Hytbe e Qabes 30- 06-1442 H 12-02-2021
Shejh Bander Balejla Tema: Detyra më parësore e njeriut ndaj Allahut
Falenderimi i takon Allahut. Atë e falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe Atij i kërkojmë falje. Allahut i kërkojmë të na mbrojë prej të keqes së vetveteve tona e prej të keqës së veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb dhe atë që Allahu e lë në humbje nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq me pranim të plotë e duke qenë monoteist.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij i cili ka qenë zotëria e krijesave në bamirësi e në besimin e pastër. Salavatet, selamet dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij për aq kohë sa të lindë dielli e të shkrepë vetëtima!
Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut dhe jini sa më të sinqertë në fenë e Tij sepse shpëtim do të ketë vetëm për të sinqertët. Ndërsa kush nuk është i sinqertë puna i shkon dëm dhe përpjekjet i humbin kot. Kështu që ji i sinqertë o rob i Allahut të shpëtosh.
O Muslimanë! Pasardhësit e Ademit nuk kanë arritur nderë më të madh se njohja e Allahut të madhërishëm, dashurinë për Të dhe Adhurimin e tij një të vetëm. Njeriu pa të Adhuruarin dhe pa Zotin e tij nuk do të kish qenë diçka që përmendet. Allahu me mirësinë dhe dhuntinë e Tij e krijoi njeriun nga hiçi. I mësoi atij të shkruajë dhe i mësoi atë që më parë nuk e dinte. Allahu kur e solli në egzistencë, e mësoi, e bëri të aftë të kuptojë, krijoi çdo gjë për të, i vuri në dispozicion argumentet e njohjes së Tij dhe faktet e njëshmërisë së Tij e pas kësaj e urdhëroi që të jetë i sinqertë në njëshmërinë ndaj Tij duke e veçuar në adhurim e që ti nënshtrohet Atij me përulje e me bindje.
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat; 56)
Kjo ishte gjëja e parë që Allahu i bëri detyrë njeriut; që të jetë vetëm Ai i adhuruar dhe Zot i tij sikundër Ai qe Zot i tij, Krijues i tij, Shpikës i tij dhe Formëdhënës i tij.
“O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” (El Bekare; 21,22).
Njerëzia me këtë kërkese madhështore të krijuar natyralisht në përputhje me të dhe me zbritjen e babait të tyre Ademin në tokë si adhurues i pastër i Allahut vazhdoi të pinte nga ky burim natyral i ëmbël e i pandërprerë për shekuj me radhë. Ata nuk njihnin të adhuruar tjetër veç Zotit të tyre. Kokat e tyre nuk përuleshin vetëm për Zotin dhe Kujdestarin e tyre. Derisa i devijuan shejtanët të cilët ua zbukuruan idhujtarinë dhe besimin e zotave të tjerë me Allahun. I dërguari i Allahut s.a.s tregon prej Zotit të tij se ka thënë: Unë i krijova të gjithë robërit e tij të pastër prej idhujtarisë. Mirëpo atyre u erdhën shejtanët dhe i devijuan prej fesë së tyre. Ata ua ndaluan atyre ato që ua kisha lejuar dhe i urdhëruan të më shoqërojnë Mua atë për të cilën nuk pata zbritur kurrfarë fakti. Transmeton Muslimi.
Krijesat ishin të bashkuara rreth njëshmërisë së kulluar ndaj Allahut derisa natyra e tyre u deformua dhe Allahu dërgoi të dërguarit e Tij me qëllim që të ktheheshin në natyrën e tyre të parë ku të ishin në fe të sinqertë ndaj Allahut e ta njësonin Atë plotësisht e të distancoheshin prej gjithçkaje që adhurohej bashkë me Të.
Allahu thotë:
“Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin.” (El Bekare; 213)
Të gjithë ligjet e Allahut më pas u sollën rreth njëshmërisë së Tij e cila është thelbi i tërë shpalljeve qiellore, ajka e fesë së pastër, qëllimi i sjelljes së të dërguarve dhe i zbritjes së librave.
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” (Nahl; 36).
Ja thirrja e Nuhut a.s:
“Ne ia dërguam Nuhun popullit të tij e ai u tha: O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Unë kam frikë se do të bjerë mbi ju dënimi i një Dite të madhe!” (A`raaf; 59).
E pas tij Hudin, Salihun dhe Shuajbin.
“Fisit Ad i dërguam vëllanë e tyre – Hudin. Ai tha: O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit?” (A`raaf; 65).
“Fisit Themud (Ne i dërguam) vëllanë e tij, Salihun. O populli im, – u tha ai – adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij!” (Hud 61)
“Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin. Ai tha: O populli im, adhuroni Allahun! Ju s’keni tjetër zot përveç Tij.” (Hud; 84).
Kjo është thirrja e teuhidit (njëshmërisë së Allahut). Ajo është zanafilla e thirrjes së të dërguarve dhe fundi i saj që nga i pari i tyre e deri tek i fundit.
O muslimanë, ndërsa Ibrahimi, miku i ngushtë që për të qofshin lutjet më të mira, ai është më i qëndrueshmi në fenë e pastër. Ai është prijësi i fetarëve të pastër dhe paraardhësi i njësuesve të kulluar të Allahut.
Allahu e ka konsideruar të pavlefshme çdo përkatësi të ndonjë feje tjetër veç fesë së Tij.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Ata thonë: Bëhuni hebrenj ose të krishterë, që të jeni në rrugë të drejtë! Thuaju: Në asnjë mënyrë. Ne jemi të fesë së pastër të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë idhujtar”. (El Bekare; 135).
Allahu ka lëvduar ata që ndjekin fenë e Tij e që ecin në rrugën e Tij duke thënë:
“Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” E Ibrahimi a.s nuk ka fe tjetër veçse fenë islame dhe monoteizmin.
“Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë (monoteist) i përulur ndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët.” (Al Imran; 67).
Njerëzit janë në nivele të ndryshme përsa i përket realizimit të njëshmërisë së Allahut në dije vepër e në gjendje. Më të lartët e tyre në realizim e njëshmërisë janë profetët dhe të dërguarit. E më të lartët e profetëve janë ata më të vendosurit e të dërguarve. E më të lartët e të vendosurve janë dy miqtë e ngushtë; Ibrahimi dhe Muhamedi a.s.
Ata të dy o përpoqën për njëshmërinë e Allahut më shumë se kushdo tjetër qoftë në dituri, në vepër apo në gjendje, në ftesën e njerëzve në fe e në përpjekjet e tyre.
Allahu e ka urdhëruar profetin e Tij Muhamed të ndjekë fenë e pastër të Ibrahimit a.s
“Pastaj ty të shpallëm: Paso me sinqeritet fenë e Ibrahimit, që nuk ka qenë prej idhujtarëve”. (Nahl; 123).
Profeti Muhamed s.a.s u mësonte shokëve të tij që kur të gdhihen në mëngjes të thonë:
“E arritëm mëngjesin në natyrshmërinë Islame, në fjalën e sinqeritetit,në fenë e Pejgamberit tonë Muhammedit dhe në fenë e babait tonë Ibrahimit, musliman e nuk ka qenë prej mushrikëve (idhujtarëve).”
Feja e Ibrahimit ishte teuhid (njëshmëri ndaj Allahut). Feja e Muhamedit është e tërë ajo që ka sjellë prej Allahut në fjalë, në vepër e në besim. Fjala e sinqeritetit është dëshmia LA ILAHE IL-LALL-LLAH (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut). Natyrshmëria islame është çdo gjë me të cilën ka pajisur Allahu qenien njerëzore prej dashurisë për Të dhe adhurimit të Tij të vetëm pa i shoqëruar askënd dhe dorëzimi ndaj Tij me adhurim e me përulësi, me nënshtrim e me pendim.
O rob të Allahut Kur`ani fisnik është i mbushur me përmendjen e njëshmërisë dhe thirrjen në të. E njëshmëria është dy; njëshmëria e njohjes dhe e pohimit dhe njëshmëria e synimit dhe e kërkesës. Lloji i parë është pohimi i veçantisë së Zotit të lartmadhërishëm me cilësitë e ndritura dhe apsolute në qënie, në emra, atribute e në veprime.
Lloji i dytë është dedikimi i adhurimit të pastër në mënyrë të veçantë për Allahun që është nënshtrimi më i madh bashkë me dashurinë më të lartë në çdo gjendje.
Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Shumica e sureve të Kuranit, madje çdo sure e Kuranit i përmban të dy llojet e teuhidit (njëshmërisë). Madje dhe çdo ajet në Kuran e përmban teuhidin, e dëshmon atë dhe thërret për tek ai.
Kjo sepse Kurani është ose lajm për Allahun, emrat, atributet dhe veprimet e Tij e ky është teuhidi i njohjes e i njoftimit. Ose është thirrje për adhurimin e Tij të vetëm e të pashoq duke hequr gjithçka që adhurohet veç Tij e ky është teuhidi i dëshirës e i kërkesës. Ose të obligon bindjen ndaj Tij, ndaj urdhëresave dhe ndalesave të Tij e këto janë detyrimet ndaj teuhidit dhe plotësueset e tij.
Ose lajm mbi nderimin e Allahut ndaj ithtarëve të teuhidit dhe bindjes, se çka bërë me ta në këtë jetë e si do ti nderojë në botën tjetër dhe ky është shpërblimi i teuhidit. Ose lajm rreth idhujtarëve se si i ndërshkoi ata në këtë jetë e çfarë ndërshkimi i pret në jetën tjetër e ky është shpërblimi i atyre që dalin nga gjyqësia e teuhidit.
Kurani i tëri përmban teuhidin, detyrimet rreth tij dhe shpërblimi për të, tregon për idhujtarinë, ithtarët e saj dhe shbërblimin e tyre.
“Falenderimi i takon Allahut” është teuhid.
“Zotit të botërave” është teuhid.
“Të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit” është teuhid.
“Sunduesit të ditës së gjykimit” është teuhid.
“Vetëm Ty të adhurojmë” është teuhid.
“Vetëm Ty të kërkojmë ndihmë” është teuhid.
“Udhëzona në rrugën e drejtë” është teuhid që përmban lutjen për udhëzim në rrugën e ithtarëve të teuhidit në rrugën e atyre që i dhuroi mirësi jo në rrugën e atyre që merituan hidhërimin e as në rrugën e atyre që humbën të cilët e braktisën teuhidin.
Allahu ka dëshmuar për Veten e Tij me këtë teuhid e për të kanë dëshmuar melaiket e Tij, të dërguarit dhe profetët e Tij.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Al Imran; 18).
Kjo dëshmi është më e ndritura dëshmi, më madhështorja, më e drejta dhe më e vërteta. Nga dëshmitarë të ndritur ndaj dëshmisë më të ndritur. Kjo sepse ajo është një dëshmi që përfshin teuhidin dhe drejtësinë. Allahu i madhërishëm vendos drejtësinë me teuhidin e Tij dhe qëndron me njëshmëri në drejtësinë e Tij. Me drejtësi e me teuhid bashkohet perfeksioni. Teuhidi përmban veçantinë e Allahut në perfeksion e në lartësi, në lavdi e në madhështi të cilat nuk i meriton askush veç Tij.
Drejtësia përmban realizimin e veprimeve të Allahut të madhërishëm me përpikmëri, me saktësi e në përputhje me urtësinë e plotë. Kjo dëshmi është padyshim dëshmia më e madhe. Mohimi dhe refuzimi i saj është padyshim padrejtëia më e madhe. Nuk ka gjë më të drejtë se teuhidi (monoteizmi) e gjë më të padrejtë se (Shirku) idhujtaria.
Sa madhështore është fjala e Allahut të lartësuar kur i drejtohet në mënyrë urdhërore profetit të Tij e i thotë:
“Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve. Thuaj: Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij”. (El En`am; 161-163).
Allahu e bëftë të dobishëm për ne udhëzimin e Librit dhe traditën e Profetit i cili pendohej shumë tek Allahu. Me këto fjalë që thashë i kërkoj falje Allahut për vete e për ju, kështu që edhe ju kërkoni falje se Ai është falës i madh.
Hutbeja e Dyte
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut aq sa përhapet aroma e këndëshme e njëshmërisë së Tij. Salavatet dhe selamet qofshin mbi më të mirin e robërve të Tij, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tyre me mirësi.
O Muslimanë! Vërtetësia e teuhidit është dedikimi i tërë fesë vetëm Allahut. Allahu ka thënë:
“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.(Bejjineh; 5).
Ai nuk qëndron saktësisht veçse duke bërë bashkë dy gjëra; pohimin dhe mohimin. Pohimi është pranimi i Allahut si i adhuruari i vetëm. Ndërsa mohimi është refuzimi i adhurimit të kujdo tjetri veç Allahut.
Kështu e adhuron Allahun duke braktisur adhurimin e dikujt tjetri veç Tij, e don Atë duke lënë dashurinë e të tjerëve veç Tij dhe i frikësohesh Atij duke mos ju frikësuar askujt tjetri veç Tij. Gjithashtu nuk kërkon ndihmë veçse prej Tij, nuk mbështetet veçse tek Ai, nuk kërkon gjykim veçse gjykimin e Tij, nuk i lutet askujt veç Tij e nuk dëshiron gjë tjetër veçse Atë.
Përsosmëria e teuhidit është atëherë kur në zemër nuk mbetet vend për asgjë tjetër veç Allahut. Madje të vazhdojë robi të jetë përkrah Zotit të tij në çdo gjë, të dojë atë që Zoti i tij don, të urrejë atë që Ai urren, të miqësojë atë që Ai miqëson, të armiqësojë atë që Ai armiqëson, të urdhërojë me urdhërin e Tij e të ndalojnë atë që Ai ndalon. Kjo është feja, fillimi i saj dhe fundi, aparenca dhe brendia e saj, maja kulminate dhe poli rreth të cilit vërtitet.
Kjo o besimtarë është haku i Allahut ndaj robërve që të shpëton prej ndëshkimit të Tij. Profeti s.a.s Muadh ibn Xhebel i ka thënë: O Muadh a e di se cili është haku i Allahut ndaj robërve të Tij dhe cili është haku i robërve ndaj Allahut? Thashë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai tha: Haku i Allahut ndaj robërve është adhurimi i Tij pa i shoqëruar në të askënd. Ndërsa haku i robërve ndaj Allahut është që Ai të mos ndëshkojë atë që nuk i shoqëron Atij askënd në adhurim. (Buhariu dhe Muslimi).
Dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave të Allahut, i përzgjedhuri për shpalljen hyjnore, emri i të cilit është ngritur lart bashkë me emrin e Allahut në këtë botë, atij që do ti jepet leje të ndërmjetësojë në botën tjetër.
“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah ngreje lart, shpëtoje më të nderuarin e të dërguarve të Tu dhe vulën e profetëve të Tu. Kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjarët dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e Kthimit edhe ndaj nesh bashkë me ta me mëshirën Tënde, Ti je më Bujari!
O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.
O Allahu fenë islame ngreje lart dhe muslimanët bëji krenar.
Zhduke idhujtarinë, poshtëroi idhujtarët dhe shkatërroi armiqtë e fesë.
Këtë vend bëje të qetë e të sigurtë po ashtu edhe të gjithë vendet e muslimanëve!
O Allah çdo të mirë që ta kemi kërkuar na e jep, e atë që nuk ta kemi kërkuar na e dhuro ti vetë e atë që nuk e arrijmë dot me synimit e me veprat tona prej të mirave të kësaj jete e të jetës tjetër na i mundëso ti arrijmë!
O Allah të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, shëndet dhe pasuri!
O Allah na mbulo me mirësinë Tënde e na rretho me përkujdesjen Tënde e në rrugën e Islamit, Sunetit dhe Teuhidit të gjithëve na qëndro deri në vdekje. Na e sill vdekjen duke qenë musliman e na bashko me njerëzit e mirë pa poshtërim e pa sprovim, pa bërë këmbime e pa bërë ndryshime o Zot i botëve!
O Allah na jep siguri në vatanet tona, e në shtëpitë tona e na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.
Ndihmoje në të vërtetetën, me sukses e me përpikmërinë prijësin dhe udhëheqësin tone.
O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij në atë që Ti do dhe kënaqesh, drejtoji ata kah bamirësia e devotshmëria o Posedues i madhështisë e i Fisnikërisë!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që janë! O Allah ktheji ata për tek Ti me një kthim të bukur! O Allah, o I Gjallë e I Përjetshëm jepu fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë tanë. O Allah ji Ndihmëtar dhe Përkrahës i tyre o Zot i Botëve!
Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër e na ruaj nga dënimi i zjarrit.
Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi vetvetes, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve!
O rob të Allahut:
Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Përkujtojeni Allahun e madhërishëm që Tju kujtojë Ai juve. Falenderojeni për mirësitë e shumta që ju ka dhënë që t`ua shtojë ato. Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.