Trashëgimia Islame – Dr. Ikrime Sabri – 24.08.2018

Hutbeja e Aksasë

13.Dhul Ka’deh.1439  24.8.2018

Dr.ikrime Sabri

Falënderimet i takojnë Allahut Zotit të botëve, Zotit të gjithësisë! Atë e falënderojmë, prej Tij falje, ndihmë e mëshirë kërkojmë!

Ty të adhurojmë Zoti ynë, Ti je Krijuesi e ne jemi krijesat e Tua, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje, përkulja, nënshtrimi si dhe dorëzimi është vetëm për Ty.

i Lartësuar qofsh Ti, Ti je shpresa e besimtarëve, Ti je Mbështetësi i luftëtarëve, Ti je poshtëruesi i zullumqarëve, Mposhtësi i tradhtarëve dhe pushtuesve.

Dëshmojmë se Ti je një dhe i vetëm, i Cili ke thënë: “E të cilët kumtuan shpalljet e Allahut dhe i frikësoheshin Atij e askujt tjetër përveç Allahut. Allahu mjafton si Llogaritës”, Ahzabë 39.

Zot na i ndriço zemrat, na e kthjello dëgjimin, na e ndriço shikimin, na e ndriço rrugën tonë!

Zot na i lehtëso punët tona, bashkoji forcat tona, ruaje gjakun tonë, Ty ta kemi lënë në dorë këdo që na ka bërë keq e padrejtësi!

Dëshmojmë se zotëria ynë, shembulli ynë, prijësi ynë, i dashuri ynë dhe ndërmjetësuesi ynë Muhamedi a.s, është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, ai ka thënë: “Jepjani të drejtat që u përkasin trashëgimtarëve!”

Në një tjetër hadith thotë: “Zoti, i ka caktuar gjithsecilit të drejtën trashëgimore, ndaj nuk ka testament për trashëgimtarin.”

Bekimet e Zotit qofshin mbi ty, o i dërguar i Zotit, mbi familjen tënde të ndershme, shokët e tu eminentë e besnikë, si dhe mbi këdo që ndjek udhën dhe metodën tënde, lufton e përpiqet sikurse luftuat deri në ditën e kiametit.

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore!” Ahzab 70-71.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu pra Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta që ata të ruhen nga të këqijat”, Bekare 189.

Thotë: “Këta janë kufijtë e caktuar prej Allahut. Ai që i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, Ai e shpie në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe. Ndërsa Ai që nuk i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, si dhe shkel kufijtë e vendosur prej tij, Allahu e shpie në zjarr, ku do të qëndrojë përherë dhe për ta ka ndëshkim poshtërues”, Nisaë 13-14.

Dhe thotë: “Këta janë kufijtë që ka caktuar Allahu, e për jobesimtarët do ketë një dënim të dhimbshëm”, Muxhadele.

Thotë po ashtu: “Këta janë kufijtë që ka caktuar Allahu, e kush i shkel kufijtë e vendosur prej Tij, nuk i bën padrejtësi vetëm se vetes së tij”, Talak.

Të nderuar besimtarë! Dikush me të drejtë do të pyeste: “Përse në hytben e xhumasë po trajtojmë temën e trashëgimisë?”

Përgjigja është: Për dy shkaqe elementare të rrezikshme.

Arsyeja e parë është ftesa për në barazi, barazia mes mashkullit dhe femrës në aspektin e trashëgimisë, duke lënë mënjanë Kuranin Famëlartë, madje duke sfiduar dhe Zotin e gjithësisë.

Një fushatë e tillë ka nisur para disa ditëve në Tunizi, nga njerëz sekularistë, të cilët kërkojnë të anashkalojnë dispozitat islame.

LEXO  Mesazhe mbështetjeje për popullin e Gazës dhe qortim për botën Islame

Arsyeja e dytë është ajo që po ndodh në këto kohë në Palestinë, duke i privuar vajzat nga trashëgimia.

Të nderuar besimtarë! Këto dy çështje, janë kundërshtuese me njëra-tjetrën, njëra në një skaj e tjetra në skajin tjetër, por që të dyja i bashkon një gjë e vetme: Kundërshtimi i Zotit dhe i të dërguarit të Tij.

Këto pretendime dhe fushata, janë të qëllimshme, por të refuzuara dhe të përbuzura.

Të nderuar besimtarë! Shkenca e trashëgimisë islame, është e vetmja shkencë e shpjeguar në detaj në Kuranin Famëlartë, dhe kjo si për të treguar rëndësinë e trashëgimisë në ndarjen e saktë.

Ndërkohë që shkencat tjera janë përmendur të përgjithshme, ndërsa shpjegimin e tyre e ka marrë përsipër profeti Muhamed a.s, nëpërmjet synetit të tij, qoftë në kapitullin e adhurimeve, marrëdhënieve sociale, penalitete e mbarë kapitujt që trajtojnë dispozitat fetare.

Të nderuar vëllezër! Në shoqëri ka 12 kategori njerëzish të cilët quhen trashëgimtarë të rregullt, por 8 prej tyre i përkasin gjinisë femërore dhe vetëm 4 i përkasin gjinisë mashkullore, ndaj në ndarjen e trashëgimisë, femrat trashëgojnë më shumë se meshkujt.

Për sa i përket vëllait dhe motrës, është e vërtetë se vëllai trashëgon dyfishin e motrës, sikurse thotë Allahu: “Mashkullit i takon trashëgim sa dy femra” Nisa 176.

Sekularistët kapen pikërisht pas këtyre dy ajeteve, duke mos u marrë fare se cilët janë meritorët e trashëgimisë dhe pa u përpjekur për të kuptuar fare urtësitë e një dispozite të tillë.

Të nderuar besimtarë! Për të sqaruar arsyen se përse vëllai trashëgon dyfishin e trashëgimisë së motrës them: obligimet financiare që kërkohen prej një mashkulli, janë më të shumta nga ajo që kërkohen prej një femre.

Psh: Motra merr mehër (diçka materiale që ja kërkon burrit para martese), ndërkohë që vëllai paguan për diçka të tillë.

Në të gjitha aspektet e jetës, prej mashkullit kërkohen shpenzim, ndërkohë që një gjë e tillë nuk kërkohet prej femrës, Zoti kështu i ka caktuar, dhe Ai s’i bën padrejtësi askujt, por është njeriu që i bën padrejtësi vetes duke u larguar nga urdhrat e Allahut.

Të nderuar myslimanë! Nëse në një kompani një burrë i martuar do paguhej më shumë se një beqar, kjo nuk do tregonte medoemos se është më i mirë nga beqari, por se kërkesat e tij janë më të shumta.

Ata të cilët bërtasin me të madhe në emër të barazisë gjinore, nuk janë tjetër vetëm se sekularistë dhe njerëz afetarë.

Allahut i takon drejtësia absolute dhe larg padrejtësisë është Ai.

Myslimani duhet të ketë kujdes e të mos u vërë veshin të tilla pretendimeve perëndimore, pas të cilave fshihet dora masonike që synon përçarjen e myslimanëve.

Vëllezërve tanë Tunizianë kisha për t’ju thënë: Flakini tutje të tilla mendime, dilni në ballë e ndalojini të tilla nisma, tregoni bindjen tuaj ndaj Allahut dhe të dërguarit të tij, mos e harroni kurrë se ju jeni nipërit e atyre që e çliruan Afrikën duke futur në të islamin. Kjo në lidhje me arsyen e parë, dhe Zoti është Dëshmitarë që unë e bëra detyrën e përcjelljes.

LEXO  Punoni me besim për të arritur gradën e të sinqertëve

Vëllezër dhe motra besimtare! Në lidhje me arsyen e dytë, ku vëllai privon motrën prej të drejtës së saj që ka në trashëgiminë e babait të saj do thosha: Është e drejtë e motrës që të kërkojë atë që i takon prej pasurisë së babit të saj.

Për fat të keq, vërejmë në këto ditë se vëllai përpiqet ta privojë nga trashëgimia, me të gjitha format, e veçanërisht kur ajo është e martuar, me pretekstin se pasuria e familjes nuk duhet t’i shkojë një familjeje tjetër.

Këtij vëllai do i thosha: Vendimet e Zotit duhet të zbatohen, dhe në lidhje me këtë çështje ato janë të qarta dhe s’ka vend për diskutim.

Ndarja e pasurisë në mesin e njerëzve është një revolucion ekonomik, është një ndihmesë që i bëhet shoqërisë, duke sulmuar varfërinë dhe duke ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë tek të tërë.

Vëllezër dhe motra! Para disa kohësh më erdhi një djalosh dhe më tha: -Babai im para se të vdiste, të gjitha pasuritë e tij m’i shkroi mua duke privuar motrat e mia, unë dëshiroj të di se si duhet të veproj?

I thashë: Mos e zbato padrejtësinë e babait tënd, por zbato ligjin e Zotit, e kështu mund ta ndihmosh babain duke e shpëtuar prej dënimit të varrit dhe më gjerë, e në të kundërt, ti do jesh bashkëpunëtor i tij në këtë veprim.

Vëllezër besimtarë! S’ka gjë më të pështirë se të privosh femrën nga e drejta trashëgimore, një e drejtë e ligjëruar prej Zotit mbi shtatë palë qiej, mjerë për atë që e privon, mjerë për atë që gllabëron pasurinë e bashkëshortes së tij!

Mjerë për atë që kërkon të shkelë këto të drejta sheriatike dhe të tjera çështje të qarta, qoftë ky individ, shoqëri apo më gjerë dhe qeveri!

“Jo për Zotin , ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar përkundërshtitë e tyre, e pastaj të mos ndiejnë asnjëfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht” Nisaë 65.

Lutuni Zotit duke qenë të bindur se do t’ju përgjigjet!

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, salavatet qofshin mbi më të mirin e Profetëve Muhamedin a.s!

Zot begatojë zotërinë tonë Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, sikurse e begatove zotërinë tonë Ibrahimin dhe familjen e tij!

Bekoje zotërinë tonë Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove zotërinë tonë Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Lavdëruari dhe i Lavdishmi!

Të nderuar besimtarë! Para se ta mbyll hytben e xhumasë, dëshiroj të vë theksin në disa pika:

Ne jemi në ditën e katërt të bajramit, cfarë do të thotë se tekbiret vazhdojnë deri në perëndimin e kësaj dite, ndaj do bëjmë tekbire.

E dyta: Haxhilerët, sapo kanë përfunduar ritet e Haxhit, ata bëhen gati të kthehen në trevat e tyre, ndaj u themi: Zoti ua pranoftë Haxhin dhe sakrificën, ua faltë gjynahet, qoftë rrugëtimi juaj i begatë si dhe u kthefshi shëndoshë e mirë pranë familjeve tuaja!

Sikurse kisha për të përcjellë tre mesazhe: i pari është çelja e një zyre të brendshme në zonën Kalendija në veri të Kudsit dhe zonat përreth saj.

LEXO  Lavdia dhe siguria e umetit në unitet dhe besim

Në këtë zyrë gjendet dhe media për të vëzhguar nga afër gjendjen e atyre zonave dhe kjo me lejim të forcave pushtuese.

Këto janë procedura normale, por duhet pasur kujdes dhe nuk duhet harruar armiqësinë dhe intrigat e pushtuesve, ndaj u drejtohemi vëllezërve tanë atje: Jini të vëmendshëm dhe sy hapur në marrëdhënien tuaj me këtë zyrë.

“Përkujto se përkujtimi u bën dobi besimtarëve!”.

Të nderuar besimtarë, banorë të kësaj toke! Mesazhi i dytë ka të bëjë me rrethimin dhe bllokadën e Gazës.

Ne kemi kërkesë të drejtpërdrejtë dhe të qartë: të hiqet rrethimi detyrimisht, ndaj Gazës, pasi nuk lejohet torturimi i dy milion banorëve për inat të një partie apo çete.

Allahu i Madhëruar thotë: “Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit” Fatir 18.

A nuk na mjafton rrethimi i pushtuesve por duhet të rrethojmë dhe njëri-tjetrin? Ne kërkojmë që bllokada të hiqet, dhe të jetë ky një hap drejt unifikimit dhe kontributit në të njëjtën rrugë.

Të nderuar besimtarë! Mesazhi i tretë ka të bëjë pikërisht me xhaminë Aksa.

Përpjekjet e pushtuesve për mbylljen e disa dyerve të xhamisë Aksa, është diçka e palogjikshme dhe e papranueshme.

Nuk ka shtet në botë që mbyll dyert e tempujve të adhurimit, apo pengon njerëzit nga adhurimet në to, por kjo dhe njëherë vërteton se këta janë thjesht pushtues dhe nuk janë shtet dhe qeveri për Kudsin e përreth tij.

Kjo tregon se Aksaja nuk është e shenjtë për çifutët, se nëse do ishte e shenjtë, nuk do e njollosnin me mësymjet dhe veprimet e tyre armiqësore.

Të nderuar besimtarë! Veprimet e pushtuesve nëpërmjet mbylljes së dyerve të xhamisë, nuk janë tjetër vetëm se një matje pulsi, por ne u themi: Përgjigjen do e merrni në Mejdan, sikurse e keni marrë dhe herë të tjera, duke prishur planet tuaja raciste, planet tuaja për zgjerim.

“Vërtetë Zoti yt është gjithnjë në pritë” Fexhr 14.

Ne e theksojmë sikurse e kemi theksuar gjithmonë, se Aksaja është e jona, e ne myslimanëve, ajo nuk e pranon pushtimin, ne do triumfojmë dhe nuk do lejojmë kurrsesi negociata rreth saj, pasi ne jemi meritorët e saj me shpresën e Allahut!

Nuk na mbetet tjetër vetëm se të themi: “Zoti të mbroftë o Aksa, këto janë çaste të pranimit të lutjes ndaj thoni amin”

Zot ndihmoje islamin dhe myslimanët, lartësoje fjalën Tënde, fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit!

Zot sigurona në trevat tona, largoje vështirësinë prej nesh, ruaje xhaminë Aksa nga çdo e keqe!

Zot nxirr dikën që t’i bashkojë myslimanët dhe të ndjekë rrugën e Salahudinit!

Zot mëshiroji dëshmorët tanë, shëroji të plagosurit tanë, mundësoju lirimin të burgosurve tanë!

Zot të drejtohemi Ty me plot bindje, që ti unifikosh myslimanët dhe t’i prish për në triumf.

Mundësona pendimin e sinqertë para vdekjes, rehatinë gjatë vdekjes, si dhe mëshirë e qetësi pas vdekjes!

Namazi ndalon nga e liga dhe e shëmtuara, përmendja e Allahut është vepra më madhështore, Allahu di dhe ju nuk dini!

Aksa / by

Post Author: admin