Përmendja e Allahut dhe jeta e zemrave – Shejh Fejsal ibn Xhemijl Gazaui – 21.09.2018

Hytbeja e xhumasë Mekë 21.9.2018

Përmendja e Allahut dhe jeta e zemrave

Shejh Fejsal ibn Xhemijl Gazaui

 

Falënderimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë, falje e udhëzim dhe çdo lavd ia dedikojmë Atij.

Mbrojtjen e Allahut e kërkojmë nga të këqijat e vetvetes dhe veprave tona, atë kë e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbet, e atë që e humbet Allahu nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe i pashoq, Dëshmoj se Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me një frikë të vërtetë dhe mos vdisni, vetëm se duke qenë myslimanë” Ali Imran 102.

“O ju njerëz, frikësojuni Zotit tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe prej saj krijoi palën e saj, e prej atyre të dyve u shtuan shumë burra e gra. Kini frikë Allahun me emrin e të Cilit përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju!” Nisa 1.

“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thoni fjalë të drejta! Ai iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh!” Ahzab 70-71.

Në çdo lëvizje dhe pushim që besimtari bën, në udhëtimet dhe lëvizjet e tij si dhe në çdo gjendje të tij nuk mundet të bëjë pa Krijuesin dhe Zotin e tij, pasi që Ai është Ndihmësi dhe synimi i tij.

Besimtari i vërtetë është adhurues i denjë, i nënshtruar ndaj urdhrave të Zotit, sa më shumë që e adhuron Zotin aq më shumë e forcon lidhjen me Zotin dhe forcohet në besimin dhe fenë e tij.

Profeti Hud a.s, i drejtohet popullit të tij si udhërrëfyes: “O populli im, kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij, Ai ju lëshon shi me bollëk, dhe fuqisë suaj i shton fuqi e mos refuzoni e të bëheni mëkatarë!” Hud 52.

Ata ishin ndër njerëzit më të fortë, kështu që kur pyetën se kush është më i fortë se ata, ai iu përgjigj, se nëse do besojnë “dhe fuqisë suaj i shton fuqi”.

Ajeti na mëson se largimi prej mëkateve dhe istigfari janë shkak për pasurim e bollëk, krenari e fuqi.

Ibn Kethiri ka thënë: “Kush bëhet pjesë e një virtyti të tillë, të kërkuarit falje, Zoti ia lehtëson rrugët e furnizimit, ia ruan pozitën dhe postin!”

Kur Fatimja i kërkoi Profeti a.s një shërbëtore, Ai e mësoi atë dhe Aliun duke u thënë: “A t’ju tregoj diçka më të mirë nga ajo që ju kërkuat? Para se të flini thoni 33 subhanallah, 33 herë elhamdulilah dhe 33 herë Allahu Ekber, kjo është më e mirë se shërbëtori.” Buhariu.

Profeti a.s e mësoi të bijën se përmendja e Zotit e forcon trupin dhe lind prej tij forca që të bën të kesh fuqi më shumë se shërbëtori.

Ibn haxheri ka thënë: Nga fjala e Profetit a.s : “A t’ju tregoj diçka më të mirë nga ajo që ju kërkuat?”, përfitojmë se përmendësit eAllahut i jepet fuqi më e madhe se ajo që disponon shërbëtori, ose i lehtësohet në atë mënyrë sa dhe të kishte shërbëtor s’do e kishte aq të lehtë.

Të nderuar besimtarë! Të dashurit e Allahut arritën ta kuptojnë në mënyrë të drejtë se përmendja e Allahut është ushqimi pa të cilin nuk munden, ushqimi i shpirtit është më i nevojshëm se ushqimi i trupit, madje trupi vetë e merr ushqimin nga shpirti, zemrat e tyre janë të lidhura me përmendjen e Allahut, ndërsa gjuhët e tyre nuk rendin së përmenduri Atë.

LEXO  Haxhi në mes shtyllave të adhurimit dhe mbushjes së zemrës

Xhabir Ibn Semure transmeton se Profeti a.s kur e falte namazin e sabahut, qëndronte ulur në vend faljen e tij derisa të lindte dielli. Muslimi.

Ebul Abas el Kurtubi ka thënë: “Ky veprim i Profetit a.s tregon se është e pëlqyer që pas namazit të sabahut të qëndrosh ulur duke bërë dhikër dhe lutje, pasi që në atë kohë nuk lejohesh më të falesh, po ashtu dhe punët e angazhimet nuk kanë nisur ende, kështu që zemra është më e gatshme dhe e freskët, mediton në atë që thotë dhe shpresohet në pranimin e lutjes.”

Uelijd ibn Muslimi tregon se imam Euzaiu qëndronte ulur pas namazit të sabahut duke përmendur Allahun derisa të dilte dielli dhe u tregonte se kështu ka qenë zakoni i selefëve, e pasi dilte dielli drejtoheshin për në mësimin e fesë.

Ibn Kajimi tregon për hoxhën e tij Ibn Tejmijen: “Kam prezantuar njëherë namazin e sabahut me hoxhën, pasi që falëm sabahun u ul duke bërë dhikër afërsisht deri në drekë, më pas u kthye nga unë dhe më tha: Kjo është dreka ime se nëse nuk ushqehem nuk kam më fuqi.”

Vallë, personi që e nis ditën me përmendjen e Allahut, me qëndrimin para madhështisë së Tij i nënshtruar, i bindur, duke e lutur dhe duke shpresuar, ai do jetë tepër aktiv për pjesën tjetër të ditës pasi që ushqimi i shpirtit i jep ushqim dhe trupit.

Po nëse ky dhikër përmbledh përmendjen e Zotit me gjuhë dhe me veprime fizike, sikurse namazi i natës? Madje përmban shumë lloje dhikri, si këndimi i Kuranit, dhikret dhe lutjet e ndryshme.

Gjithë këto veprime me padyshim që njeriut i japin energji fizike dhe shpirtërore, aq më tepër që namazi i natës ka qenë traditë e Profetit a.s.

Aisheja r.a tregon se Profeti a.s falej aq shumë natën sa i ënjteshin këmbët, Aisheja e pyeti se: “Përse e mundon veten kaq shumë o i dërguar i Allahut, ndërkohë që Zoti t’i ka falur mëkatet e kaluara, apo dhe gabimet në të ardhmen?

Ai tha: -Dua që të jem njeri falënderues!” Mutefekun alejhi.

Ky adhurim e forcon shpirtin dhe e ushqen, prandaj nuk është e çuditshme përpjekja dhe sakrifica e Profetit në një adhurim të tillë, pasi nëpërmjet tij ai qëndronte i fortë dhe luftonte dredhitë e armikut.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e ji prej atyre që luten me përulje” Hixhr 97-98.

Mbështetu Zotit, se Ai të mjafton dhe do të ndihmojë kundra tyre, ji i angazhuar me përmendjen dhe adhurimin e Allahut ndaj thotë: “Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e ji prej atyre që luten me përulje!”.

Profeti a.s e kishte zakon që sa herë ngushtohej në ndonjë punë ai falej, sepse namazi është gjëja që të forcon, thotë Allahu i Lartësuar: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri, fal namazin, vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja adhurim” Ankebut 45.

Allahu i Madhëruar i ka sjellur Profetit tonë shembullin e Profetit Daud dhe qëndrueshmërinë e tij në adhurim ku thotë: “Ti duro ndaj asaj që ata thonë dhe përkujto robin Tonë Daudin të fuqishmin në fe e trup, vërtetë ai gjithnjë i drejtohej Allahut” Sad 17.

Sadiu ka thënë: “Ndër urtësitë dhe dobitë që gjenden në tregimin e Daudit është dhe fakti se Zoti provon dhe pëlqen, kur robi është i fortë në adhurimin e tij, i fortë në besim e fizikisht, pasi që një forcë e tillë arrin të realizojë atë që se bën dot dobësia e pafuqia, ndërsa njeriu duhet të përpiqet dhe të jetë sa më larg përtacisë, apo rrugëve që ta dobësojnë shpirtin.”

LEXO  Paqja dhe lumturia janë në paqen e zemrave

Profeti a.s nuk mjaftohej vetëm më një mënyrë të vetme në forcimin e lidhjes me Zotin, por këto adhurime ishin të shumëllojshme.

Buhariu transmeton se Ebu Hurejre përcjell nga Profeti a.s i cili ka ndaluar nga agjërimi i pandërprerë, një ndër të pranishmit i tha: -Po t’i agjëron pandërprerë, o i dërguar i Zotit?

Profeti i tha: -E kush prej jush është si unë? Mua më jep të ha dhe pi Zoti duke qëndruar me ju.

Domethënë se më angazhon me të medituarin rreth madhështisë dhe mirësive të Tij, në të mbushurin e zemrës përplot me dashuri, duke u thelluar në lutje e adhurim, gjë që ma zëvendëson të ngrënën dhe të pirën.

Ibn Kajimi ka thënë: “Ky ushqim është më i rëndësishëm se ushqimi fizik, e ai që e ka provuar diçka të tillë arrin ta kuptojë vlerën që të jep një ushqim i tillë ndaj ushqimit fizik, e veçanërisht për personin që e ka zemrën të mbushur me dashurinë për Zotin.”

Dhikri është shtylla e adhurimeve dhe më i lehti për t’u praktikuar, kjo si zbatim i urdhrit të Allahut ku thotë: “O ju të cilët keni besuar, përmendeni Allahun shumë!” Ahzab 41.

Ibn Atijeh ka thënë: “Diçka të tillë Zoti nuk e ka kufizuar dhe kjo se dhikri është i lehtë për t’u praktikuar.”

Të nderuar besimtarë! Zemra kërkon ushqim që të mbetet e fortë dhe ushqimi i zemrës është përmendja e Allahut dhe vepra e mirë, sa më të shumta të jenë këto aq më i fortë është njeriu në fe.

Jeta e vërtetë është ajo e zemrës dhe kjo nuk mund të realizohet, vetëm se duke zbatuar atë që e kënaq Allahun e madhëruar.

Thotë Profeti a.s: “Shembulli i atij që e përmend Allahun dhe atij që nuk e përmend, është si dallimi mes të gjallit dhe të vdekurit” Buhariu.

Kur zemra është e ndërgjegjshme me Zotin dhe punon për Të, ajo jeton jetën e vërtetë, e kur zemra e njeriut hutohet ndaj Zotit dhe i kthen shpinën përmendjes së Allahut, atëherë ajo vdes.

Njeriu nuk gjen prehje dhe qetësi, vetëm se në adhurimin e Zotit të tij, të gjitha këto vepra të mira janë garanci që njeriun ta pajisin me qetësi, prehje, durim, largim të stresit, largim të pesimizmit dhe çlirim nga çdo brengë e vështirësi.

Kjo ishte ajo që kisha për të thënë. Allahut i kërkoj falje për vete dhe ju. Ndaj dhe ju kërkojini falje se me të vërtetë Ai është Falës dhe fort Mëshirues.

Falënderimet qofshin për Allahun të Cilit kush i drejtohet Ai e pret, kush i kërkon mbrojtje Ai e shpëton dhe siguron, e kush i mbështetet Atij, Ai i mjafton.

Atë e falënderoj dhe e dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Tij, Ai ka udhëzuar prej robërve të Tij kë ka dëshiruar, dëshmoj se Muhamedi është rob, profet dhe i përzgjedhuri i Zotit, ai ishte njeriu që kish lidhjen më të fortë me Zotin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij dhe këdo që e pason!

Të nderuar besimtarë! Ndër frytet më të mëdha të besimit është lidhja me Zotin, kthimi për tek Ai dhe shprehja e nevojës për Të, si dhe realizimi i adhurimit në kohë vështirësie dhe rehatie.

LEXO  Punët e mira që të afrojnë te Zoti - Meka 31.12.2021

Lidhja e fortë me Zotin e bën besimtarin ti bindet urdhrave të Zotit, t’i largohet të ndaluarave, ta zbatojë fenë e Tij, e kush e arrin diçka të tillë, ai ka arritur të jetojë me të vërtetë.

Thotë Allahu i Madhëruar: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë në të dy botët e do t’u japim shpërblimin më të mira për veprat e tyre” Nahl 97.

Lidhja e mirë dhe e fortë me Zotin, e nxit njeriun për të vepruar dhe e bën që t’i kërkojë llogari vetes për çdo vepër sado e vogël qoftë ajo, ai i ruhet vështrimit të Zotit para se t’i bëjë përshtypje gjykimi i krijesave.

Njeriu i tillë, shikohet vazhdimisht i drejtuar për nga Zoti, kujdeset që të mos i mbesë vepër e mirë pa kryer, sikurse pikëllohet për kohën e kaluar dhe mosshfrytëzimin e saj siç duhet.

Dijeni se kush i ruan gjymtyrët e tij nga të ndaluarat, Zoti ia shton fuqinë dhe ia bën të mundur përdorimin e këtyre gjymtyrëve vazhdimisht.

Ndër lutjet e Profetit a.s ishte: “Kënaqna me dëgjimin, shikimin dhe forcën që na ke dhënë sa të jemi gjallë dhe mos na shkëput prej tyre.”

Kënaqësia e këtyre gjymtyrëve do të thotë që t’i gëzosh të sakta deri në vdekje këto gjymtyrë, dhe lutja do të thotë: “Na e bëj të mundur që t’i gëzojmë të sakta dëgjimin, shikimin dhe çdo gjymtyrë tjetër qoftë dhe brendshme, duke i përdorur për vepra të mira deri në vdekje.”

Kush i ruan këto gjymtyrë për Allahun në kohë rinie, e ruan atë Allahu në kohën e pleqërisë dhe dobësisë, duke ia lënë gjymtyrët të sakta bashkë me to dhe mendjen e çdo organ tjetër.

Ju këshilloj të bini salavatë mbi të përzgjedhurin e mbarë Profetëve Muhamedin, sikurse na ka urdhëruar Allahu ku thotë: “Allahu dhe Melaiket e Tij e lavdërojnë Pejgamberin, o ju që keni besuar lavdërojeni atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.

Zot lavdëroje Muhamedin dhe familjen, gratë dhe trashëgimtarët e tij, sikurse e ke lavdëruar Ibrahimin dhe familjen e tij, Bekoje Zot Muhamedin, familjen, gratë dhe trashëgimtarët e tij sikurse e ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e tij ti je i Falënderuari dhe i Lavdëruari.

Zoti ynë lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ruana boshtin e fesë, bëje të sigurt këtë vend dhe mbarë trevat islame.

Zot sigurona në trevat dhe shtëpitë tona, përmirësoje parinë tonë, bëj që të sundohemi nga njerëz që të njohin Ty dhe të kanë frikë e devotshmëri!

Zot drejtoje prijësin tonë për në fjalët dhe veprat që Ty të pëlqejnë, drejtoje për çdo vepër të mirë!

Zot ji pranë çdo nevojtari, pranë çdo luftëtari në rrugën Tënde, pranë çdo rojtari dhe flamurtari në vendbeteja të ndryshme, ndihmoju dhe ruaji nga çdo e keqe o Zot i gjithësisë!

Zot ynë na bëj falënderues ndaj Teje, Përmendës, të kthyer drejt Teje me nënshtrim e dashuri!

Zot na e ruaj fenë dhe besimin tonë kur ne lëvizim, ulemi apo flemë, mos lejo që armiqtë dhe lakmitarët të gëzohen me ne!

Ruana Zot nga e keqja e të këqijve, nga intrigat e intrigantëve dhe dëmi i dëmtuesve, na mbroj dhe izolona prej tyre!

Zot na mbaj të udhëzuar dhe na bëj ftues për në rrugën Tënde të drejtë dhe çdo falënderim të takon Ty!

Meka / by

Post Author: admin