Rrugët e mirësive – Meka 17.07.2020

Hytbe e Qabes 26-11-1441 H   17-07-2020 D 

Shejh Usame Khajat              Tema: Rrugët e mirësive

Falenderimi i takon Allahut i cili ka bujari të madhe e jep shumë. Atë e falenderoj me falenderim që na mundëson të afrohemi sa më pranë Tij e të meritojmë vendbanimin e të lumturve.

Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut i vetëm e i pashoq. Ai zgjeh të përfshijë në mëshirën e Tij kë të dojë.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti ynë Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Vulë e profetëve dhe model i njerëzve të devotshëm.

O Allah bekoje dhe shpëtoje të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij në vazhdimësi derisa të mbetet toka e qielli dhe pasuesit e tyre të mirë deri në ditën e ringjalljes, ndarjes dhe shpërblimit.

Jini të devotshëm ndaj Allahut o rob të Allahut! Kijeni ndërmend mbikqyrjen e Allahut dhe punoni vepra të sinqerta për Të! Lum për atë që bën vepra të sinqerta për Allahun, që mundohet të afrohet për tek Ai, që i ruhet dënimit të Tij dhe që vepron atë që e pëlqen e që e kënaq Allahun. Përpiquni të shtoni sa më shumë prej punëve të mira sepse ato tek Zoti kanë shpërblim e shpresa më të mira.

O muslimanë dëshira për mirë, përpjekja e vazhdueshme për të, trokitja e dyerve të saj, lutja e Allahut për sukses e ndihmë në realizimin e cakut maksimal të saj është çështje e çdo njeriu të penduar e të ruajtur, është zakon i çdo njeriu që i fikësohet të Gjithëmëshirëshmit në fshehtësi e që kërkon të ngrihet në pozitat më të larta tek Zotij i tij i Lartë duke sakrifikuar çdo gjë të dashur që posedon.

Allahu i ka udhëzuar robërit e Tij për tek e mira, i ka nxitur që të fitojnë pjesën e tyre prej saj e të shtojnë sa të munden prej saj gjatë rrugës së tyre në takimin me Allahun, me shpresë se do të jenë banorë të banesës së bujarisë së Tij, se do të fitojnë premtimin e Tij e do të kënaqen duke parë fytyrën e tij fisnike në xhenet gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës e që është pregatitur për njerëzit e devotshëm.

Treguesit e gjerësisë së mëshirës së Allahut, mirësisë mbi robërit e Tij dhe dëshirës për të pasur mirësi shfaqen qartazi në gjerësinë dhe shumëllojshmërinë e dyerve të mirësisë me të cilat i ka urdhëruar e i ka porositur. Këto dyer ua ka treguar, e u ka tërhequr vështrimin me shpalljen që u ka zbritur me fakte e udhëzime në Librin plot urtësi dhe me atë që ka sjellë nëpërmjet profetit të Tij e që na ka mbërritur ne me zinxhir të saktë transmetimi e prej udhëzimit dhe rrugës së vërtetuar të tij (salallahu alejhi ue selem).

O rob të Allahut ato janë dyer të mirësisë të cilat qëndrojnë hapur në çdo kohë ku përfshijnë të gjithë ditët e vitit. Nuk ka muaj të vitit e të mos ketë në të ditë apo netë ku robi ka mundësi të bëjë vepra të mira të shumëllojshme me të cilat afrohet me Zotin e tij e kënaq sytë e tij me shpërblimin e mirë për to.

O Rob të Allahu u ka ardhë një periudhë kohore e nderuar e cila është prej ditëve më të dalluara. Besimtarët kanë mundësi në to të ripërtërijnë bindjen e tyre ndaj Allahut, të vijojnë bamirësi pas bamirësie, veprën e mirë me vepër të mirë dhe punën e shkëlqyer me të tjera.

Këto janë dhjetë ditët e begata e të madhëruara të muajit Dhul Hixhe të cilat janë ditët më të mira të kësaj bote dhe sezonet më të vyera të jetës. Në hadithin që transmeton imam Buhariu në sahihun e tij, dhe Ebu Daudi në sunenin e tij, ku ky tekst është i tij, nga Abdullah ibn Abas r.a se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nuk ka ditë që punët e mira të jenë më të dashura tek Allahu se në këto (dhjetë ditë), – I thanë – O i Dërguar i Allahut! As lufta në rrugë të Allahut?! – tha – As lufta në rrugë të Allahut. Vetëm një burrë i cili del e rrezikon me pasurinë dhe veten e tij e nuk kthehet me asgjë.

Ato, sipas mendimit më të saktë janë dhjetë netët për të cilat betohet Allahu i madhërishëm “Pasha agimin dhe dhjetë netët” sikurse e ka sqaruar imam ibn Rraxheb, Allahu e mëshiroftë.

Të gjitha këto tregojnë për vendin e lartë të këtyre ditëve, madhështinë e vlerës së tyre dhe pozitës së shkëlqyer të tyre.

Dyert që të çojnë drejt kënaqësisë së Allahut gjatë këtyre ditëve janë të shumta. Shtigjet e fitimit të mëshirës hyjnore në të janë të llojllojshme nëse dikush nuk mundet ta qëllojë njërin arrrin tjetrin e kush nuk mundet të bëjë një prej veprave nuk do të jetë i pamundshëm për të gjitha. E kjo është një shtysë e fortë për besimtarin që e mbart drejt mbërthimit pas vlerave dhe shfrytëzimit të kësaj mundësie për tu afruar me Zotin e tij me adhurime të shumëllojta dhe duke nxituar për tek falja dhe pëlqimi i Tij në forma të ndryshme.

Gjëja më kryesore me të cilën mund të afrohet robi me Zotin e tij gjatë këtyre ditëve është kryerja e obligimeve dhe largimi prej ndalesave sepse ky është kreu i adhurimit dhe kolona e tij. Për këtë në hadithin Kudsij të cilin e përcjell imam Buhariu në sahihun e tij prej Ebu Hurejres r.a se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu ka thënë: Robi nuk mund të afrohet më shumë me mua me diçka tjetër përveç asaj që ia kam bërë obligim.

Obligimet pastaj i pason me lloje të tjera adhurimesh vullnetare qoftë namaz, agjërim, lëmoshë, recitim kurani e mbajtje të lidhjeve farefisnore. Kjo i mundëson robit të arrijë gradën e të qenurit i dashur tek Zoti për të cilin i Dërguari i i Allahut (salallahu alejhi ue selem) sinjalizon duke treguar për zotin e Tij: Robi Im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua atë. E kur ta dua atë do jem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën prek, këmba e tij me të cilën ecën. Ai po të më kërkojë do tia jap e po të më kërkojë mbrojtje do ta mbroj.

Rob të Allahut, të adhuruarit e Allahut me dhikër gjatë këtyre ditëve zë vend të veçantë dhe pozitë të lartë. Kjo sepse dhikri është puna më e mirë e më e pastër tek Allahut i madhërishëm sikurse përshkruhet në hadithin e përcjellë prej imam Ahmedit në musnedin e tij, Tirmidhiu dhe ibn Maxheh në synenet e tyre me zinxhir të saktë prej Ebu Derdasë r.a i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë; A t`ju tregoj më të mirën e veprave tuaja, më të pastërtën e tyre tek Sunduesi juaj, më të lartën në grada për ju që është më e mirë për ju se shpenzimi i arit e i argjendit dhe më e mirë për ju se të përballeni me armikun tuaj ku të godisni qafat e tyre e ata t`u godasin qafat tuaja?! Ata thanë po. Ai tha: Përmendja e Allahut.

Imam Muslimi në sahihun e tij shënon se e Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Paraprinë ‘muferidunët’. Të pranishmit thanë: Kush janë ‘muferidunët’ o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë.

Kur kjo është pozita e përmendjes së Allahut në ditët normale atëherë gjatë këtyre ditëve o rob të Allahut ajo është më e nderuar dhe më madhështore. Përmendja e veçantë e dhikrit në këto ditë tregon pozitën madhështore të tij ndër të gjitha veprat e tjera. Imam Ahmedi në musnedin e tij transmeton nga ibn Umeri r.a se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nuk ka ditë më madhështore ku veprat e mira të jenë më të dashura për Allahun se vepra e mirë në këto dhjetë ditë. Kështu që shtoni sa më shumë gjatë tyre tehlil (la ilahe ilallah), tekbir (Allahu Ekber), tahmid (El hamdulilah).

Imam ibnul Kajim ka thënë: Për çdo gjymtyrë ka një adhurim të përcaktuar në kohë përveç dhikrit. Dhikri është adhurimi i zemrës e i gjuhës dhe është i papërcaktuar në kohë. Njerëzit janë të urdhëruar ta përmendin të Adhuruarin dhe të Dashurin e tyre në çdo gjendje; në këmbë, ulur dhe shtrirë. Dhikri është lartësuesi, pastruesi dhe mjekuesi i zemrave kur ato i mbulon sëmundja. Robi që përmend Allahun shumë, sa më shumë të angazhohet me dhikër aq më shumë e shton dashurinë dhe mallin për takimin me Të. Nëse zemra me gjuhën përputhen në dhikër atëherë robi harron çdo gjë përbri përmendjes së Allahut. Allahu kujdeset për çdo gjë të tij dhe do të ketë kompesim për çdo gjë. Dhikri është vulë e veprave të mira sikurse është edhe çelës i tyre. Ai është shoqëruesi i përhershëm dhe shpirti i tyre. E kur ato janë pa të mbeten si trup pa shpirt. Përmendja që robi i bën Zotit të tij është e mbuluar me dy përmendje të Zotit të tij për të; Përmendje përpara tij me të cilin robi ka mundur të jetë përkujtues dhe përmendje pas me të cilin robi ka mundur të jetë i përkujtuar.

Allahu thotë: “Prandaj, më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj.” (El Bekare; 152)

Allahu, sipas asaj që përcjell i Dërguari i tij (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush më përkujton në veten e tij unë e përmend atë në veten Time. Kush më përmend në një kuvend Unë e përmend atë në një kuvend më të mirë se ai.

Çdo vepër e mirë gjatë këtyre ditëve është e dashur e kërkuar dhe përfshihet në premtimin e bukur e në mirësitë bujare. Ky dhjetë ditësh nuk është i fokusuar vetëm në një lloj adhurimi. Ato janë pistë për të garuar në vepra të mira dhe mejdan i gjerë për ato që mbeten e do jenë të vlefshme për më vonë. Aty bëjnë garë garuesit dhe përpiqen të përkushtuarit. Ata për të shkuar tek Allahu ndjekin rrugë të llojllojshme.

Disa prej tyre zgjedhin si kreun e rrugës së tyre rrugën e dijes e mësimdhënies. Për të e harxhon kohën që të arrijë fytyrën e Allahut. Ai vazhdon i qëndrueshëm në rrugën e dijes e të mësimdhënies derisa të arrijë nëpërmjet saj tek Allahu. E atij i çelet kjo rrugë në mënyrë të posaçme.

Ka njerëz që kreun e punëve të tyre kanë përmendjen e Allahut. Atë e marrin si zahire për udhëtimin e tyre për në botën tjetër dhe kapitalin kryesor për përfundimin e tij. Një njeri i tillë kur ndalet apo e lë mangët dhikrin e ndjen veten si të humbur.

Disa njerëz kreun e veprave dhe rrugën e tyre kanë namazin. Nëse tregon mangësi në lidhje me masën e bërë traditë prej tij, apo ka kaluar një kohë që ai nuk angazhohet me shtim vullnetar të namazit, koha në këtë rast i duket errësirë e i ngushtohet kraharori.

Disa njerëz kanë rrugë bamirësinë dhe ndihmesën e të tjerëve; si shlyerjen e nevojave, largimin e brengave, ndimesën e të vobektëve dhe lloje të ndryshme të sadekasa. Atij i është dhënë sukses e i është lehtësuar kjo rrugë për tek Zoti i tij.

Disa njerëz kanë rrugë recitimin e Kuranit. Ai dominon në kohën e tij dhe atë ka angazhimin më të madh.

Disa njerëz rrugë të tyre kanë agjërimin saqë ata kur e çelin iftarin i ndryshon zemra dhe ndihen keq.

Disa rrugë të tyre kanë Haxhin dhe Umren.

Disa rrugë të tyre kanë ndërprerjen e lidhjeve të kota, unifikimin e ambicjes dhe ndjesinë e vazhdueshme të mbikqyrjes së Allahut, kujdesi për mos lëndimin e të tjerëve dhe kujdesja për kohën të mos shkojë dëm.

Disa arrijnë ti përmbledhin të gjitha këto shtigje. Nxiton për tek Allahu përmes çdo lugine, përpiqet të hyjë në çdo rrugë. Llojet e adhurimit të Allahut një njeri i tillë i ka bërë kiblen e zemrës së tij, i ka para syve, i ndjek kudo që të jenë dhe ecën me to kudo që ta shpien. Ai ka goditur çdo grup me nga një shigjetë. Atë e gjen kudo që të jetë adhurimi. Po të jetë dituri e gjenë me poseduesit e saj, apo namaz e gjen me ata që qëndrojnë gjatë në këmbë, apo dhikër e gjen me ata që përmendin Allahun, apo bamirësi dhe ndihmesë e gjen mes bamirësve, apo mbikqyrje, dashuri e kthim tek Allahu e gjen mes të tillëve. Një njeri i tillë zgjedh të jetë në fenë e robërisë ndaj Allahut kudo që ndalen mbartësit e saj dhe drejtohet drejt saj kudo që të qëndrojnë zbatuesit e saj. Ky është robi që me të vërtetë ecën drejt Zotit të tij.

Kijeni frikë Alalhun o rob të Allahut dhe përfitoni sa të mundeni prej këtyre ditëve të begata. Kujdesuni për to si duhet duke u kujdesur për përmendje sa më shumë ndaj Allahut, ta falenderoni e ta adhuroni Atë sa më bukur. Bëni kujdes mos e humbisni shansin në to pa shfrytëzuar mundësinë e të neglizhoni arritjen e premtimit të bukur për to.

Allahu na bëftë dobi me udhëzimet e Librit të Tij dhe me traditën e profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem).

Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut të Madhërishëm e të Lartë për vete, për ju e për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahu. Ai është Falësi e Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Falenderimet i takojnë Allahut, Atë e falenderojmë, i kërkojmë ndihmë dhe falje. Allahut i lutemi të na mbrojë prej së keqes në vetet tona e prej së keqes në punët tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka kush e humb e atë që Allahu e lë në humbje nuk ka kush ta udhëzojë përveç Tij.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut, i vetëm e i pashoq.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i tij. o Allah ngreje lart dhe shpëtoje robin dhe të dërguarin tënd Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij.

Rob të Allahut, vlerësimi i këtyre dhjetë ditëve të begata ndaj ditëve të tjera të vitit ka shkak të cilin na e ka sqaruar Hafidh ibn Haxher me fjalët e tij: Duket se shkaku që i bën këto dhjetë ditë të muajit Dhul Hixheh më të dalluara se ditët e tjera është tubimi i adhurimeve kryesore në to si namazi, agjërimi, sadekaja dhe haxhi. Një gjë e tillë nuk është e mundur në ndonjë kohë tjetër.

Allahu ka vendosur në shpirtrat e besimtarëve përmallim për të parë Shëpinë e Shenjtë të Tij dhe duke qenë se jo çdokush ka mundësi ta shohë atë për çdo vit e ka bërë obligim haxhin për atë që mundet një herë të vetme në jetë. Ndërsa sezonin e dhjetë ditëve e ka bërë të përbashkët për ata që shkojnë në haxh dhe për ata që nuk shkojnë. Ai i cili nuk mundet të shkojë në haxh ka mundësi të bëjë vepra të mira

në shtëpinë e tij gjatë këtyre dhjetë ditëve ku veprat e mira janë më të vlefshme se xhihadi i cili është më i mirë se haxhi.

Kështu që ata që janë privuar nga nderi i qëndrimit në Arafat për shkak të kësaj pandemie le të qëndrojë përpara Allahut me nderin e përgjërimit, dashurisë, ngrohtësisë dhe njohjes. Kush privohet prej kalimit të natës në Muzdelife atëherë le të përpiqet të afrohet me Zotin e tij në çdo kohë duke falënderuar Allahun për çdo arritje.

Ai i cili është izoluar në shtëpinë e tij për shkak të epidemisë atëherë le ta paraqesë hallin e tij tek Zoti i Shtëpisë sepse të mirat e Tij nuk mbarojnë e dora e Tij është e shtrirë plot mirësi e bujari.

Kush dëshiron të afrohet me Zotin e tij duke bërë kurban ditën e kurbanit le të afrohet me Zotin e tij duke mos prerë asgjë prej thonjëve e prej flokëve të tij derisa të bëjë kurbanin për të zbatuar fjalën e Profetit (salallahu alejhi ue selem) i cili ka thënë: Kur hyn dhjetë ditëshi dhe dëshiron dikush prej jush të bëjë kurban atëherë le të mos presë asgjë prej flokëve dhe trupit të tij. Transmeton Muslimi.

Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut dhe përkujtoni mirësinë e Tij mbi ju që ka bërë për ju sezone të jetës dhe ditë të çmuara ku mund të kryeni adhurime me të cilat kënaqni Zotin tuaj, qetësoni zemrat tuaja, pastroni shpirtrat tuaj e zbukuroni jetët tuaja.

Kujtojeni vazhdimisht se Allahu i lartësuar ju urdhëron të dërgoni salavate e selame mbi më të mirin e njerëzve duke thënë në ligjërimin më të vërtetë e në fjalët më të bukura: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah shpëtoje Muhamedin, familjen e Muhamedit ashtu sikurse ke shpëtuar familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre, mbi bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve dhe mbi ata që zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! Ti je më i miri tolerues e më i miri falës.

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

Mbroje fenë, shkatërroi armiqtë e fesë dhe tërë tiranët e shkatërrimtarët. Bashkoji zemrat e muslimanëve, forcoi rradhët e tyre, përmirësoi udhëdheqësit e tyre dhuroi atyre unitet rreth të vërtetës o Zot i botëve!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë, luftëtarë e të sinqertë!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë!

Ndihmoje në të vërtetetën prijësin dhe udhëheqësin tone. Mundësoji atij të ketë shpurë të vlefshme.

O Allah jepi sukses në atë që ti do dhe kënaqesh o dëgjues i lutjes!

Jepi sukses Atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është më e mira për islamin dhe muslimanët dhe jepi sukses në atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin! Tek ty është përfundimi ditën e Kthimit!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën. Na mbro prej poshtërimit në këtë botë e prej ndëshkimit në botën tjetër!

O Allah na e rregullo fenë e cila është baza e tërë çështjeve tona, na e rregullo dunjanë tonë në të cilën ne jetojmë, na e rregullo ahiretin tonë tek i cili do të jetë përfundimi jonë. Bëje jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje!

O Allah mos na largo mirësitë e tua, mos na e largo faljen tënde, na ruaj prej ndëshkimin të papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt!

O Allah shëroi të sëmurët tanë, mëshiroi të vdekurit tanë, na i plotëso ëndrrat tona nëse janë të kënaqshme për ty, na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira!

O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!

O Allah largo prej nesh çdo sëmundje, bela e epidemi. O Allah largo prej nesh e prej muslimanëve çdo sëmundje, çdo bela e çdo epidemi!

O Allah na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën. Na mbro prej poshtërimit në këtë botë e prej ndëshkimit në botën tjetër!

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona e nëse ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve!

O Allah na mbro prej armiqve të Tu e armiqve tanë me çfarë të dëshirosh o Zot i botëve!

O Allah ti lëmë Ty të merresh me armiqtë e tu e me armiqtë tanë, na mbro prej sherrit të tyre!

O Allah mos na merr në përgjegjësi për atë që harrojmë e gabojmë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, dhe mbi gjithë shokët e tij. Falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve!

 

Post Author: endrit