Nxitja për në qëndrueshmëri deri në vdekje

Hutbe e ditës së xhuma nga  Meka e bekuar      06- 01-1446  H    12-07-2024 D

Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd 

Tema Nxitja për në qëndrueshmëri deri në vdekje

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka vlerësuar dhe ka dhuruar, ka favorizuar dhe ka nderuar, ka lejuar dhe ka ndaluar. Atë e lavdëroj me lavdërime të bollshme dhe të bekuara, që i përshtaten pozitës së Tij të Lartësuar.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e atij që është i sinqertë ndaj Zotit të tij dhe i është nënshtruar.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i dërguar me fenë e drejtë për të gjithë popujt. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe bashkëshortet e tij, mbi shokët dhe pasuesit e tij në mirësi, për ata dërgojmë përshëndetje të shumta.

Në vijim

O ju njerëz, porosis veten dhe ju që të kemi frikë Allahun. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut dhe shfrytëzoni ditët para se ato të kalojnë dhe përmirësoni veprat tuaja para se ato të marrin fund. Vitet kalojnë njëri pas tjetrit ndërsa njerëzit janë të pavëmendshëm në gjumë, shikojnë ngjarjet dhe befasohen nga katastrofat dhe fatkeqësitë. Viti të cilin sapo e keni përcjellë dëshmon për atë që ju i keni dhënë lamtumirën. Zoti ju mëshiroftë, mendoni se me çfarë do të palosen faqet tuaja të këtij viti? Vallë, me vepra të mira? Apo me neglizhencë, pakujdesi dhe pavëmendje? Pastaj, vallë kush është fajtori? “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El-Mu’minun 115)

O ju muslimanë! Po, gjatë udhëtimit të njeriut për tek Zoti i tij ka tundime të rrezikshme dhe sprova të tërheqëse. “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija’ 35)

Sprova është nga ligjshmëria e Zotit të Madhërishëm që të identifikojë ata të cilët janë të vërtetë dhe të dallojë gënjeshtarët. Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit:  “Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën nga ata që gënjejnë.” (El ‘Ankebut 1-3)

Adhurues të Zotit! Kur ndodhin sprovat është frika nga pengesat.

O muslimanë!  Paqëndrueshmëria, rrotullimi dhe transformimi i zemrave është një nga dëshmitë më të mëdha të autoritetit të Zotit mbi zemrat. “O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!” (El-Enfal 24) Kushdo që ngurron në përgjigje dhe është i ngadalshëm në pranim, nuk është i sigurt se Zoti do të hyjë mes tij dhe zemrës së tij.

O ju musimanë! Qëndrueshmëria në fe është kërkesë e shtrenjtë dhe nevoja për të qenë serioz është një qëllim i rëndë, për të cilin muslimani ka nevojë për gjatë të gjithë jetës së tij. Qëndrueshmëri përballë dyshimeve, qëndrueshmëri përballë dëshirave dhe qëndrueshmëri përballë tundimeve, fitneve. “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim 27) Nga Sebretu Ibn Fakihe, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zemra e njeriut është në mes dy gishtërinjëve nga gishtërinjtë e të  Gjithëmëshirshmit, nëse Ai dëshiron ta devijojë atë, e devijon, e nëse dëshiron ta drejtojë, e drejton atë.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Ebi Asim në Sunet, ndërsa Shejh Albani e ka konsideruar të saktë. Ndërsa nga Mektad Ibn Esved, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zemra e njeriut është më e paqëndrueshme se një tenxhere kur arrin pikën e vlimit.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi dhe të tjerë veç tij.  Nga Enesi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thoshte shpesh fjalët: “ O Rrotulluesi i zemra më bëj të qëndrueshme zemrën në fenë Tënde!” Kam thënë: “ O i dërguari i Allahut, të kemi besuar ty dhe në atë me të cilën ti ke ardhur, a friksohesh për ne?” Ka thënë: “ Po, vërtetë zemrat  janë në mes dy gishtërinjëve nga gishtërinjtë e Zotit, i Cili i rrotullon ato sikur dëshiron.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu me zinxhir transmetimi të saktë.

LEXO  Mbrojtësit e fesë dhe vendit - Meka 21.01.2022

Vëllezër të nderuar! Frika nga devijimi pas drejtimit, dhe frika nga humbja pas udhëzimit të gjitha këto janë në gjokset e njerëzve të besimit në Zot, që janë të vendosur në dituri, njerëz të mendjes. Lexoni nëse dëshironi fjalën e Allahut që thotë; “ Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm njerëzit e mençur.  (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 7-8) Imam Ibn Batah  El Akbarij, Zoti e mëshiroftë, thotë: “ Zoti na mëshiroftë ne dhe ju, dijeni se cilësi dhe karakteristikë e besimtarëve është prania e besimit tek ata, dhembshuria e vazhdueshme për besimin e tyre dhe kujdesi i tyre i jashtëzakonshëm në lidhje me fenë e tyre. Zemrat e tyre janë të mbushura nga frika e  kundërshtisë, mospajtimit. Ata janë të rrethuar nga frika, duke mos ditur se çfarë do të bëjë Zoti  me ta në pjesën e mbetur të jetës së tyre. Janë të kujdesshëm ndaj këshillave, duke ndjekur atë që Zoti i tyre Bujar i ka urdhëruar të bëjnë, kur thotë: “Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet.” (En-Nexhm 32) Të frikësuar nga nocioni planifikimi i Zotit mund t’u sjellë atyre një fund të keq, ata nuk e dinë se çfarë do të bëhet apo çfarë do të prekin nga ajo që i ka paralajmëruar Zoti i Madhëruar, ku u ka transmetuar frikë, kur ka thotë: “Asnjë njeri nuk di se ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk e di se në ç’vend do të vdesë.” (Lukman 34) Ata janë në gjendjen e atyre të përshkruar nga Zoti i Madhëruar, ku thotë: “Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (El-Mu’minun 60) Ata bëjnë vepra të mira, i frikësohen veprat të tyre negative, i frikësohen veprimeve të pamoralshme dhe veprave të këqija dhe i frikësohen kryerjes së tyre. E  me këtë ka ardhur  syneti nga i përzgjedhuri.”  Këtu mbaron fjala e tij, Zoti e mëshiroftë.

Njerëzit e mençur thonë: “ Nën qartësinë e kohërave mund të jenë misteret e fatkeqësive.”

O ju muslimanë!  Në mënyrë që njeriu të ruhet nga këto pengesa dhe luhatje ai duhet të qëndrojë i lidhur me Zotin e tij, në fshehtësi dhe në publik, në të dukshmen dhe në të padukshmen. Ai duhet të ruajë kohën dhe gjuhën e tij, të përpiqet, të jetë serioz në punën e tij, të largohet nga të tepruarit dhe mizoria, dhe të ruhet nga pasioni, egoja, mendjemadhësia dhe hipokrizia. “ Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!”(El ‘Ankebut 69) Dijetarët kanë thënë: “ Bindja obligon afrimitetin, afërsinë me Zotin, ndërsa mosbindja obligon të larguarit nga Zoti. Sa më e madhe të jetë afërsia me Zotin aq më shumë shtohet dashuria për Të, e sa më shumë që të rritet largësia aq më e fortë është vetmia.”

O ju muslimanë! Njerëzit e dijes kanë përmendur një sërë arsyesh që shpien në qëndrueshmëri, stabilitet, prej tyre:  Të punuarit me legjislacion fetar, Sheriat, Allahu i Madhërishëm thotë; “ E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” (En-Nisa’ 66-68)

LEXO  Sëmundja e pakujdesisë... shkaqet dhe trajtimi

Prej tyre: Zbatimi dhe ndjekja e librit të Allahut të Madhërishëm, Zoti i Lartësuar thotë: “ Thuaju se atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Shenjtërisë nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen Allahut.” (En-Nahl 102)

Prej tyre: Shoqërimi me njerëz të mirë, Allahu i Madhërishëm thotë: “ Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete.” (El-Kehf 28)

Prej tyre: Të larguarit nga vendet e dyshimta, nga dëshirat dhe dyshimet. “Kush dëgjon për Dexhalin të qëndrojë larg tij.”

Vëllezër të nderuar! Nuk ka përmirësim vetëm se me qëndrueshmëri dhe nuk ka sukses vetëm se me sinqeritet. Zemra është më e denjë për tu ruajtur dhe gjymtyrët janë më të ndershme për tu mbrojtur. Nuk ka asnjë njeri që thotë të vërtetë dhe të refuzohet, apo që ka trokitur në derë dhe të refuzohet. Zoti i mjafton robit të Tij, sa më shumë që të shtohet bindja e njeriut ndaj Zotit shtohet dhe mjaftueshmëria e Zotit për të, sikurse e ka thënë dhe Hafiz Ibn Kajjim, Zoti e mëshiroftë.

Në vijim

Zoti ju ruajte! Njeriu le të drejtohet me pendesë për atë ndaluar që ka vepruar, dhe le të trokasë në agim në portën e përgjigjes. Kush është i sinqertë në pendesën e tij shfaqet keqardhja në zemrën e tij, heq dorë nga gjynahi i tij, vendosën që të mos i kthehet më në të dhe e pason të keqen me të mirë. O Zot, na udhëzo drejtë mësimit, edukimit, pakëso nga ne pengesat, largo nga ne pikëllimin, mos na lë ne në errësirë dhe mos na merr ne në befasi. “Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.” (El-Bekare 235)

Zoti na bëftë dobi me udhëzimet e librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit  i kërkoj falje për  vete, ju dhe të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin i Cili rrotullon zemrat, falën gjynahet, Atë e lavdëroj dhe e falënderoj, na ka dhuruar, nga begatitë e Tij të shumta, siguri dhe besim, dhe nga Bujaria e Mirësive të Tij, na ka dhuruar dashamirësi dhe mirësi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi me të cilën arrim Xhenetin dhe kënaqësinë e Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, na ka udhëzuar ne në atë që është më e mira për fenë dhe jetën tonë. Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, na nderoi me ata me dituri, vepra dhe mirënjohje, dhe ata që i pasojnë me mirësi duke shpresuar mëshirë dhe falje të madhe nga Zoti i tyre.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Shkaqet e devijimit, humbjes dhe kthimin pas, Zoti na ruajte, i i kthehen, i detyrohen vetë individit dhe janë nën  përgjegjësisë e tij personale. “Kur ata u larguan (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë)…” (Es-Saff 5) “…- pastaj largohen. Allahu i shmang zemrat e tyre…” (Et-Teube 127) “Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që, padrejtësisht, sillen me arrogancë në Tokë…” (El-A’raf 146) E kush e ngurtëson zemrën e tij, kjo është vetëm për shkak të gjynahit dhe veprimit të tij. “Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” (El-Mutaffifin 14) Gjynahet më të neveritshme janë kur ai që i kryen ato i merr para sysh, e di, dhe ato e shkatërrojnë atë.

LEXO  Afrimi tek Zoti me adhurimin më të rëndësishëm në ditët e vlerave

Vëllezër të nderuar! Ndër rrugët më të rrezikshme të humbjes dhe shkatërrimit janë gjynahet që bëhen në vetmi, ku rrugët e tyre janë të shumta, e nuk mund t’i pengojë ata nga gjynahi dhe kryerja e tyre, vetëm frika ndaj Zotit dhe mbikëqyrja e Tij. Ibn Kajjim, Zoti e mëshiroftë, thotë: “ Gjynahet në vetmi janë shkak për kthim pas, ndërsa adhurimet në vetmi janë shkak për qëndrueshmëri. Sa më shumë që njeriu të përmirësojë vetminë, veçimin e tij në mes tij dhe Zotit të tij, Allahu do të përmirësojë vetminë, izolimin e tij në varrin e tij.”  

Prandaj njeriu të bëj kujdes nga gjynahet në vetmi, kur është i veçuar, përmes mjeteve të komunikimit. Ndërsa adhurimi në fshehtësi mbron nga prirja në dëshira, sikurse vëzhgimi në izolim hedhën hapin e qëndrueshmërisë. Kush e shton adhurimin në vetmi Zoti do ta forcojë atë në raste fatkeqësish dhe vështirësish. Kush frikësohet mbrohet, e kush mbrohet ka arritur pozitën.

Zoti ju mëshiroftë! Frikësojuni Allahut, ruajini vetet tuaja dhe merrni në përgjegjësi vetet tuaja. Nga mënyrat më të mira për të pritur vitin tuaj të ri është agjërimi i ditës së Ashuras. I dërguari juaj, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kujdesej për agjërimin e kësaj dite, sa që Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “ Të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk e kam parë të kujdeses për agjërimin e një ditë, që e ka preferuar mbi çdo ditë tjetër, përveç kësaj dite, ditën e Ashures.” Muttefikun Alejhi. E nëse agjëron me këtë ditë dhe ditën e nëntë për të ka shpërblim më të madh, nisur nga fjala e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ku thotë; “ Nëse do të jem në vitin tjetër do të agjëroj dhe ditën e nëntë të Muharremit.”

Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, sepse për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Allahu i Madhërishëm ka thënë, e Ai është i Vërtetë në thënien e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin,  familjen e tij, bashkëshortet e tij dhe pasardhësit e tij.

Kënaqësia e Zotit qoftë mbi katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, mbi të gjithë shokët e tij, mbi tabi’inë dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit,  dhe mbi ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët  e çështjeve tona.

O Zot, mbështete me të vërtetën, me sukses dhe me drejtësi udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi sukses atij në atë që do dhe je kënaqur, furnizoje atë me mbështetës të mirë, ndero me të fenë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde,  bëje atë ndihmë për Islamin dhe muslimanët dhe bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim.

O Zot, jepi sukses atij,  zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre, në atë që do dhe je i kënaqur, drejtoi ata në të mirë dhe devotshmëri, dhe ndihmoi ata në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.

O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me synetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Bëji ata mëshirë për njerëzit e tyre dhe për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj  vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, ruaj ata me ruajtjen Tënde, mbroji me mbrojtjen Tënde dhe mbuloi me Kujdesin Tënd. O Zot, përmirëso dobësinë e tyre, streho të dëbuarit e tyre dhe liro të burgosurit e tyre. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre dhe pranoi ata dëshmorë tek Ti, o Zoti i botëve.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë nga pushtuesit tiranë. O Zot, ngri lartë çështjen e saj, lartëso pozitën e saj, forco qëndresën e saj, bëj të qëndrueshme shtyllat e saj, o Ti që i përgjigjesh lutjeve.

O Zot, ndihmo ushtarët tanë që janë të lidhur dhe vigjilojnë në kufijtë  tanë.

O Zot, forco gjykimin e tyre, saktëso goditjet e tyre, shtrëngo rrallët e tyre, forco vendosmërinë e tyre,  forco këmbët e tyre, stabilizo zemrat e tyre dhe ndihmoi  kundra atyre që i sulmojnë. O Zot, mëshiro dëshmorët e tyre, shëro të plagosurit e tyre, ruaj ata në familjet dhe pasardhësit e tyre, me të vërtetë Ti je që i dëgjon lutjet.

O Zot, na ruaj nga e keqja e të këqijve dhe kurthet e të pa feve, dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/326716193851189

Post Author: endrit