Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 29- 04-1446 H 01-11-2024 D
Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd
Tema Lumturia e familjes muslimane
Lavdërimet janë për Allahun. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili kur premton e përmbushën premtimin e Tij e nëse kërcënon falën. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, pasuron dhe plotëson dëshirat, dhuron dhe jep mjaftueshëm.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi e cila na afron shumë pranë Tij.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i dërguari i dalluar dhe profeti i përzgjedhur. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit e drejtësisë, mirësisë dhe të fjalës së mbajtur, mbi tabi’inët, mbi pasuesit e tyre në mirësi, që pasuan rrugën e tyre dhe u mjaftuan.
Në vijim
O ju njerëz, porosis veten dhe ju që të kemi frikë Allahun. Zoti ju mëshiroftë, frikësojuni Allahut. A nuk ka ardhur koha që njerëzit e përgjumur të zgjohen? A nuk ka ardhur koha që njerëzit e shkujdesur, neglizhentë që të jenë të vëmendshëm?! Ndërsa të zotët e mendjeve racionale të mendojnë?! Vdekja ka konfirmuar lajmin, ka zbuluar sjelljet e të tjerëve dhe ka nxjerrë në pah lloje të ndryshme mësimesh. Gjërat e fshehta kanë dalë në shesh, gjërat e padukshme janë bërë të dukshme, gjymtyrët dëshmuan, e ajo çfarë ishte ndër varre dhe faltore është shpërndarë. Sa e rëndë është ajo që i pret të padrejtët! Sa i trishtuar është përfundimi i atyre që humbasin! “Paralajmëroji ata për Ditën e afërt të Gjykimit, kur zemrat do t’u vijnë deri në fyt prej pikëllimit. Për njerëzit e këqij nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm. Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” (Gafir 18-19)
O ju muslimanë! Jeta bashkëshortore është një nga marrëdhëniet më të afërta njerëzore dhe me statusin, pozitat më të larta. Ajo në fenë tonë Islame ka një pozitë të nderuar dhe në ligjin, sheriatin e Zotit tonë është një lidhje e fortë. “…dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?” (En-Nisa’21)
Në jetesën bashkëshortore dy bashkëshortët bëjnë një jetë dinjitoze, ku ndajnë me njëri-tjetrin shqetësimet e jetës në të mirat dhe në të këqijat e saj, në momentet e saj të ëmbla dhe të hidhura, në butësinë dhe ashpërsinë e saj, në shëndetin dhe sëmundjen e saj, në lehtësinë dhe vështirësinë e saj.
Adhurues të Zotit! Marrëdhëniet njerëzore dhe familjare, bashkëshortore, nuk maten me situata dhe momente të përkohshme, as me situata emergjente, por matet me akumulime, mbledhje, dhe ngjarje të njëpasnjëshme. Ato janë marrëdhënie të zgjatura, në kohë, që nuk mund të harrohen nga një incident kalimtar dhe nuk mund t’i shkatërrojë ato një situatë emergjente.
Jeta, me uljet dhe ngritjet e saj, ka nevojë që të mbizotërojë në të shpirti i vlerave dhe mbahen mend, të kujtohen aspektet e begatisë dhe mirësisë. Nuk është e arsyeshme, as urtësi dhe as njerëzore që të shkatërrohen vite të kaluara në dashuri në një orë zemërimi. Një moment zemërimi në të cilin bashkëshortët harrojnë anët e ndritshme, kohërat e kënaqësisë dhe momentet e dashurisë dhe afrimitetit që kanë jetuar dhe që jetojnë në shumicën e ditëve të jetës së tyre.
O ju muslimanë! Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Tij Famëlartë, thotë: “ Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!”(El-Bekare 237) Ky është udhëzim bujar, rregull i madh dhe urtësi e lartë, e gjërë, mbulon një kontekst më gjithëpërfshirëse dhe të përgjithshme sesa konteksti në të cilin është zbritur, e që është kurimi i rasteve pas divorcit.
Adhurues të Zotit! Virtyti, sjellja mirë, është shkalla më e lartë e marrëdhënieve mes tyre. Ajo është nivel dashamirësia dhe mbi nivelin e drejtësisë. “ Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!”(El-Bekare 237) Në të gjitha marrëdhëniet tuaja, në lidhjet farefisnore, në marrëdhëniet në martesë, në punë, miqësi dhe në të gjitha çështjet e jetës. “ Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!”(El-Bekare 237) Është udhëzim për ata që janë bashkuar nga kjo marrëdhënie e madhe dhe kjo besëlidhje e fortë. Kujtesë për ta, që të mos harrojnë me kalimin e kohës, me kalimin e moshës, me shtimin e fëmijëve dhe rritjen e përgjegjësive. Të mos harrojnë vlerën që e ka ndërtuar trajtimi i mirë, dashuria e bukur, sjellja e mëshirshme dhe trajtimi i butë që në ditët e para.
“ Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!”(El-Bekare 237) Në mënyrë që të mbetet dashuria, të ruhen të drejtat, të zbresë mëshirë dhe të pastrohen zemrat. Të harrosh vlerën dhe virtytin do të thotë shpërbërje, tjetërsim, përçarje, të qëndruarit larg moralit të mirë dhe veprave të mira fisnike.
Ruajtja e virtytit, vlerave është ajo që ruan kohezionin e familjes dhe e mbron atë, në dashtë Zoti, nga situatat emergjente dhe momentet e vështira. Të harrosh virtytin, vlerën është sjellje e turpshme, nëse përhapet në shoqëri e prishën, shkatërron atë, e nëse përhapet në mes njerëzve i ndanë ata. Harresa e virtytit, vlerave është nga besimi i dobët.
O muslimanë! Në shpërthimin e zemërimit litari përzihet me shigjetën, dhe e vërteta me të kotën. Sikur dy bashkëshortët të mos kishin jetuar vite të tëra dashurie dhe jetë të mirë së bashku. Sikur ata të dy të mos i bashkojë një shtëpi e vetme dhe një strehë e vetme, një strehë e vetme sikur ata të dy nuk i bashkon një shtrat i vetëm dhe nuk i ngrohën një jorgan i vetëm. E gjithë kjo ndodhën si mirazh, brenda një kohe të shkurtër, një nate apo një dite, ku as burri nuk i kujton veprat e mira, e as gruaja nuk i kujton mirësitë.
Në orët e zemërimit, fytyrat e buzëqeshura kthehen në fytyra të zymta. Ajo orë mbart komplote, është e mbingarkuar, e mbushur me lodhje dhe pikëllim, e mbuluar me mashtrime të urryera dhe me ritme shkatërruese. Nëse shkon të kërkosh justifikime, do të humbësh në atë që dëgjon, justifikime që nuk mund të pranohen nga arsyeja, aq më pak nga feja apo morali fisnik.
Po, e gjithë kjo ka fshehur plasje dhe gabime. Ai çift, nuk ka jetuar në këtë botë, nuk kanë pasur një moral fisnik dhe nuk kanë vendosur, gjykuar me maturi. Plasje dhe gabime nga të cilat ftohtësia zëvendëson dashurinë, distanca zëvendëson afërsinë, mizoria zëvendëson dashurinë dhe dhuna zëvendëson mirësinë. Plasje me të cilat shtohen gabimet dhe ndjenja për gabime. Nuk ka forcë dhe fuqi tjetër përveç Allahut të Madhërishëm. Familje që shpërbëhen, fëmijët që humbin dhe neglizhenca që mbizotëron.
O ju të dashur!
Në momente zemërimi sekretet bëhen publike, zbulohen të mbuluarat, shkelen të shenjtat dhe hidhen akuzat.
O ju bashkëshortë dhe bashkëshorte! Kujdes nga thirrjet dashakeqe që nxisin bashkëshortët në rebelim dhe zemërim, në nxjerrjen e të metave dhe anëve negative, që janë pjesë të natyrës njerëzore, dhe nga të cilat askush nuk është i sigurt, pavarësisht se kush është. Zoti ju ruajt! Marrëdhëniet bashkëshortore nuk ndërtohen mbi grindje, përplasje, zënka, armiqësi, ngritje zëri, ankese, dyshime dhe fajësim, por se ato ndërtohen mbi moral të mirë, neglizhencë të qëllimshme, durim dhe qëndrueshmëri. “Besimtari nuk duhet ta urrejë gruan besimtare, nëse urren një karakteristikë të saj, do jetë i kënaqur me një karakteristikë tjetër të saj.” Shqyrtimi i detajeve, në hollësi, në jetën familjare, bashkëshortore e bën jetën të vështirë, shqetëson familjen, i bën uljet familjare të hidhura dhe jetën të neveritshme.
Në vijim
Zoti ju ruajte! Angazhohuni për të ruajtur dinjitetin e shtëpive dhe për të ruajtur marrëdhënien martesore. Sjellja e mirë, mirësia dhe kontakti janë arsye të fitimit të kënaqësisë. Ruajuni nga spiunimi, ngacmimi, gjurmimi i gabimeve, të metave dhe vërejtja e defekteve. Dije se njohja e vlerave bashkon zemrat, ndërsa imoraliteti në rivalitet, plasje, prish marrëdhëniet.
Nëse shfaqen shenjat e mosmarrëveshjeve, mbani mend vlerat, virtytet dhe injoroni të metat. “ Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush!”(El-Bekare 237) Bashkëshorti më i afërt në devotshmërinë është ai që toleron dhe fal, që nuk harron dashurinë e familjes së tij dhe trajtimin e mirë të tyre. Njeriu bujar nuk heton kurrë, neglizhenca e qëllimshme largon të keqen.
Zotit i kërkojmë mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë (atëherë duroni sepse), është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu t’ju sjellë nëpërmjet saj shumë të mira.” (En-Nisa’ 19)
Zoti na bëftë dobi me udhëzimet e librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, nuk e zhgënjen atë që shpreson tek Ai, çfarë fitoreje për atë që Ai është i kënaqur me të dhe e pranon atë. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, sa shumë të mirë ka dhuruar dhe sa të mira që Ai ka shpërblyer.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, e ka dërguar Allahu me udhëzim dhe me të vërtetën. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, njerëzit me vlera të larta dhe nderime shembullore, mbi tabi’inën dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Fundit, ditën e Kijametit, lutje dhe përshëndetje të panumërta.
O muslimanë! Martesa është lidhje, kontratë, dashuri dhe mëshirë, dhe nuk është arratisje, humbje apo liri e rreme. Ndërtimi i marrëdhënieve martesore duhet të jetë mbi bazën e virtytit, vlerës dhe dashamirësisë dhe jo mbi llogaridhënie, mosmarrëveshje, hetim dhe kontroll. Jahja Ibn Muadh, Zoti e mëshiroftë, thotë: “ Bëhuni miq me njerëzit me mirësi, jo me drejtësi, sepse me drejtësi ka hetim ndërsa me virtyt, mirësi ka vazhdimësi.” Mos i lini pas dore të gjitha të drejtat dhe lini vend për mirësi, virtyt. Lehtësoni gjërat dhe mos i bëni të vështira, jini të butë dhe mos u bëni të rreptë. Neglizhimin e qëllimshëm e zbatojnë vetëm ata që dëshirojnë lumturinë. Qortimi i tepërt i ndan miqtë. Të bësh vepra të mira do të thotë të shikosh mirësitë dhe të krenohesh me to, të shpërfillësh gabimet dhe të mbulosh të metat.
O ju bashkëshortë të nderuar! Kuptohuni mes njëri-tjetrit me mirësjelljen dhe dialogun dhe me konsideratë të mprehtë, duke menduar mirë, për pasojat, sepse pas jush keni pasardhës të dobët, frikësohuni për ata. Frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.
Zoti ju mëshiroftë! Të gjithë t’i frikësoheni Allahut, dhe dijeni se ajo që kërkon rasti është vëmendja ndaj një qëllimi të madh, që është një nga qëllimet e ligjit të Sheriatit që është qëllimi i ruajtjes së jetës njerëzore dhe të kujdeset ndaj shkaqeve që shpien në ruajtjen e tij. Është me vend që një musliman i vendosur t’u kushtojë vëmendje këtyre arsyeve dhe të kujdeset për to. Zoti ju ruajt! Prej këtyre është kujdesi për imunizim dhe vaksinim, veçanërisht ato që lidhen me stinët dhe vendet e grumbullimit dhe tubimeve, siç është gripi stinorë dhe të tjera veç tij. Prandaj kushtoni kujdes kësaj sepse do të ju ndihmojë në ruajtën e shëndetit. Zoti ruajt ne, ju dhe të gjithë muslimanët dhe na largoftë nga sëmundjet, me të vërtetë Ai është Dhurues Bujar, i Butë dhe Mëshirëplotë.
Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj, Allahu i Madhërishëm dhe i Gjithëdijshëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, mbështete me të vërtetën, me sukses dhe me drejtësi udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi sukses atij në atë që do dhe je kënaqur, furnizoje atë me mbështetës të mirë, ndero me të fenë Tënde, lartëso me të fjalën Tënde, bëje atë ndihmë për Islamin dhe muslimanët, bashko me të fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i botëve.
O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre, në atë që Ti do dhe je i kënaqur. O Zot, drejtoi ata në të mirë dhe devotshmëri, ndihmoi ata në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit.
O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me synetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe në udhëzim, o Zoti i Botëve.
O Zot, ruaj vëllezërit tanë në Palestinë. O Zot, ruaj ata me ruajtjen Tënde, mbroji me mbrojtjen Tënde dhe mbuloi me Kujdesin Tënd. O Zot, bashko forcat e tyre, liro të burgosurit e tyre dhe pakëso pengesat e tyre. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre dhe pranoi ata dëshmorë tek Ti, o Zoti i botëve.
O Zot, çliro xhaminë e Aksasë nga pushtuesit tiranë. O Zot, ngri lartë çështjen e saj, lartëso pozitën e saj, forco qëndresën e saj, bëj të qëndrueshme shtyllat e saj, o Ti që i përgjigjesh lutjeve.
O Zot, ndihmo ushtarët tanë që janë të lidhur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë.
O Zot, forco gjykimin e tyre, saktëso goditjet e tyre, forco vendosmërinë e tyre, forco këmbët e tyre, stabilizo zemrat e tyre dhe ndihmoi kundra atyre që i sulmojnë. O Zot, mëshiro dëshmorët e tyre, shëro të plagosurit e tyre, ruaj ata në familjet dhe pasardhësit e tyre, me të vërtetë Ti je që i dëgjon lutjet.
O Zot, na ruaj nga e keqja e të këqijve dhe kurthet e të pa feve, dhe nga e keqja e atyre që këpusin rrugën natën dhe ditën.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj