Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 20-07-1447 H 09-01-2026 D
Shejh Dr. Jusuf Ebu Sunejneh
Tema Këshilla të dobishme
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka veçuar me suksesin e Tij atë që Ai ka përzgjedhur, udhëzoi drejtë bindjes ndaj Tij ata që Ai pranoi, kënaqën me caktimin e Tij atë që është i kënaqur me gjykimin e Tij, është i duruar përballë sprovave të Tij dhe e do Atë mbi çdo gjë tjetër. Zotin e lavdërojmë për dhuratat e Tij të bukura, bekimet e Tij të bollshme, favoret e Tij të shumta dhe mirësitë e Tij të kaluara.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, i Pari pa fillim, i Fundit pa mbarim.
Zoti dhe Sunduesi ynë, Ti mbron ata që kërkojnë strehim tek Ti, ruan ata që drejtohen tek Ti, pasuron ata që mbështeten tek Ti, udhëzon ata që të binden Ty dhe lartëson ata që kërkojnë forcë tek Ti. Prandaj, o Zoti ynë, na lartëso me bindjen ndaj Teje, na udhëhiq me kujdesin Tënd dhe na bëj të pavarur nga të gjithë të tjerët përveç Teje.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dërgoi atë udhëheqës me librin e qartë, Kuranin, me udhëzim dhe me fenë e vërtetë, kur gjynahet ishin përhapur gjerësisht, bindja ishte harruar, toka ishte mbushur me padrejtësi dhe paudhësi, bota mbarë ishte ndezur e gjitha zjarr dhe sprova. Armiku i Zotit, Iblisi, kishte kërkuar të adhurohej brenda kufijve të saj dhe të dominonte mbi të gjithë banorët e saj. Por ishte ai që i shuajti zjarret e saj, rrënoi themelet, dobësoi fuqinë e Iblisit dhe e bëri të dëshpërohet për arritjen e ambicies së tij për t’i pushtuar ata, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe bëri Islamin të mbizotëronte mbi të gjitha fetë e tjera, edhe pse politeistët nuk e pëlqenin këtë.
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me të gjithë sahabët, imamët e fesë, sepse ata ishin të përulur, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Zotit. Të lutemi të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues, dhe nëse jemi të mangët në vepra ne kemi ardhur tek Ti të penduar.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Ju këshilloj të keni frikë Zotin, të falni namazin në kohën e tij, të jepni zekatin kur është i detyrueshëm dhe të merrni abdes mirë, sepse asnjë namaz nuk pranohet pa u pastruar. Ju këshilloj të falni gjynahet, të mposhtin zemërimin, të mbani lidhjet farefisnore, të jeni të duruar me injorantët, të paditurit, të fitoni kuptimin, dijen e fesë, të jeni të sigurt në çështje, të qëndroni lidhur me Kuranin në çdo hap, të silleni mirë me fqinjët tuaj, të urdhëroni në të mirë dhe të ndaloni nga e keqja, dhe të shmangni të gjitha veprimet e turpshme, të dukshmet ashtu dhe të fshehtat.
Kujdesuni për të afërmit tuaj dhe mbani lidhje me ta, Zoti do ta bëjë llogarinë të lehtë për ju dhe do largojë dënimin nga ju.
Kini frikë Zotin në lidhje me jetimët, që të mos humbasin në praninë tuaj. Kini frikë Zotin në lidhje me të varfrit, nevojtarët dhe skamnorët, prandaj përfshini edhe ata në jetën tuaj. Kini frikë Zotin në lidhje me Kuranin, që të mos ju paraprijnë të tjerët në veprime sipas tij.
Kini frikë Zotin në lidhje me fqinjët tuaj, sepse kjo është këshilla e profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “ Xhibrili vazhdonte të më këshillonte për fqinjin derisa mendova se ai do ta bënte atë trashëgimtar timin!” Muttefikun Alejhi.
Shoku më i mirë tek Zoti është ai që është më i miri me shokun e tij, dhe fqinji më i mirë tek Zoti është ai që është më i miri me fqinjin e tij.
Bëhuni umet i vetëm, unik dhe të bashkuar, bëni kujdes nga përçarjet, mosmarrëveshjet dhe copëtimet. Kush dëshiron më të mirën e Xhenetit duhet t’i bashkohet bashkësisë dhe të mos harrojë se shejtani është me njërin, ndërsa ai është më larg atyre që janë dy.
O ju njerëz! Duhet të kapeni pas diturisë para se ajo të merret, sepse një nga mënyrat se si ajo merret është se do t’u merren njerëzit e saj, dijetarët. Bëni kujdes nga inovacioni dhe ekstremizmi, përmbaju mënyrave të vjetra, tradicionale, sepse do të ketë në fund të këtij umeti njerëz që pretendojnë se po thërrasin në Librin e Zotit, por e kanë hedhur atë pas shpine.
Ja ku jemi sot, duke jetuar në rrethana të tmerrshme, të hidhura dhe të ashpra. Shikoni situatën tonë sot, si jemi ndarë në fraksione dhe grupe të shpërndara ndërsa Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!” (Al ‘Imran 103) Shikoni shoqërinë tonë, si e vrasim njëri-tjetrin, ndërsa Zoti i Plotfuqishëm thotë: “…dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)!” (En-Nisa’ 29)
Shikoni familjet tona, armiqësia dhe urrejtja janë bërë të përhapura, mosmarrëveshjet, grindjet dhe zënkat janë shtuar. Rastet e divorceve shtohen ditë pas dite dhe zemrat janë të mbushura me ligësi, zili dhe pakënaqësi. Ku jemi ne për sa i përket qetësisë shpirtërore, të zemrë, respektit për të tjerët dhe trajtimit të mirë? Ku jemi sot ne për sa i përket angazhimit tonë ndaj besëlidhjeve dhe marrëveshjeve? Pse fjalën e Zotit e kemi lënë pas shpinave tona? “Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të pësojnë dënimin e madh.” (Merjem 59) Ata i braktisën namazet e detyrueshme dhe ndoqën dëshirat e tyre, siç janë zinaja, imoraliteti, kamata, pirja e alkoolit, bixhozi, dhe lejuan gjithçka që është e ndaluar. Kështu që ata do të përballen me dënimin e madh, domethënë humbjen, dhe dënimi i madh është në një lumë në Xhehenem fundi i të cilit është larg dhe shija e të cilit është e hidhur.
Adhurues të Zotit! Ora është afruar dhe hëna është çarë. Është shfaqur një popull me kamzhikë në duar si bishtat e lopëve, godasin njerëzit, e marrin botën në çdo aspekt, ua mohojnë atë të tjerëve nga çdo e drejtë dhe e shpenzojnë atë në çdo teprim.
O adhurues të Zotit! Mos harroni se rruga për të dalë nga e gjithë kjo është kthimi në rrugën e drejtë të Zotit, në rrugën e Tij të drejtë dhe në librin e Tij Famëlartë. Në disa ethere është transmetuar se Zoti i Plotfuqishëm i shpalli Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, se i pari që ka vdekur ka qenë Iblisi, shejtani. Ai tha: O Zot, si është e mundur kjo përderisa ai është gjallë? Ai tha: “Sepse ai ishte i pari që më kundërshtoi, dhe Unë i konsideroj ata që nuk më binden mua nga të vdekurit.”
Sahabiu i nderuar dhe besnik, Sa’d Ibn Ebi Vekasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ai, trupi i të cilit rritet nga fitimet e padrejta, haram, Zjarri është më i merituar për të.” O Sa’d! Bëj që ushqimi yt të jetë i shëndetshëm dhe lutja jote do të pranohet.” Sepse kush nuk interesohet se nga vjen ushqimi i tij, normale që Zoti të mos interesohet se nga cila portë e Xhehenemit do e lejojë atë të hyjë.
Adhurues të Zotit! Kush ha atë që është e ndaluar, largohet nga të afruarit e Zotit të Bekuar dhe Lartësuar. Gjumi i tij shtohet. Ngrënia e asaj që është e ndaluar djeg bimën e sinqeritetit, verbon mendjen, errëson shikimin, dobëson fenë, trupin dhe mendjen, shkakton pakujdesi dhe harresë, dhe pengon dijen, urtësinë dhe të kuptuarit.
Kush ha atë që është e lejuar do të ketë një zemër dhe natyrë të butë, do të flejë pak, do të kryejë vepra të mira dhe do të mbetet përkujtues i Zotit. Besimtari është gjithmonë përkujtues i Zotit, i duruar përballë fatkeqësive dhe përmbahet nga imoraliteti. Ai është udhëheqës fisnik, bujar dhe i butë, nëse i afrohemi, ai përgjigjet, nëse i kërkohet, ai jep, nuk është as gojëkeq dhe as kritikues. Kështu ka përcaktuar Zoti, i Lartësuari, në Libër.
Xhibraili i besueshëm zbriti tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha: “O Muhamed, vërtetë populli yt do të sprovohet pas teje.” Ai tha: “Cila është rruga për të dalë nga kjo?” Xhibraili tha: “Libri i Zotit, Libri i Zotit, Libri i Zotit.”
O adhurues të Zotit! Studiojeni Librin e Allahut, mësojeni përmendësh dhe mësojuani atë të tjerëve, sepse ai është që do t’ju udhëzojë në rrugën e drejtë. Bëhuni bartës të Kuranit, duke vepruar sipas mësimeve të tij dhe kini kujdes nga neglizhenca ose harresa e tij, sepse Zoti i Plotfuqishëm, i Bekuar dhe i Lartësuar thotë: “ Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.”( Ta Ha 124)
Adhurues të Zotit! Ju këshilloj me tre gjëra: Lexoni Kuranin, zbatoni sunetin dhe përmbahuni nga thashethemet për njerëzit.
A e dini se kush është më i paturpi nga njerëzit ndaj Zotit? Më i pa turp ndaj Zotit është ai që e lexon librin e Tij, por e kundërshton mesazhin e tij, tradhton robërit e Tij dhe harron kthimin e tij tek Ai.
Imami i nderuar Abdullah Ibn Auni, Zoti e mëshiroftë, ishte një imam që duhet ndjekur në dije dhe në vepra. Ai ishte udhëheqës midis njerëzve me ndershmërinë dhe përmbajtjen e tij në të folur, ishte mjeshtri i recituesve, lexuesve të Kuranin, në kohën e tij. Atij i është bërë pyetja: “Pse nuk flet që të shpërblehesh?” Ai është përgjigjur: “A nuk është folësi i kënaqur me mjaftueshmërinë? Përmendja e njerëzve është sëmundje ndërsa përmendja e Zotit është shërim.”
Ne themi: Po, me të vërtetë! Sa e çuditshme është nga ne dhe nga padija jonë, si e braktisim kurën dhe zhytemi me kokë në sëmundje! A nuk ka thënë Zoti i Plotfuqishëm: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime)…” (El-Bekare 152) Zoti ka thënë: “ …dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe!” (El ‘Ankebut 45) Zoti ka thënë: “ Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Er-Ra’d 28)
Por kjo nuk do të ndodhë përveçse me udhëzimin e Zotit të Plotfuqishëm. E kush vazhdon të lutet dhe të trokasë në portën e Tij, ajo do t’i hapet.
Imami asket, Ibn El Mubarek është pyetur: “Kush janë njerëzit?” Ai u përgjigj: “Dijetarët.” Ai është pyetur: “ Kush janë mbretërit?” Ai u përgjigj: “Asketët.” Ai është pyetur: “ Kush janë njerëzit e ulët?” Ai u përgjigj: “Ai që përfiton, ha nga feja e tij.” Ai është pyetur: “ Kush është i përbuzuri?” Ai u përgjigj: “Ai që ia përmend musafirit çmimin e lartë.”
O ju njerëz! Jini të ditur në fenë tuaj që të arrini tek Zoti juaj.
O adhurues të Zotit! A e dini kush është i dituri në fenë e tij? I dituri në fenë e tij është ai që i frikësohet Zotit të Plotfuqishëm.
Prijësi i besimtarëve, Omer Ibn Abdul Azizi, vizitonte shpesh varrezat dhe gjithmonë e kishte me vete Librin e Zotit të Plotfuqishëm, Kuranin. Kur u pyet për këtë, ai tha: “Nuk ka asgjë më këshilluese se një varr, asgjë më ngushëlluese se libri, Kurani, dhe asgjë më të sigurt se vetmia.” Vetmia është më e mirë se një shok i keq, dhe një shok i mirë është më i mirë se vetmia.
Sillu me njerëzit siç do të silleshe me zjarrin, merr çfarë të mundesh prej tij, por ki kujdes se mos digjesh prej tij.
O adhurues të Zotit! Pyes veten: Drejt kujt do të na çojnë këto ditë, netë dhe orë?! Në dashtë Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar do të na çojnë tek Zoti Bujar, Sunduesi, i Miri dhe i Mëshirshmi. Zoti dhe Sunduesi ynë; Mjafton lavdia për ne që Ti je Zoti ynë dhe mjafton krenaria për ne që jemi robërit e Tu. Ti je për ne ashtu siç duam prandaj na udhëzo drejt asaj që Ti do.
Adhurues të Zotit! Drejtohuni për tek Sunduesi ynë Bujar. Luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje. Fitorja është për ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Ai kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, nuk ka dhurata përveçse prej Tij, nuk ka fatkeqësit dhe sprova vetëm me me caktimin e Tij, nuk ka strehim vetëm se tek Ai, nuk ka lehtësim përveçse në atë që Ai e ka bërë të lehtë dhe nuk ka dobi përveçse në atë që Ai e ka caktuar.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Larguesi i dëmit, Dhuruesi i bekimeve, Larguesi i fatkeqësisë dhe Dëgjuesi i lutjeve.
Zoti ynë, të lutemi të dërgosh bekime mbi zotërinë e të zgjedhurve të Tu dhe vulën e profetëve të Tu. Të lutemi, të jesh i kënaqur me shokët e tij fisnikë, njerëzit e dijes dhe të të kuptuarit: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me gjashtë të tjerët nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, me njerëzit e Bedrit dhe të Uhudit, me njerëzit në Besëlidhjen e Akabesë dhe të Ridvanit, me Muhaxhirët dhe Ensarët, me tabi’inët dhe ata që i pasojnë në besim dhe vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ju muslimanë! Vërtetë dituria është e shumtë, por nëse mund ta takosh Zotin me një barrë të lehtë nga gjaku muslimanësh në shpinë, me bark të pastër nga paratë e tyre, duke e përmbajtur gjuhën nga të folurit keq për ta, në nderin e tyre, dhe duke iu përmbajtur urdhrave të bashkësisë së tyre, atëherë bëje këtë. Ruaje pozitën e dijetarëve, mbroje atë nga ndotja dhe nga ajo që është e pahijshme për ata. Ibn Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nëse njerëzit e dijes do ta kishin ruajtur dijen dhe do ta kishin vendosur atë me njerëzit e saj, ata do të kishin qenë udhëheqësit e kohës së tyre. Por ata e vendosën atë me njerëzit e botës për të përfituar nga pasuritë e tyre të kësaj bote, kështu që u bënë të parëndësishëm për ta.”
E dëgjova të dërguarin tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të thoshte: “Atij që shqetësimin e tij të vetëm ka shqetësimin e botës Tjetër, Ahiret, Allahu do t’i mjaftojë për të gjitha shqetësimet e tjera. Atë që e shpërqendrojnë shqetësimet për çështjet e kësaj bote, Allahut nuk do t’i interesojë se në cilën luginë do të humbasë.”
O ju besimtarë! Zoti ju ka dhënë nder dhe përparësi në këtë fe, vlerë të madhe në Islam. Njerëzit ju shikojnë dhe ju dëgjojnë. Bëni qëllimin tuaj të pastër dhe të sinqertë. Forconi të diturit, mësojini të paditurit, disiplinoni budallenjtë dhe ekstravagantët, këshilloni publikun e gjerë musliman dhe punoni për Zotin sikur ta shikoni Atë. Konsideroni veten midis të vdekurve dhe dijeni se së shpejti do vdesim, pastaj do varrosemi, pastaj do ringjallemi dhe pastaj do mbajmë përgjegjësi, do merremi në llogari. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar na bëftë të gjithë, o besimtarë, nga ata që janë mirënjohës për bekimet e Tij dhe të frikësuar nga ndëshkimi i Tij.
Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar jep sukses në lumturi dhe lehtëson në vullnet, sepse nuk ka Zot tjetër përveç Tij, dhe asnjë të mirë përveç të mirës së Tij.
Zoti ynë Bujar, të lutemi na dhuro dituri të dobishme, na mundëso të bëjmë vepra të mira, na mundëso të kemi përfundim të mirë dhe na përmbush shpresat tona, na jep më shumë kohë dhe na zgjat jetën për një besim të mirë dhe sjellje të drejtë, na dhuro jetë të mirë dhe të këndshme, na mbro në fe dhe trup nga simptomat e liga të së keqes dhe na largo nga rrugët e së keqes drejt rrugëve të mirësisë.
O Zot, na mëso Librin, na stabilizo në tokë dhe na ruaj nga ndëshkimi.
O Zot, ruaj xhamitë tona dhe xhaminë e bekuar Aksa, mbushe atë me Islam dhe muslimanë, na bëj nga robërit e Tu të duruar, të kënaqur dhe mirënjohës.
O Zot, jep shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit tanë, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë dhe merru me ata që na kanë bërë padrejtësi dhe na kanë dëmtuar.
O Zot, Larguesi i çdo shqetësimi, Lehtësuesi i çdo vështirësie, Shoqëruesi i çdo të huaji, Ngushëlluesi i çdo të vetmuari, Mbledhësi i të gjitha forcave, Rrotulluesi i çdo zemre dhe Ndryshuesi i çdo gjendjeje, ndryshoje gjendjen tonë në gjendjen më të mirën, o Zot i botëve. Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Lavdishëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë dhe Ai do t’ju jap dhe më shumë.
“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj