Adhurimi i mirënjohjes, falënderimit të Zotit, ka shpërblim të madh

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    01-08-1446 H    31-01-2025 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema  Adhurimi i mirënjohjes, falënderimit të Zotit, ka shpërblim të madh

Lavdërimet janë për Allahun. Lavdërimet janë për Allahun i Cili është Unik me Lavdinë dhe Madhështinë e Tij, Ai është shumë më lart se çdo shëmbëlltyrë apo krahasim,  e ndërtoi tokën me male dhe dërgon mbi të retë e rënda. Nderoi  robërit e Tij  me dhurata dhe mirësi, kush falënderon, është mirënjohës ndaj Tij, Ai do të ja shtojë mirësitë, e kush nuk e falënderon Zotin, Ai do të ja largojë ato të mira. Atë e lavdëroj me lavdërimin e falënderuesve në çdo situatë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i nderuari që kanë folur dhe ka ftuar në rrugën e Zotit.  Paqja, mëshira dhe bagëtia e Allahut qoftë mbi të, mmbi familjen dhe shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e ditën e Gjykimit.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, devotshmërinë e atij që përgjigjet dhe ndjenë keqardhje, që kthehet për tek Zoti dhe pendohet, që tregohet i kujdesshëm dhe vepron shpejt, që jeton gjatë duke bërë kujdes, që është përgatitur për nisjen e tij dhe që mora masa për rrugën e tij. “ Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (El-Bekare 197)

O ju besimtarë! Vërtetë, nga ibadetet më madhështore dhe më shpresëdhënëse, më sublime dhe më fisnike është adhurimi i mirënjohjes, falenderimit ndaj Zotit. Sa të mira na ka dhuruar Zoti dhe sa begati na ka dhënë,  na ka çliruar nga shqetësime dhe nga fatkeqësi! Sikur Zoti të zbulonte mirësinë e Tij ndaj nesh zemrat tona do të shkriheshin nga dashuria dhe nga mirënjohja ndaj Tij,  dhe nga përmallimi i madh për Të. Mirësit e Tij na janë dhuruar në çdo kohë e ne i shijojmë ato në mëngjes dhe në mbrëmje. “Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.” (Ibrahim 34)

Përballja e begative të Zotit me mirënjohje dhe njohja e asaj çfarë duhet nga lavdërimet dhe përkujtimi për ta, është detyrë e çdo muslimani dhe kërkesë e pashmangshme për çdo besimtar. E kjo është mënyra për të rritur mirësitë e Zotit dhe për t’i bërë ato të vazhdueshme. Sikurse mungesa e kësaj metode bëhet shkak për zhdukjen dhe rënien e tyre, mirësive. Mirësitë mbeten dhe përsëriten nëse për to njeriu tregohet mirënjohës, e nëse nuk tregohet mirënjohës për to, atëhere ato ikin, ose pakësohen. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ (Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.(Ibrahim 7)

Adhurues të Zotit! Mirënjohja dhe falënderimi është cilësi e të dërguarve dhe profetëve të Zotit. Allahu i Madhërishëm ka treguar për të dërguarin e Tij, Nuhun, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe ka thënë: “ Ai ka qenë vërtet një rob mirënjohës.”(El-Isra’ 3) Ndërsa për mikun e Tij, Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë.” (En-Nahl 121) 

I dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, sa herë që i vinte diçka e këndshme dhe e gëzonte atë, binte në sexhde për Zotin, mirënjohës dhe falënderues ndaj Zotit, për dhuratat e Tij. Nga krijesat e Zotit më e dashur tek Ai është ai që është karakterizuar me cilësinë e mirënjohësit dhe ka vazhduar në të. Sikurse nga krijesat e Zotit  më të urryera tek Ai është ai që e neglizhon atë dhe përshkruhet me të kundërtën e saj, mirënjohjes.  Statusi i mirënjohjes është aq i madh, sa që Zoti i Plotëfuqishëm e quajti Veten e Tij Mirënjohës dhe Falënderues, quajti me këtë emër mirënjohësit, u dha atyre nga përshkrimi i Tij dhe i quajti ata me emrin e Tij. Kjo mjafton si dashur dhe nder për falënderuesit, mirënjohësit. Shpërblimi për mirënjohjen është i madh dhe gjithëpërfshirës, i Gjithëdishmi dhe i Plotëfuqishmi ka thënë: “ Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al ‘Imran 144) Zoti në këtë ajet nuk përmend shpërblimin për mirënjohje vetëm se për të treguar  bollëkun dhe madhështinë e tij.

LEXO  Rëndësia e besimit në jetën e muslimanit - Meka 13.09.2019

O adhurues të Zotit! Dijeni se mirënjohja, falënderimi është mbrojtje nga ndëshkimet dhe shpëtim  nga fatkeqësitë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nisa’ 147) Kush e lë pas dore falënderimin për mirësit që ka do ta godasin  fatkeqësitë, e kush nuk e merr veten e tij në llogari  para Ditës së Kijametit do të pendohet.

O ju besimtarë! Tekstet e dy shpalljeve, Kurani dhe syneti, kanë treguar se mirënjohja shprehet përmes zemrës, gjuhës dhe gjymtyrëve. Mirënjohja, falënderimi ndaj Zotit shfaqet në zemër njohje ndaj mirësive dhe besimi në to, duke ja atribuar ato Dhuruesit të tyre, vlerësim dhe begati prej Tij. Allahu i Madhërishëm në gjuhën e Sulejmanit, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim…” (En-Neml 40) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ U freskuam me shi nga mirësia e Zotit dhe mëshira e Tij.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.

Mirënjohja, falënderimi ndaj Zotit, shfaqet në gjuhë me lavdërim, falënderim dhe duke folur për mirësitë e  Zotit.  Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ dhe shpalli mirësitë e Zotit tënd!” (Ed-Duha 11)

Kështu shfaqet mirënjohja në gjymtyrë si adhurim, bindje dhe zbatim. Shpenzimi i të mirave në atë që kënaqën Zotin është e vërteta dhe prova e mirënjohjes. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ “O familje e Daudit! Bëni falënderim (për Allahun)!” Megjithatë, pak nga robërit e Mi, janë falënderues.” (Sebe’ 14) Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ngrihej natën në namaz derisa i plasariteshin këmbët e tij. Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, përse e bën këtë gjë, në një kohë që Allahu t’i ka falur gjynahet e të kaluarës dhe të ardhmes?” I dërguari ka thënë: “ A nuk duhet që të dua të jem rob mirënjohës?!” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

Sikurse mirënjohja arrihet duke shfrytëzuar mirësitë për të arritur virtytet, vlerat, po ashtu është e nevojshme të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që mirësitë të mos jenë  mjet për gjynahet dhe veset. Gjynahet janë zjarri i begative, mirësive, ato i konsumojnë të mirat ashtu siç zjarri e djegën drurin.

O adhurues të Zotit! Në këtë mënyrë dihet se mirënjohja ndaj Zotit është të pranosh mirësit e Tij, të flasësh për to, të mbështetesh në to për t’iu bindur Bamirësit pa e kundërshtuar Atë. Kjo duhet të shoqërohet me nënshtrimin dhe dashurinë ndaj Bamirësit, Allahut. E me këto pjesë mirënjohja, falënderimi ndaj Zotit është i plotë.   O ju muslimanë! Një nga rrugët që ndihmon në arritjen e mirënjohjes është që robi të meditojë, mendojë në  mirësitë e Zotit, t’i mbajë ato parasysh në çdo kohë, dhe në çështjet, punët e kësaj bote të shikojë tek ata që janë poshtë tij. Ai duhet ta dijë se Zoti do ta pyesë atë në Ditën e Kiametit për mirësitë dhe mirënjohjen e tij ndaj tyre. E para gjithë këtyre, robi duhet t’i kërkojë ndihmë Zotit të tij për të qenë falënderues, mirënjohës. I dërguari i ALlahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka porositur Muadhin, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe ka thënë: “ O Muadh, të porosis  të mos neglizhosh që pas çdo lutjeje, namazi, të thuash: O Zot, më ndihmo të të kujtoj Ty, të të falënderoj dhe të të adhuroj Ty siç duhet.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se njeriu sa do që ti bindet Zotit të tij dhe  ta falënderojë Atë, dhe të afrohet tek Ai nëpërmjet adhurimeve dhe bindjeve të ndryshme, ai nuk do të jetë në gjendje ta shprehë plotësisht dhe siç duhet mirënjohjen ndaj Tij, sepse falënderimi i tij ndaj Zotit është thjesht një bekim prej Tij. Sa më shumë mirënjohës të jetë robi ndaj Zotit aq më shumë mirënjohës është Ai ndaj tij. “Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Al ‘Imran 144) 

LEXO  Lëndimi i njerëzve lloji më i keq i falimentimit

Falënderoni Zotin tuaj për begatitë që ju ka dhënë, për të mirat që ju ka dhuruar, për fatkeqësitë që ka larguar prej jush dhe për ato të mira dhe bujari të bukura me të cilat Ai ju ka veçuar.

Adhurues të Zotit!  

Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe me synet,  na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj për ato të mira dhe begati që na ka dhuruar.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi,  është rob i Zotit, i dërguari dhe i dalluari i Tij. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen,  mbi shokët e tij dhe mbi ata që i pasojnë atë.

Në vijim

Umeti Islam! Forma më e madhe e mirënjohjes është Njësimi i Zotit të Madhërishëm, marrja e iniciativës për ta adhuruar Atë, kryerja e detyrave dhe obligimeve të caktuara nga Ai dhe shmangia e ndalesave të Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” ( Ez-Zumer 66) Sikurse mosmirënjohja më e madhe është mosbesimi ndaj Zotit, braktisja e detyrave dhe obligimeve të Tij dhe bërja e gjynaheve. Pastaj,  Zoti ju mëshiroftë, dijeni  se bekimet, mirësitë janë dy llojesh: E vazhdueshme dhe e rinovueshme. Bekimet,mmirësia e vazhdueshme  falënderimi, mirënjohja për të  është përmes adhurimit dhe bindjes ndaj Zotit.Ndërsa për mirësitë  e rinovueshme është legjitimuar sexhdeja e mirënjohjes, falënderim ndaj Zotit për to, nënshtrim dhe përulje ndaj Tij, si dhe njohje e bekimit dhe mirësisë së Tij, Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar.

Vëllezër në besim! Ndër bekimet e ripërtëritura, rinovueshme janë stinët e mirësive që Zoti i Plotfuqishëm i dhuron umetit Islam, gjatë muajve dhe ditëve. Ja ku ju ka ardhur një muaj të cilin shumë njerëz e lënë pas dore, e neglizhojnë, e ai shtë muaji Shaban, muaj në të cilin ngrihet veprat tek Zoti. Nga Usametu Ibn Zejd, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Kam thënë, o i dërguari i Allahut, nuk të kam parë që të agjërosh ndonjë nga muajtë e vitit siç agjëron në muajin Shaban?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ky është muaji ndaj të cilit njerëzit tregohet neglizhemtë, të pavëmendëshëm, muaji që është në mes Rexhepit dhe Ramazanit, e ky është muaj në të cilin ngrihen veprat tek Zoti i botëve, prandaj unë dëshiroj që veprat e mia të ngrihen tek Zoti duke qenë me agjërim.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu.

Në muajin e Shabanit muslimani duhet të nxitojë për të kompensuar atë që ka humbur, nuk e ka plotësuar nga muaji i Ramazanit të kaluar. Nga Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Më është dashur të agjëroj ditët e ngelura nga Ramazani, sepse nuk kam mundur ta kompensoj atë vetëm se në Shaban.” Muttefikun Alejhi.

O adhurues të Zotit! Dijeni se një nga bekimet dhe mirësitë më të mëdha që kërkojnë nga ne mirënjohje dhe falënderim është ajo me të cilën Zoti e ka nderuar vendin tonë për sa i përket mirësisë së besimit, sigurisë dhe paqes, dhe ajo që jetojmë në tokat e saj të rehatisë, lumturisë dhe sigurimit, nën hdrejtimin e udhëheqjes sonë të urtë. Prandaj lusim Zotin e Plotëfuqishëm që të shpërblejë udhëheqësin tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman dhe zëvendësin e tij, princin e kurorës, Muhamed Ibn Selman, me shpërblimet më të mira, më të mëdha dhe më të plota për atë që arrinë vendi ynë i dashur, Mbretëria e Arabisë Saudite, nga sukseset e jashtëzakonshme dhe arritjet e qarta në të gjitha fushat, në sferën lokale, rajonale, ndërkombëtare dhe globale. Allahun e Madhërishëm dhe të Lartësuar e lutim që të ruajë dokrinën, besimin, sundimtarët, sigurinë, prosperitetin, stabilitetin dhe lulëzimin e këtij vendi dhe ta bëjmë atë krenar dhe të nderuar deri në Ditën e Kijametit.

LEXO  Zemërgjërësia dhe dhurimi në muajin e bujarisë

Adhurues të Zotit! Zoti ju mëshiroftë, lutuni dhe përshëndeteni me selame më të mirin e falënderuesve, udhëheqësin e përkujtuesve të Zotit dhe modeli i të gjithë krijesave mbarë, sikurse ju ka urdhëruar Allahu për këtë në librin e Tij të qartë, Kuranin Famëlartë, dhe ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd besnik,  Muhamedin, familjen e tij të mirë dhe të pastër, bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujarë.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend  dhe të gjitha vendet e muslimanëve, o Zoti i botëve.

O Zot, na ndihmo të të kujtoj Ty, të të falënderoj dhe të të adhuroj Ty siç duhet.

Zoti ynë, na frymëzo që të jemi mirënjohës për mirësitë e  Tua që na ke dhuruar ne dhe prindërve tanë, na mundëso që të bëjmë vepra të mira që të kënaqin Ty, përmirëso pasardhësit tanë, me të vërtetë jemi penduar tek Ti dhe ne jemi prej muslimanëve, të nënshtruar ndaj Teje.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, ruaj kujdestarët e çështjeve tona, mbështete me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, dhe princin e kurorës. Jepu sukses atyre dhe mbështetësve të tyre në çdo gjë që është përmirësimi, lavdia, krenaria dhe ndihma për vendin dhe popullin, me të vërtetë Ti je Bujar dhe Dhurues i madh.

O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve në atë që do dhe je i kënaqur, bashko fjalën e tyre në të vërtetë dhe udhëzim, o Zoti i botëve.

O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, bëhu për ta ndihmë dhe mbështetje, mbrojtës dhe përkrahës, me të vërtetë Ti je që i dëgjon lutjet.  

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve,  mëshiro o Zot, të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, o Zoti i botëve.

O Zot, na begato në muajtë dhe ditët e vitit, na lehtëso kryerjen e adhurimeve në Shaban,  dhe na jep mundësinë të arrijmë muajin e Ramazanit, o i Gjithëmëshirshmi, o Mëshirëploti!

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm dhe të Lartësuar, të Plotëfuqishmin dhe Bujarin,  Ai ju kujton ju.

 “ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1638013923474213

Post Author: endrit