Mekë 19.10.2018
Konturat e rigjenerimit dhe rregullat e tij
Dr. Abdurrahman es Sudejs
Falënderimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, Zotin e Lartësuar e falënderojmë për mirësitë dhe begatitë e Tij të panumërta!
Zotin e falënderojmë me gjithë gjymtyrët dhe zemrën tonë, paqja dhe bekimet e Tij të pandara qofshin mbi më të përzgjedhurin e njerëzve.
Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Një i Vetëm dhe i Pashoq, i cili na veçoi dhe nderoi me sheriatin e ndritur, e cila e mbushi botën dhe njerëzimin me dritën dhe drejtësinë e saj.
Dëshmoj se profeti ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ai e ngriti moralin në gradën më të lartë.
Zot bekoje dhe mëshiroje atë, familjen e tij shembullore dhe të ndershme, shokët e tij të ndershëm që arritën lavditë më të mëdha, si dhe mbi këdo që e ndjek dhe e pason rrugën e tij deri në ditën e fundit!
Kini frikë Allahun o ju robër të Allahut, devotshmëria është vepra më e mirë e depozituar, qoftë për këtë jetë por edhe për tjetrën!
“Kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, i frikësohet Allahut dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, të tillët janë të shpëtuarit” Nur 52.
Nëse ti nuk ke marrë me vete devotshmëri, dhe pas vdekjes takohesh me të tjerë që janë pajisur me të, pendohesh që nuk arrite të jesh sikurse ai, dhe që nuk je përgatitur sikurse ai.
Të nderuar besimtar, çdo i mençur dhe i urtë e ka vënë re se ku arriti civilizimi Islam, feja jonë e ndritur ia doli që nëpërmjet drejtësisë dhe zbatimit të ligjeve të saja, të dhurojë jetesë të lartë, të shkulë urrejtjet , të mbjellë tek njerëzia mëshirën e saj të gjerë dhe moral të lartë.
Feja jonë është e dëlirë dhe e gjerë, ka fusha të ndryshme dhe të lakmueshme, karakterizohet nga të qenit e kompletuar, ajo sistemon gjithçka lidhet me njeriun në këtë jetë dhe tjetrën.
Kjo për vetë faktin se gjykimet fetare nuk merren vetëm se prej Allahut dhe të dërguarit të Tij a.s, dhe kjo është baza kryesore e kësaj feje.
Allahu i Madhëruar i drejtohet Profetit të Tij ku i thotë: “Pastaj Ne të vumë ty në një rrugë të drejtë të fesë, pra ti ndiqe atë e mos ndiq dëshirat e atyre që nuk dinë” Xhathije 18.
Feja jonë është e mbushur përplot me baza të dobishme, me ligje gjithëpërfshirëse në lidhje me besimin dhe me jetën.
Ajo përmban tekste dhe argumente të shumta, që e kanë mbushur realitetin me drejtësi e urtësi të shumta, lehtësim e mëshirë.
Ajo përmban çështje që lidhen me ixhtihadin dhe problematiket e reja, duke qartësuar gjykimet rreth tyre, si dhe duke e bërë të qartë të lejuarën dhe të ndaluarën prej tyre nëpërmjet një peshoreje të saktë e të sigurt, nëpërmjet bazave të shëndosha, të cilat janë ndjekur nga dijetarët e Islamit e nga Muxhtehidë të ndryshëm.
E gjitha kjo ka ndihmuar në përcjelljen e mirësive qoftë tek individi apo shoqëritë, duke ia qëlluar të vërtetës në përpjekjet e ndryshme në çështje të panjohura më parë.
Feja jonë nuk është e ngurtë, nuk është thjesht disa ligje të prera dhe të thata, ajo është e larmishme, e ripërtërishme dhe nuk bie ndesh me aktualitetet, është e dobishme në përzgjedhjet që bëhen, që kanë lidhje më dhënien dhe marrjen, në përshtatjen mes të paluajturave dhe të ndryshueshmeve, tradicionales dhe aktuales.
Ripërtëritja është një term me kuptime të gjerë që ka nevojë për një mendje të pjekur, ta aftë dhe të matur për të nxjerrë gjykimet nga argumentet, degëzimin e çështjeve, të bëhet lidhja mes të përgjithshmeve dhe të veçantave si dhe lidhja e degëve me bazat e padiskutueshme, e thjeshtëzimi i gjykimeve juridike duke marrë në konsideratë synimet sheriatike për të qartësuar gjykimin fetar.
Transmeton Ebu Daudi dhe Hakimi me zinxhir të saktë se Profeti a.s ka thënë: “Allahu dërgon në krye të çdo 100 vjeçari njerëz që e gjenerojnë fenë.”
Vëllezër të dashur, rigjenerimi në fenë tonë ka konture vezulluese dhe rregulla të ndritura, ndër më të rëndësishmet: të mos kundërshtojë argumentin fetar, as synimet që sheriati merr në konsideratë, sepse një fe nuk mund të vazhdojë nëse argumentet e saj nuk ruhen dhe ndaj synimeve të saja nuk tregohet kujdes.
Synimet janë qëllimet të cilat i ka vendosur sheriati për të mirën e njerëzimit, Imam Tahir ibn Ashur ka thënë: “Qëllimi i fesë me zbritjen e ligjit të saj, është ruajtja e sistemit të tokës, mbarëvajtjen e sjelljeve të njerëzve duke i mbrojtur nga shkatërrimi dhe prishja.”
Ndër rregullat e rëndësishme të rigjenerimit, është dhe pajtimi i të diturve me eksperiencë, pasi që feja jonë ka nevojë për dijetarë edukatorë, me mendje të madhe dhe aftësi të duhura për ixhtihad, ata që i zotërojnë bazat dhe rregullat dhe gjërat i masin me peshoren e drejtë të Islamit.
Rigjenerimi të jetë në degë dhe çështje të përgjithshme, në forma dhe metoda e të ngjashme me to.
Kjo, sepse ndër veçoritë e kësaj feje është dhe elasticiteti, për të mirën e të gjithëve duke marrë parasysh kohët, situatat e ndryshme, zakonet dhe ambientin.
Është më se e logjikshme dhe e pranueshme që feja t’i përfshijë gjithë këto gjëra, dhe që rigjenerimi të jetë realizues i interesit fetar të konsiderueshëm, ose ndalues i të keqes së sigurt.
Kjo, sepse feja ka ardhur për të sistemuar jetën e njerëzve në këtë botë dhe në ahiret.
Vëmë re se sahabët kanë bërë ixhtihad në çështje që kanë ndodhur duke vendosur për to gjykime të konsideruara të ndërtuara mbi interesin e përgjithshëm, si sigurimin e prodhuesve, në ndërtimin e zyrave, mbledhjen e Kuranit në një libër, e shumë çshtje të tjera.
Kjo tregon se ka ardhur konform asaj me çfarë është shpallur kjo fe, dhe nisur nga kjo kuptojmë se rigjenerimi nuk ka lidhje me dëshirat dhe mendimet personale.
Ndër rregullat e tij është dhe pastrimi i kuptimeve të drejta ndaj mendimeve të gabuarave, të cilat bien ndesh me kuptimin e të parëve tanë në mënyrën e argumentimit, apo nxjerrjes së gjykimeve prej argumenteve.
Kontrollimi i tyre, sqarimi se cila prej tyre është më afër me ligjërimin e Kuranit dhe synetit.
Po ashtu dhe shikimi i këtyre bazave të së mirës dhe të dëmshmeve në peshoren e fesë dhe jo dëshirave personale.
Për këtë thotë Imam Shatibiu: “Interesat mbi të cilat ngrihen gjendjet e njerëzve, nuk mund t’i di me saktësi vetëm se Zoti që i ka vendosur, njeriu zotëron një pjesë të diturisë dhe nuk di shumë të tjera, sa ka që vendosin plane dhe nuk arrijnë asgjë prej tyre dhe as nuk shohin fryte, ndaj kthimi tek ajo që Krijuesi ka vendosur për ne, është kthim për më të mirën tonë.
Çështjet e kundërshtimeve duhet t’i presim me gjoksin hapur, të tolerojmë njëri-tjetrin, të mos e konsiderojmë gabimtar kundërshtarin.
Rregulli i fesë tonë është se nuk ka fajësim të kundërshtarit, kur kundërshtimi nuk është në bazat esenciale, dhe se fetvaja ndryshon sipas vendit, kohës, faktorëve, traditave, mentaliteteve të ndryshme dhe se gjykimi i prijësit i ndan mospajtimet, dhe se gjykimi i tij për popullatën lidhet ngushtë me më të dobishmen për ata.
Të nderuar besimtarë, pasi që hodhëm pak drita nga drita e Islamit, duhet t’i vëmë detyrë vetes të punojmë për civilizimin Islam, i cili ishte dhe civilizimi më i madh për njerëzimin dhe shpikja më e madhe njerëzore.
kërkohet gatishmëri e plotë nga paria, dijetarët dhe mendimtarët e fesë, për të bashkëpunuar në rigjenerimin e fesë mbi bazat e palëkundura, në vendosjen e një harte për mbarë ymetin për ta shpëtuar nga përçarja dhe kurimin e problematikave dhe ndalimin e gjakderdhjes së tyre, duke shkulur shkaqet e mospajtimit kudo qofshin, si partitë e ndryshme, frymët përçarëse dhe sektare.
Feja Islame është fe e udhëzimit dhe qëndrueshmërisë, e mesme dhe e drejtë, tolerante dhe mëshiruese, siguri e stabilitet, e paqes dhe rehatisë.
“Dhe se kjo është rruga Ime e drejtë, ndaj ndiqeni e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni” Enamë 153.
Ne e lusim Zotin e madhëruar që ta ruajë ymetin tonë nga intrigat e armiqve, nga kurthet e atyre që s’na e duan të mirën, vërtetë Zoti dëgjon dhe përgjigjet.
Kjo ishte ajo ç’ka dëshiroja të thosha, Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo e keqe, dhe ju kërkojini falje dhe pendohuni se vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues i Madh.
Falënderimet i takojnë Allahut i Cili i ka derdhur mirësitë e Tij të shumta përmbi ne, dëshmoj se Allahu është Një dhe i Pashoq, i Lartësuar dhe i Madhëruar qoftë Ai, dëshmojmë se Profeti ynë Muhamedi a.s është rob dhe i dërguar i Tij i përzgjedhur me shpallje e pozitë.
Zot madhëroje atë, familjen e tij që arrin majën në dashuri, mbi shokët e tij që ju përmbajtën synetit tij fort, dhe mbarë ata që e ndoqën dhe e ndjekin udhën e tij deri në fund.
Kini frikë Allahun o robërit e Tij, kapuni pas fesë së Tij me dhëmballë, largohuni nga fitnet e devijuara, përmbajuni xhematit, dora e Zotit është me xhematin e kush shkëputet prej xhematit ka zgjedhur zjarrin.
Të nderuar besimtarë, ndër mirësitë e Zotit për ne për të cilat duhet të flasim, ta falënderojmë është dhe mirësitë që gëzojmë në vendin tonë, Zoti e ruajt, me ofrime fetare, morale dhe civilizim që e bëjnë vendin tonë një shembull për tu ndjekur, në mënyrën se si ta ruajmë moralin e drejtë!
Kjo na vë të gjithëve para përgjegjësisë së të qëndruarit përkrah saj , prijësve dhe dijetarëve të saj, veçanërisht ndaj sulmeve të tërbuara që po i bëhen vendit tonë për ta destabilizuar dhe përçarë.
Këtu bëhet thirrja për mirësi me veshjen e urtësisë, këtu ndodhet butësia, metoda e drejtë dhe e pastër, këtu shihet prodhimi dhe pjekuria e metodës së drejtë, rruga e diturisë dhe butësisë është e ndritur.
Fushata për rigjenerimin në këtë vend, është në rrugën e duhur nën drejtimin e parisë së saj besnike dhe të popullit ambicioz e vizionar, përfaqësuar nga prijësi ynë pavarësisht kërcënimeve dhe shtrëngimeve.
Çdo përpjekje që synon të kërcënojë këtë fushatë rigjenerimi dhe ta pengojë atë, le ta dijë se është përpjekje e dështuar, madje do ndikojë në destabilitetin dhe çekuilibrim në paqen botërore, ndërsa vendi ynë do qëndrojë i palëkundur dhe kryelartë.
Akuzat, shpifjet dhe fushatat mediatike nuk do e gjunjëzojnë nga të kapurit pas bazave të saja, duke iu mbështetur Allahut, më pas urtësisë së parisë së saj dhe unitetit të bijve të saj.
Kjo mjafton që me shpresë të Allahut të përballet me akuzat e pabaza dhe përpjekjet e dështuara dhe për këtë dëshmon historia.
Cenimi i saj është provokim i më shumë se një miliard myslimanëve, pasi që kjo është Kibla e tyre, vendi ku kryejnë pelegrinazhet, vendi i revelatës hyjnore dhe dashuria e zemrës së tyre.
Në këto raste vlerësohet dhe del në pah mençuria dhe maturia, që i jep të drejtë argumenteve duke flakur tutje hamendësimet dhe parashikimet, ndërtohen qëndrimet, por jo mbi shpifje.
“Dredhia e keqe nuk godet vetëm se ata që e kurdisën. Allahu është mbizotërues i punës së Tij, por shumica njerëzve nuk e dinë” Jusuf 21.
“ Tërë krenaria i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë” Munafikunë 8.
Dërgoni salavatë mbi Profetin e përzgjedhur ashtu, sikurse ju urdhëron Zoti ku thotë:
“Allahu dhe Melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që besuat, madhërojeni atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.
Profeti a.s ka thënë: “Kush bie salavatë mbi mua njëherë, bie Zoti mbi të dhjetë herë.”
Salavatet dhe bekimet qofshin mbi Profetin feja e të cilit është Islami, Muhamedin vulën e profetëve të Zotit, mbi familjen dhe shokët e tij!
Zot madhëroje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e madhërove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Lartësuari dhe i lavdishmi!
Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Lartësuari dhe i Lavdishmi!
Ji i kënaqur Zot prej katër prijësve të drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmani dhe Aliun,
ji i kënaqur Zot prej nënave të besimtarëve, mbi të gjithë ata që e ndoqën dhe e ndjekin rrugën e bamirësisë deri në ditën e fundit!
Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, lartësoje me të drejtë fjalën e vërtetë të fesë!
Zot sigurona në trevat tona, përmirësoji prijësit dhe parinë tonë, ndihmoje dhe prije në të mira prijësin tonë, shërbëtorin e dy xhamive të shenjta, jepi sukses në gjithçka që Ty të pëlqen, udhëzoje në të mira e bamirësi, rrethoje nga këshilltarë të denjë të cilët e këshillojnë për të mira dhe e ndihmojnë në vepra të mira!
Zot drejtoje zëvendësin e tij për çdo mirësi, drejtoje në atë që është në dobi të popullatës dhe vatanit, udhëzoji mbarë prijësit e myslimanëve për zbatimin e Kuranit dhe synetin e Profetit, bëji mëshirë për popullatat e tyre.
Zot shpëtoje xhaminë Aksa nga armiqësia e armiqve dhe nga ligësia e të pafeve, o Zot i gjithësisë!
O i Gjallë i Përhershëm, kërkojmë nga madhëria jote që ta ndalësh gjakderdhjen e myslimanëve kudo qofshin, përmirësoje gjendjen e tyre, bashkoji në Kuran dhe në Synet, o Zoti i begative dhe mirësive!
Zot të kërkojmë prej hajrit të tashëm dhe të mëvonshëm, nga e mira që e dimë apo dhe atë që nuk e dimë, ruana nga e keqja e tashme dhe e mbrame, qoftë e ditur apo e paditur për ne!
Zot fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, zbuti zemrat e tyre dhe bashkoi, udhëzoi për në rrugën e drejtë, ruaji nga fitnet dhe përçarjet e dukshme dhe të fshehura!
Zoti ynë mëshirën Tënde kërkojmë, mos lejo që t’i mbështetemi veteve tona as aq sa hap e mbyll sytë, rregulloji gjithë punët tona!
Zot ndihmoju ushtarëve tanë, ruaji kufijtë tanë, ndihmoji ata që punojnë për sigurinë tonë dhe jepu vizion të qartë, shëroji të plagosurit dhe të sëmurët e tyre, riktheji fitimtarë e triumfues e të ndihmuar prej Teje, o i Plotfuqishëm!
Zot ruana ne, ruaje vendin tonë dhe mbarë trevat islame nga ligësitë e të ligjve, intrigat e intrigantëve, mbrona nga intrigat e tyre, ligësia, smira dhe armiqësia e armiqve!
Na mjafton neve Allahu dhe sa mbrojtës i mirë është Ai, ndaj mbar atyre që na kanë bërë keq neve dhe mbarë myslimanëve!
Zot na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe ruana nga dënimi i zjarrit!
Zoti ynë, Ti je Zoti dhe s’ka zot tjetër veç Teje, Ti je i pasuri dhe ne nevojtarët, njomna me shi dhe mos na e vono, zbrit për ne shi o Zot dhe na mëshiro!
Zot ne të kërkojmë falje pasi Ti je Falës, dërgoji mbi ne retë që lëshojnë shi, ne jemi robërit e Tu, mos na privo prej mirësive të Tua si pasojë e gjynaheve tona!
I kërkojmë falje Allahut që nuk ka Zot tjetër veç Tij dhe tek ai pendohemi!
Zot pranoje prej nesh, Ti je dëgjues dhe u përgjigjesh lutjeve,falna ne, prindërit tanë dhe mbarë myslimanët dhe myslimanet, të gjallë apo të vdekur qofshin, Ti dëgjon, je afër dhe u përgjigjesh lutjeve, dhe e mbyllim duke falënderuar Allahun, Zotin e botëve!