Rimëkëmbja Shoqërore – Dr. Jusuf Ebu Sunejneh – Aksa – 03.08.2018

Falënderimet qofshin për Allahun, Krijuesin e gjithçka dhe formuesit të tyre, Ai i Cili e pason errësirën me dritë, Furnizuesit të shpendëve, kafshëve, njerëzve dhe xhindëve, Atij që e krijoi qiellin dhe tokën për një qëllim.

“Dhe i shpërthyem burimet e tokës e ujërat u takuan për një qëllim të paracaktuar” Rahman 12.

Të Lartësuarin Allah, e falënderojmë për mirësitë dhe begatitë e Tij të panumërta, sikurse kërkojmë prej Madhërisë së Tij, të na furnizojë me mirësitë e Tij vazhdimisht.

Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Atij që i jep jetë kockave të tretur.

Zot na i lehtëso punët tona, na e mundëso që këtë jetë ta mbyllim me vepra të mira, na i plotëso dëshirat tona, na ruaj dhe na mbro, na i mbro vendet tona të shenjta, na e merr shpirtin në mbrojtje të tyre.

Dëshmojmë se zotëria dhe Profeti ynë është rob dhe i dërguari i Tij me gjuhë të qartë, ftues me urdhër të Zotit për pasimin e ligjit të tij, ai që shoi adhurimin e idhujve dhe putave, mesazhi që ju shpall atij anuloi çdo ligj tjetër.

Paqja e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë të pandarë, mbi familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnikë dhe gjithë ata që i shërbyen fesë së tij, Zoti i bëftë ata dhe ne prej banorëve të xhenetit, Selam!

Siç dihet kjo botë është e mbushur përplot me të meta, ndaj o Zot të lutemi që të na mundësosh të mos kërkojmë shumë prej kësaj jete, por të kalojmë në bindje ndaj teje!

O ju robër të Allahut! Fjala më e drejtë është fjala e Allahut, lidhja më e fortë është ajo e devotshmërisë, umeti më i mirë janë ithtarët e Ibrahimit, tregimet më të bukura janë ato të Kuranit, rruga më e mirë është ajo e të dashurit tonë Muhamedit a.s, fjalët më të bukura janë përmendja e Allahut.

Veprat më të mira janë ato të vazhdueshmet, punët më të liga janë risitë, rruga më e mirë është ajo e Profetëve, vdekja më e mirë është e dëshmorëve, devijim më i keq është ai pas udhëzimit.

Vepra më e mirë është në zbatimin e urdhrave dhe largimit prej ndalesave, verbëria më e keqe është ajo e zemrës, dora që jep është më e mirë nga ajo që lyp, fjalët e pakta por të dobishme, janë më të mira se fjalët e tepërta dhe të pahijshme.

Të shpëtosh një shpirt është më mirë se të sjellësh një tjetër në jetë, e justifikimi më i keq është në çastet e vdekjes, pendimi më i keq është ai i ditës së gjykimit.

Ka prej njerëzve që namazin e falin në limitin e fundit të kohës, ka prej tyre që Zotin e përkujtojnë vetëm në kohë vështirësie, gjuha më e mirë është ajo që kontrollohet, pasuria më e mirë është pasuria e shpirtit, përgatitja më e mirë për të ardhmen është devotshmëria, esenca e urtësisë është frika prej Zotit të Lartësuar, ndërsa gjëja më e mirë që i është dhënë njerëzve është bindja.

Dijeni o robër të Allahut, se dyshimi është prej mohimit, vajtimi i pakontrolluar është prej injorancës, padrejtësia është për në xhehenem, mjetet muzikore janë fyell i shejtanit, alkooli është si gjaku i keq.

Fitimi më i lig është ai prej kamatës, ngrënia më e keqe është ngrënia e pasurisë së jetimit, i lumtur është ai që merr mësim nga përfundimet e të tjerëve, i ligsht është ai që është i lig që në barkun e nënës, mund të përpiqesh gjithë jetës sa mes teje dhe vdekjes të jetë një parakrahë, por ja që fundi është ai që merret në konsideratë dhe çdo gjë që është shkruar do të ndodhë shumë shpejt.

Sharja e myslimanit është prej ligësisë, vrasja e tij është prej kufrit, pasuria e tij është e shenjtë sikurse gjaku i tij, e kush flet në emër të Allahut sipas dëshirës, Zoti e përgënjeshtron, e kush fal, Zoti e fal atë, e kush e shuan urrejtjen atë e shpërblen Allahu, e kush e tepron e ndëshkon Allahu.

LEXO  Aksa dhe muslimanët -Shejh Jusuf Ebu Sunejne - Aksa 29.3.2019

Ai që e njeh sprovën, bën durim, ai që nuk e njeh e mohon, kush shprehet mendjemadh e poshtëron Zoti, e kush synon hallallin ia lehtëson Zoti.

Ai që e synon këtë botë s’do e arrijë, kush i bindet shejtanit kundërshton Zotin, e kush e kundërshton Zotin, Ai e ndëshkon.

Të nderuar besimtarë! Kjo është metoda e Zotit dhe ky është Islami jonë, i cili na fton për në xhenete dhe për në rrugë të drejtë, ndaj në këtë fe nuk ka vend për gënjeshtarë dhe mashtrues.

Feja jonë fton për në dashuri dhe besnikëri, për bashkëjetesë dhe kapje fort pas fesë, për shuarjen e konflikteve dhe mospajtimeve, për ruajtjen e vatanit, të vendeve të shenjta dhe të zakoneve tona.

Shikoni gjendjen tonë sot, se si po përkeqësohet dita-ditës dhe një pyetje vjen natyrshëm: “Përse armiqtë ia arritën qëllimit ndaj nesh?”

Përgjigja është e thjeshtë. Ne jemi larguar prej fesë tonë, jemi larguar prej jetës së të dërguarit tonë, kemi lënë mënjanë shembujt e të parëve tanë dhe na ndodhi kjo që po na ndodh, prej përçarjeve e shtypjeve.

Ne jemi larguar nga moralet dhe virtytet e larta, vajzat dhe djemtë tonë po bëjnë njëmijë të zezat në tokë, ndërsa prindërit s’po kujdesen, por e kanë humbur fillin dhe ja rezultati.

Dikur divorci ishte diçka e madhe dhe e vështirë, ndërsa sot çfarë s’po dëgjojmë, dëgjojmë ngjarje që të rrënqethin mishin, vallë a nuk po jetojmë në një shoqëri Islame? Përse kanë arritur mospajtimet e çifteve në këtë pikë?

A nuk është e ndaluar që gruaja të shkaktojë probleme në mënyrë që të ndahet dhe të martohet me një tjetër burrë?

E njëjta gjë vlen dhe për burrat, shkatërrimi i familjeve dhe cenimi i nderit të tjetrit, është përgjegjësi e të gjithëve.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre”, kjo për shikimin, vallë po ai që bën imoralitet dhe shkatërron familjen e shoqërinë?

A nuk thotë Allahu i Madhërishëm: “Mjerë për ata që mangët masin e peshojnë”, po ata që tregtojnë mall të pavlefshëm dhe mashtrojnë në të, lozin me çmimet, sikurse duan e tua ketë ëndja.

A nuk thotë Allahu i Lartësuar: “Masni drejtë e saktë, mos ia hani hakun njerëzve dhe mos u bëni shkatërrimtarë në tokë, porosia e Zotit është më e mirë për ju në qofshi besimtarë dhe unë nuk do jem ruajtësi juaj”.

A nuk thotë i Madhërishmi: “…dhe mos përgojoni njëri-tjetrin”, e si t’ia bëjmë me atë që tallet, e vret dhe e urdhëron si të ishte skllav, si t’ia bëjmë me atë që e dorëzon tek armiku? A kaq të lirë qenkan shpirtrat e të tjerëve? A nuk janë të shtrenjtë tek Krijuesi i tyre?

Shikojini ata të cilët pinë alkool, luajnë bixhoz dhe tregtojnë lëndë narkotike, se si e shkatërrojnë rininë tonë Islame, se si e vrasin shpirtin dhe energjitë e tyre dhe kjo në mesin e vendit tonë.

Apo ata të cilët e kalojnë natën nëpër klube nate duke kërcyer e duke pirë, u drejtohemi e u themi: “Boll më, dijeni se mirësitë nuk zgjasin përgjithmonë.”

Zoti na i përshkruan Profetët dhe thotë: “…dhe ata që kur shpenzojnë, nuk janë as dorëlëshuar as dorështrënguar, por i përmbahen së mesmes” Furkan 67.

Shokët e Profetit nuk hanin ushqime që të dalloheshin prej të tjerëve, as nuk visheshin që të dalloheshin nga të tjerët, ndaj ishin si një trup i vetëm.

Sa’d ibn ebi Uekasi i drejtohet Abdullah ibn Amir dhe i thotë: Ç’njeri i mirë që je ti, o Abdullah, nëse nuk do jesh prej atyre që thotë Allahu: “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to” Ahkaf 20.

Kini frikë Allahun, o ju njerëz, rregulloni lidhjen tuaj me Zotin, përmirësoni marrëdhëniet me të afërmit, përmirësoni vetet tuaja, t’ju përmirësojë Allahu gjendjen tuaj dhe dijen se ai që nuk merr vesh me të butë, sprovohet me ashpërsi!

LEXO  Haxhi: Uniteti i muslimanëve dhe mbështetje për të shtypurit

Një ditë Ebu Bekri ligjëroi dhe tha: “O ju njerëz! Ju e këndoni ajetin që thotë: ‘O besimtarë! Ju keni përgjegjësi vetëm për veten tuaj! Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë’ dhe ne e kemi dëgjuar Profetin a.s të thotë: ‘Nëse njerëzit e vërejnë të keqen dhe nuk e mohojnë atë, rrezikojnë të përfshihen nga dënimi i Zotit’.”

Duke marrë nismë nga kjo bëjmë thirrje për largim nga të ligat. A nuk jetojmë ne në një vend të begatë? A nuk është Aksaja Kibleja jonë e parë? Çfarë po bëjnë myslimanët, kur e shohin se po njolloset? A nuk ka ardhur koha që të mos i marrim gjërat me të qeshur, por të zgjohemi e të shohim se ç’po na thurin kurthe?

Gjendja e myslimanëve sot është e mjerueshme, sheh se si shtetet përpiqen për vetet dhe për padronët e tyre, duke vrarë njëri-tjetrin.

Sa turp për një komb që vret njëri-tjetrin, sa turp për këtë kohë që po jetojmë kur burrat s’janë më burra, të luftoheshin mosbesimtarët, do të ishte më e drejtë se të vriten myslimanët.

O musliman bëj mirë që Zoti të të bëjë mirë ty, nëse s’ke mundësi të bësh mirë të paktën mos bëj keq dhe dije se nëse bëhesh shkatërrimtar në tokë Zoti do të hakmerret.

Largohu prej nderit të tjetrit dhe dije se nëse e fëlliq një person, Zoti do të të fëlliqë në mesin e mbarë krijesave, ruaje dinjitetin e myslimanit dhe mos e sulmo atë, sepse Zoti do t’i mbrojë ata të cilët besuan.

A nuk thotë Allahu i Madhëruar: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq të njërit-tjetrit, urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e falin namazin, e japin zekatin, ata janë të cilët do i mëshirojë Allahu, vërtetë Allahu është i Fuqishëm dhe i Urtë”.

Shfrytëzoj rastin të përkujtoj dhe ata çifte që ditën e dasmës së tyre vijnë në xhaminë Aksa, duke u thënë se ky është një vend i shenjtë dhe duhet të ruajmë edukatën dhe nderimin e tij.

O ju njerëz! E lus Zotin që të më rehatojë mua dhe juve prej kësaj bote, duke përmendur Allahun dhe ndjekur rrugën e të devotshmëve.

Lutuni Zotit duke qenë të bindur në përgjigjen e Tij, lum për ata që kërkojnë falje, Ty të kërkojmë falje o Allah!

Falënderimet qofshin për Allahun për çdo mirësi, dëshmojmë se Zoti është Një dhe meriton të madhërohet, sikurse dëshmojmë se zotëria ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ftues për në xhenet, paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët dhe ndihmësit e tij.

Vëllezër të nderuar! Jetojmë një jetë të vështirë dhe të idhët në këto ditë, sikurse e shihni armiku juaj po sulmon, bastis, prish dhe privatizon, duke mos mëshiruar të vogël e të madh, madje as fëmijët në djep.

Ndaj ju ftoj të gjithëve që të bashkohemi dhe t’i qëndrojmë përballë me nder e krenari, sado që mund të na shkaktojë vuajtje, sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë për qëndresë besimi, për t’i bërë ballë!

Nuk kemi nevojë për pamje fasadash të cilat nuk të nxjerrin prej situate, kjo sepse mbrojtja ka nevojë për forcë, durim e qëndrueshmëri.

Ka nevojë për forcën e besimit që mbush zemrën me bindje, një forcë që mbush zemrën me gatishmëri për t’ju përgjigjur urdhrave e për t’u ndalur tek ndalesat.

Forca e shpirtit bën që të jemi të dobishëm dhe të butë me njëri-tjetrin, të durojmë gabimet që mund të shkaktohen.

Forca e zemrës mundëson qëndrueshmëri, jep siguri, krenari dhe mundëson largimin e të ligës dhe turpit.

Nga forca e zemrës buron çdo nismë e mirë, durim dhe qëndrueshmëri përballë vuajtjeve dhe sprovave.

Ka thënë Sahabiu i nderuar Ebu Derda: “Ne u qeshnim në fytyrë disa njerëzve, ndërsa zemrat tona i mallkonin.”

LEXO  Cilësitë e besimtarit - Shejh Jusuf Ebu Sunejneh - AKSA - 05.10.2018

Ndërsa Aliu r.a ka thënë: “Ne u jepnim dorën disa njerëzve që e meritonin të priteshin.”

Prej nesh kërkohet bindja tek vetvetja pas mbështetjes në Zoti, e kanë pyetur Aliun se si kishte arritur t’i mposhtë gjithë ata viganë në përballje e tija?

Ai u përgjigj: Besoja tek vetja se mund t’i mposhtja dhe këtë e tregoja në paraqitjen time, ndërsa ata e mendonin se mund t’i mund ndaj dhe arrija t’i mundja.

Ndihmoje veten tënde kundër shejtanit dhe mos u bëj palë me shejtanin në mposhtjen e shpirtit tënd.

Mos u bëj pesimist i gjendjes sonë të ligë dhe përhapjes së ligësive, por ushqeje veten tënde me dëshirën e ndryshimit dhe përmirësimit, dije se nëse një detyrë të fesë e ke braktisur duhet me u rikthy dhe jo me u thellu, dije se dynjaja është e përkohshme dhe askush nuk e ka gëzuar atë, dije se atë kë udhëzon Allahu nuk ka kush e devijon, e atë që e humb Allahu nuk i bën dobi asnjë aleat.

Të padrejtëve u drejtohet me fjalët, këto janë trupat tanë më shumë se kaq nuk keni ç’bëni, nëse do plagosni, vrisni, zhvishni, plaçkitni, torturoni, ne jemi këtu të palëkundur ndaj bujrum veproni ç’të doni.

E nëse na sillni uri, ne Zotit i kërkojmë, edhe në na bëfshi padrejtësi hakun prej Zotit e kërkojmë, dhe do e shohim se çfarë fundi do keni ju.

Besimtarë të nderuar! Xhamia Aksa mbetet loçka e zemrës së besimtarëve, prej nesh kërkohet ta ruajmë e ta mbrojmë, gërmimet që sa vijnë e shtohen ku shkaktuan dhe shembjen e një pjese të murit Burak, apo ajo që ngjau në xhumanë e kaluar është argument i qartë për ne.

Në emër të myslimanëve anembanë, dënojmë atë çfarë ngjau, prej cenimit të atyre që kishin ardhur të falen, hyrja me forcë në xhami, në një prej shtëpive të Zotit, u drejtohemi e u themi: Mos guxoni të luani me xhaminë Aksa, se kërkoni për ndihmë e mëshirë po do jetë vonë!

I drejtohemi mbarë atyre që janë përgjegjës të sigurisë, bëni detyrën se në të kundërte nuk do ju mëshirojë asnjëri prej kombit tonë.

Mblidhuni, o ju myslimanë dhe faluni në të, jini adhurues të Zotit vëllezër, dhe mos i jepni mundësinë askujt që ta cenojë xhaminë.

Para se ta mbyll u drejtohem atyre që i ka nderuar Zoti për ta kryer haxhin këtë vit, e u them: Barteni mesazhin tonë me vete, përcilljani vëllezërve tanë në Mekë e në Medinën e Profetit a.s, vuajtjet dhe preokupimet e xhamisë tonë.

Bëni lutje për ne, në të gjithë territorin e Qabes, në Reudah në xhaminë e Profetit, që Zoti të na e lehtësojë neve këtu në Kuds dhe myslimanëve mbarë kudo ndodhen!

Qofshi shëndoshë e mirë, kujdesuni për veten, kujdesni porositë e Zotit, përmendeni Zotin sa më shumë dhe ardhshit shëndoshë e mirë dhe haxh të pranuar!

Zoti ynë! Largoje shtetrrethimin ndaj vëllezërve tanë, mundësoje lirimin e të burgosurve tanë, shlyeja borxhet çdo borxhliu, zgjidhi mbarë hallet e myslimanëve, ndihmona kundër popullit të padrejtë, ruaji namazfalësit dhe ata që punojnë në xhaminë Aksa o Zoti i botëve.

Zoti ynë! Ne jemi ndalur para derës Tënde, Ti e di të fshehtën, prej Teje kërkojmë ëmbëlsinë e triumfit, o më i Fuqishmi!

Zot mos lejo të sundohemi prej armiqve dhe të padrejtëve, mëshiroji të vegjlit dhe të mëdhenjtë tanë, Ti e di gjendjen tonë!

Zot fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit e tyre, Ti je afër dhe i dëgjon lutjet tona!

O besimtarë! Allahu urdhëron për drejtësi, për bamirësi me të afërmit, ndalon nga e shëmtuara, e urryera e padrejtësia, ju këshillon në mënyrë që të përkujtoheni!

Përmendeni të Madhërishmin, Allahu t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë e Tij, tua shtojë, vërtetë përmendja e Allahut është më e madhja punë! Ai di se çfarë po veproni.

Aksa / by

Post Author: admin