Në lamtumirën e vitit: Përgjegjësi dhe këshilla

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    24-12-1446 H     20-06-2025 D

Shejh Usame Khajat   

Tema  Në lamtumirën e vitit: Përgjegjësi dhe këshilla

Lavdërimet janë për Zotin, Rregulluesin e situatave, gjëndjeve, Menaxhuesin e çështjeve, Zotin e lindjes dhe të perëndimit. S’ka Zot tjetër përveç Allahut, të Plotfuqishmit, Falësit të Madh. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj, të Gjallin e Përhershëm për gjatë gjithë kohrave dhe shekujve.  

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari për të gjithë njerëzit mbarë me udhëzim dhe dritë. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, të cilët ishin të sinqertë ndaj Zotit, shpresuan për një tregti që nuk do të dështojë kurrë, tabi’inët dhe ata që i pasojnë në mirësi, vepra të mira,  deri në ditën e Ringjalljes, shpërblimit dhe tubimit të madh.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe kërkoni rrugë drejt Tij me Njësimin  e Tij, me  përkujtimin e Tij, me falënderimin e Tij, duke e adhuruar Atë siç duhet dhe  duke iu nënshtruar sundimit të Tij, e të mos ju gënjejë kurrsesi jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë djalli për Allahun.

O ju muslimanë! Lamtumira është një moment prekës burim trishtimi, pasi shoqëron largimin, paralajmëron një fund dhe jep ndjesinë e një përfundimi. O robër të Zotit! Ka kaluar një vit i tërë nga koha e jetës tonë,  në të cilin kanë ndryshuar shumë situata, jetë njerëzish kanë përfunduar udhëtimin e tyre në këtë botë dhe fatkeqësi kanë goditur umetin që shqetësojnë gjumin e tyre. Nëse kalimi i netëve dhe ditëve nuk është asgjë për të pavëmendshmit dhe të shpërqendruarit përveç kalimit të një dite dhe mbërritjes së një tjetre, për ata që kanë mend, mendojnë, është burim i gjallë i vetëdijes për tu marrë në konsideratë dhe burim për ripërtëritjen e këshillës dhe përkujtimit. Kjo përshkruhet dhe shpjegohet në mënyrën më elokuente nga fjalët e Ebu Derdasë, Zoti qoftë i kënaqur me të, në atë që ka transmetuar Hasan El Basriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: “ O bir i Ademit, ti je vetëm ditë, e kur kalon një ditë ka kaluar një pjesë e jotja.” Kjo ilustrohet edhe nga thënia e disa prej myslimanëve të hershëm, Selefuna Es Salhih: “Si mund të gëzohet dikush me kalimin e viteve kur një ditë e tij shkatërron muajin e tij, muaji i tij shkatërron vitin e tij dhe viti i tij shkatërron jetën e tij?! Si mund të gëzohet dikush kur jeta e tij e çon drejtë afatit, caktimit të tij,  dhe jeta e tij e çon drejtë vdekjes së tij?! Dhe ai që ditët dhe netët e të cilit janë kodra që e mbajnë, ato do të ecin me të dhe nëse ai nuk ecën?”

Adhurues të Zotit! Njerëzit që mendojnë qëndrojnë në fund të vitit dhe reflektojnë para Zotit, për të shqyrtuar dhe marrë veten e tyre në llogari, për të marrë pozicionin e një tregtari të mençur në tregtinë e tij, i cili shqyrton sasinë e fitimit dhe humbjes së tij, duke kërkuar arsyet dhe duke medituar mbi atë që ka bër mirë dhe në atë që ka gabuar.

LEXO  Fanatizmi, dëmet dhe trajtimi i tij

Sjellja e muslimanit të vetëdijshëm në këtë rrugë të drejtë e tejkalon atë në fisnikërinë e qëllimeve të tij, fisnikërinë e qëllimeve të tij dhe lartësinë e objektivave të tij. Kjo ndodh sepse ai përpiqet të ruajë fitimet e vërteta, tregtia e të cilave nuk dështon, tregu i të cilave nuk ngecën dhe fitimet e të cilave nuk zhduken nga thesaret dhe rezervat e veprave të mira të qëndrueshme, për të cilat Zoti u ka dhënë pozitë të lartë dhe status fisnik, dhe i ka vlerësuar ato mbi të gjitha të tjerat, ku Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës (për shpëtim).” (El-Kehf 46)

Prandaj, t’i kushtosh vëmendje këtij shqyrtimi dhe të jesh i kujdesshëm për këtë përgjegjësi është tradita e të zgjuarve, afrimi i të udhëzuarve drejtë dhe rruga e të devotshmëve. Ata nuk i shpërqendronte prej saj as argëtimi i jetës, kotësia dhe zbukurimet e saj, as lulet dhe as bukuritë e saj. Ata i plotësojnë fazat e jetës me një pjesë të mirë suksesi në realizimin e dëshirave të tyre, arritjen e shpresave të tyre, arritjen e qëllimeve të tyre dhe mbrojtjen nga pengesat. Ndryshe nga ata, ka nga të pakujdesshmit që janë të humbur në gabimin dhe pakujdesinë e tyre. Ata nuk zgjohen nga dehja e tyre për të menduar për fitimet dhe humbjet e tyre, për të ndrequr atë që kanë lënë pas dore, për të menduar për fatkeqësitë dhe për të mësuar nga vuajtjet. Ata janë prej atyre që e kanë harruar Zotin, kështu që Ai i ka bërë të harrojnë të punojnë për atë që është e mirë për ta dhe për suksesin e tyre në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Sikurse Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar duke i paralajmëruar robërit e Tij kundër veprimeve të tyre ka thënë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (El-Hashr 19)

Adhurues të Zotit! Lidhja midis rishikimit dhe llogaridhënies dhe ndryshimit për mirë dhe më të plotë është shumë e ngushtë dhe e fortë. Nga se rishikimi dhe llogaridhënia  e ekspozojnë njeriun përballë mangësive, të metave dhe gabimeve të tij. Nëse vendosmëria e tij është e shëndoshë, fortë, qëllimi i tij është i drejtë, rruga e tij është e qartë dhe puna e tij është e sinqertë, ndihma e Zotit do të vijë me një furnizim të pafund, duke trashëguar përfundim të mirë dhe shpërblim bujar. “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (El ‘Ankebut 69)

O adhurues të Zotit! Nevoja për të ndjekur rrugën e rishikimit dhe llogaridhënies nuk kufizohet vetëm tek individët ose një grup njerëzish, por përkundrazi umeti musliman në tërësi ka nevojë për të dhe nuk mund të bëjë pa të, ndërsa i thotë lamtumirë një viti që po ikën dhe mirëpret një të ri. Megjithatë, për sa i përket umetit, ai është rishikim, dimensionet e të cilit zgjerohen, fushëveprimi i të cilit është gjithëpërfshirës, ​​përfitimi i të cilit është i madh dhe efekti i të cilit mbetet. Allahu i Madhërishëm thotë të vërtetën kur ka thënë: “ O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (El-Hashr 18)

LEXO  Këshilla për të qëndruar larg padrejtësisë

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Ai që lëvizën netët dhe ditët. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj për bekimet e njëpasnjëshme dhe bujarinë e pandërprerë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, njerëzit e drejtë, të devoshmën dhe të njohur.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Të qëndruar për të marrë veten në përgjegjësi, llogari, është  nga provat më të qarta të mendjes së përsosur të njeriut, të shqetësimit të tij të plotë për arsyet e lumturisë së tij dhe motivimet e suksesit të tij në gjithçka që vjen dhe shkon. Është qëndrim që çdo person inteligjent duhet ta marrë me vete pas çdo veprimi, në fund të çdo faze dhe në fund të çdo raundi, pjese, nëse dëshiron që punët e tij të rregullohen, gjendja e tij të përmirësohet dhe rezultati e destinacioni i tij përfundimtar të jenë të sigurt. Sepse, atëherë atij do t’i jepet fitore e madhe në jetën e kësaj bote dhe në Ditën kur do të përballet me dëshmitarët, ditën e Gjykimit.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, dhe sigurohuni që ta ruani këtë monitorim të rreptë dhe të sinqertë, veçanërisht ndërsa hyni në një fazë të re të punës suaj dhe rifilloni një fazë tjetër të jetës suaj, në të cilën nuk mund të bëni pa kujtuar dhe mësuar nga ajo që ka kaluar, dhe pa qenë të vendosur të korrigjoni dhe planifikoni për atë që mbetet.

Lutuni dhe përshëndeteni krijesën më të mirë të Zotit, Muhamedin, të birin e Abdullahut, sepse jeni urdhëruar për këtë në librin e Zotit, në Kuran, ku Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

LEXO  Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush - Meka 25.09.2020

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe Madhërishëm.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me të gjithë familjarët, shokët e tij, me tabi’inë,  me bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Miri që toleron dhe falën.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë.

Bëj këtë vend të sigurt dhe të mbrojtur dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i Botëve.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona. Mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi mbështetës të ndershëm, jepi atij sukses në atë që do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij, në atë që është e mira e tashme dhe e shpejtë në dobi të vendit dhe njerëzve, o Ti tek i Cili është kthimi ditën e Gjykimit. 

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.   

O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.      

O Zot,  na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro prej poshtërimit në këtë botë dhe ndëshkimit në botën Tjetër.

O Zot, ruaj këtë vend të bekuar me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë!

O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, ruaj ata në mes duarve të tyre, nga pas tyre, ruaj ata nga e djathta dhe e majta e tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditet nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues. O Zot, shëro të plagosurit e tyre, shkruaj shpërblimin e dëshmorëve për të vrarët e tyre, mundëso ushqim për të uriturit e tyre dhe mbulo të zhveshurit e tyre, o Zoti i botëve, o më i Madhi më Bujari.

O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfërit, të na falësh dhe të na mëshirosh. Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.   

O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve!

O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me ata dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!

O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na  plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira të vazhdueshme.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/752622117206590

Post Author: endrit