Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 07-06-1447 H 28-11-2025 D
Shejh Halid El Muhana
Tema Vlerat e durimit dhe përfundimi i durimtarëve
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Në vijim
O adhurues të Zotit! Vërtetë Zoti i Lartësuar është i Gjithëmëshirshëm me krijesat e Tij dhe Mëshirëplotë me robërit e Tij, aspektet e mëshirës së Tij janë të panumërta dhe asnjë mendje njerëzore nuk mund t’i kuptojë plotësisht ato. Mëshira e Zotit fillon me robërit e Tij që kur ata ishin një pikë uji i ngjizur, spermë, kur u krijuan në mitra deri se i nxorri ata nga barqet e nënave të tyre. Pastaj u dhuroi atyre bekime dhe nderime të ndryshme dhe i udhëzoi ata drejt shtigjeve që i çojnë njerëzit e tyre për në Xhenetet e begata. Më pas Ai i udhëzoi ata drejt asaj që do t’i ndihmonte në këtë botë të qëndronin të palëkundur në rrugën e drejtë, në mënyrë që të mos devijojnë prej saj, dhe që në botën Tjetër, në Ahiret, të mos u rrëshqasin këmbët për në zjarr, Xhehenem.
Adhurues të Zotit! Tipar, veti nga vetitë fisnike dhe moral madhështor nga morali Islam, në të cilin ka ftuar Zoti, u zbukurua me të i dërguari i Tij, u stolisën me të të dërguarit e vendosur, u mbuluan me të njerëzit e vendosur dhe ju përmbajtën njerëzit e aspiratave. O adhurues të Zotit! Ai tipar është durimi, baza e çdo bindjeje, adhurimi, dhe fara e çdo mirësie që e arrin njeriu në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Shpëtimi në të dy jetët, në këtë botë dhe në botën Tjetër, është i lidhur me të, me durimin. Fitimi i Xhenetit varet nga arritja e tij dhe shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit është i kushtëzuar nga përvetësimi i tij. Ndikimet e tij janë të lavdëruara dhe rrethanat e njerëzve të tij janë të shëndosha dhe fatlume. Libri Fisnik i Zotit, Kurani, dhe historia e zotërisë së të dërguarve kanë treguar se ai që nuk bën durim nuk do të ketë sukses dhe as nuk do t’i shpëtojë asaj që i frikësohet dhe ndaj së cilës është i kujdesshëm.
Adhurues të Zotit! Nëse dëshironi lexoni fjalën e Bujarit, Allahut të Lartësuar, në përshkrimin e banorëve të Xhenetit deri sa ata të hyjnë në të: “ Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit) (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Ra’d 23-24) Imami i njohur Sufjan Ibn Ajejnetu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Robërve, njerëzve, nuk ju është dhënë adhurim më i mirë se durimi, me të ata futen në Xhenet.”
O ju muslimanë! Urtësia e Zotit të Plotfuqishëm me vendimin e Tij hyjnor dhe ligjor ka diktuar, caktuar, se asnjë e mirë nuk mund të arrihet përveçse nëpërmjet durimit. Qenija njerëzore është e prirur në natyrshmërinë e tij ta dijë këtë, ku veprimet e tij në kërkim të jetesës dhe në largimin e dëmin janë vetëm dëshmi për këtë. Mejmun Ibn Mihran, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Askush nuk ka arritur ndonjë mirësi të madhe, profet qoftë apo dikush tjetër, përveçse nëpërmjet durimit.”
O adhurues të Zotit! E si do jetë shpërblimi për ata që besuan në Zot, në ditën e Gjykimit, dhe në atë që ka përgatitur Allahu nga mirësitë e përhershme për njerëzit e bindjes dhe që janë të duruar në të. “Ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre…”(Er-Ra’d 22)
Adhurues të Zotit! Kurani Famëlartë na mësoi në gati njëqind vende, ajete se durimi është urdhër nga Allahu dhe se ndihma me të vjen vetëm nga Ai. Sikurse Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Prandaj duro! Durimi yt është vetëm me ndihmën e Allahut.” (En-Nahl 127) Nëse robi i bindet urdhërit të Zotit të tij do të ketë sukses, do arrijë atë që dëshiron dhe shpëton nga ajo që ai ka frikë. Zoti ynë na ka informuar gjithashtu për vlerën e durimit dhe nderin, statusin e njerëzve të tij, kur Ai tregoi mbështetjen e Tij për ta duke i ndihmuar, i mbrojtur dhe u kujdesur për ta. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” (El-Enfal 46) Dhe se ata, durimtarët, janë fitimtarët me Xhenetin e Tij, siç thuhet kjo në fjalën e Tij, Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar: “ Unë i kam shpërblyer ata sot për durimin e tyre e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar.” (El-Mu’minun 111) Sikurse Zoti i Lartësuar na ka treguar se Ai i do ata nëse durimi i tyre është për hatrin e të Dashurit të tyre, Zotit dhe Sunduesit të tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu i do të duruarit.” (Al ‘Imran 146) E nëse ata janë të duruar me Zotin e tyre përballë asaj që u ka ndodhur, paqja do të jetë për ata nga Zoti i tyre, mëshira dhe udhëzimi do të jetë për ata, dhe se shpërblimi i tyre do të jetë i pakufizuar dhe i pafund, përtej të kuptuarit të krijesave dhe llogarive të tyre, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” (Ez-Zumer 10) Imami i njohur, Abdullah Ibn Auni ka thënë: “ Çdo pune, vepre, i dihet shpërblim përveç durimit.” Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta.” (El-Insan 12) Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Sepse durimi përfshin një shkallë vështirësie dhe përmbajtjeje të shpirtit nga dëshirat e tij, egos, gjë që bën të domosdoshme që shpërblimi i tyre të jetë një hapësirë dhe butësi mëndafshi që korrespondon me atë përmbajtje dhe vështirës.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka treguar, lajmëruar se shpërblimi për durimin përballë dhimbjeve që besimtari kalon nga caktimi dhe gjykimi i Zotit, është mirësia dhe Xheneti. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ E habitshme çështja e besimtarit, çdo gjendje për të është mirësi; nëse e godet një e mirë, ai falenderon dhe kjo është e mirë për të. Nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kjo është e mirë për të.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti i Madhërishëm thotë: Nëse e sprovoj ribin Tim me dy të dashurit e tij, d.m.th me humbjen e shikit të tij, dhe ai bën durim, do t’ia kompensoj me Xhenet.”
O ju muslimanë! Kjo botë, dunjaja, është vend i sprovave, fatkeqësive dhe fitneve, e ai që preket prej tyre duhet që ai të sprovohet me më të rëndat prej tyre. Nuk ka asnjë fortesë që mund ta mbrojë robin nga këto fatkeqësi përveç se fortesës së durimit. I drejtohet atij, durimit, dhe gjenë strehë në të, mbijeton, përparon, ka sukses dhe do të gjejë ngushëllim në atë që ka premtuar Zoti Bujar i Madhërishëm për durimtarët nga përsosmëria e shpërblimeve në vështirësitë e ditës së rëndë.
O adhurues të Zotit! Ai që karakterizohet, kultivon durimin, i është dhënë nga Zoti një forcë që manifestohet në mposhtjen e dëshirave, egos të tij, në nënshtrimin e shpirtit të tij, në kontrollin dhe fitoren e tij mbi të. Kur njeriu e fiton atë forcë, shpirti i tij nuk dëshiron më që të kapet, të robërohet dhe ta hedhë veten më në shkatërrim.
Adhurues të Zotit! Fuqia e durimit arrihet vetëm nëpërmjet vendosmërisë dhe qëndrueshmërisë, me të cilën robi lufton kundër egos të tij, në mënyrë që durimi të jetë udhërrëfyes për të dhe dritë për rrugën e tij drejt Zotit të tij, duke e udhëhequr atë drejt Tij dhe duke e çuar atë tek Ai. Sepse durimi është dritë, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Drita është një dritë udhërrëfyese për në rrugë, por që shoqërohet me një nxehtësi. Po kështu, durimi duhet të ketë një nxehtësi që e dhemb shpirtin për shkak të vështirësisë së bindjes së tij ndaj të vërtetës, e cila e shkëputën atë nga shumë prej zakoneve të tij të njohura, e frenon nga dëshirat e tij dhe e pengon nga të këqijat e tij.
Adhurues të Zotit! Durimi është obligim për besimtarin dhe i domosdoshëm për të, për sa kohë që pena e detyrimit është ende në fuqi mbi të. Vërtetë besimi përbëhet nga dy gjysma: Njëra gjysmë është mirënjohje dhe gjysma tjetër është durim. Siç është thënë nga ai që i ngjante më shumë të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në udhëzim dhe sjellje, Abdullah ibn Mesudi, Zoti qoftë i kënaqur me të. Provat e fesë kanë treguar të vërtetën e thënies, fjalës së tij, sepse devotshmëria ndaj Zotit të Lartësuar, veprimi në bindje ndaj Tij dhe ndjekja e së vërtetës, duke qenë thelbi i mirënjohjes, kërkon durim që e shoqëron atë në mënyrë që mirënjohja të jetë e plotë. Prandaj, mirënjohja është e lidhur me durimin në katër ajete të Librit të Zotit të Lartësuar.
Në të vërtetë, adhurimi i Zotit të Plotfuqishëm dhe kryerja e asaj që i Madhërishmi ua ka obliguar robërve të Tij, nga detyrat e besimit, veprimet e rekomanduara të tij, praktikat dhe etiketa e dëshiruar, dhe shmangia e asaj që Ai e ka ndaluar nga mosbindja ndaj Tij, e gjithë kjo bazohet në përdorimin e durimit, zbukurimin e vetes me të, respektimin e tij dhe stërvitjen e vetes në të. O robër të Zotit, kjo çështje është ashtu siç ka thënë Allahu i Plotëfuqishëm: “ Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij.”(Merjem 65) Sikurse dhe thënija e të parit, udhëheqësit të durimtarëve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “ Xheneti është i rrethuar me vështirësi, me gjëra të urryera, ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me gjëra të dashura.” Kjo është ligjshmëria e Zotit që ka vendosur në mesin e robërve të Tij, ky është urdhri i Zotit që ua shpalli atyre se rruga për në Xhenet është e rrethuar nga ajo që robërit nuk e pëlqejnë, siç janë sprovat në të mirë dhe të keqe, urdhresat dhe ndalesat, dhe vendimet e dhimbshme të kaluara të Zotit në të cilat robi nuk ka pjesë, siç janë humbja, varfëria, sëmundja, borxhi, shqetësimi dhe pikëllimi. Pra, në Xhenet nuk hyhet përveçse përmes portës së durimit ose asaj që është e urryer. Dhe rruga për në Xhehenem është e rrethuar nga ajo që njeriu dëshiron të kënaqet me impulset e shpirtit dhe pëshpëritjet e shejtanit. Pra, pjesa më e madhe e atyre që hyn janë përmes derës së epshit ose kënaqësisë.
Por i Mëshirshmi, lavdërimet janë për Atë, i Buti dhe i Gjithëdijshmi për robërit e Tij, i ka pajisur ata me durim, të cilin nëse e përvetësojnë si themel dhe bazë të fesë së tyre, si një dritë udhërrëfyese dhe fener për udhëtimin e tyre drejt Zotit të tyre, atëherë ata do t’i nënshtrojnë shpirtrat e tyre që anojnë drejt rehatisë, që tërhiqen nga lehtësia dhe që preferojnë të keqen para vlerave dhe ligësinë para të mirës. Ata nëpërmjet këtij durimi do të triumfojnë mbi armiqtë e tyre. Zoti e ka bërë durimin, të shoqëruar me devotshmëri, mburojë të fuqishme me të cilën robërit e Tij mund të mbrohen nga komplotet dhe skemat e armiqve të tyre, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ …por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” (Al ‘Imran 120)
Zoti i Plotëfuqishëm ka bërë durimin për besimtarët narmë me të cilën luftojnë shejtanin, i cili i largon njerëzit nga e vërteta, zbukuron të pavërtetën, i tundon që të bëjnë gjynahe, i joshën në vepra të këqija, i kërcënon me varfëri dhe urdhëron imoralitet. Ata janë të durueshëm në përmbushjen e të drejtave të Zotit, kështu që nxitojnë drejt tyre, janë të durueshëm me dëshirat e tyre, kështu që ndalen në kufijtë e caktuar nga Zoti, e përmbajnë veten nga ajo që Zoti ka ndaluar, janë të duruar me vendimet dhe gjykimet e Zotit, kështu që nuk dëshpërohen prej tyre, dhe zemrat e tyre nuk bëhen të pakënaqura me to, me besimin se caktuesi i saj është Zoti që zotëron sundimin, krijimin dhe urdhërin, duke parashikuar shpërblimin e madh për durimin në përballimin e saj. Ata i bëjnë të gjitha këto duke shpresuar për atë që është tek Zoti, duke pasur frikë nga Zoti, duke preferuar kënaqësinë e Zotit dhe duke e dashur Zotin. Kështu që ata gjejnë shpërblimin për atë që ishin të duruar për Zotin e tyre shlyerje të gjynaheve të tyre dhe ngritje për ta në gradë.
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librin e Tij të urtë, Kuranin, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij fisnik!
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, të Plotfuqishmin, Dhuruesin, i Cili u ka dhënë shpërblim të bollshëm durimtarëve dhe e ka bërë vendbanimin e tyre të fundit të shkëlqyer. Lutjet dhe përshëndetjet janë për më të mirin e të dërguarve, udhëheqësin e të devotshmëve dhe modelin e durimtarëve.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Atij që Zoti i jep durim i ka dhënë një bekim të madh. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush kërkon dëlirësi, pastërti, Zoti do ta bëjë të dëlirë, pastër. Kush kërkon vetëmjaftueshmëri, të mos ket nevoj për dikë, Zoti do e bëj të vetëmjaftueshëm. Kush kërkon durim Zoti do ta bëjë të duruar. Askujt nuk i është dhënë një dhuratë më e mirë ose më e bollshme sesa durimi.”
Sa madhështore është kjo thënie profetike dhe sa i madh është bekimi i saj për këdo që mendon për të dhe mediton në të! I dërguari dhe zotëria ynë na lajmëron se durimi është dhuratë nga Zoti i Lartësuar, në mënyrë që njeriu të njohë vlerat e tij, të shijojë ëmbëlsin e tij, të zbukurohet me të dhe të ngrihet me të në nivelin e të qenit i kënaqur me Zotin. Zoti i dhuron durim kujtdo që përballet me të, e preferon atë, e përvetëson atë, e dëshiron atë, që shijon ëmbëlsinë e fryteve të tij dhe ndikimet e lavdërueshme të tij.
Hasan El Basriu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Njeriu arrin mirësi vetëm nëpërmjet durimit për një moment, qoftë dhe për një moment.”
O adhurues të Zotit! Durimi është ilaç për shpirtin e shqetësuar. Nëse robi e gëlltit pak nga hidhërimi i tij, do të gjejë shumë lehtësim. Ai nuk dëshpërohet në kohë fatkeqësish, dhe nuk i kursen bekimet dhe gjërat e mira.
O ju njerëz! Ajo që e pasoi robin prej të vështirave dhe ajo që i mungoi nga të mirat ishin vetëm për shkak të mungesës së durimit të tij dhe braktisjes së tij në favor të dëshpërimit, pakënaqësisë dhe nxitimit të dënueshëm. Dëshpërimi dhe pakënaqësia anulojnë shpërblimin e durimit, dhe dobësojnë besimin dhe bindjen. Ndërsa nxitimi çon në konsiderimin e adhurumeve si të rënda dhe në përtaci në lidhje me to, dhe inkurajon kënaqsitë me dëshirat dhe nënshtrimin ndaj tyre. Kush ka këtë karakter të mirë, dhe ky është zakoni dhe praktika e tij, do të humbasë çdo përfitim, goditet nga çdo dëmtim, e keqe, dhe nuk do të shpresojë për të mirë ose sukses në këtë botë ose në botën Tjetër, Ahiret. Imam Hasan El Basriu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Për Zotin, ose do të jesh i duruar ose do të shkatërrohesh.” Omejr Ibn Habibi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kush është i duruar me atë që nuk e pëlqen, e urren, do ta arrijë atë që do.”
Për këtë arsye, shpërblimi për ata që janë të duruar në kryerjen e adhurimeve, që janë të duruar në përmbajtje nga gjërat e ndaluara dhe që janë të duruar në kohë vështirësish dhe fatkeqësish, është një Xhenet i gjerë sa toka dhe qiejt, për të cilin janë përpjekur durimtarët, ata që janë të sigurt se kjo botë është një vend sprovash dhe këmbënguljeje, jo një vend pushimi dhe stabiliteti. Prandaj, dhe përshëndetja e Melaikeve për ata do të jetë: “ (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!” (Er-Ra’d 24)
O Zot, o Bujar, o Zotërues i Bujarisë së Madhe, na jep durim në bindjen ndaj Teje, na jep durim që të përmbahemi nga mosbindja ndaj Teje, na jep durim në atë që Ti do, na jep durim në atë që urrejmë, na jep durim në çështjet e vendosmërisë dhe na jep falje dhe mirëqenie.
O Zot, fale dhe mëshiroje profetin tonë, shembullin e durimtarit dhe udhëheqësin e adhuruesve, sa herë që e përmendin atë përkujtuesit dhe e harrojnë atë neglizhuesit. Fal dhe mëshiro atë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, lutjet dhe bekimet më të mira dhe të bollshme që ke dërguar tek ndonjë nga krijesat e Tua dhe e ke pastruar ata. Ti nëpërmjet tij na shpëtove nga shkatërrimi dhe na bëre umetin më të mirë të lindur për njerëzimin, duke iu përmbajtur fesë së tij që Ti ke zgjedhur për ne. Asnjë bekim, qoftë i dukshëm apo i fshehur, nuk na ka prekur kurrë, me anë të të cilit kemi fituar një pjesë në fe ose në çështjet e kësaj bote, ose me anë të të cilit diçka e pakëndshme është shmangur prej nesh në secilën prej tyre, ose në njërën prej tyre, përveçse Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është shkaku i saj, udhëheqësi drejt mirësisë së saj dhe udhërrëfyesi drejt drejtësisë së saj.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e drejtë, udhëheqësit fisnikë dhe të udhëzuar drejt, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e nderuar, me tabi’inë dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira, o i Lavdëruar, o Mbrojtës.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e Tu dhe armiqtë e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm.
O Zot, të lutemi të jesh për robërit e Tu besimtarë të shtypur në çdo vend ndihmës dhe mbështetës, mbrojtës dhe përkrahës i tyre. O Zot, ndihmoi ata në Palestinë përballë jehudëve tiranë, pushtues, dhe bashko fjalën e tyre mbi të vërtetën, o Zot i botëve.
O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona. O Zot, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, udhëzoje atë nga e mira, drejtësia dhe devotshmëria. O Zot, ndihmoje atë dhe princin e tij të kurorës të bëjnë atë që është më e mira për popullin dhe vendin, dhe punët e tyre të jetë për këtë botë dhe për botën Tjetër, Ahiret.
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj