Hytbe e Qabes 15 Ramadan (09) 1441 H 08-05- 2020
Shejh Abdullah El Xhuhenij Tema: Zekati
Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush ta udhëzojë.
Dëshmoj se ska të adhuruar me meritë përpos Allahut, Ai është i vetëm e pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Nisa:1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)
Ligjërimi më i bukur është Fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat më të këqija janë risitë në fe, çdo risi është bidat e çdo bidat është humbje.
O musliman u porosis ju dhe veten time me devotshmëri ndaj Allahut! Dijeni se ju i keni kufijtë kështu që qëndroni brenda kufijve tuaj, keni caqe e qëndroni brenda caqeve. Muslimani qëndron mes dy gjërave që i frikësohet; mes jetës së kaluar për të cilën nuk e di se çdo bëjë Allahu me të dhe jetës që i ka mbetur për të cilën nuk e di se çka vendosur Allahu në të. Kështu që robi le të marrë prej vetes së tij për ti shërbyer vetvetes, prej jetës së tij në këtë botë për të mirën e tij në botën tjetër, të marrë prej rinisë përpara se të plaket e të marrë prej jetës para se të vdesë.
O muslimanë, feja islame është fe e drejtësisë, bamirësisë, vëllazërisë, humanizmit dhe barazisë. Është fe e dobishme dhe fe e përmirësimit. Ajo na e ka lejuar fitimin e gjërave të pastra e ka nxitur për të, na ka ndaluar fitimet e pista e na ka tërhequr vërejtjen ndaj tyre. Fe që ka përshirë tërë vlerat dhe virtytet. Në të mblidhen tërë të mirat, prej saj buron drejtësia dhe barazia. Fe e cila është ndërtuar mbi themele dhe
baza të lidhura dhe shtylla të forta e të qëndrueshme. Një prej këtyre shtyllave është Zekati, shtylla e tretë prej shtyllave të tij madhore. Zekati është një nga detyrimet kryesore bazuar në Librin e Allahut, traditën e Profetit dhe unanimitetin e muslimanëve.
Allahu i madhërishëm thotë: “Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).” (El Bekare; 43).
I është bashkangjitur namazit që është shtyllë kryesore e fesë. Namazi dhe Zekati janë dy shtylla madhështore të domosdoshme e që asnjëra nuk mund të shkëputet nga tjetra. Kalifi i të Dërguarit të Allahut (sallahu alejhi ue selem) Ebu Bekri r.a ka thënë: “Pasha Allahun do ti luftoj ata që bëjnë dallim mes Namazit dhe Zekatit.” Buhariu dhe Muslimi.
Allahu i madhërishëm thotë: “Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (Teubeh; 34, 35).
Në lidhje me shpjegimin e këtij ajeti i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Çdo person që zotëron ar apo argjend e nuk e jep detyrimin që ka për to ditën e gjykimit do ti bëhen fleta të nxehura në zjarrin e xhehenemit e mandej me to i fërkohen anët e trupit të tij, balli dhe shpina e sa herë që ftohen, nxehen përsëri e kështu veprohet me të në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet derisa të kryhet llogaria mes njerëzve e ti tregohet rruga e tij për në xhenet ose për në zjarr. Dikush tha: O i Dërguar i Allahut po devetë? Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: Edhe poseduesi i deveve që nuk jep detyrimet që ka për to. Detyrim në to është edhe mjelja atë ditë që pijnë ujë. Ditën e kijametit ai hidhet në një tokë të sheshtë e i vijnë të gjitha devetë asnjë prej tyre nuk mungon qoftë edhe një mëz i vogël. Ato e shkelin me thundrat e tyre dhe e kafshojnë me gojët e tyre sa herë që kalojnë mbi të me radhë që të gjitha kthehen nga e para në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet derisa të kryhet llogaria mes njerëzve e ti tregohet rruga e tij për në xhenet ose për në zjarr. Dikush tha: O i Dërguar i Allahut po lopët dhe bagëtitë? Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: Edhe poseduesi i lopëve dhe i bagëtive që nuk jep detyrimet që ka në to. Ditën e kijametit ai hidhet në një tokë të sheshtë e i vijnë të gjitha e në to nuk gjen asnjë me brirë jo të mprehta, me brirë të thyera apo pa brirë. Ato e godasin atë me brirë dhe e shkelmojnë me thundra sa herë që kalojnë mbi të me radhë që të gjitha kthehen nga e para në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet derisa
të kryhet llogaria mes njerëzve e ti tregohet rruga e tij për në xhenet ose për në zjarr. Këtë hadith e transmeton Muslimi.
Ajete të shumta në Kuranin Fisnik përmendin cilësitë e besimtarëve të pastër, të sinqertë e të mirë. Atyre u është premtuar xheneti prej Zotit, Falësit të madh. Ai i lavdëron këta besimtarë për shpenzimin e tyre në rrugë të Allahut siç është dhënia e Zekatit. Kjo është një prej cilësive më të dalluara dhe një prej sjelljeve më të veçanta të tyre. Allahu, atyre që e japin Zekatin me kënaqësi e me qëllim të pastër pa syefaqësi e pa synim të famës, pa bërë pretendime e pa lëndime, pa mburrje e pa mendjemadhësi u ka premtuar pastërti, shumim, pastrim dhe falje.
Allahu i madhërishëm thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Teube; 103).
Allahu thotë: “Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (El Bekare; 268).
Vëlla musliman ti duhet ta kryesh këtë detyrim duke ia dhënë atyre që e meritojnë të cilët Allahu i ka përmendur në fjalën e Tij: “Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Teubeh; 60).
Kijeni frikë Allahun o njerëz dhe jepeni Zekatin në shenjë bindjeje ndaj Zotit tuaj të kënaqur me atë që ju ka vënë si detyrim. Mbrohuni me dhënien e Zekatit prej sprovës në pasuritë tuaja. Përmes lëmoshës hapini dyert e mirësisë prej qiellit, mjekoni me të të sëmurët tuaj sepse lëmosha shuan zemërimin e Zotit ashtu si uji e fik zjarrin. Nga qielli nuk bie shi vetëm për shkak të mos dhënies së Zekatit e po të mos ishin bagëtitë nuk do binte shi për njerëzit.
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Al Imran: 133,134).
Allahu na bekoftë me Kurani madhështor e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të. Allahu na mundësoftë të kemi dobi me udhëzimin e më të mirit të Dërguarve dhe me fjalët e tij të larta.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah. Kërkojini falje dhe pendohuni se ai është Falës e Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i Takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut që shpërblen ata që shpresojnë tek ai e që i binden. Ai është i ashpër në ndëshkim ndaj atyre që i kthejnë shpinën përkujtimit të Tij e që e kundërshtojnë Atë. Ai zgjedh prej mirësisë së Tij kë të dojë dhe e afron. Ai largon me drejtësinë e Tij kë të dojë duke e lënë në atë që ka zgjedhur. Atë e falenderoj për bamirësitë e Tij të shumta.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq. Ai është absolut në atributet e Tij, i pashembullt dhe nuk ka të ngjashëm me Të.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Allahut të cilin Ai e zgjodhi mbi të gjithë njerëzit, Nderimet, shpëtimi dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tyre derisa sa të vazhdojë dita të agojë.
O musliman sa shpejt kalojnë ditët. Ky muaj i Ramazanit, një mysafir i nderuar të cilin e pritëm dje e ai tani është në mes. Prej Ramazanit ka kaluar pjesa e parë, gjysma e tij dhe hëna e tij është bërë e plotë. Shfrytëzoni mundësinë që kalon si retë. Hyni përpara se të mbyllet dera sepse mysafiri mund të largohet së afërmi. Punoni mirë në pjesën që ka mbetur që tu falen gabimet në pjesën e kaluar e po vepruat keq në pjesën që ka mbetur do të merreni ne përgjegjësi për atë që ka kaluar e për atë që ka mbetur. Jepini hakun muajit tuaj e keni frikë Allahun në fshehtësi e në publik.
O muslimanë, Allahu i ka dhuruar të dërguarit të Tij dhe besimtarëve fitore dhe pushtet në këtë muaj të begatë. Gjatë Ramazanit në vitin e dytë të hixhretit ka ndodhur beteja e madhe e Bedrit ku Allahu i dha fitore ushtarëve të Tij besimtarë. Gjatë ramazanit në vitin e pestë të hixhretit profetik muslimanët janë pregatitur për betejën e Hendekut. Gjatë Ramazanit në vitin e tetë të hixhretit ka qenë çlirimi i madh, çlirimi i Mekës. I Dërguari i Allahut (sallahu alejhi ue selem) i fali krerët e Kurejshëve e njerëzit hynë në fenë e Allahut grupe grupe. Shumica e çlirimeve islame kanë ndodhur gjatë muajit të Ramazanit. Me këtë zbulojmë një lidhje të ngushtë mes agjërimit dhe fitores. Në këto momente që po kalon vendi ynë dhe tërë bota me ngjarjet e kësaj pandemie e cila ka ndryshuar shumë realitete të
njerëzve kemi shumë nevojë të jemi optimistë e të mendojmë mirë për Allahun që Allahu ta këmbejë sëmundjen me shërim e ti kërkojmë Atij falje dhe shpëtim.
Pas falenderimit të Allahut falenderojmë Shërbyesin e Dy Xhamive të Shenjta mbretin Selman bin Abdilaziz dhe mëkëmbësin e tij besnik, lartmadhërinë e tij princin Muhamed bin Selman bin Abdulaziz. Allahu i forcoftë që të dy me ndihmën e Tij, i dhëntë fitore dhe qëndrueshmëri dhe qeverisë së tyre të suksesshme me të gjithë sektorët e saj. Ata janë sjellë me përgjegjësi të plotë duke ofruar gjithçka në përpalljen me këtë pandemi me kontribut të lartë e të pakufijshëm për izolimin e këtij virusi në mbrojtje të vatanit, bashkëkombasve dhe rezidentëve. Allahu ia shpërbleftë me shpërblimet më të mëdha e ia këmbeftë me të mira.
Allahu ju urdhëron të dërgoni salavate dhe selame mbi profetin e Tij. Ai ka thënë fjalë prej Krenari e prej të dituri. Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56).
Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush dërgon mbi mua një salavat të vetëm Allahu me të atij i dërgon dhjetë të tilla.
O Allah nderoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse ke nderuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, ashtu sikurse bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit.
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të mbajtën drejtësi Ebu Bekrin e sinqertë, Umerin ndarësin e të pavërtetës nga e vërteta, Osmanin poseduesin e dy dritave dhe Aliun babain e dy nipërve dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre edhe ne bashkë me ta me faljen Tënde, bujarinë Tënde, bamirësinë Tënde ! O më i Fisniku i fisnikëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah udhëzoje këtë umet dhe jep sukses që të nderohen njerëzit e bindur ndaj Teje e të ndalohet nga e keqja!
O Allah bëje të sigurtë e të qetë këtë vend dhe të gjithë vendet e muslimanëve!
O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde.
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë dhe prijësin tonë shërbëtorit të dy Xhamive të Shenjta dhe mëkëmbësit të tij të bëjnë atë që të kënaq Ty, drejtoji ata në bamirësi e devotshmëri!
O Allah udhëzoji prijësat e muslimanëve të punojnë sipas Librit Tënd, të zbatojnë ligjin Tënd, mundësoji që të ndjekin rrugën e Profetit Tënd (salallahu alejhi ue selem)!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme!
O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!
O Allah mos na i largo mirësitë e Tua, mos na e largo faljen Tënde, na ruaj prej ndëshkimit të papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt.
O Allah, Ti je i adhuruari i vërtetë nuk ka të adhuruar me meritë përveç Teje. Ti je i pasuri e ne jemi nevojtarë, zbrit mbi ne shi e mos na lër të pashpresë. O Allah na zbrit shi e na ndihmo!
O Allah ne të kërkojmë falje se Ti je falësi na sill shi të dobishëm nga qielli!
Rob të Allahut, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Përkujtojeni Allahun e madhërishëm që t’ju kujtojë Ai juve. Falenderojeni për mirësitë e shumta që ju ka dhënë që t`ua shtojë ato. Vërtet që përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.