Qetëso të brengosurit – Meka 08.11.2019

Hytbe e Qabes 11-03-1441 H     08-11-2019

Shej Mahir El Muajkili    Tema: Qetëso  të brengosurit

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut, Krenar e Falës, i Fortë e Ngadhënjyes: “i Cili e krijoi njeriun nga balta e pjekur si një poçe,  ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit. ” (Rrahman; 14-15.) 

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut, i Vetëm e i Pashoq, Një dhe Mposhtës i gjithçkaje.

Dëshmoj se i nderuari ynë Muhamedi është rob i Allahut, i dërguari i Tij i zgjedhur, udhëheqësi i të devotshmëve vepërmirë, nderimi, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij të zgjedhur deri sa nata të pasojë ditën 

O besimtarë! Kijeni frikë Allahun me një frikë të vërtetë, kijeni parasysh mbikqyrjen e tij në vetmi e në publik. Frika ndaj Allahut sjell begati, asgjëson gjynahet, të mundëson hyrjen në xhenete. Allahu u drejtohet ithtarëve të Librit dhe thotë: “Sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ruheshin nga mohimi, Ne do t’ua mbulonim veprat e këqija dhe do t’i shpinim në kopshtet e kënaqësisë.” (Maide; 65).

Allahu i Madhërueshmë ka thënë gjithashtu: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El- A’raf 96)

O muslimanë, Njohja me emrat e bukur të Allahut e me cilësitë e Tij të larta të fton ta adhurosh Atë, ta duash, ti druhesh, ta madhërosh e ta lartësosh.

Sipas nivelit të njohjes së emrave të Allahut dhe cilësive të Tij do të jetë niveli i besimit të njeriut dhe zelli i tij në adhurim. Allahu i lartësuar e ka lavdëruar Veten e tij të Lartë, ai e ka përshkruar veten e Tij me cilësi të plota e të larta. Ai në Shpalljen e Tij plot urtësi thotë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahu mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Hashr; 23).

Imponuesi i cili është lart mbi të gjitha krijesat e Tij. I lartësuar qoftë poseduesi i çdo mundësie, i çdo pushteti, i çdo lartësie dhe i çdo madhështie. Krijesat nuk mund të arrijnë ti bëjnë Atij diçka të dobishme, e nuk arrijnë ti bëjnë Atij diçka të dëmshme. Ai me pushtetin e tij mposht çdo tiran dhe qëndron kurdoherë mbi ta me lavdinë dhe madhështinë e Tij.

Në sunenin e ibn Maxhes me zinxhir të saktë transmetohet se ibn Umer r.a ka thënë: Unë kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) mbi mimber të thotë: Mposhtësi i gjithçkaje, qiejt dhe planetet i merr në dorën e Tij – mbështolli dorën e tij, e mbështillte dorën grusht dhe e hapte – e pastaj thotë: Unë jam Mposhtësi. Unë jam Sunduesi. Ku janë diktatorët?! Ku janë arrogantët?!

Vëllezër besimtarë: Emri i Allahut (El Xhebar) Mposhtësi sikurse nënkupton atributin e lartësisë e të forcës ai gjithashtu përfshin atributin e dhembshurisë e të mëshirës. Në sunenin e ibn Maxhes me zinxhir të saktë transmetohet nga Ibn Abasi r.a se profeti (salallahu alejhi ue selem) mes dy sexhdeve thoshte: O Allah më fal, më mëshiro, më ndihmo, më udhëzo e më furnizo!

Allahu a.xh e ndihmon të varfërin me pasuri, të dobëtin me fuqi. Atyre me zemër të thyer ia largon brengën, i jep zgjidhje e u vendos në zemra siguri. I Plotfuqishmi i lartësuar me butësinë e bujarinë e tij zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit e natës dhe thotë: Cili po më lutet që ti përgjigjem? Cili po më lyp që ti jap? Cili po më kërkon falje që ta fal?

Ai e rimëkëmb të thyerin, e shpëton të sprovuarin, e shëron të sëmurin, e ndihmon të sfiliturin, i përgjigjet thirrësit, i jep lypësit, largon pikëllimin, zhduk mërzinë, heq stresin dhe brengën.

I Plotfuqishmi në Kuranin madhështor na tregon se si i qetëson zemrat e profetëve dhe të dërguarve të Tij. Profeti i Allahut Musa a.s kur pati dëshirë të shohë Allahun e lartësuar dhe e kërkoi prej Tij një gjë të tillë, Allahu i tregoi se kjo nuk ishte e mundur në këtë botë dhe pastaj e ngushëlloi dhe ia qetësoi zemrën me dhuratë. Allahu thotë: “Zoti tha: O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” (EL A`raf; 144).

Profeti Muhamed, kur po largohej nga vatani i tij Meka, toka më e dashur për të, qëndroi në një vend që quhej Hazuerah, një kodër e lartë prej së cilës dallohej Qabja. Pastaj tha: Sa vatan i mirë je ti, sa e dashur je ti për mua! Unë sikur njerëzit e tu të mos më përzinin nuk do të jetoja askund tjetër veç teje. Pasha Allahun ti je vendi më i mirë i tokës së Allahut, vendi më i dashur në tokë tek Allahu. Unë po të mos dëbohesha prej teje nuk do të largohesha. Transmeton Tirmidhiu me zinxhirë të saktë.

Allahu ia largoi këtë brengë dhe gjatë rrugës për në Medine i shpalli: “Me të vërtetë, Ai që ta ka urdhëruar ty (Muhamed) Kuranin, do të të kthejë në vendin e caktuar (në Mekë).” (Kasas; 85).

Ai i cili të zbriti Kuranin dhe të urdhëroi ta kumtosh atë do të të kthejë në vendin prej të cilit u dëbove krenar, çlirimtar dhe fitimtar. Allahu e vërtetoi premtimin e Tij, i dha fitore robit të Tij dhe i premtoi se do ti japë derisa të kënaqet:

“e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.” (Duha; 5).

O Besimtarë: Të ngushëllosh, të qetësosh e ti heqësh mërzinë të tjerëve është cilësi që dëshmon për një person me shpirt të lartë, të mençur e me zemër të pastër. E për këtë kjo cilësi shfaqet në nivelet më të larta të saj tek më i nderuari i të dërguarve të Zotit, kreut të njerëzve të devotshëm të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për tërë botën. Ai (salallahu alejhi ue selem) ka qenë njeriu me zemër më të mirë, më i vërteti në fjalë. Moral i i tij ka depërtuar mes njerëzve lehtë e butë. Duart e tij gjithmonë kanë qenë të mbushura plot bujari. Ai me besimtarët ishte i dhembshur e i mëshirshëm; i largonte mërzinë, kujdesej për gjendjen e tyre, pyeste për atë që mungonte, vizitonte të sëmurët e tyre, nuk përbuzte asnjë ushqim që pregatiste cilido njeri me qëllim që të mos e mërziste e të mos e ulte para të tjerëve. Kur i vinte ndonjë lajm i papëlqyer prej dikujt nuk e bënte publik emrin e tij por thoshte: Si është e mundur që disa njerëz të thonë kështu e kështu. Këtë e bënte si kujdes ndaj ndjenjave të të tjerëve e për të fituar afrimitet.

Ai posedonte moral fisnik. Kur refuzonte ndonjë dhuratë i kërkonte ndjesë dhuruesit me qëllim që ti qetësonte zemrën. Në Dy Sahihet transmetohet se Sa`b ibn Xhethameh r.a i dhuroi të dërguarit të Allahut një zebër – Në këtë moment i dërguari i Allahut ishte në vendin Ebua dhe ishte me Ihram- e i dërguari i Allahu e refuzoi. Sa`bi thotë: Kur e pa fytyrën time pasi më refuzoi dhuratën më tha: Ne nuk dëshirojmë të ta refuzojmë por ne jemi në Ihram; do të thotë që ai i cili ka hyrë në ihram nuk lejohet të hajë diçka që është gjuajtur për të.

Sjellje të tilla të profetit (salallahu alejhi ue selem) ka shumë. Transmeton Tirmidhij në sunenin e tij me zinxhir të mirë nga Xhabir r.a se ka thënë: I dërguari i Allahu mu afrua e më tha: O Xhabir ç`ke që të shoh të thyer – të zhytur në mendime, të brengosur e të mërzitur – Unë i thashë: Babai im ra dëshmor e la pas fëmijë e borxh. Pra kështu, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ishin mbledhur shkaqet e mërzisë; shumë fëmijë dhe borxh i rëndë. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) për ti qetësuar zemrën Xhabirit i tha: A të përgëzoj me atë që gjeti tek Allahu babai yt? Unë thashë: Po o i Dërguar i Allahut. Ai tha: Allahu, cilitdo që i

ka folur i ka folur vetëm pas një perdeje e ndërsa babait tënd i dha jetë dhe i foli përballë duke i thënë: O robi Im më kërko ç`të duash të të jap.

Pra, i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) po i thotë: Mos u preokupo me çështjen e fëmijëve e të borxhit sepse Allahu do ta shlyejë borxhin e babait tënd e do ti mëshirojë fëmijët e tij dhe përgëzohu me atë që fitoi babai yt, afërsinë me Allahun e lartësuar dhe nderimin e madh.

Vëllezër të nderuar humbja e fëmijës të trondit zemrën, të shkakton mërzi e të thyen. Një njeri që është goditur me diçka të tillë ka nevojë për dikënd që e ngushëllon, që i qetëson zemrën e i rehaton shpirtin.

Në sunenin e Nesait me zinxhir të saktë përcillet se njërit prej shokëve të Profetit (salallahu alejhi ue selem) i vdiq fëmija dhe ai u vetmua e nuk po dilte me njerëzit. Profeti (salallahu alejhi ue selem) kur vuri re mungesën e tij tha: Përse nuk po e shoh filanin? I thanë: O i dërguar i Allahut, djali i tij i vogël, të cilin ti e ke parë i vdiq. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur e takoi e pyeti për djalin e vogël e ai i tregoi që kish vdekur. I Dërguari i Allahut e ngushëlloi e pastaj i tha: O filan, cila prej dy gjërave që do të tregoj është më e dashur për ty; të kënaqesh me djalin gjithë jetën tënde apo të shkosh nesër në një prej dyerve të xhenetit e të shohësh se ai ka arritur atje përpara teje e të hap derën ty? Ai tha: O profet i Allahut, të shkojë përpara meje në derë të xhenetit e të ma hapë derën është më e dashur për mua. Ai tha: Këtë do të kesh.

Era, një ditë zbuloi këmbët e Ibn Mes`udit r.a njerëzit qeshën me të. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) menjëherë e mjekoi këtë plagosje duke e ngritur lart autoritetin e tij dhe sqaroi pozitën që kishte tek Zoti. Ai tha: Pasha, Atë në dorë të të cilit është shpirti im, Ato dy këmbë janë më të rënda në peshë se mali Uhud. Transmeton imam Ahmedi.

Edhe fëmijët e vegjël morën pjesën e tyre të ngushëllimit gjatë jetës së profetit (salallahu alejhi ue selem) edhe pse i angazhuar me udhëheqjen e umetit dhe me detyrën e kumtimit të thirrjes. Në Musnedin e imam Ahmedit përcillet se Enesi r.a ka thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na vinte për vizitë. Unë kisha një vëlla të vogël i cili kishte një harabel të vogël e lozte me të, mirëpo zogu ngordhi. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) erdhi një ditë dhe e pa atë të mërzitur dhe tha: Pse është i mërzitur Ebu Umejr? I thanë: Harabeli me të cilin lozte i ngordhi, o i Dërguar i Allahut. Ai me përkëdheli i tha: O Ebu Umejr çfarë i ndodhi Nugejrit (harabeli).

Imagjino pak vëlla, se si ishin ndjenjat e këtij fëmije të mërzitur kur bisedonte e i tregonte ndjenjat dhe kujtimet e tij para të dërguarit të umetit (salallahu alejhi ue selem), se sa ndikim pati kjo bisedë në qetësimim e zemrës së thyer të këtij vogëlushi.

Vëllezër besimtarë: Fytyra e çelur, urimi, dhënia e dorës, përqafimi, pjesëmarrja në gëzime e festa në vajtim e në hidhërim, të gjitha këto janë pjesë e zhbrengosjes dhe e ngushëllimit. Aishe r.a në ngjarjen e shpifjes kujton një grua prej Ensarëve e cila kishte marrë pjesë në mërzinë e saj me disa lot që qenë ngushëllim i madh për të. Në Dy Sahihet transmetohet se Aishe r.a ka thënë: Unë qava dy netë e një ditë, nuk më ndaleshin lotët e nuk më zinte gjumi, kujtova se të qarët do më plasë zemrën. Me mua po qëndronin dy prindërit e mi, e ndërkohë që unë po qaja kërkoi leje të hynte një grua prej Ensarëve. Unë i dhashë leje të hynte e ajo u ul e nisi të qajë bashkë me mua.

Të tilla mund të jenë mënyrat e largimit të brengave. Mund të mjaftojë një buzëqeshje e sinqertë, një fjalë me dhembshuri, një ndjesë për gabimin apo një lutje.

Vëlla im, Allahu të bekoftë, mundohu që më së shumti ti kënaqësh zemrën familjes tënde, veçanërisht dy prindërve, bashkëshortes, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave e të afërmëve të tjerë. Mundohuni ti largoni brengat e të tjerëve, bëhuni pjesmarrës në atë që ndjejnë vëllezërit tuaj dhe sillni ndërmend se një vepër e tillë është adhurim i lartë të cilin i Plotëfuqishmi Suprem e shpërblen me shpërblime të mëdha. Në Sahihun e Muslimit përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: Allahu a.xh ditën e ringjalljes thotë: O biri i Ademit! Unë u sëmura, por ti nuk më vizitove! Robi do t’i thotë: O Zot! Si të të vizitoj kur Ti je Zoti i Botëve? Zoti do t’i thotë: A nuk e dije se filani, robi im u sëmur, por ti nuk e vizitove! A nuk e dije se po ta vizitoje, do më gjeje Mua pranë tij! Zoti do të thotë: O biri i Ademit! Unë të kërkova ushqim, por ti nuk më ushqeve. Robi do t’i thotë: O Zot! Si të të ushqej unë Ty! Ti je Zoti i botëve. Zoti do t’i thotë: Filan robi Im kërkoi ushqim nga ti, por t’i nuk e ushqeve. A nuk e dije se po ta kishe ushqyer, do ta gjeje atë pranë Meje! Zoti do të thotë: O biri i Ademit! Unë të kërkova ujë, por ti nuk më dhe! Robi do t’i thotë: O Zot! Si mund të të jap unë ujë Ty! Ti je Zoti i botëve! Zoti do t’i thotë: Filan robi Im të kërkoi ujë, por t’i nuk i dhe. A nuk e dije se, po t’i jepje ujë, do ta gjeje atë te Unë!”

“Betohem në shkëlqimin e paradites dhe në natën kur terret e qetësohet, se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)! Natyrisht, jeta e ardhshme për

ty është më e mirë se kjo jetë, e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur. A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi? A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt? Prandaj, mos e shtyp jetimin, lypësin mos e shty me ashpërsi dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!” (Surja Duha).

Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës.

Hutbeja e Dyte

LEXO  Besimi në Peshoren e veprave ditën e gjykimit - Meka 05.02.2021

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut me ndihmën e të cilit realizohen veprat e mira. Atij i përket falenderimi aq sa të mbushet e tërë toka e aq sa të mbushet i tërë qielli.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Allahut i vetëm e i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij nderimet e Allahut shpëtimi dhe begatia e tij qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.

O besimtarë: Dispozitat e ligjit islam kujdesen për mbështetjen emocionale të personit dhe ngushëllimin e tij në raste kur zemrat thyhen. Kështu është ligjëruar dëmshpërblimin për rikuperimin e gabimit dhe për ti hequr brengën familjarëve që u është bërë krimi e për ti qetësuar shpirtërisht. Gjthashtu pëlqehet ngushëllimi i familjarëve të të vdekurit për ti qetësuar, për tu ndjerë më mirë e për tia lehtësuar dhimbjet.

Zekati i fitrit është qetësim për zemrat e të varfërve që edhe ata të gëzohen me festës ashtu si gëzohen të pasurit.

Kujdesi ndaj anës emocionale për ti bërë njerëzit të gëzuar është një pjesë e ligjit islam dhe një adhurim që të afron me të Gjithëmëshirëshmin. Një person me shpirt të madh, me zemër të mëshirëshme tregohet i dhembshur me vëllezërit e tij, i butë me ta, përpiqet të bëjë gjënë e duhur për ta, dëshiron për ta të mirën ashtu si e dëshiron për veten e tij, nuk mban urrejtje për ta në kraharorin e tij, i anashkalon gabimet e tyre, gjen justifikime për fajet e tyre, u largon brengat dhe u kënaq zemrat.

Ndërsa njeriu me shprehje të thata e me zemër të ngurtë, ligji universal i Allahut ka bërë që njerëzit të largohen prej tij. Ata nuk pranojnë prej tyre orientime e thirrje. Ata nuk dëgjojnë prej tyre këshilla. Kush ulet me ta nuk ndihet rehat e askush nuk mund të jetë i qetë me ta.

“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje” (Al Imran; 159).

Në Sahihun e Muslimit përcillet se Enes ibn Malik ka thënë: Ne po qëndronim në xhami me të dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem). Një beduin erdhi dhe urinoi në xhami. Shokët e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) thanë: Mos, mos! Dmth. Ndalu! I Dërguari i Allahut tha: Mos e trazoni! Lëreni! E ata e lanë derisa mbaroi. Pastaj i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e thirri dhe i tha: Kjo është xhami dhe nuk është për të urinuar apo për të bërë aty diçka të pisët por ajo është për tu përmendur Allahu, për namaz dhe për lexim kurani. Pastaj ai urdhëroi një person të merrte një kovë me ujë dhe e hodhi mbi vendin e ndotur. Në Sahihun e Buhariut përcillet se ky beduin ndërkohë që falej është lutur duke thënë: O Allah, më mëshiro mua dhe Muhamedin e mos mëshiro me ne askënd tjetër! I dërguari i Allahut pasi dha selam i tha: Ngushtove diçka shumë të gjerë. Këtu ka për qëllim mëshirën e Allahut.

O Allah na i largo mërzitë dhe brengat me mëshirën tënde, bujarinë, fisnikërinë dhe mirësinë tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve.

Na mundëso të hyjmë në xhenetin Tënd pa llogari e pa ndëshkim bashkë me fëmijët tanë, baballarët tanë, nënat tona, vëllezërit tanë, gratë tona dhe pasardhësit tanë!

O Allah na udhëzo drejt moralit të lartë se vetëm ti udhëzon në të dhe na largo prej moralit të ulët se vetëm Ti largon prej tij!

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne

bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët!

O Allah mbroje fenë tënde!

O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!

O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen o Madhështor Fisnik!

O Allah të kërkojmë me mirësinë dhe dhurimin Tënd, me bujarinë dhe me fisnikërinë Tënde ti ruash vendet e muslimanëve nga çdo e keqe dhe e urryer!

O Allah ruaje vendin e Dy të shenjtave. O Allah ruaje atë me përkujdesjen, ndihmën dhe përkrahjen Tënde, me mëshirën Tënde o Zoti i Botrave.

O Allah kush synon ti bëjë keq vendeve të shenjta planet e tyre bëji shkatërrim mbi ta, me forcën, krenarinë dhe madhështinë tënde o i Plotfuqishëm!

O Allah bëje të vazhdueshme sigurinë dhe besimin e këtij vendi, bollëkun dhe stabilitetin e tij me mëshirën tënde o Dhurues o i Madhërishëm o Fisnik!

O Allah jepi sukses Shërbëtorin e Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Jepi atij shpërblimin më të mirë për islamin dhe muslimanët. O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij besnik të bëjnë atë që është e dobishme për islamin dhe muslimanët! Bëj ata  sebep në unifikimin e  fjalës së muslimanëvë  o Zoti i Botrave 

O Allah jepi sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve me mirësinë, dhurimin, bujarinë dhe fisnikërinë tënde o më i mëshirëshmi i mëshiruesve.

O Allah jepi fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë, o Allah, ndihmoji ata me përkrahjen Tënde, ruaji ata me mbrojtjen Tënde, më mëshirën Tënde o Më i mëshirëshmi i mëshiruësve.

O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit