Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 30-01-1447 H 25-07-2025 D
Shejh Abdullah El Xhuhenij
Tema Optimizmi dhe refuzimi i pesimizmit
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
O ju njerëz! Frikësojuni Zotit me frikën e atij që pendohet tek Ai dhe bëni kujdes nga mosbindja ndaj urdhrave të Tij me kujdesin e atij që është i sigurtë për llogaridhënie dhe paraqitje para Tij. Adhuroni Zotin duke u përkushtuar me sinqeritet në fenë e tuaj, dhe respektojeni Atë me respektin e njerëzve të besimit dhe bindjes ndaj Tij. Zgjohuni nga gjumi i pakujdesisë, sepse muaji Muharremi ka kaluar dhe Saferi ka ardhur tek ju. Zgjohuni nga gjumi i injorancës dhe merrni mësim me kalimin e ditëve, sepse i lumtur është ai që merr mësim.
Dije se Zoti i Lartësuar, dërgoi të profetin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij, me udhëzim dhe me të ktheu shikimin e njerëzimit nga verbëria. Me dritën e tij u largua errësira e xhahilijetit, injorancës, fanatizmi dhe krenaria e tyre me paraardhësit, hedhja e shortit me shigjeta dhe pesimizmi i tyre për ditët dhe motin. Nuk ka ogur të keq për Safer dhe nuk ka ngecje për Xhumada, muaj hënorë, nuk ka lumturi për një ditë dhe nuk ka fat të keq për të mërkurën. Islami erdhi për të mposhtur besimet e xhahilijetit, injorncës, dhe për të ndërtuar për muslimanin kredon, besimin e saktë të ngritur mbi qëndrueshmërinë e monoteizmit, Njësimit të Zotit, mbi forcën e sigurisë dhe distancimin nga iluzionet dhe fantazitë që ngacmojnë mendjen. Prandaj, kini kujdes nga pesimizmi dhe supersticioni, sepse ato sjellin fatkeqësi dhe mendime të këqija, dhe se kjo është praktika, tradita e injorantëve dhe jobesimtarëve. Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Et-Teube 51)
Mos mallkoni kohët ose periudhat, mos kini supersticion, ogur të keq për ditët, vitet dhe muajt, dhe mos ia atribuoni dobinë ose dëmin askujt përveç Atij tek i cili kthehen të gjitha çështjet. Nuk ka ogur të keq në muaj ose ditë, sepse ajo që Ai ka caktuar duhet të ndodhë, dhe armiqësia ndaj ditëve është çmenduri, o ju njerëz. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka sëmundje ngjitëse, as ogur të keq, as Hamah, zog që ndjedhën fat të keq, dhe nuk ka as Safer, muaj hënor, të keq sipas kohës së injorancës.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush pengohet, ndalohet, nga supersticioni që të bëjë atë që i nevojitet, ka bërë shirk, shok Zotit në adhurim.” Hadithin e ka tranmsetuar Ebu Daudi.
Në të vërtetë, ditët tuaja më të pafata janë ato që i keni mbushur me gjynahe që bëni dhe guximi për të bërë atë që e zemëron Njohësin e të Padukshmes, Zotin. Çdo fatkeqësi vjen si pasojë e mosbindjes ndaj Zotit dhe çdo shkatërrim vjen nga të guxuarit për të shkelur në ndalesat e Tij. Prandaj, ditët tuaja më të lumtura janë ditët kur i bindeni Zotit tuaj, Zotëruesit të Madhërisë dhe Bujarisë. Për këtë arsye, o muslimanë, kini frikë Zotin e Lartësuar, pendohuni dhe kthehuni tek Zoti juaj dhe përgjigjuni Atij. Përmbushni besimin dhe monoteizmin, Njësimin e Zotit, përmes përmirësimt të veprave dhe qëndrueshmërisë së besimit në to. Mos kundërshtoni asnjë ditë nga ditët dhe asnjë muaj nga muajt e vitit. Kini mendim të mirë për Zotin dhe jini optimist, sepse optimizmi është shpresë për të mirë. Mbështetuni tek Zoti juaj dhe përsërisni thënien: “O Zot, askush nuk i sjellën veprat e mira përveç Teje, dhe askush nuk i largon veprat e këqija përveç Teje, nuk ka fuqi dhe forcë tjetër përveç se me Ty.” Ose: “ O Zot, nuk ka të mirë përveç të mirës Tënde, nuk ka ogur përveç ogurit Tënd, dhe nuk ka Zot tjetër përveç Teje.”
Udhëzohuni nga Libri i Tij, Kurani, sepse Ai ka caktuar masë për çdo gjë. Pastroni zemrat tuaja nga papastërtia dhe errësira e saj e armiqësisë, urrejtjes, grindjes dhe qëllimeve të këqija e të prishura. Jini të butë në të folur, ushqejini të varfrit, përhapni selamin, përshëndetjen, mbani lidhjet familjare dhe faluni natën ndërsa njerëzit flenë, para se të pengoheni nga ajo që dëshironi, para se të ktheheni tek Ai që e Di të padukshmes dhe të dukshmes, dhe të ju njoftojë për atë që keni bërë.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar! Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!: “ Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përveç Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi, dije se vetëm Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (El-En’am 17)
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me librin e Tij të qartë, Kuranin Famëlartë dhe me sunetin e të dërguarit të Tij fisnik, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, Zoti na bëftë të gjithëve nga ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pasojnë më të mirën e saj me vepra.
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (En-Nur 31)
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, vetëm Atij i takojnë të gjitha lavdërimet.
Lutjet dhe përshëndetjet janë për zotërinë tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
Nga fanari ndirçues profetik, Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka ogur të keq, pesimizëm, dhe ogur i mirë është të mendosh mirë.” Ai tha: “Çfarë është Fa’lu, të mendosh mirë, o i dërguar i Zotit?” I dërguari ka thënë: “ Një fjalë e mirë që dëgjon dikush prej jush.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. O rob të Zotit, jini optimist, sepse çdo fatkeqësi përveç zjarrit të Xhehenemit është një mirësi, çdo ngushtësi, vështirësi përveç varrit është gjërësi dhe çdo gjynah përveç politeizmit, të bërit shok Zotit, falet, derisa nuk i shikojmë bukuritë e fatkeqësive. Çdo gjë që ka urdhëruar Zoti i Madhërishëm është e bukur.
Prandaj, kini frikë Zotin, o robër të Allahut, në fshehtësi dhe në publik, përmirësoni veprat tuaja të dukshme dhe të fshehta. Përdorni gjymtyrët tuaja për t’iu bindur Atij me mirënjohje, ruajeni atë me të cilën erdhi profeti juaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Shtoni lutjet tuaja ndaj tij, sepse me lutjet dhe përshëndetjet ndaj tij arrini shpërblime, sukses dhe pranim. Ndërsa përmes lutjeve të shpeshta ndaj tij, zgjidhen nyjet, zhduken shqetësimet dhe shlyhen borxhet.
O Zot, fale dhe mëshiroje atë.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, dhe me pjesën tjetër të dhjetë sahabeve të nderuar, me bashkëshortet e të dërguarit Tënd të përzgjedhur, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
O Zot, të lutemi që të lartësosh Islamin, o Ti që je i mëshirëshim me robërit e Tu, të ngreshë lart statusin e muslimanëve dhe t’i kurorëzosh ata me kurorën e fitores dhe triumfit, të përfshish në kujdesin dhe suksesin Tënd ata që kanë bërë punën më të mira dhe në duart e të cilëve është përmirësuar vendi dhe populli, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe zëvendësin e tij, princin e kurorës, Zoti i ndihmoftë ata të dy me ndihmën e Tij, dhe i mbështesë ata me suksesin dhe përkrahjen e Tij. O Zot, ruaj të gjithë kujdestarët e çështjeve të muslimanëve, jepu sukses që të punojnë me librin Tënd, Kuranin, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij.
O Zot, shpëtoni muslimanët e shtypur dhe të dobët në Palestinë. O Zot, o Ndihmues, ndihmoi ata, o Ndihmues ndihmoi ata. O Zot, mundëso ushqim për të uriturit prej tyre, jepu siguri të frikësuarve prej tyre, mundëso strehim për të pastrehët prej tyre, mundëso veshje për të zhveshurit prej tyre, shëro të sëmurët e tyre, largo bllokadën, izolimin e tyre dhe cakto për ta nga ana Jote mbrojtje dhe mbështetje.
O Zot, intensifikoni forcën Tënde ndaj jehudëve uzurpues.
O Zot, ruaj ushtarët tanë tëvendosur në kufij. O Zot, forco vendosmërinë e tyre, drejto goditjen e tyre, mposht armiqtë e tyre dhe jepu atyre fitoren mbi shkelësit, o Zot i botëve.
O Zot, të lutemi Ty, o i Gjallë, i Përjetshmi, Mbajtësi gjithçkaje! O Ti që nuk të kaplon as dremitja, as gjumi, të lutem, që t’u japësh atyre që kërkojnë prej nesh dhe atyre që janë të privuar, dhe të na furnizosh me furnizim të ligjshëm dhe të mirë, o Ti që i thua një gjëje: “Bëhu!” dhe ajo bëhet.
O Zot, na udhëzo të të bindemi Ty, të të shërbejmë Ty dhe të bëjmë atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, pastro zemrat tona nga politeizmi, hipokrizia, mëria, zilia, lakmia, urrejtja dhe nga armiqësia. O Zot, na jep përfundim të mirë dhe na mundëso të vdesim duke shprehur fjalën: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut.”
O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre, sepse Ti je që Dëgjon çdo gjë dhe i Përgjigjës lutjeve.
O Zot, na dërgo shi dhe mëshirë dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, të kërkojmë falje, sepse Ti je Falës, prandaj dërgo shi të bollshëm mbi ne. O Zot, ne jemi krijesa nga krijesat Tua, mos na privo nga Mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.
O Zot, ki mëshirë për robërit e Tu, tokën Tënde dhe kafshët, krijesat Tua, shpërndaje mëshirën Tënde dhe ringjalle tokën Tënde të vdekur, Ti je i Fuqishëm për të bërë çdo gjë.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm dhe të Lartësuar, Ai ju kujton ju.
Falënderojeni Atë për begatitë dhe të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj