Medine 27 Dhul Hixher 1439 7.9.2018
Vlera e adhurimeve dhe shumëllojshmëria e tyre
Shejh Abdul Bari eth Thubejtij
Falënderimet i takojnë Allahu i Cili e bëri të lehtë Haxhin dhe adhurimet mbarë, dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Tij, Një dhe i vetëm dhe i pashoq i Cili thotë: “Ata që bëjnë vepra të miraiu takon e mira dhe më tepër (shikimi i Zotit)”, Junus 26.
Dëshmoj se zotëria dhe profeti ynë Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij, ai e priu këtë umet për në lavdi dhe fisnikëri, paqja e Zotit qoftë mbi të, familjen dhe shokët e tij.
Ju këshilloj ju dhe veten që ta kemi frikë Allahun, pasi është përgatitja më e mirë që të shpëton në ditën e gjykimit, thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut me një frikë të vërtetë dhe mos vdisni tjetër vetëm se duke qenë besimtarë”, Ali Imran 102.
Begatitë e Zotit për robërit e Tij janë të shumta, është e pamundur që njeriu të mund t’i numërojë, ndërsa islami është mirësia më e madhe, pasi që njeriu lind në natyrën e pastër, rritet dhe edukohet në një ambient ku adhurohet Allahu, ngrihet lart ezani, këndohet Kurani, ndaj Zotin e falënderojmë që na ka udhëzuar për diçka të tillë.
Ndër mirësitë më të mëdha që i bashkëngjiten kësaj mirësie, është dhe fakti i shumëllojshmërisë së adhurimeve, një mirësi që bart urtësi hyjnore në vetvete.
Rruga për tek Zoti është një dhe e vetme, rruga që e kënaq Zotin, ndërsa dhe veprat janë të shumëllojshme, ku ndryshojnë sipas vendit, kohës, njerëzve dhe gjendjeve të ndryshme.
Kjo si pasojë e ndryshimeve dhe prirjeve që njerëzit kanë dhe për t’ua lehtësuar e për t’u përshtatur me mundësitë e tyre në situatat e ndryshme.
Në shumëllojshmërinë e urdhëresave dhe obligimeve, fshihet dhe sprovimi për besimtarin se sa do e kundërshtojë egon.
Vërshimi i njeriut nga një adhurim në tjetrin, është tregues i të qenit rob i vërtetë i Allahut.
Në shumëllojshmërinë e adhurimeve fshihen dhe urtësitë hyjnore, aty gjenden synimet edukative, p.sh: për namazin Zoti thotë: “Vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat”, Ankebutë 45.
Ndërsa në lidhje me zekatin thotë: “Merr prej pasurisë tyre lëmoshë që t’i pastrosh e tua shtosh të mirat”, Teube 103.
Për agjërimin thotë: “Në mënyrë që t’u shtohet devotshmëria”, Bekare 183.
Për Haxhin thotë: “Për të qenë të pranishëm më dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara”, Haxh 28.
Adhurimet janë të shumëllojshme edhe në kohë, por dhe në mënyrën e të kryerit, ndaj personi që s’ka mundësi si pasojë e sëmundjes, udhëtimit, varfërisë apo dobësisë, gjen shpërblimin në lehtësimin apo në ndonjë adhurim tjetër, duke ja lehtësuar dhe duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhet, thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju e nuk dëshiron vështirësim” Bekare 185.
Islami ka marrë parasysh gjendjen të varfërve të cilët menduan se mos fukarenjtë ua kanë kaluar në shpërblim me lëmoshën që japin, kur i thanë Profetit a.s: “-O i dërguar i Allahut! Pasanikët na e kaluan në shpërblim, ata falen sikurse ne, agjërojnë sikurse ne, por ata japin nga pasuria që kanë.
Profeti a.s u tha: -A nuk e dini se Zoti ua ka mundësuar dhe juve për ta arritur vlerën e tyre? Çdo madhërim i Allahut është lëmoshë, çdo lavdërim apo njehsim është lëmoshë, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është lëmoshë, madje dhe në marrëdhëniet intime në jetën bashkëshortore ka lëmoshë.”
Islami e ka bërë ndër bazat e tij lehtësimin, kjo për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të ndryshëm në gjendje të ndryshme.
Vjen një grua nga fisi Huth’am tek profeti a.s dhe i tha: “-Dispozita e Haxhit, tim atë e zuri plak të vjetër, nuk ka mundësi udhëtimi, a ta kryej unë për të?”
-Po,- tha profeti.”
Kemi një hadith madhështor që tregon madhështinë e mëshirës së Allahut dhe marrjen në konsideratë të situatave të tyre, thotë profeti a.s: “Nëse njeriu sëmuret apo udhëton, atij i shkruhet shpërblimi si të ishte mirë dhe vendas.”
Islami ka marrë në konsideratë dhe gjininë femërore, e cila nuk ka mundësi t’i kryejë disa detyrime që mund t’i kryejnë meshkujt, mirëpo shpërblimin e kanë të madh si pasojë e vlerësimit për rolin e tyre të madh, thotë Profeti a.s: “Nëse gruaja i fal pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e ramazanit, ruan nderin dhe i bindet bashkëshortit të saj, do i thuhet asaj: -Hyr nga cila portë e xhenetit që të dëshirosh!”
Vlera e adhurime është e ndryshme, atë e gjen në librin e veprave të njeriut në formë të ndryshme, herë shpërblimi për to vjen duke i fshirë gjynahet dhe mëkatet, thotë profeti a.s: “Çdo mysliman që e kap koha e namazit farz, dhe ai e kryen atë duke marrë abdes me përpikmëri, me përqendrim dhe me përkulje të përsosur, vetëm se do jetë shlyerje për gjynahet e tij përveç gjynaheve të mëdha dhe një gjë e tillë përsëritet vazhdimisht.”
Prej tyre që vlerën e kanë në shtim, thotë profeti a.s: “Kurrë pasuria nuk është pakësuar nga e dhëna.”
Një formë tjetër është dhe hyrja në xhenet, thotë profeti a.s: “Haxhi i pranuar dhe i saktë, s’ka shpërblim tjetër për të veç xhenetit.”
Ka prej adhurimeve që e ruajnë besimtarin prej zjarrit, thotë profeti a.s: “Nuk hyn në zjarr ai person që ka qarë prej frikës së Zotit derisa qumështi të futet në gjinj sërish, ndërsa pluhurosja në rrugë të Zotit dhe tymi i xhehenemit nuk bashkohen të dyja tek një person.”
Ndër shumëllojshmërinë e adhurimeve është dhe ngritja në gradë të larta, thotë profeti a.s: “Më i dashuri për mua ndër ju dhe më i afërti me kuvendin tim në ditën e kiametit është ai që ka moralin më të lartë.”
Llojet e adhurimeve në kohë të ndryshme si dhe vlera e tyre e bëjnë myslimanin të transferohet në lulishtet e ndryshme të adhurimeve, kjo sepse Zoti i madhëruar kur e do një rob e përdor në kohët më të vlefshme me punë të mira, e kur e urren një njeri, e përdor në kohët më të mira për punë të liga.
Shumëllojshmëria e adhurimeve të largon dhe nga mërzia e monotonia, të ngjall ndjenjën e kënaqësisë gjatë kryerjes së adhurimit.
Ka adhurime individuale të cilat kanë vlerë dhe urtësi të ndryshme, ato forcojnë lidhjen me Zotin, theksojnë sinqeritetin dhe largimin nga syfaqësia, si dhe shtojnë çiltërsinë e shpirtit dhe kënaqësinë e adhurimit të Zotit.
Ka thënë Hasen el Basri, kur e kanë pyetur: “-Si shpjegohet që ata që falen natën i kanë fytyrat e ndritura?
Ai tha: -Ata kanë qëndruar me Zotin e tyre, ndaj dhe i ka veshur me perden e dritës së Tij.”
T’i drejtohesh Allahut me lutje, i përulur dhe i nënshtruar është ndër adhurimet më të bukura personale, thotë Allahu: “Ti përmende Zotin tënd më vete me respekt e me frikë”, Araf 205.
Agjërimi është një adhurim vetjak, çdo vepër që bën njeriu e ka për vete përveç agjërimit, ai është për Allahun.
Lëmosha e fshehtë është një tjetër adhurim individual, atë e jep myslimani me të djathtën saqë e majta nuk e di se çfarë ka dhënë e djathta.
Thotë Profeti a.s: “Shtatë persona do të jenë në hijen e Tij, ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së tij dhe përmendi ndër ta: -Ai person që jep lëmoshë fshehurazi, sa nuk din e majta se çfarë jep e djathta.”
Zoti më bekoftë mua dhe ju me Kuranin Famëlartë, na bëftë të përfitojmë me ajetet e tij, këtë kisha për të thënë, faljen e Allahut e kërkoj për vete dhe për ju, lutuni Atij për falje, se vërtetë ai është Falës dhe Mëshirues i madh!
Falënderimet i takojnë Allahut për çdo mirësi e begati, atë e dëshmojmë si një të vetëm dhe të pashoq, Ai që na udhëzoi për meditim rreth universit dhe mrekullive të tij, sikurse dëshmoj se zotëria dhe profeti ynë Muhamedi a.s, është rob dhe i dërguar i Tij, ai e pastroi zemrën nga sëmundjet dhe lëngatat e saj, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në fund!
Ju këshilloj ju dhe veten që ta kemi frikë Allahu!
Adhurimet individuale janë të mëdha, po ashtu dhe adhurimet kolektive, si namazi apo Haxhi kanë vlera dhe synime të qarta, ndër to, afrimiteti dhe dashuria, prezantimi me gjendjen e njëri-tjetrit, shfaqja e krenarisë së myslimanëve, mësimi i të paditurit, të mësuarit e njerëzve me unifikimin dhe mospërçarjen, barazia dhe flakja tutje e dallimeve shoqërore.
Shumëllojshmëria e adhurimeve është një fushë e gjerë për të vepruar, gjithsecilit i çelet dera për të cilën është krijuar dhe është adap për të.
Njerëzit janë të ndryshëm në këtë kapitull, sikurse përmendin dijetarët, pra ka prej tyre që diturinë e kanë më të lehtë se asketizmin, ka të tjerë që asketizmin e kanë më të lehtë, ka të tjerë që adhurimin e kanë më të lehtë nga dy të përmendurat, ajo që kërkohet prej gjithsecilit është të veprojë atë të mirë që ka mundësi, thotë Allahu: “Prandaj sa të keni mundësi, ruajuni prej dënimit të Allahut”, Tegabun 16.
Kur myslimani e kupton vlerën e shumëllojshmërisë së adhurimeve, obligohet që ta falënderojë Zotin për to duke u përpjekur, siç thotë profeti a.s: “Allahu kënaqet me njeriun kur ai ha e pi dhe e falënderon Zotin për to.”
Dërgoni salavatë mbi profetin e dritës, Allahu ju urdhëron në librin e Tij: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë.O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me ‘selam’!”, Ahzabë 56.
Zot begatoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e begatove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i lavdishmi dhe i falënderuar, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, vërtetë Ti je i Lavdëruar dhe fort i Madhëruar!
Bekoji Zot dhe katër kalifët e drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmani dhe Aliun, si dhe mbarë shokët e tij të nderuar dhe ne bashkë me to o Mëshiruesi i Mëshiruesve!
O Allah, lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërroji armiqtë e fesë, na e mbro fenë, bëje këtë vend të sigurt e të qetë dhe mbarë trevat islame!
Zoti ynë ne të kërkojmë Ty xhenetin dhe çdo vepër dhe fjalë që të afron për në të, mbrojtjen Tënde kërkojmë nga zjarri dhe çdo gjëje që të afron për në të.
Zot ne të kërkojmë çdo të mirë, të shpejtë apo të mëvonshme, të ditur nga ne apo të paditur, mbrojtjen Tënde kërkojmë prej çdo të keqeje, të cilën e dimë dhe nuk e dimë!
Zoti ynë kërkojmë të na pajisësh me udhëzim, devotshmëri, dinjitet e pasuri!
Zoti ynë! Nga Ti kërkojmë çelësat e çdo mirësie dhe përmbledhje, nga e para dhe deri tek e fundit, sikurse kërkojmë të na lartësosh në gradë të larta në xhenet!
Zot na e ruaj fenë për të cilën jetojmë, na e rregullo dunjanë në të cilën jetojmë, na e bëj kismet shpërblimin e ahiretit tek i cili do të kthehemi, jetën na e mbush përplot me mirësi, bëje vdekjen prehje nga çdo e keqe!
Zot na ndihmo dhe mos ndihmo kundër nesh, na bëj të triumfojmë dhe mos të mposhtemi, na ruaj nga intrigat, udhëzona dhe na e bëj të lehtë udhëzimin, ndihmona ndaj atyre që na kanë bërë padrejtësi!
Zot na bëj falënderues ndaj Teje, përmendës të vazhdueshëm, modestë, të nënshtruar për tek madhëria jote të penduar.
Zot pranoje pendimin tonë, na i laj gjynahet tona, na bëj të qëndrueshëm në fjalët dhe veprat tona, si dhe në zemrat tona!
Zot Ti je Falës e do faljen ndaj na fal!
Zot na fal në ato që kemi bërë në të shkuarën, apo dhe më pas, atë që i kemi bërë publikisht apo fshehurazi, si dhe ato që Ti i di më mirë nga ne! Nuk ka Zot tjetër veç Teje!
Mbrojtjen Tënde kërkojmë nga perëndimi i mirësive Tua, nga ndryshimi i begative Tua, nga ndëshkimi yt i papritur dhe prej zemërimit Tënd!
Zot na e bjer mbarë kudo, mos lejo t’i mbështetemi vetes sonë e askujt prej krijesave të Tua, as aq sa hap e mbyll sytë!
Zot na e bëj të mirë fundin e gjithçka, ruana nga nënçmimi i kësaj jete dhe dënimit të ahiretit!
Zot derdh mbi ne bekimet, mëshirën, mirësinë dhe furnizimin Tënd!
Zot na e beko jetën tonë, veprat tona, bashkëshortet tona, pasardhësit tanë, pasuritë dhe familjet tona, si dhe ne bëj të begatë kudo që të ndodhemi!
Zot drejtoje prijësin tonë në çdo gjë që Ti do e pëlqe, drejtoje për në rrugën Tënde, bëje veprën e Tij të kënaqshme për Ty, po ashtu dhe zëvendësin e tij, si dhe mbarë prijësit e myslimanëve kudo që janë!
“Zoti ynë ne u treguam të padrejtë me vetet tona, e nëse Ti nuk na fal e mëshiro ne do jemi nga të humburit”, A’raf 23.
“Zoti ynë na fal ne dhe vëllezërit tanë që na paraprinë në besim, mos lejo që në zemrat tona të ketë urrejtje për ata që besuan, Zoti ynë! Vërtetë Ti je i Mëshirshëm e i dashur”, Hash 10.
“Zoti ynë na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe ruana nga dënimi i zjarrit”, Bekare- 201.
“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti nga e neveritura dhe dhuna, ju këshillon ashtu që të merrni mësim!”, Nahl 90.
Kujtojeni Allahun t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë, t’ua shtojë, përmendja e Allahut është vepra më e madhe, Allahu e di atë që ju veproni!