe kënaqësinë Tënde. O Zot, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët. Vërtet, Ti je Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve, përfundimi i mirë është robërit e Tij të devotshëm dhe nuk ka agresion përveçse kundër të padrejtëve.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen dhe shokët e tij, të gjithë ata që i pasojnë në mirësi dhe qëndrojnë të palëkundur.

Në vijim

Haxhinjë të shtëpisë së shenjtë të Zotit! Kini frikë Zotin dhe dijeni se Haxhi dhe Umra kanë shtylla, detyrime, veprime të rekomanduara dhe etikë, sjellje. Kur muslimani hyn në gjendjen e Ihramit, obligon veten të kryejë veprime të caktuara që duhet të përfundohen dhe të përmbahet nga ndalesat e Ihramit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjarët e tij, ka thënë: “Mësoni ritet tuaja nga unë.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Davudi.

Zoti i Plotfuqishëm ka caktuar në vendin e Tij të pastër dhe të shenjtë ata që janë të mjaftueshëm dhe të aftë për t’u shërbyer dy xhamive të shenjta, për të mbrojtur vendet e shenjta dhe ata që vijnë atje. Qeveria e mbretërisë së Arabisë Saudite, Zoti e lartësoftë, ka caktuar dijetarë në dy xhamitë e shenjta dhe në çdo pikë të caktuar për të hyrë në gjendjen e Ihramit për të udhëzuar njerëzit, për t’u mësuar atyre ritualet e Haxhit të tyre dhe për t’i drejtuar ata në rrugën e duhur. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “…andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).” (En-Nahl 43) Shto kësaj, sistemet dixhitale po përdoren për t’u shërbyer mysafirëve të Zotit.

O vëllezër dhe motra, haxhinjë! Përpiquni që Umreja dhe Haxhi juaj të jenë të pranuara dhe përpjekjet e tuaja të vlerësohen. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.” Hadithin e ka transmetuar Taberaniu. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kushdo që kryen Haxhin për hir të Allahut dhe nuk merret me fjalë të turpshme dhe nuk kryen gjynahe do të kthehet i pastër, pa gjynahe,  si dita kur e ka lindur nëna e tij.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

O haxhinjë të shtëpisë së shentjë të Zotit! Kjo është mundësia juaj në këto vende të shenjta, në vendet e shpalljes dhe në vendet e zbritjes së Kuranit, për të derdhur lot pendimi për njollat ​​e gjynaheve që t’i lani ato, për t’i kërkuar falje Zotit tuaj për gjynahet në mënyrë që Ai t’i falë ato dhe për t’u penduar para Zotit me një pendim të sinqertë që Ai ta pranojë.

LEXO  Kjo botë  është kalimtare - Meka 12.06.2020

Adhurues të Zotit! Dërgoni lutje dhe përshëndetje të shumta mbi më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e drejtë, me të gjithë shokët e tij dhe me pasuesit e tyre në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.

O Zot, ruaj haxhinjtë dhe ata që kryejnë Umren, lehtësojua atyre kryerjen e ritualeve të tyre në siguri.

O Zot, largo prej nesh dhe prej muslimanëve fatkeqësitë, të këqijat, sëmundjet, shqetësimet, sprovat dhe mundimet që askush përveç Teje nuk mund t’i largojë, largo të keqen prej nesh si të duash dhe në çfarë mënyre që të duash, me të vërtetë Ti je i aftë për të bërë çdo gjë.

O Zot, forco Islamin dhe muslimanët, me mirësinë Tënde lartëso fjalën e të vërtetës dhe fenë.

O Zot, mbështete me të vërtetën, me udhëzim dhe ndihmë udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman bin Abdulaziz, Zoti i dhëntë fitore. O Zot, udhëzoje atë drejt asaj që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, merre atë drejt mirës dhe devotshmërisë, jepi atij këshilltarë të drejtë, forco fenë Tënde nëpërmjet tij, lartëso fjalën Tënde nëpërmjet tij, bëje atë një mbështetje për Islamin dhe muslimanët dhe bashko nëpërmjet tij fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.

O Zot, udhëzoje atë dhe princin e tij të kurorës, vëllezërit e tij dhe mbështetësit e tij drejt së vërtetës dhe udhëzimit, drejt gjithçkaje që është e mirë për njerëzit dhe vendin, shpërbleji ata mirë në emër të Islamit dhe muslimanëve.

O Zot, jepu sukses udhëheqësve të muslimanëve që të punojnë me Librit Tënd, Kuranin, dhe me sunetin e profetit Tënd Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i botëve.

O Zot, ruaj vendin tonë, mbretërinë e Arabisë Saudite, sigurinë e saj, stabilitetin, sundimtarët, ushtarët e saj dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, kërkojmë mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, me faljen Tënde nga ndëshkimi Yt dhe me Ty nga Ti. Ne nuk mund t’i numërojmë lavdërimet që Ti i meriton, Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Veten.

O Zot, mos na ndëshko për të këqijat e veprave tona, mos na merr në llogari, përgjegjësi për atë që kanë bërë mendjelehtët nga ne. Na bëj që të mjaftohemi në çdo çështje që na përket, ji mbështetës dhe ndihmës i yni.

O Zot, jep fitoren Islamit dhe popullit të tij në çdo vend.

O Zot, të kërkojmë falje, sepse Ti je Falës, prandaj dërgo nga qielli shi të bollshëm mbi ne. O Zot, na furnizo me shi! O Zot, ne jemi krijesa nga krijesat Tua, mos na privo nga Mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1557074163085925/987056190486946

Post Author: endrit