Ripërtëritja e ligjërimit fetar – Meka 31.01.2020

Hytbe e Qabes       06-06-1441 H   31-01-2020 D

Shejh Abdurrahman Sudejs

Tema: Ripërtëritja e ligjërimit fetar.

Falenderimi i takon Allahut. Atë e falenderojmë. Atij i kërkojmë ndihmë e falje dhe tek Ai pendohemi.

Allahun e falenderojmë me falenderimet më të mira, më të begata e të pakufijshme. Zemrat ndriçojnë me dritën e urtësisë së Tij. Gojët me përmendjen e Tij parfumosen. Synoje Atë, njihe dhe ndiqe që të arrish udhëzimin, e dashamirësit i mjafton udhëzimi i Tij.

Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, i vetëm e i pashoq.

Allahu e ka ngritur lart pozitën e njerëzve që ftojnë për tek Ai e pozita e tyre akoma vazhdon të jetë lart.

Dëshmoj se zotëria ynë, profeti ynë Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. I pastër në prejardhje me rrënjë e me degë.

Nderimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të pastër e të mirë, mbi shokët e tij fisnikë e bamirës që përhapën të vërtetën të freskët e të qëndrueshme, mbi tabi`inët dhe mbi ata që pasojnë rrugën e tyre më saktësi deri në ditën e gjykimit. Paqe, shpëtim të begatë e të vazhdueshëm pastë mbi ta të gjithë derisa të vazhdojnë të pasojnë njëra-tjetrën dy dritat (hëna dhe dielli) me perëndim e me lindje.

Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut. Devotshmëria e ndriçon zemrën, pastron trupin dhe gjymtyrët me aktivitet e ndjeshmëri.

“O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid; 28).

O musliman në kohën e trazirave të errëta e të sprovave të zeza, mes ngjarjeve të historisë e ndodhive të kohës shpërthejnë çështje themelore shumë të rëndësishme të cilat kanë nevojë për qëndrim, meditim për të përcaktuar synimet, pikënisje, mjete, objektiva dhe njohje të vijmësisë së gjërave me qëllim që të mos digjen e të plagosen nga dhembshuria zemrat e xhelozëve për shkak se ato mund të jenë pjesë luftërash idologjike të programuara të cilat godasin për në imponuar norma kulturore, botëkuptime, koncepte të paligjshme fetare në shoqëritë islame.

Në krye të këtyre çështjeve qëndron një çështje thelbësore e rrezikshme, rrezikshmëria e së cilës shtohet kur ngrihen lart zërat dhe ligjërimet e ekstremizmit e ashpërsisë, egzagjerimit, sektarizmit, përjashtimit, mllefit, urrejtjes dhe e rracizmit.

Kjo, Allahu u kujdestë për ju, është çështja e ripërtëritjes së ligjërimit fetar.

O muslimanë, Ligji Islam i Shenjtë e ka mbushur tokën me drejtësi e urtësi, me lehtësim e mëshirë. Ky ligj përfshin çështjet e diskutuara dhe ato të reja. Ai nuk është një ligj inaktiv me dispozita të ngurta por fleksibël e i ripërtërirë. Ai nuk bie ndesh me ripërtëritjen sipas rrethanave dhe mjeteve të kohës apo përfitimit prej teknikave të saj në ndjekjen e ofertave dhe përfitimeve, në ekuilibër mes të pandryshueshmes dhe të ndryshuesmes, të origjinës e të bashkëkohores.

Prej parimeve të Ehli sunetit dhe xhematit është fakti që Allahu i ka dhuruar llogjikës veçorinë e klasifikimit të diçkaje si të mirë e të bukur apo si të keqe e të shëmtuar. Njerëzit janë të krijuar të tillë me këtë aftësi. Por ka çështje që individët nuk e perceptojnë mesatarinë e vërtetë në to, sidomos ato që lidhen me ngjarje të kohës e që janë çështje të mëdha dhe çështje madhore që i përkasin tërë umetit, domosdoshmërisht në këtë rast duhet ti kthehemi Ligjvënësit të urtë.

Ky është edhe rregulli i parë në lidhje me ripërtëritjen e besueshme të ligjërimit fetar të synuar, duke u mbështetur në tekste dhe argumente ligjore.

Allahu thotë: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Nisa; 59).

Imam Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kushdo që fton në diçka fetare të pa bazë në Librin e Allahut apo në Sunetin e profetit (salallahu alejhi ue selem) le ta dijë se po thërret në bidat e në humbje.

Njeriu në këndvështrimin ndaj vetes dhe në debatin me të tjerët, nëse mbështetet në Kuran e në Sunet, Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë dhe se sheriati është si anija e Nuhut a.s që kush hip në të shpëton e kush mbetet pa hipur mbytet.

O njerëz të islamit! I dyti i këtyre rregullave është pajisja me dije të saktë. Ajo është varka e shpëtimit e jo idetë e kota dhe burimet shkatërruese e devijuese. Me të ngulitet vetëdijësimi fetar i pastër në shumë prej çështjeve të rëndësishme. Kjo plotësohet në formë të saktë e të sigurtë vetëm duke qëndruar pranë dijetarëve solidë për tu këshilluar me ta në çdo rast sepse ata janë trashëgimtarët e profetëve, ndriçuesit e errësirës, dhe ata janë sektori i sigurtë në fetvatë që lidhen me çështje të reja e me ngjarje të mëdha.

Kjo nuk mund ti besohet atyre që kanë kulturë gjysmake apo të ngjashmit me ta apo ata që përpiqen me zor të jenë të tillë. Ai i cili nuk arrin të bëjë dallimin e diçkaje le t`ia paraqesë dijetarit që të mos veprojë verbërisht në lidhje me të.

Allahu thotë: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” (Nisa; 83).

Allahu thotë: “andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë). (Nahl; 43).

E treta: Ruajtja e bazave dhe e çështjeve të pandryshueshme sepse ato nuk mund ta pranojnë ripërtëritjen. Prej cilësive të dalluara të kësaj feje dhe veçorive të shkëlqyera të saj është vlefshmëria e saj në çdo kohë e në çdo vend, shpërblimi, qëndrueshmëria, vazhdimësia dhe përjetësia. Allahu i madhërishëm thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (Hixhr; 9).

Ripërtëritja ndodh në të ngjarjet e reja për të cilat nuk ka tekste dhe të parët tanë të mirë nuk kanë dhënë opinjonet e tyre në lidhje me to, as fjalë apo diçka të ngjashme e as përpjekje të konsiderueshme shkencore të lidhura me to.

E katra: Të ketë si synim ripërtëritja korigjimin e devijimeve doktrinale (akaidije) e ideologjike dhe korrigjimin e risive në veprime e në sjellje. Vetëm islami është interesuar për shpirtin e për trupin bashkarisht ndryshe prej feve dhe sistemeve të tjera ku disa prej tyre janë interesuar vetëm për trupin në llogari të shpirtit gjë e cila ka sjellë degradimin moral, e të tjerë janë interesuar për shpirtin në llogari të trupit gjë e cila ka sjellë degradimin ideologjik e në sjellje.

Muslimanë, ripërtëritja e saktë e ligjërimit fetar është ripërtëritje në realizim e në mjete pa prekur të pandryshueshmet dhe parimet dhe ajo nuk nënkupton se këtij ligjërimi i ka paraprirë mangësia mirëpo është një ripërtëritje të cilën e kërkon ndryshimi i kohërave, i vendit dhe avancimi i gjërave e i mjeteve.

Kjo ripërtëritje ka lidhje me mënyrën e ligjërimit e jo në shpirtin dhe mesazhin e tij. Me këtë ajo është kërkesë e ligjshme fetare dhe çështje jetike e shoqërisë për të tejkaluar hendekun e prapambetjes e të imitacionit. Kështu të lidhet me trashëgiminë e jo të mbyllet në të por të hapet me kohën, mjetet dhe teknologjinë e saj. Kështu ripërtëritja ka si qëllim gjallërimin dhe rilindjen e shenjave fetare shkencore e veprimtare duke ruajtur tekstet e sakta të pastra, duke dalluar atë që është prej fesë e atë që është e pështjelluar me të, pastrimin e fesë prej devijimeve, prej risive teorike, atyre ekstra, praktike dhe në sjellje. Ajo synon ripërtëritjen e metodikës së hulumtimit e të argumentimit për ti kuptuar tekstet fetare si të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, për ta afruar realitetin e çdo shoqërie islame të çdo kohe me shoqërinë model të pare, përmes zgjidhjeve islame për çdo ngjarje të re, të madhe e të vështirë duke i bërë dispozitat e fesë aktive me çdo aspekt të jetës duke vendosur rregulla në përzgjedhjen e të vlefshmes e të dobishmes prej çdo qytetërimi sipas sqarimeve në Kuran e në Sunet sipas të kuptuarit të të parëve të umetit islam, Allahu i mëshiroftë.

Me këtë del qartë se detyra e atyre që bartin flamurin e ripërtëritjes, prej gardjanëve të ligjit të sheriatit është e kufizuar në heqjen e çdo gjëje që i është ngjitur fesë, që përbëjnë shkelje të cilat kanë prishur bukurinë dhe ndriçimin e fesë e për ti rikthyer njerëzit në atë nivel që ishin gjeneratat më të vlefshme, për rikthimin e fesë me bazat e saj, me medotikën e të argumentuarit e të përftimit të dispozitave, të freskët e të gjallë ashtu sikurse e ka zbritur Allahu i madhërishëm e siç e ka sqaruar Profeti ynë (salallahu alejhi ue selem).

Imam Ahmedi transmeton në Musnedin e tij hadithin e Umer ibnul Khatab r.a se profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Pasha Atë në dorë të të cilit është shpirti im, atë ua kam sjellë të bardhë e të pastër.

Me të përmbushet profecia e Mustafasë (salallahu alejhi ue selem) i cili ka thënë: Allahu i dërgon këtij umeti në krye të çdo njëqind vjeçari dikënd që ripërtërin fenë. Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi me zinxhir të saktë transmetimi.

O Besimtarë, thirrja për tek Allahu nuk përhapet me ligjërim fetar ekstrem apo me përhapjen e egzagjërimit e të mangësimit por përhapet me drejtësinë e me mesatarinë që është një prej veçorive kryesore të fesë së pastër islame e cila

përballet me zhvillimin pa pasivitet e pa fanatizëm por e ndërton jetën mbi rregulla fetare, mbi ligje sistemuese që i përgjigjen nevojave të umetit në rrethana, në gjendje e në ambjente të ndryshme.

Allahu i lartësuar thotë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” (Bekare; 143).

Tolero, mos e mer tërë atë që të takon,

lëre diçka,

nuk merr gjithçka kurrë një fisnik

mos e tepro në asgjë po ji i mesëm

sepse që të dy ekstremet e diçkaje janë të këqija

Ligjërimi fetar ndërton e nuk rrënon, bashkon e nuk përçan, kultivon e nuk shkatërron, përforcon e nuk zhduk. Motoja e tij është mëshira dhe tolerance, e petku i tij është dialogu dhe bashkëjetesa.

Në këtë metodikë të mesme kanë ecur dijetarët e të parëve tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë.

Imam El Izu Abduselam ka thënë: Në përgjithësi, është më primare që personi të përdorë fjalë dhe veprat që i sjellin dobi e i largojnë dëmet me besim të mesëm ndërmjet egzagjërimit dhe mangësimit.

Ibnul Kajim thotë: Shejtani në çdo çështje ka dy cytje; ose për egzagjërim ose për mangësim ndërsa e vërteta është në mes tyre.

Imam Shatibiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Sheriati vijon në ngarkimin me detyra mbi rrugë të mesme e të drejtë që merr nga të dy anët me barazi pa anuar askund.

Me këtë del qartë, Allahu u kujdestë prë ju, se ligji islam është ligj i udhëzimit, i drejtimit, i mesatares e i drejtësisë. Dhe ligjërimi në islam është ligjërim mëshire, tolerance, rendi, sigurie, mirëqënie dhe paqeje.

“Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En`amë; 153).

Allahu na bekoftë me dy shpalljet, na bëftë dobi me zotërinë e dy botëve (Njerëz, xhindë).

Pas këtyre fjalëve i lutem Allahut të më falë mua, ju dhe tërë muslimanët dhe muslimanet çdo gjynah e çdo gabim. Kërkojini falje dhe pendohuni se Ai është i butë e falës.

Hutbeja e Dyte

Falenderimi i takon Allahut. Falenderim i cili i mbush zemrat plot optimizëm, ndriçim dhe shpresë.

Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut, i vetëm e i pashoq.

Dëshmoj se Profeti ynë Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, nderimet, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi shokët e tij, mbi tabi`inët dhe mbi ata që pasojnë rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut e kjo është porosia e Allahut për të parët e të mbramët.

“Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: Frikësojuni Allahut!” (Nisa; 131).

O popull islam shpresohet prej ripërtëritjes së ligjërimit fetar të ruhen të pandryshueshmet dhe themelet e popullit islam prej zgjatjes së duarve të ngatërrestarëve e të ndryshimit.

Gjithashtu synohet të pastrohet sheriati prej gjërave që i janë ngjitur qofshin çështje të injorancës, apo të shpikura, papastërtitë e kotësive e të devijimeve, luftimi i fanatizmit medh`hebist dhe imitacionit të verbuar, që përhapin në popull ndarjen dhe copëtimin. Synohet përkrahja e umetit duke pregatitur një grup elitar të specializuar me aftësi të larta me kapacitete të ekulibruara në fikh, të afta për të nxjerrë dispozita të detajuara prej çështjeve bazike, për të dhënë kontribut në zgjidhjen e problematikave të papritura bashkëkohore bazuar mbi metodikë të mesme e të drejtë, nxjerrjen në pah të bukurive të sheriatit dhe synimeve të tij edhe për jomuslimanët; “ do t’u thoni fjalë të mira njerëzve” (Bekare; 83) të jetë ftesë në këtë fe përmes panoramës së ndritur të botëkuptimeve të sakta të cilat realizojnë mirësinë, drejtësinë dhe përmirësimin e tërë njerëzimit, “Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.” (Maide; 32).

Theksojmë se në lidhje me këtë çështje të rëndësishme edhe ripërtëritjen e ligjërimit për të rinjtë për ti përfshirë ata, për ti mbrojtur, për të diskutuar me ta, për ti stimuluar e për ti ngritur lart me qëllim që të mos i mbizotërojnë emocionet e forta ndaj llogjikës, karakterit dhe urtësisë në çështjet e ndryshme.

Po kështu ligjërimi ndaj gruas muslimane duke i dhënë pozitë të pranuar fetarisht që të jetë në shërbim të fesë, atdheut dhe shoqërisë së saj.

Të qëndruarit larg ligjërimit përjashtues, urrejtës, përçarës, sektar, partiak, medh`hebist apo rracist. “ ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin.” (Huxhurat; 13).

Sot mund të gjesh në ligjërimin e përhapur në disa adresa të internetit gjëra që bien ndesh me vlerat, virtytet, mirësjelljen, bazat dhe të pandryshueshmet fetare. Këtë e dirigjojnë rekrutë të zbuluar, në një luftë elektronike me terror teknologjik kundër sigurisë së umetit dhe stabilitetit të tij ideologjik dhe paqes shoqërore të tij.

E ja margaritari i të gjithë vataneve, caku i të gjitha çështjeve të tyre, drejtimi i muslimanëve, vendi i nderuar i Dy të Shejtave, Allahu e ruajtë, paraqitet si përherë në aspektin e ripërtëritjes në përputhje me metodikën e saktë përmes ndërgjegjësimit të thellë sidomos në kohë krizash e problemesh.

Me një kujdes fisnik prej prijësave të këtyre vendeve të begata paraqitet plot krenari e madhërim Deklarata e Mekës së nderuar e përpiluar prej komitetit të dijetarëve muslimanë i cili mvaret prej Ligës së botës islame e cila përmban porosi të dobishme në lidhje me ripërtëritjen e ligjërimit fetar dhe ndikimin e tij qytetërues, botëror e njerëzor përmes ftesës në dialog, lidhjeve kulturore, përmes përballjes me idetë ekstremiste e të dhunshme, duke përhapur ideologjinë e mesme të drejtë.

Këto grimca plotësojnë ligjërimin e qartë në lidhje me çështjen e ripërtëritjes së ligjërimit.

Allahut i lutemi ti japë sukses të gjithëve në atë që Ai e don e kënaqet e ti ruajë vendet e muslimanëve dhe vendet e dy xhamive të shenjta, të pathyeshme e të forta e të gjithë vendet e muslimanëve, ti ruajë ato nga çdo e keqe dhe nga çdo gjë e papëlqyeshme, Ai është dëgjues i afërt, pranues i lutjes.

Dërgoni salavate dhe selame, Allahu ju mëshiroftë mbi profetin e pastër e mbi të dërguarin e zgjedhur siç ju urdhëron Zoti juaj Madhështor. Allahu thotë: Vërtet,

Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

I dërguari i Allahut ka thënë: Kush dërgon mbi mua një salavat, Allahu mbi të dërgon dhjetë.

O Allah përmende lart Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse ke përmendur lart Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun të cilët posedonin nderim të qartë dhe pozitë të lartë. I kënaqur qofsh edhe me gjashtë të tjerët prej dhjetëshes më të mirë. Dhe me tabi`inët dhe ata që pasojnë rrugën e tyre me përpikmëri deri në ditën e gjykimit. Qofsh i kënaqur edhe me ne bashkë me ta me mëshirën Tënde o më i mëshirëshmi i mëshiruesve.

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Ngreje lart me mirësinë Tënde fjalën e vërtetë dhe fenë!

O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, sigurinë dhe stabilitetin bëje të vazhduëshëm në vendet tona dhe jepi sukses prijësave dhe qeveritarëve tanë.

O Allah jepi sukses prijësit tone, Shërbëtorit të Dy Xhamive të Shenjta dhe mëkëmbësit të tij në atë që Ti do e kënaqesh prej fjalëve e veprave O I Gjallë e i Përhershëm, posedues i madhështisë e i bujarisë.

O Allah jepi sukses në atë që ti do dhe kënaqesh, drejtoje atë në bamirësi e në devotshmëri. Mundësoji atij të ketë shpurë të vlefshme e cila e këshillon në mirësi dhe e ndihmon në realizimin e tw mirave. O Allah jepi sukses atyre në atë që është e dobishme për vendet tona e për njerëzit. O Allah mundësoji atyre staf të mirë që orientojnë tek e mira dhe ndihmojnë në realizimin e veprave të mira.

O Allah jepi sukses të gjithë pushtetarëve muslimanë të zbatojnë ligjin Tënd e të pasojnë traditën e profetit Tënd (salallahu alejhi ue selem). Bëji ata mëshirë për robërit e tu besimtarë!

o Allah fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret. Bashkoji zemrat e tyre dhe pajtoji ata mes veti, udhëzoji ata në rrugët e shpëtimit, largoji prej tyre imoralen dhe sprovat që duken e që nuk duken.

O Allah largoi brengat prej muslimanëve të përvuajtur, mundësoi borxhlinjve të shlyejnë borxhet e tyre, shëroji të sëmurët tanë dhe të sëmurët e tërë muslimanëve, Me mëshirën Tënde o më i Mëshirëshmi i mëshiruesve.

O Allah largoje fatkeqësinë prej këtij umeti, mundësoji umetit të kapet pas Librit dhe Sunetit, Ti je dhuruesi i mërësive!

O Allah ndihmoji vëllezërit tanë që vuajnë për shkak të fesë së tyre në çdo vend, o Allah ndale gjakderdhjen e tyre!

O Allah ne kemi vëllezër në fe që i ka kapluar vështirësia e ti je më i mëshirëshmi i mëshiruesve, largoje vështirësinë e tyre o i Gjallë e i Përjetshëm! O I Madhërishëm e Fisnik me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë mos na le të mbështetemi në vetet tona as për një çast e na e rregullo tërë çështjen tonë!

O Allah na jep sukses në çdo të mirë e na përmbyll çështjet tona me mirësi! Na e bëj të mirë çdo vendim tëndin mbi ne o i Madhërishëm e Bujar, dhurues i mirësive të mëdha!

O Allah na mbro prej sëmundjes së albinizmit (e lëkurës), çmendurisë dhe lebrozës, dhe nga e keqja e çdo sëmundjeje!

O Allah na i largo sëmundjet, paditurinë dhe varfërinë nga të gjithë muslimanët o i Madhërishëm e Bujar!

O Allah ne kemi vëllezër që i ka zënë i ftohti dhe dimri me acarin e tij o Allah zbrit butësinë, mëshirën dhe ngrohtësinë Tënde mbi ta o i Madhërishëm e Bujar!

Zoti ynë na jep të mirë në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

O Allah, Ti je Allahu nuk ka hyjni tjetër pos Teje, Ti je I pasuri e ne të varfërit na zbrit shi e mos na lër të pezmatuar. O Allah na zbrit shiun e na ndihmo e na ujit tokën!

O Allah ty të kërkojmë falje e ti je Falësi sillna shi të vazhdueshëm nga qielli!

O Allah jepu fitore ushtarëve tanë, dhe njerëzit e sigurisë tonë të cilët vigjilojnë në zonat kufitare e në kufijtë tanë! O Allah pranoi dëshmorët e tyre, mjekoi të plagosurit e tyre, shëroi të sëmurët e tyre, ktheji ata të shpëtuar, fitimtarë e të falur o i Madhërishëm e Bujar!

O Allah pranoje prej nesh, Ti je dëgjuesi i dituri, na mundëso të pendohemi se ti je Pranuesi i pendimit e Mëshirëploti!

Na fal ne, prindërit tanë dhe prindërit e prindërve tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet ata që janë të gjallë e ata që kanë vdekur, Ti Je Dëgjuesi i afërt që u përgjigjesh lutjeve.

I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve! (Saffat : 180)

 

Post Author: endrit