Aksa 5.10.2018
Cilësitë e besimtarit
Shejh Jusuf Ebu Sunejneh
Falënderimet i përkasin Allahut të Lartësuar, Zotit të mirësive të panumërta, Mëshiruesit që lartësohet përmbi arsh, Atij që di të fshehtat dhe publiket, di dhe pëshpërimat.
Ai e shpalli Kuranin me diturinë e Tij, krijoi njeriun me dorën e Tij, Ibrahimin e veçoi duke e bërë mik Tijin, Musait i foli me gjuhën e Tij, Nuhun e shpëtoi nëpërmjet ndërtimit të anijes, ndërsa Profetin Muhamed a.s e veçoi me dashurinë dhe mëshirën e Tij.
Na ka treguar se askush nuk mund të lindë pa lejen e Tij, sikurse çdo gjë do shkatërrohet përveç madhërisë së Tij, Atij i takon gjykimi dhe tek Ai do ktheheni.
Zot na mbaj nën vështrimin e syrit Tënd që nuk fle, ruana me pushtetin Tënd që nuk tretet, s’ka si të shkatërrohemi, kur Ti je shpresa jonë.
Zot ynë, t’i kemi lënë në dorë armiqtë, ruana Zot prej të keqes së tyre.
Dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i Cili e ka mbushur botën me mirësi e begati, dhe këto mirësi ua ka dhënë robërve në mënyrë të fshehtë.
Zot na furnizo, fuqizo, mbrona dhe ruana me melaiket e tua dhe përdorna për të mira!
Dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, e besojmë profetësinë e tij dhe misionin me të cilin u dërgua, pa kurrfarë dyshimi dhe me këtë synojmë që të jemi prej besimtarëve të denjë pasues të Ibrahimit a.s, dhe të na mbledhë në Xhenete me Profetët, të mirët, të ndershmit, e sa shokë të mirë që janë ata.
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi dëshmitarin, ai që ftoi për në rrugën e Allahut e ishte si një kandil ndriçues, prijësit të profetëve dhe vulës së tyre, mbi familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnikë, dijetarët dhe prijësit e drejtë dhe mbi këdo që e ndjek udhën e tyre deri në ditën e fundit!
Një ndër të urtët është pyetur se cili është njeriu më i drejtë, më i padrejti, më i mençuri, më naivi dhe më i lumturi?
Njeriu më i drejtë është ai që është i drejtë me veten, më i padrejti është ai që padrejtësinë e tij e konsideron drejtësi, më i mençuri është ai që përgatitet për diçka para se të ndodhë, më naivi është ai që e shet ahiretin për interesat e kësaj bote, e më i lumturi i njerëzve është ai që e mbyll mirë këtë jetë.
Ndaj kini frikë Allahun të nderuar besimtarë, frikësojuni lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, pasi në krah të saj qëndron Allahu që thotë: “Pasha Madhështinë Time, do të të ndihmoj qoftë edhe më vonë.”
Të nderuar besimtarë! Çdo fe ka virtytet e saja, e virtyt i kësaj feje është turpi, ndaj mos armiqësoni kënd se do surprizoheni nga reagimi i të urtit, por dhe nga pabesia e të ligut.
Ai që tjetrit i shpreh me gojë se e do, por me zemër fsheh urrejtjen, atë e mallkon Allahu dhe ia verbon zemrën.
Të nderuar besimtarë! Vallë pse kemi arritur në një gjendje që nuk kënaq vetëm se mosbesimtarët, a nuk jemi myslimanë? A nuk jemi pasues të Muhamedit a.s? a nuk jemi ne në të vërtetën? Përse pranojmë nënçmim të fesë sonë? Ç’është gjithë kjo dobësi dhe nënçmim?
Shikoni se si të parët tuaj, kur ishin të kapur për feje, hapën treva të ndryshme plot krenari e dinjitet, me durim e trimërisë, me sakrificë e me vullnet të madh.
Dëgjoni se çfarë thotë tabiini i ndershëm Is’hak es Sebijij: “O ju rini! Shfrytëzojeni rininë dhe forcën tuaj. Unë i këndoj 1000 ajete çdo natë, e këndoj suren Bekare në një rekat, i agjëroj muajt e shenjtë, edhe tre ditët e bardha, të hënat dhe të enjtet.”
Kjo ishte ajo që i bëri të triumfojnë, të ruajnë fenë dhe dinjitetin, të përsosin adhurimin, qëndronin natën zgjuar duke u falur, e ditën kërkonin falje, edhe ne po të veprojmë kështu, duhet ta dimë se Allahu nuk i le në rrugë besimtarët.
O ti vëlla! Mos e lër namazin e natës, ai është dritë për besimtarin, dritë që e rrethon dhe ditën e gjykimit, sa më shumë të qëndrosh duke u falur, aq më shumë do të forcohen këmbët në urën e Siratit.
“Të ndershmit e umetit tim, janë ata që e këndojnë Kuranin dhe falen natën”.
Nëse ndihesh dembel ndaj namazit të natës, duhet të shikosh veten se çfarë gjynahesh ke bërë, si mendjemadhësia, smira, arrogance, syfaqësi, vetëpëlqimi, e pabesi ndaj të tjerëve.
Zoti i Gjithësisë i shpalli Daudit a.s: “O Daud! Ka gënjyer ai që pretendon se më do mua, por kur bien nata ai fle gjumë.”
Besimtari nuk e di se ç’është smira e urrejtja, ai nuk armiqëson e sulmon vëllezërit e tij, por fal, duron dhe është zemërgjerë.
Thotë Allahu: “Andaj ti sillu me zemërgjerësi” Hixhr 85.
“Dhe largohu nga ata në mënyrë të hijshme” Muzemil 10.
“Prandaj duro me durim të hijshëm” Mearixh 5.
“E mposhtin zemërimin dhe ua falin njerëzve” Ali Imran 134.
“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë” Fusilet 34.
“Me të mirë” do të thotë ta harrosh gabimin e shkaktuar dhe të mos i japësh të drejtë vetëm vetes, dhe kjo është ndër virtytet e mira me krijesat.
Të falësh gabimin do të thotë të pajisesh me moral të mirë, i cili të ngre në gradat më të larta të sjelljes dhe s’mund të ngrihesh në këto gradë të larta vetëm se me durim dhe duke përballuar sfida, ashtu sikurse ndodhi me Jusufin a.s, por dhe me Profetin tonë a.s ditën, kur çliroi Mekën.
Të nderuar besimtarë! Një ditë prej ditësh Abdulmelik ibn Meruani që ishte i ri, u zu me dikë dhe ky e mundi dhe e nënçmoi.
Dikush i tha: -Po të njoftosh xhaxhain tënd ta marr hakun. Por ai i tha: -Nuk e shoh të drejtë që dikush tjetër të ma marrë hakun.
Kur u bë mbret ia përmendën këtë rast dhe ai tha: -Urrejtja e sulltanit është paaftësi.
Po ne të nderuar besimtarë përse nuk veprojmë ashtu, por kemi nxjerrë nga zemra dashurinë për Zotin dhe kemi mbjellë aty dashurinë për jetën, kemi flakur shpresën dhe kemi mbjellë lakminë, kemi ndërtuar pallate e kemi rrënuar varret, kemi shkulur synetin e të mirëve duke e zëvendësuar me sjellje prej shejtanësh, kemi braktisur përmendjen e Allahut dhe jemi angazhuar me përmendjen e njerëzve.
A prisni që me të tillë vepra t’ia arrijmë të mposhtim armikun dhe të çlirojmë vendet e shenjta?! Kurrën e kurrës!
Me këto që keni bërë vetëm se keni kënaqur armikun dhe argument është gjendja në të cilën jemi, ndaj kthehuni sa nuk është vonë.
Shikoni gjendjen në të cilën kemi mbërritur, dëshmorët bien dita-ditës, të plagosurit shtohen, shenjtërit cenohen e toka grabitet çdo ditë, të burgosurit dhunohen, rojet përjetojnë dhunë të madhe e rinia jonë vuan.
Gratë dhe fëmijët tanë merren në pyetje, gjendja e vëllezërve tanë në Han Ahmer është si mos më keq, e megjithatë ata qëndrojnë të fortë dhe të palëkundur.
E gjitha kjo ndodh nën shikimin tuaj, e ju jeni të hutuar pas festive e gëzimeve, guxojnë e flasin për të patundurit, madje arrin të ketë grabitje e përdhunime, ndërsa ju duartrokisni këta hipokritë që i kanë ngjyer duart me gjak.
Besimtarë të nderuar! Kush ndihmon armiqtë në planet e tyre e shpërblejnë me pabesi, dhe kjo është një e vërtetë e padiskutueshme.
Ne kemi nevojë të bashkohemi dhe s’kemi nevojë për përçarje e të themi se kush nuk është me ne nuk është prej nesh.
Ne jemi një komb, nuk pranojmë përçarje e konflikt, uniteti dhe bashkimi është metoda e besimtarëve.
Mësoni prej qëndrimit të Halidit, e ku ta gjejmë ne sot një Halid, i cili kur e shkarkoi Umeri tha: -Nuk kam luftuar për Umerin që të zemërohem.
Ne sot kemi nevojë për njerëz që punojnë vetëm e vetëm për Allahun, kështu duhet të jetë ai që punon për Allahun në të kundërt s’kemi nevojë për to.
Vëllezër të dashur! Nuk janë cenuar trevat tona vetëm se për pasojë të gjynaheve, nuk është derdhur gjaku ynë, vetëm si pasojë e krimeve.
Ky është një realitet i hidhur, ne kemi njerëz që ushtrojnë aktivitete haram, madje spiunojnë e akuzojnë të tjerët duke humbur kështu dunjanë dhe ahiretin.
O ju rini! Vendet tona të Shenjta kanë nevojë për përpjekje të hekurta, ndaj përgatituni fort dhe dijeni se lavdia arrihet në bazë të mundit dhe sakrificës, lavdia arrihet duke ndejur zgjuar natën dhe ai që kërkon perla lundron dhe në det.
Vendosmëria dhe përpjekja është ndër veprat më të pëlqyera, e veçanërisht në moshë të re pasi që e ndihmon njeriun të përparojë dhe t’i largohet nënçmimit e poshtërimit.
Umeri r.a ka thënë: “Mos t’ju dobësohet vullneti, se ajo që e shkatërron një komb është dobësia e vullnetit.”
Profeti a.s ka thënë: “Kush ia lehtëson vëllait besimtar një brengë nga brengat e kësaj bote, ia lehtëson Allahu një brengë nga brengat e ahiretit, kush ia lehtëson atij që gjendet në vështirësie, ia lehtëson Allahu, kush e mbulon të metën e besimtarit ia mbulon Allahu në dunja e ahiret, Allahu e ndihmon njeriun për sa kohë që njeriu e ndihmon vëllanë e tij”.
Luteni Allahun duke qenë të sigurt në përgjigjen e Tij, lum për ata që kërkojnë falje.
Falënderimi i takojnë Zotit të botëve, salavatet qofshin mbi Muhamedin, i cili ftoi për ne fenë e vërtetë, mbi familjen dhe shokët e tij, bashkë me ta dhe ne.
Vëllezër të nderuar! Ka njerëz që janë çelësa të së mirës ndaj jini të tillë, myslimani kudo që gjendet prezanton bashkë me të bereqeti e mirësia, thotë Allahu i Madhëruar për Isain a.s: “Dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem” Merjem 30.
Besimtari është i dobishëm për besimtarët, ai i forcon lidhjet farefisnore, flet bukur, e ndihmon nevojtarin, e pret mikun, ndihmon atë që ka mbetur në rrugë dhe e ndihmon atë që i është bërë padrejtësi.
Kush prej nesh sot po pajiset me të tilla sjellje?! Sot ka njerëz që kur e dëgjojnë të vërtetën mbyllin veshët dhe e groposin, kur dëgjojnë të kotën hapin veshët e dëgjojnë gënjeshtrat, hanë haramin, me gjuhët e tyre thonë se besuam, por zemrat s’kanë besuar, e ndryshojnë fjalën e drejtë, ata janë që Zoti nuk ua ka çelur zemrat, në dynja kanë poshtërimin e në botën tjetër ndëshkimin e tmerrshëm.
Këto janë virtyte e besimtarit, e nëse e sheh dikë që adhurimin e merr me përtim e me paqejf, e ka me qejf haramin, i pëlqen bota, ahiretin e ka dorë e dytë, flet për nderin e besimtarëve, është i dhënë pas epsheve, dije se ky është i larguar nga feja dhe në zemrën e tij s’ka hedhur Zoti udhëzim. Zot largona nga nënçmimi i mëkatit për në krenarinë e adhurimit.
Vëllezër të nderuar! Shikoni në ç’gjendje jemi, imoralitetin e kanë lejuar, mbulesën e kanë cenuar, fëmijët dhe gratë po i vrasin, njerëzit përjetojnë mundime, të qarat dhe britmat e tyre janë ngritur lart.
Sa të moshuar ka, që thinjat i janë skuqur prej gjakut, sa fëmijë ka që mbush horizontin e qara e tyre? Ku janë përgjegjësit që gjykojnë me Kuran e Synet? Ku janë ata që mbrojnë myslimanët dhe vendet e tyre të shenjta? Ku janë ata që i bashkojnë taborët dhe i unifikojnë? A dëgjon zërin e ndonjërit prej tyre?
O ju që keni marrë përsipër të gjykoni robërit e Zotit! Mos vrisni të pafajshmit dhe mos shkoni larg se dënimi i Zotit do t’ju kaplojë, sepse Zoti nuk pajtohet që të cenohen të dashurit dhe robërit e Tij, Zoti nuk e lejon padrejtësinë sado pak qoftë ajo.
Kush merr përsipër një detyrë për të cilën nuk është meritorë, le ta përgatisë vendin e tij në zjarr.
O bashkatdhetarët tanë! Ju jeni sprovuar, por duroni, sepse lehtësimi është afër me shpresë të Zotit, nëse Zoti është me ju prej kujt duhet të keni frikë?!
A nuk jeni ju të përzgjedhurit e Allahut që përfaqësoni mbarë Umetin islam në mbrojtje të vendeve të shenjta? A nuk i kemi përcjellë dëshmorët me karvanë? A nuk janë burgjet e sionistëve, përplot me njerëz tanë? A nuk janë spitalet përplot me të plagosurit tonë? A nuk na mjafton kjo neve si nder para Allahut?
A nuk janë shkatërruar shtëpitë tuaja dhe privoheni nga prezantimi në xhami e megjithatë ju keni duruar dhe keni qëndruar.
Falënderojeni Allahun për këto mirësi, ju ka zgjedhur dhe kujtojeni vazhdimisht fjalën e të mençurve që thotë: “Rehatia është e lidhur me sprovën, qetësia është e lidhur me drejtësinë e siguria është e lidhur me frikën.”
O ti i rehatuar, përgëzohu me sprovë, o ti i siguruar mos prit tjetër vetëm se terror dhe ti që je në lehtësi dije se vështirësinë e ke ngjitur.
Nëse vdes besnikëria zbret belaja, nëse shuhet kapja e fortë jeton hakmarrja, e nëse përhapet tradhtia shuhet bereqeti.
Kur sprovat dhe tragjeditë zbresin mbi një popull në mesin e të cilit ndodhet ndonjë përkujtues janë më të lehta, ndaj o vëllezër jini ndër robërit e Allahut besimtarë.
“E nëse ai nuk do ishte ndër robërit tanë përkujtues, do qëndronte në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes”.
O ju që ju ka përzgjedhur Allahu, e ju ka nderuar me një begati të tillë! Duroni e kapuni fort pas fesë suaj dhe dijeni se ndihma e Allahut është afër.
Një ndër njerëzit e mirë ka thënë: “Kërkova pozitën e lartë dhe atë e gjeta tek modestia, kërkova prijësin dhe e gjeta në këshillimin e njerëzve, kërkova për njerzillëkun dhe atë e gjeta tek sinqeriteti, kërkova për krenarinë dhe atë e gjeta tek varfëria, kërkova për nderin dhe e gjeta në vetëmjaftueshmërinë, kërkova për rehatinë dhe atë e gjeta tek asketizmi.
Zoti ynë! Të drejtohemi Ty nga këto treva të begata dhe nga ky minber i nderuar, që t’i ndihmosh dhe lehtësosh çdo myslimani qoftë në lindje apo perëndim!
Zot na i mbulo të metat, na dhuro siguri, na i laj borxhet, na ruaj nga të gjitha anët dhe drejtimet!
Zot kërkojmë prej teje qetësi, siguri e rehati të vazhdueshme, në fe, në jetë e në ahiret!
Zot mos na ndaj nga ruajtja dhe sigurimi yt, mos lejo që të hutohemi e të harrojmë Ty!
Zot ndihmoji të dashurit e tu ndaj armiqve të tu, mos lejo që të shtypemi e të dhunohemi nga ata nuk ka kush veç Teje, që mund të na ndihmojë!
Zoti ynë! Ti që e ndihmove Nuhun në fjalën e Tij, Ti që e ndihmove Ibrahimin ndaj armiqve të tij, ti që ia ktheve Jakubit Jusufin, Ti që ia largove sprovën Ejubit, ju përgjigje lutjes së Zekerijas dhe pranove madhërimin që të bëri Junusi, kërkojmë të na i pranosh lutjet që të drejtuam, ta plotësosh premtimin që u dhe robërve të Tu besimtarë, nuk ka Zot tjetër të vërtetë veç teje, ne ishim prej të padrejtëve.
Çdo shpresë e jona është shkëputur përveç shpresës te Ti. Zot ruaje xhaminë Aksa nga çdo e keqe, liroi vëllezërit tanë të burgosur padrejtësisht, dhe largoje shtetrrethimin ndaj vëllezërve tanë.
Thërrite ikametin pasi që namazi ndalon nga e keqja, e ndyra dhe e liga, përmendja e Allahut është gjëja më e madhe, Zoti e di atë që ju veproni.