Hutbeja e xhumasë Mekë
13.Dhul Hixheh.1439/24.8.2018
Sinqeriteti, baza e çdo vepre të mirë
Salih ibn Abdilah ibn Humejd
Falënderimi i takon Allahut, mëshira e të Cilit ka kapluar çdo gjë, mirësitë dhe begatitë e të Cilit janë derdhur mbi ne!
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut, Një i Vetëm dhe i pashoq!
Dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij! Ai ftoi në rrugë të Allahut derisa dëshmia e njehsimit u lartësua lart.
Paqja, bekimet dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në ditën e fundit.
Të nderuar besimtarë! Këshilloj veten dhe ju, që ta kini frikë Allahun dhe të kujdeseni për diçka të tillë dhe dijeni se ju do të takoheni me Të, ndaj zgjohuni prej hutimit e pendohuni, largohuni prej gjynaheve, se i lumtur do jetë ai që pendohet prej gjynaheve!
I fituar është ai që qëndron larg gjynaheve. Dijeni se nuk jeni të përjetshëm në këtë dynja dhe prej vdekjes nuk do gjeni shpëtim, ajo do ju gjejë kudo që të jeni.
“O besimtarë! Mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin”, Munafikunë 9.
të nderuar haxhilerë! Më në fund i përfunduat ritet e Haxhit, Zoti e pranoftë prej nesh e jush, ua faltë gjynahet, ua shpërbleftë mundin tuaj, qofshi nën mbrojtjen e Allahut dhe u kthefshi shëndoshë e mirë tek familjet e juaja!
Të nderuar haxhilerë! Pa dyshim që ju jeni përpjekur për të kryer vepra sa më të mira dhe lutje sa më adeptë, në këto vende të bekuara.
Zoti i gjithësisë thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi dhe as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj”, Haxh 37.
Dhe thotë: “Po kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij”, Haxh 32.
“Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria”, Bekare 197.
Ajo që duhet të përpiqet të realizojë myslimani, është devotshmëria e cila është ndër veprat që kanë lidhje me zemrën.
Kjo vepër e zemrës është ndër bazat më të mëdha të besimit, si: dashuria për Allahun dhe për Profetin e Tij, Muhamedin, të mbështeturit tek Allahu dhe zbatimi i fesë vetëm për Të, të duruarit në gjykimin e Tij, frika prej Tij, si dhe shpresa në Mëshirën e Tij.
Thotë Profeti a.s: “Në trupin e njeriut gjendet një copëz mishi, nëse ajo është në rrugë të mbarë, i gjithë trupi është në rrugë të mbarë, e nëse ajo ligësohet, mbarë trupi ligësohet, ajo është zemra.”
Të nderuar haxhilerë! Dijeni se ajo që e mban të shëndetshme një zemër, është sinqeriteti.
Lutja e Profetit tuaj a.s ka qenë: “O Zot! Mundësona ta kryejmë Haxhin pa syfaqësi e pa famë, Ibn Maxheh.
Sinqeriteti është baza e kësaj feje, është ftesa në të cilën ftuan mbarë Profetët: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër”, Bejineh 5.
“Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë!”, Zumer 3.
“Andaj lutuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të”, Gafir 14.
Sinqeritet do të thotë që çdo vepër dhe lëvizje, ta bësh për Allahun, dhe shenjë e tij është që personi i sinqertë i fsheh veprat e tij të mira dhe s’ka dëshirë që dikush t’i di askush.
Të sinqertit nuk i pëlqen që njerëzit të dinë qoftë dhe një grimcë të veprave tij të mira, sikurse nuk i bën përshtypje nëse nuk merr vlerësim dhe pozitë nga njerëzit.
Të diturit kanë thënë: “I sinqerti nuk ka syfaqësi, i drejti nuk ka vetëpëlqim.”
Sikurse kanë thënë: “Sinqeriteti nuk është i vlefshëm pa vërtetësinë, po ashtu dhe vërtetësia nuk është e vlefshme pa sinqeritet, e këto të dyja nuk kompletohen pa durim.”
Ka thënë Umer ibn Hatabi r.a: “Kush e pastron nijetin e tij, Allahu vendos perde mes tij dhe njerëzve.”
Ka thënë Sufjan Theuriu r.h: “Nuk kam kuruar gjë më të vështirë se nijetin, sa herë e rregulloja më prishej rrugës.”
Thotë Ebu Sulejman Ed’daranij: “Lum për atë person që hedh qoftë dhe një hap të vetëm, duke synuar vetëm Allahun e Madhëruar.”
Thotë Ejub Es’sahtijanij: “S’ndodh kurrë që njeriu të jetë i sinqertë dhe të pëlqejë dhe famën.”
Thotë Mutebhri Esh’shihijr: “Mjafton si lavdërim për veten që ta injorosh atë në mesin e njerëzve, sikur kërkon ta lartësosh me këtë injorim.”
Domethënë se njeriu flet keq për veten e tij në publik, duke kërkuar t’u tregojë njerëzve se sa modest është, ndërkohë që synon lavdet e tyre.
Të nderuar besimtarë! Sinqeriteti është shkak i shumëfishimit të shpërblimit të një vepre, edhe nëse ajo është e vogël.
Imagjinoni hadithin ku Profeti a.s flet për një grua izraelite e cila ishte imorale, mirëpo e hoqi këpucën, e mbushi me ujë dhe i dha për të pirë qenin që po ngordhte nga etja dhe Allahu e fali vetëm prej kësaj vepre të mirë.
Apo hadithi i atij njeriu që po ecte në rrugë dhe pa një ferrë, e largoi nga rruga dhe Zoti e shpërbleu për këtë vepër duke e falur.
Apo hadithi i atyre tre personave që u izoluan në shpellë, apo hadithi i atij njeriut që vjen me një kartë të vogël në ditën e kiametit, ndërsa përballë saj 99 libra me vepra të këqija, aq sa kaplon shikimi i njeriut, por pasi vendosen në peshore, i fluturon tutje karta në të cilën ndodhen dy dëshmitë e shehadetit, Hakimi.
Apo hadithi ku Ebu Hurejre e pyet Profetin a.s: -Kush do ketë fatin që të përfitojë nga ndërmjetësimi jot në ditën e kiametit?
Profeti i thotë: -Kush thotë me sinqeritet “Lailahe il-laAllah”, Buhariu.
Në lidhje me këto hadithe e të tjera, thotë Shejhul Islam ibn Tejmijeh r.a: “Kjo u takon atyre që veprën e bëjnë për hir të Allahut të madhëruar, si hadithi i kartës, sepse gjynahqarët me gjynahe të mëdha, që nuk kanë qenë të sinqertë në thënien e një fjale të tillë, do flaken në zjarr, apo gruaja imorale që i dha për të pirë qenit, ajo e bëri me besim në Allahun, se jo çdo imorale që i jep për të pirë ndonjë qeni i falen gjynahet, po ashtu dhe personi që largon një ferrë apo pengesë prej rruge, këtë e ka bërë me besim në Zotin.
Thotë sërish: “Besimi vlerësohet e lartësohet mbi bazë të asaj që gjendet në zemër.”
Transmeton Amar ibn Jasir se Profeti a.s ka thënë: “Njeriu përfundon së faluri dhe nga namazi i tij i shkruhet, gjysma, një e katërta, një e treta, derisa tha një e dhjeta.”
Nga kjo kuptojmë se shlyerja dhe falja e mëkateve arrihet në bazë të pranimit të veprave dhe Zoti nuk i pranon veprat vetëm se nga të devotshmit.
Të nderuar besimtarë! Ndër gjërat që ndihmojnë sinqeritetin është dhe besimi i drejtë, të qenit i sinqertë në adhurim, apo namazi i natës, lëmosha e fshehtë, dhikri i vazhdueshëm, shoqërimi me të devotshmit dhe përpjekja në këtë rrugë.
“Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht Ne do t’i udhëzojmë drejtë udhëve Tona. Vërtetë Allahu është me punëmirët”, el Ankebutë 69.
Nga mirësia e Zotit është dhe fakti se veprat e zakonshme të njeriut, shndërrohen në adhurime të shpërblyeshme, kur shoqërohen nga nijeti i sinqertë, qoftë e ngrëna, gjumi, udhëtimi, shitblerja etj., kur bëhen për të arrirë kënaqësinë e Allahut, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve, apo për t’u forcuar në adhurime.
“Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj madje edhe më tepër. Disa njerëz thonë: “Zoti ynë! Jepna të mira në këtë botë! Por për këta s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë, na jep të mira dhe në botën tjetër, dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”, el’Bekare 200-201.
Kjo ishte ajo që kisha për të thënë, Zoti na bëftë të përfitojmë nga urtësitë që gjenden në Kuranin Famëlartë e në synetin Profetik, faljen e Tij kërkoj për vete, për ju, për çdo gjynah tonin, ndaj kërkojini falje Atij, se vërtetë Ai është Falës i Madh!
Falënderimet qofshin për Allahun, Shpërblyesin e vepërmirëve, përgjigjësin e lutjeve, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i Pashoq, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, i dërguar me fenë më të plotë dhe me librin më të drejtë!
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij të ndershme, shokët e tij eminente si dhe mbi çdo ndjekës dhe pasues, së rrugës së tij!
Të nderuar besimtarë! Pavarësisht se sa i rëndësishëm është sinqeriteti, por Zoti ka ligjëruar vepra publike të cilat shpërblehen sipas nijetit, ndër to po veçojmë: lëmoshën, faljen e namazit me xhematë, kryerja e Haxhit, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, të gjitha këto vepra edhe pse bëhen publikisht, nuk bien në kundërshtim me sinqeritetin.
Të gjitha këto nuk ndikojnë tek sinqeriteti, pasi vendi i tij është zemra, madje as lavdet e njerëzve nuk ndikojnë tek sinqeriteti.
Profetit a.s i thanë: -O i dërguar i Allahut! Si qëndron puna e njeriut që bën vepra të mira, por dhe lavdërohet nga njerëzit?”
Ai tha: -Ky është përgëzim i shpejtuar për besimtarin,- Mutefekun Alejhi.
Kini frikë, o robër të Allahut, o ju haxhinj që ua mundësoi Zoti të kryeni këto rite, mos i harroni këto mirësi.
Ju jeni dëshmitarë të shërbimit, impenjimit dhe interesimit që u bëhet haxhinjve në këto treva, të cilat i nderoi Allahu, vend e qeveri, udhëheqje e popull, duke shpenzuar gjithçka munden, vetëm e vetëm që vizitorët e dy xhamive të Shenjta t’i kryejnë sa më komodë ritet në to.
E gjitha kjo bëhet vetëm e vetëm për hatër të Allahut, larg reklamave mediatike, apo përfitimeve ekonomike.
E gjitha kjo në kuadër të projekteve të mirëmenaxhimit dhe mbarëvajtjes së kryerjes së këtyre riteve në dy xhamitë e Shenjta.
Për të gjitha këto mirësi, falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Allahu e pranoftë prej nesh dhe jush, e lartësoftë Islamin dhe ithtarët e tij, si dhe i bashkoftë myslimanët në një fjalë të vetme!
Dërgo salavatë mbi vulën e profecisë, dhuratën më të bukur, Profetin tuaj Muhamedin a.s, për këtë na urdhëron Zoti ku thotë: “Allahu bekon Profetin e Tij, edhe melaiket luten për të, o ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selam të pandarë!”
Zot bekoje, batoje e jepi mirësi pafund, robit dhe Profetit Tënd të përzgjedhur Muhamedit a.s, familjes tij të ndershme, bashkëshorteve të tij që janë nëna për besimtarët, katër kalifëve të drejtë, Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut, si dhe mbi mbarë sahabët dhe ata që e ndoqën rrugën e tyre, përfshina dhe ne me ta me Mëshirën Tënde të gjerë!
Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroji mosbesimtarët dhe të padrejtët, shkatërroji armiqtë dhe agresorët!
Zot na dhuro siguri në trevat tona, udhëzoje udhëheqjen dhe përfaqësuesit tonë, bëj që të sundohemi nga njerëz që të kanë frikë Ty!
Zot udhëzoje prijësin tonë, zëvendësin e tij, bashkëpunëtorët e tyre, drejtoji në atë që është më e mirë për Islamin dhe myslimanët, shpërbleji për organizimin dhe lehtësimin e kryerjes së haxhit!
Udhëzoji mbarë prijësit e trevave Islame për në gjykimin me librin Tënd dhe synetin e Profetit Tënd, bashkoji në ato vepra që Ti je i kënaqur!
Zot përmirësoje gjendjen e myslimanëve kudo ndodhen, përmirësoji moralet e tyre, riktheji në besimin e drejtë me rikthim të vërtetë, ruaje gjakun e tyre, nderin e tyre, siguroji në vendet dhe trevat e tyre, jep bollëk në shtetet e tyre!
Zot pranoje Haxhin prej haxhilerëve, shpërbleji për të dhe për përpjekjen e tyre, falua gjynahet, ktheji në trevat e tyre shëndoshë e mirë!
Zot shëroji të sëmurët tanë, lehtësojua të sprovuarve tanë, mëshiroji të vdekurit tanë!
Zot ne u treguam të padrejtë me vetet tona, e nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron, padyshim që do jemi prej të humburve!
Zot na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe na mbro nga dënimi i zjarrit!
I Lartësuar qofsh Ti o Zot nga ajo që të mveshin Ty, paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutjet tona të fundit është se falënderimi të takon vetëm Ty!