Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 02-05-1447H 24-10-2025 D
Shejh Urvetu Ikrime Sabri
Tema Vëllazëria e besimit… beslidhja e zemrave dhe uniteti i radhëve
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe ndihmë kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka bashkuar robërit e Tij besimtarë duke i bërë ata vëllezër të dashur dhe të bashkuar. Falënderimet janë për Zotin, pastaj përsëri lavdërimet për Zotin që na dërgoi më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “ Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre i ngjan një trupi të vetëm, kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi vuan me të me pagjumësi dhe ethe.”
“Ne nuk jemi gjë tjetër veçse vëllezër, prandaj ndajmë gëzime dasmash dhe hidhërime funeralesh.
Ejani, le ta forcojmë lidhjen vëllazërore midis nesh sepse përndryshe do të pendohemi por nuk ka kohë për pendim.”
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdia, Ai jep jetë dhe merr jet, vdekje, Ai është i fuqishëm për të bër çdo gjë.
Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull për predikuesit e sinqertë deri në Ditën e Kijametit.
O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, sa numri i krijesave Tua, sa të kënaqesh Ti Vetë, sa pesha e Arshit Tënd dhe sa boja e fjalëve Tua. O Zot, fale dhe mëshiroje atë në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, fale dhe mëshiroje atë në tubimin e lartë deri në Ditën e Gjykimit, fale dhe mëshiroje atë sa herë që e kujtojnë përkujtuesit dhe e harrojnë neglizhuesit ta kujtojnë atë.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
Në vijim
Zoti i Lartësuar dhe Fuqiplotë në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (El-Huxhurat 10)
Adhurues të Zotit! Feja jonë e vërtetë Islame i ka hedhur themelet e shoqërisë myslimane mbi themele të shëndosha dhe të forta, të bazuara në vlerat e vëllazërisë së besimit që bashkojnë anëtarët e umetit Islam kudo që ata jetojnë. Kjo lidhje tejkalon kufijtë dhe gjeografinë, dhe tejkalon dallimet racore dhe fisnore. Muslimanët kudo që janë i bashkon vëllazëria e besimit në çdo kohë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “ O ju njerëz, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një (Ademi). Arabët nuk kanë përparësi kundrejtë joarabëve, dhe jo arabët nuk kanë përparësi kundrejtë arabëve, as i kuqi kundrejtë të ziut, as i ziu kundrejtë të kuqit, përveçse nëpërmjet devotshmërisë.”
Vëllezër në besim! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte këmbëngulës, i etur për të vendosur parimin e vëllazërisë së besimit që nga fillimi i themelimit të bashkësisë muslimane në Medine. Vëllazëria midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve ishte një shembull për t’u ndjekur.
Kjo vëllazëri nuk ishte thjesht një slogan i ngritur pa përmbajtje. Përkundrazi, Ensarët ndanë me vëllezërit e tyre emigrantë, Muhaxhirët, shtëpitë, pasurinë dhe trashëgiminë e tyre. Ata i ndanë ato me dashuri dhe kënaqësi. Vëllazëria e besimit është vëllazëri e vërtetë e ndërtuar mbi dashurinë e pastër dhe zemra të bashkuara. Allahu i Madhërishëm thotë: “ Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndiejnë kurrfarë rëndimi, për atë që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (El-Hashr 9)
Dashuria dhe bashkimi i zemrave janë bekim nga Zoti i Plotfuqishëm që Ai ua dhuron robërve të Tij. “Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (El-Enfal 63) Dashuria për hatrin e Zotit është udhërrëfyesi, kriteri dhe shkalla në ndërtimin e marrëdhënieve midis anëtarëve të bashkësisë muslimane, e ky është sekreti i forcës dhe qëndrueshmërisë së saj. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush do për hatrin e Zotit, urren për hatrin të Zotit, jep për hatrin e Zotit dhe kursen për hatrin e Zotit, ka përsosur besimin e tij.”
O ju muslimanë! Vëllazëria e besimit do të thotë që shqetësimi i muslimanëve të jetë një dhe kauzat apo synimet e tyre të jenë një, të përbashkëta. Kjo është një nga kërkesat e besnikërisë ndaj umetit Islam. Në mesin e këtyre kauzave është dhe kauza e xhamisë së bekuar të Aksasë. Ajo është kauz Islame gjithëpërfshirëse që duhet të jetë e pranishme në zemrën dhe mendjen e çdo muslimani të zellshëm që e di kuptimin e vëllazërisë Islame, në mënyrë që çdo musliman të mund të përmbushë detyrën e tij ndaj kësaj kauze. Shkalla e shqetësimit dhe përkushtimit tregon forcën e besimit të dikujt. Sa i përket atyre që nuk e konsiderojnë çështjen e xhamisë Aksa si të tyren, ata duhet të rishikojnë besimin e tyre.
O ju muslimanë! Ekzistojnë kërkesa dhe detyra që rrjedhin nga vëllazëria e besimit: Ato janë që muslimani duhet ta ndihmojë vëllain e tij musliman kur ai ka nevojë për të, t’ia lehtësojë shqetësimin dhe të mos e zhgënjejë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi dhe nuk e zhgënjen atë. Devotshmëria ndodhet këtu.” Dhe ka bërë me shenjë në krahërorin e tij.
Sa më shumë që shtohet nevoja e musliman për ndihmë, aq më e detyrueshme bëhet ajo, pa vënë në pah meritat, dhe justifikimi për të mos e bërë këtë nuk është i pranueshëm. Përkundrazi, duhet të ketë bashkëpunim dhe mbështetje midis vëllezërve në besim, në mënyrë që ata të mos lënë askënd në nevojë pa e ndihmuar dhe pa i lehtësuar vuajtjet. Ata duhet të çlirohen nga egoizmi i urryer dhe pikëpamja e ngushtë e interesave vetjake që bien ndesh me përkatësinë ndaj umetit dhe vëllazërisë së besimit. Përkundrazi, ajo që kërkohet nga muslimani është të dojë për vëllain e tij atë që do për vete. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Askush prej jush nuk beson plotësisht derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten.”
Adhurues të Zotit! Feja jonë e madhe është kujdesur të parandalojë çdo gjë që do të prishi qetësinë e marrëdhënieve vëllazërore midis muslimanëve. Ia ka ndaluar muslimanit që të dëmtojë vëllain e tij musliman në çfarë do formë të dëmit Për këtë vendosi një rregull dhe e bëri muslimanin të shenjtë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Është mjaftueshëm e keqe për një njeri të përçmojë vëllanë e tij musliman. Çdo gjë e muslimanit është e shenjtë për një musliman tjetër: gjaku, prona dhe nderi i tij.”
Po o ju vëllezër! Ajo është shenjtëria e gjakut, pasurisë dhe nderit. Nuk lejohet të sulmosh muslimanët duke derdhur gjakun e tyre, as duke ua marrë pasurinë apo duke i shkatërruar ato. Por se nuk lejohet t’i dëmtosh ata me fjalë, qoftë duke i sharë apo duke i fyer ata. Sikurse është e ndaluar të nënkuptosh dhe shpifësh, është e ndaluar të nënçmosh dhe tallësh një musliman, dhe është e ndaluar ta përgojosh atë ose ta therësh pas shpine. Zoti i plotëfuqishëm ka thënë: “ …dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Vallë, a dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë, pra, Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”(El-Huxhurat 12) Musliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë.
Islami gjithashtu ndalon dëmtimin e muslimanit me ndjenja negative në zemër, kështu që ndalon zilinë, urrejtjen dhe ligësinë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mos e keni zili njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos i ndërprisni marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe jini vëllezër robër të Zotit.” Islami gjithashtu ka ndaluar debatet, mosmarrëveshjet dhe çdo gjë që do të prishte marrëdhëniet në mes të muslimanëve. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Unë i garantoj një shtëpi në periferi të Xhenetit kujtëdo që braktis debatin, edhe nëse ka të drejtë.” Kjo do të thotë: të braktisësh debatin. “Një shtëpi në mes të Xhenetit për atë që e lë gënjeshtrën, dhe nëse ajo është vetëm shaka, dhe një shtëpi në pikën më të lartë të Xhenetit për atë që ka karakter, moral të mirë.”
Feja jonë Islame na paralajmëron gjithashtu kundër shkaktimit të konflikteve midis vëllezërve në Islam, muslimanëve, kundër të këqijave të mëdha që vijnë si pasojë e tyre, si dhe inkurajon pajtimin midis njerëzve. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A dëshironi që të ju tregoj për diçka më të mirë se agjërimi, namazi dhe lëmosha, sadakaja?” I kanë thënë: “ Me pa tjetër o i dërguari i Allahut!” Ai ka thënë: “ Pajtimi midis njerëzve, sepse futja e zënkave mes njerëzve është eliminuese (që rruan). Nuk them se i rruan flokët, por se rruan fenë!”
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e konsideronte si shenjë falimentimi dhe humbjeje në jetën e Përtejme, Ahiret, agresionin, sulmin ndaj muslimanëve. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A e dini se kush është i falimentuar?” Ata i thanë: “I falimentuar tek ne është ai që nuk ka para dhe nuk posedon asgjë.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “I falimentuari i vërtetë nga umeti im është ai që do të vijë ditën e kijametit me namaz, agjërim e zekat, por e ka fyer këtë, ka shpifur për këtë, ka ngrën pasurin e këtij, ka derdhë gjakun e këtij, ka goditur tjetrin. Atëher u jipet atyre nga të mirat e tij, e nëse përfundojnë të mirat e tij para sa t’i paguaj këto padrejtësi, mirren nga gjynahet e atyre që ju është bërë padrejtësi dhe i hudhen atij, e më pas hidhet në zjarr.”
Adhurues të Zotit! Është detyrë e jona të përmendim kuptimet e vëllazërisë së besimit në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, të mos udhëhiqemi nga tekat, dëshirat, mëritë dhe egoizmi, dhe të kemi frikë nga Zoti në veten tonë dhe në marrëdhëniet tona me vëllezërit tanë besimtarë. Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin Fisnik, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e besueshëm të Allahut, mbi të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Ne, në qytetin e Kudsit në veçanti, dhe në tokën e Israsë dhe Miraxhit, kemi nevojë shumë të madhe për të përhapur kuptimin e vëllazërisë së besimit në mes të bijve të këtij qyteti të bekuar, për të konsoliduar vlerat e përmirësimit në mes njerëzve, për të paralajmëruar, bërë kujdes nga përçarjet, ndasitë, dhe mosmarrëveshjet, dhe për të shpjeguar pasojat e mosmarrëveshjeve dhe armiqësive. Ky qytet i bekuar nuk duhet të jetë një skenë për mosmarrëveshje të dëmshme të cilat bëhen shkak për humbjen e jetëve dhe shkatërrimin e pronës për arsye banale.
A është mosmarrëveshja për një vend parkimi arsye për t’i marrë jetën një besimtari?! A është e mundur që dy muslimanë të grinden për një vend në xhami ose për një gotë ujë, dhe çfarë u ngjasojnë këtyre gjërave në shkelje të shenjtërisë së vendit?! Ky qytet me xhamitë, shkollat, shtëpitë, tregjet dhe rrugët e tij, dëshmojnë për faktin se sahabe fisnik, tabi’inë, ndjekës, dijetarë dhe njerëz të mirë e banuan atë, vendosën ligjin e Zotit në dhe e pasuruan atë me dije dhe besim. Prandaj, ata që jetojnë në të pas tyre nuk duhet ta neglizhojnë ose ta shpërdorojnë trashëgiminë e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. Ata duhet t’i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre mbi dashurinë dhe vëllazërinë, të popullojnë xhamitë e tij, përfshirë xhaminë Aksa dhe të bashkojnë rradhët dhe zemrat e tyre në të.
Andaj themi: Sulmet e vazhdueshme nga bijtë e muslimanëve kundër njëri-tjetrit dhe shkelja e kufijve të Zotit është gjë e ndaluar, e neveritshme, që nuk e pranon Zoti dhe as i dërguari i Tij, dhe refuzohet nga morali i shëndoshë dhe vëllazëria e besimit. Prandaj është përgjegjësia jonë kolektive të ruajmë paqen civile duke përhapur ndërgjegjësimin midis të rinjve tanë dhe të ruajmë unitetin e komunitetit të Kudsit, shtëpisë së xhamisë së bekuar Aksa.
O Zot, udhëzo të rinjtë dhe fëmijët tanë, mbroji ata nga tundimet, fitnet, nga ato që janë shfaqur dhe që nuk janë shfaqur.
O Zot, bashko zemrat e besimtarëve dhe unifiko radhët e tyre.
O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen, dhe na bëj ne nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.
O Zot, prano veprat tona, na dhuro sinqeritet në fjalë dhe në vepra, o i Gjalli, o i Përjetshmi, me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë, na ndihmo.
O Zot, shëro zemrat tona të thyera, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë.
O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që janë dhe largo prej tyre vuajtjet, o Zot i botëve.
O Zot, mbro xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.
O Zot, na jep nga bindja Jote atë që do të na çojë në Xhenetin Tënd, nga frika ndaj Teje atë që do të qëndrojmë në mes nesh dhe mosbindjes ndaj Teje, nga bindja atë që do t’i bëjë fatkeqësitë e kësaj bote të lehta për ne. Na bëj të shijojmë nga dëgjimi dhe shikimi ynë përgjithmonë, sa kohë që na mban gjallë, dhe na jep trashëgimtarë nga ne.
O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti je i Mundshëm ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.
Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin, Zoti të mëshiroftë.
Afrim Smakaj