Rruga për të arritur një jetë të mirë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    04-08-1447 H   23-01-2026 D

Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe

Tema     Rruga për të arritur një jetë të mirë

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se i dërguari ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

Në vijim

Vëllezër në besim! Vërtetë devotshmëria dhe frika ndaj Zotit janë gëzim që lumturojnë zemrat dhe dritë që ndriçojnë mendjet. Njerëzit e devotshmërisë gëzojnë Xhenetin e kësaj bote dhe jetojnë nën kujdesin e Zotit. “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.”(En-Nahl 128) Ai i cili ka me vete Zotin është me grupin që nuk mund të mposhtet kurrë, sepse Ai është Roja i Cili nuk fle kurrë dhe Udhërrëfyesi që nuk humbet kurrë rrugën.

Besimtarë dhe besimtare! Qëllimi për të cilin të gjithë njerëzit racional bien dakord dhe përpiqen të arrijnë, pavarësisht prirjeve dhe natyrave të tyre të ndryshme, është arritja e paqes së zemrës dhe qetësisë së shpirtit, nga ku arrihet një jetë e mirë dhe ekzistencë e kënaqshme.

Sa shumë njerëz janë larguar nga ajo rrugë! Sa shumë njerëz të tjerë enden nëpër këto shtigje.  Por shikojmë se Zoti i Lartësuar në zbulesën e Tij na udhëzon drejt rrugës së arritjes së këtij qëllimi në fjalën e Tij, ku i Madhërishmi thotë: “ Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.”(En-Nahl 97) Vërtetë ai është besimi në Zot dhe veprat e mira.

Meditoni në ajetet para dhe pas të këtij ajeti madhështorë, dhe do të shfaqin për ju shkëndija nga dritat e shpalljes, Kuranit. Këtij ajeti i ka paraprirë fjala e Zotit të Lartësuar që thotë: “ Gjithçka që keni ju, është kalimtare, ndërsa ajo që ndodhet tek Allahu, është e përhershme. Vërtet, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë.”(En-Nahl 96) Ku ka një deklarim të ëmbël Kuranor, para se të përcaktohet përmbajtja e ajetit dhe të shpjegohet qartësia e atij qëllimi. Ajeti tregon se lumturia, gëzimi dhe kënaqësia e njeriut  nuk arrihen thjesht nëpërmjet pamjeve vizuale të kësaj bote, dhe as vetëm nëpërmjet gjërave materiale të prekshme, nëse zemra nuk është e mbushur me Njëshmërinë e vërtetë të Zotit dhe besimin në Të, dhe nëse gjymtyrët e robit nuk janë të bindura ndaj udhëzimit të Zotit, me vepra të mira  me anë të të cilave pastrohet dhe ngrihet shpirti.

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe disa nga kuptimet e tij

Prandaj, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pasuria e vërtetë nuk qëndron në shumë pasuri, por pasuria e vërtetë është në kënaqësinë e shpirtit.” Duke pohuar këtë parim të madh se kuptime të tilla zënë vend në zemra dhe ndërgjegje, jo në pamjet dhe formalitetet e jashtme. Pastaj ajeti pasohet nga një ajet tjetër fisnik dhe me një tjetër deklaratë  të ndershme me fjalën e Tij: “Kur dëshiron të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar, sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.”(En-Nahl 98-100) Duke na treguar se në këtë Kuran të madhërishëm Zoti ka bashkuar arsyet e lumturisë së të dy jetëve, botëve, dhe sekretet e gëzimit në të dyja vendbanimet, që janë jeta e zemrave, bukuria e shpirtrave, lumturia e jetës dhe ngushëllimi i shpirtrave.

Jeta me Kuranin, me recitimin dhe leximin e tij, me reflektimi mbi të, mësimi prej tij dhe të punaurit me të, është lumturia e vërtetë që i lë nën hije të gjitha kënaqësitë e tjera të kësaj bote. Besimtar kur pi nga burimi i përkujtimit të Zotit shuan zemrën e tij me qetësi dhe e mbushen atë me paqe.  “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Er-Ra’d 28)
Sikurse Allahu i Madhërishëm në fjalën e Tij: “ Sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.”(En-Nahl 99-100) Zoti na ka treguar se një jetë e mirë është rezultat i lidhjes së zemrës me Krijuesin e saj, i mbushjes së saj me Njëshmërinë e Tij, i mbështetjes së tij tek Ai, i qetësisë së tij në Të, i kënaqësisë së tij me caktimin e dhe i pavarësisë së tij përmes Atij nga krijesat i Tij.  Njëshmëria e Zotit në formën më të vërtetë dhe kthimi i plotë i zemrës vetëm tek Ai, në çdo rrethanë është shkaku më i madh i sigurisë dhe qetësisë së tij, dhe sekreti më sublim i gëzimit dhe paqes së tij, kur stuhitë e ndryshimit tërbohen dhe vërshojnë valët e shqetësimeve.  Zoti i Lartësuari dhe i Lavdëruari thotë: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am 82) Nga Abdullah Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë kur ka zbritur fjala e Zotit: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (El-En’am 82) kjo i shqetësoi shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ata thanë: “Cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetes?” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u ka thënë: “ Nuk është ashtu siç ju mendoni, por është ashtu siç i tha Lukmani të birit: “ O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.”(Lukman 13) Zemra e besimtarit në Një Zot është po aq e fortë sa malet kur përballet me tmerre dhe rrethana të trazuara.

LEXO  Paqja qoftë mbi popullin e Gazës dhe mbi popullin besnik

Vëllezër në besim! Lumturia është kuptim themelor dhe ndjenjë e brendshme. Ajo nuk shihet me sy, as nuk përshkruhet me fjalë, as nuk blihet me para dhe pasuri, as nuk mbrohet me fortesa dhe kështjella. Por ka efekte të dukshme dhe drita verbuese, të cilat besimtari i gjen të mishëruara në ndjenja qetësie, kënaqësie, pasurie, paqeje dhe gëzimi.

Zoti na begatoftë të gjithëve në librin e Tij, në Kuran dhe në sunet, dhe plotësoftë mirësinë e Tij mbi ne dhe mbi ju.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirues.

Hutbeja e Dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Atë e lavdërojmë për bollëkun e mirëve të Tij të pakufizuar dhe për bekimet e Tij të pafundme dhe të pakufizuara, lavdërime që shtojnë dhe rrisin bekimet dhe bëjnë që mirësitë të derdhen e të bien shi mbi ne.

Lutje dhe përshëndetje për atë me të cilin u vulosën mesazhet, dielli i thirrjes së të cilit mbuloi horizontet, të dërguarin tonë Muhamedin, për familjarët dhe për shokët e tij dhe për pasusit e tyre me mirësi deri në ditën e shpërblimit, ditën e Gjykimit. Lutje dhe përshëndetje në mëngjes dhe në darkë,  në fund të pasdites dhe në lindjen e diellit, sa kohë që pëllumbat gumëzhijnë, retë bien shi dhe flladi fryn butësisht dhe këndshëm.

Në vijim

O ju besimtarë dhe besimtare! Kur e shqyrtojmë Kuranin dhe reflektojmë mbi kuptimet dhe qëllimet e tij, zbulojmë se Zoti  përmend sekretet e arritjes së një jetë të mirë në ajetet e Sures En-Nahl, pasi na kujton mirësitë dhe bekimet e Tij dhe na numëron lloje të ndryshme të mirësive të Tij, për të vërtetuar se Islami refuzon neglizhimin e manifestimeve të jetës dhe shkaqeve të saj materiale, dhe se ai, Islami, nuk është  fe e izoluar nga realiteti i jetës dhe gëzimeve të saj. Përkundrazi vendos manifeste brenda sferës së mjeteve dhe shkaqeve pa të cilat nuk e arrijnë lumturinë njeriu, dhe se jeta e mirë me të cilën arrihet lumturia e shpirtit dhe qetësia e zemrës është jeta me besim të vërtetë në Zot dhe me vepra të mira.

Prandaj, shikojmë se konteksti i atyre ajeteve kuranore, kur vërtetojnë atë kuptim të madh, sqarojnë gjendjen e keqe të atyre që përgënjeshtruan Kuranin, pastaj Zoti i Lartësuar i përshkruan ata duke thënë:  “ Kjo, sepse ata e duan më shumë jetën e kësaj bote, sesa jetën e botës tjetër; Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë mohuesit.” (En-Nahl 107) Duke iu referuar mbështetjes së tyre në shkaqe dhe në materiale, dhe neglizhimin e qëllimeve dhe synimeve më të larta. Zoti më pas paralajmëron kundër mosmirënjohjes për bekimet e Tij duke thënë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë. Vërtet, atyre u erdhi një i dërguar nga radhët e tyre, por ata e quajtën për gënjeshtar dhe i goditi dënimi, ngaqë ishin të padrejtë.” (En-Nahl 112-113)

LEXO  Fundi i të padrejtëve dhe fitorja e të shtypurve

Pastaj Zoti thekson kënaqësitë dhe zbukurimet e jetës që Ai ka lejuar, duke na kujtuar me Bamirësin, Zotin e  Madhërishëm, dhe ka thënë:  “Ushqehuni me gjërat e lejuara dhe të mira që jua ka dhënë Allahu dhe falënderoni për mirësitë e Allahut, nëse vërtet e adhuroni Atë.” (En-Nahl 114) Në mënyrë që besimtari të mund të kombinojë në mes lidhjes me Zotin, Njëshmërinë dhe Sundimin e Tij, dhe mes marrjes në konsideratë të shkaqeve  të jetës dhe shijimin e aspekteve të lejuara të kësaj bote, në një qasje të plotë hyjnore dhe legjislacionit hyjnor gjithëpërfshirës për kërkesat e jetës, duke i dhënë shpirtit at që i takon, duke e lidhur atë me Krijuesin e tij dhe i përkujtuar fatin dhe jetën e tij të përtejme dhe të përhershme, Ahiretin.

O besimtarë! Dijeni, se rekomandohet të dërgoni lutje dhe përshëndetje të shumta në këtë ditë për të zgjedhurin dhe zotërinë  e njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “Vërtet, një nga ditët tuaja më të mira është e dita e xhuma,  prandaj shtoni lutjet dhe përshëndetjet tuaj mbi mua në të, sepse lutjet tuaja mbërrijnë tek unë.”   O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërin e të parëve dhe të fundit, udhëheqësin e të dërguarve dhe vulën e profetëve, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij, tabiinët dhe ata që e pasojnë atë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit, dhe ne së bashku me ata me Bujarinë, Begatinë  dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët.

O Zot, bëje këtë vend të sigurt dhe të gjitha vendet muslimane. O Zot, ruaj dashurinë e zemrave të muslimanëve  dhe vendin e dy xhamive të shenjta, o Zot i Botëve. O Zot, mbro sundimtarët dhe dijetarët e tij, vendet dhe shenjtëritë e tij, besimin e tij, sigurinë dhe moralin e tij.  Ruaj kufijtë e tij dhe mbro ushtarët e tij, o Zot i Botëve.

O Zot, mbro dhe ruaj ata që janë përgjegjës për kujdesin ndaj dy xhamive të shenjta dhe që kujdesen për vizitorët e tyre, i pari në mesin e tyre kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës, o Zot i Botëve. O Zot, mbroji ata me kujdesin Tënd dhe mbikëqyri ata me mbrojtjen Tënde, o Zot i Botëve. O Zot, jepu sukses atyre të dyve në atë që është më e mira për Islamin dhe muslimanët, dhe në atë që është më e mira për njerëzit dhe vendin në të tashmen dhe të ardhmen,  o Zot i Botëve.

O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend dhe kohë, o Zot i botëve. O Zot, të lutemi  bashko zemrat e tyre dhe largo mosmarrëveshjet e tyre.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi shëro plagët e tyre, jepu fitore dhe merr nën kujdesin Tënd çështjet  e tyre, o Zot i botëve.

O Zot, kërkojmë nga Ti prej të mirës që Ti di, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga e keqja që Ti di, dhe kërkojmë faljen Tënde për atë që Ti di, me të vërtetë Ti je Njohësi i të fshehtës.

Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij, këmbëngulni me lutjet drejtuar Atij dhe me përmendjen e Tij.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1463102312483111/25715882574770110

Post Author: endrit