Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 27-07-1447 H 16-01-2026 D
Shejh Abdullah El Xhuhenij
Tema Përfitime dhe mësime nga sureja Asr
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Një e i Vetëm, Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim, i Vetmi që është i lirë nga të paturit partner ose pasardhës, Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Vula e profetëve dhe e të dërguarve. Paqja dhe mëshira e Zotit të Lartsuar qoftë mbi të, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, mbi vëllezërit e tij nga radhët e profetëve dhe të dërguarve, të cilët Zoti i dërgoi tek njerëzit bartës të lajmeve të mira dhe paralajmërues. Ata i thirrën njerëzit në Njëshmërinë e Zotit të Plotfuqishëm dhe në adhurimin e sinqertë të Tij, i informuan, i bënë të vetëdijshëm për grackat e politeizmit dhe besimeve të rreme dhe shkatërruese, debatuan me ta në mënyrën më të mirë dhe ata ishin prova e Zotit tek krijesat e Tij.
Në vijim
O ju njerëz! Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm ashtu siç i takon Atij të frikësoheni, nëse jeni besimtarë, adhurojeni Atë ashtu siç ju urdhëroi ta adhuroni vetëm Atë, Njësojeni Atë duke ia përkushtuar sinqerisht fenë tuaj Atij. Dhe kujtoni mirësinë e Zotit ndaj jush kur Ai ju quajti “muslimanë” dhe ju bëri nga umeti i profetit të Mëshirës, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij, atyre ju dërgojmë përshëndetje, të cilin Zoti e dërgoi në mesin tua për t’ju recituar ajetet e Tij, për t’ju pastruar dhe për t’ju mësuar Librin dhe urtësinë.
Adhurues të Zotit! Fjala më e dobishme dhe më elokuente, më e ëmbël në përsëritje, është fjala e Atij që zbriti Kuranin me shpjegim të qartë dhe garantoi ruajtjen e tij. Midis tyre është një kapitull nga Kurani i Shenjtë, i përbërë nga tre ajete, katërmbëdhjetë fjalë dhe gjashtëdhjetë e tetë shkronja, e zbritur pas Sures Esh-Sherh. Ajo përfaqëson një metodologji të plotë Islame, përshkruan një sistem gjithëpërfshirës për njerëzimin, shpëton njerëzimin nga balta e humbjes dhe sqaron qëllimin e tij, mbi të cilin profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij, e ngriti umetin e tij, e ajo është surja Asr.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar! Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit: “ Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (El-‘Asr 1-3)
Krijuesi i Madhërishëm dhe i Lartësuar është betua për kohën. Zoti mund të betohet në çdo gjë që dëshiron nga krijesat e Tij, ndërsa për robërit e Tij nuk lejohet që të betohen përveçse në Zotin e Lartësuar. O robër të Zotit! Kjo kohë është jeta në këtë botë, koha në të cilën ndodhin veprimet e njerëzimit, që përfshinë mrekullitë që i rrethojnë ata. Në të ka, përjetohen, lehtësi dhe vështirësi, shëndet dhe sëmundje, pasurim dhe varfërim, nderim dhe poshtërim, bindje dhe mosbindje, gjumë dhe zgjim, pakujdesi dhe vetëdije, mbledhje dhe ndarje, punë dhe përtaci, fitim dhe humbje, jetë dhe vdekje. Koha është mjeti i njerëzimit për në Botën e Përtejme, e cila bartën atë, sendet dhe mallrat e tij. Ajo është fusha ku mbillen veprat. Çdo ditë që kalon tek njeriu e afron atë drejt Ahiretit. Pasuria më e vlefshme, kapitali i njeriut është jeta e tij. N Nëse e shpenzon atë në kotësi dhe lojëra ai është humbës. Çfarë humbjeje mund të jetë më e madhe sesa të privohet nga bashkimi me Zotin e tij? “Çdo njeri, kur zgjohet në mëngjes, ose do ta shesë veten duke e liruar atë, ose do të vetëshkatërrohet.” Ajo, koha, është thesari i veprave të robërve, si të mirave ashtu edhe të këqijave. Jeta e njeriut ose të kalohet në gjynahe, e kjo është humbja më e shëmtuar dhe më e rëndë, ose ta kalojë atë në gjëra të lejuara. Nëse e shpenzojnë kohën në akte bindjeje, nivelet e adhurimit dhe përkushtimit ndryshojnë. Nuk ka adhurim që nuk mund të kryhet në mënyrën më të mirë dhe më të plotë. Ai dhe pse mund të jetë fitues, përsëri ndjen se ka humbur një fitim më të madh, pendohet dhe ndjen një ndjenjë humbjeje.
Shenja e fitimit është dashuria për botën Tjetër dhe preferenca e saj mbi këtë botë. Ndërsa shenja e humbjes është dashuria për këtë botë dhe preferenca e saj mbi botën Tjetër. Shpëtimi qëndron në rrugën e mesme. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”.(El-Bekare 201)
Nga Ebu Musa El-Esh’ariut, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: I dërguari i Zotit, paqja dhe mshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij, ka thënë: “ Kush e do jetën e tij të kësaj bote, dëmton jetën e tij të përtejme, Ahiretin, e kushdo që e do jetën e tij të përtejme, Ahiretin dëmton jetën e tij të kësaj bote. Prandaj, jepini përparësi asaj që mbetet mbi atë që zhduket.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.
Njeriu është i zhytur në humbje, përveç atyre që Zoti i Plotfuqishëm i ka përjashtuar; Ata janë që karakterizohen nga katër cilësi: Besimi, veprat e mira, nxitja për të vërtetën dhe nxitja për durim dhe qëndrueshmëri.
Këto janë cilësi në të cilat forca e besimit, trupit, fesë dhe moralit kombinohen me fuqinë e shkencës, dijes dhe fuqinë e mjeteve materiale, dhe kombinohet forca morale dhe forca shqisore. Kështu ai fiton udhëheqjen, sovranitetin, të urdhëruarit dhe ndalimin, vendosi drejtësi dhe përhapi siguri, ishte me Zotin në të gjitha çështjet e saj, kohës, kështu që dhe Zoti ishte me të në të gjitha rrethanat e saj. Në këtë mënyrë, ata udhëhoqën botën në rrugën e fitimit dhe lumturisë.
Nga njëri prej paraardhësve tanë të drejtë, selefëve, është transmetuar fjala e tij, se ka thënë: “E kam lexuar Suren Asr për njëzet vjet dhe nuk e dija kuptimin e saj. Mendoja: Si mundet të jetë humbja në origjinën e njeriut kur Zoti e konfirmon atë me të madhe, qartë, pastaj Zoti bën një përjashtim për ata që janë të shpëtuar nga humbja me këto katër atribute? Derisa një ditë dëgjova një shitës akulli duke thirrur për mallin e tij, duke u lutur njerëzve, duke thënë: “Mëshironi atë që shkrin kapitalin tim, sepse akulli është ujë i ngrirë, e pika e ujit që bie nuk do të kthehet më.” Këtu kuptova se kush është kuptimi i betimit në Suren Asr.”
O ti njeri! Kapitali yt, në këtë botë është jeta jote, dhe se çdo çast që kalon nga jeta jote nuk do të kthehet më për së dyti. Secili prej nesh përjeton humbjen e kapitalit të tij. Prandaj, bëni kujdes ndaj kapitalit tuaj, koha që ju ka mbetur për të jetuar para se të mbarojë afati. Bëni kujdes nga ata që ju vjedhin kapitalin, e secili prej nesh e di se kush e vjedh atë. Mos e humb asnjë çast të kapitalit tënd pa e kujtuar Zotin ose pa i bindur Atij dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Në vijim
O muslimanë! Në rrëmujën e jetës dhe detin e saj të trazuar të humbjes dhe devijimit, shfaqen robërit e sinqertë të Zotit, njerëziz e drejtë dhe robë të devotshëm që besuan në Zotin e tyre me një besim që i çoi ata drejt devotshmërisë dhe udhëzimit, besim që, ua bëri atyre të dashur të vërtetën dhe e zbukuroi atë në zemrat e tyre, i bëri të kenë dëshirë për vepra të mira dhe i pengoi të ndiqnin dëshirat e tyre. Ky besim ishte mbrojtje për ta nga e keqja dhe udhëzues për ta drejt së mirës.
Këta robë do jenë ata të sigurtët kur njerëzit do jenë të tmerruar, ata që do jenë në qetë kur njerëzit do jenë të shqetësuar, ata që i përmbahen të vërtetës kur njerëzit largohen prej saj dhe ata që nxisin njëri-tjetrin të jenë të duruar kur njerëzit tundohen, sporvohen. “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.” (Junus 62-64)
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentet që ai përmban. Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për vëllezërit tanë muslimanët, tek Zoti kërkoni falje dhe pendohuni tek Ai, vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërim i përjetshëm me përjetësinë e Tij. Lavdërimet janë për Zotin, lavdërim i përjetshëm i pafund përveç se me vullnetin e Tij. Lavdërimet janë për Zotin, lavdërim i përjetshëm i cili nuk gjen ngushëllim përveçse në kënaqësinë e Tij. Lavdërimet janë për Zotin, lavdërim i përjetshëm me çdo hapje të syrit dhe çdo frymëmarrje. Lutjet dhe përshëndetjet janë për të dërguarin tonë Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij, për të gjithë ata që u drejtuan me udhëzimin e tij dhe që thërrasin me mesazhin, thirrjen e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin që të jeni të shpëtuar. Zgjoni shpirtrat tuaj nga pakujdesia e tyre dhe udhëzoni ata në rrugën e shpëtimit të tyre. Vërtet, ju qëndroni të palëvizshëm ndërsa afrohen afatet tuaja të caktuara, ditët kalojnë pranë jush dhe meleku i vdekjes është zgjuar në oborrin tënd, pranë teje. “Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër.”(El-Enfal 67)
O ju muslimanë! Dijeni se jeni në një fazë prove dhe rezultatet do të shfaqen shpejt. Prandaj, forconi lidhjen tuaj me Zotin e Plotfuqishëm, forconi vendosmërinë tuaj, përveshni mëngët dhe forconi veten me Librin e Zotit të Plotfuqishëm, me Sunetin e Profetit të Tij, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, kundër risive të çështjeve, adhuroni Zotin e Plotfuqishëm me dituri dhe njohje, dhe kini frikë Atë dhe kini kujdes për Të, sepse Ai ju sheh dhe ju dëgjon. Përsëriteni shpesh fjalën: “Nuk ka zot tjetër përveç Zotit”, sepse është çelësi i Xhenetit. Kërkoni nga Zoti juaj t’ju bëjë të palëkundur në këtë fjalë të bekuar: E lehtë në gjuhë, e rëndë në peshore, që zbukuron librin, me të cilën Sunduesi i Mëshirshëm është i kënaqur, me të cilën zemërohet shejtani i mallkuar, është i pakënaqur, me të cilën robi gjynahqarë shpëton nga zjarri, Xhehenemi, dhe me të cilën njeriu arrin lumturi dhe siguri të përjetshme.
O besimtarë dhe besimtare! Shtoni lutjet dhe përshëndetjet për përgëzuesin, paralajmëruesin dhe pishtarin ndriçues, sepse Zoti ju ka urdhëruar ta bëni këtë në Librin e Tij, ku Allahu i Plotëfuqishim ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56) Ai është ndërmjetësi juaj në Ditën e Shpërblimit dhe të Gjykimit, e me lutjet dhe përshëndetjet ndaj tij do të jemi nga ata që janë të sigurt nga ndëshkimi i Zotit, nga ata që fitojnë me mëshirën e Tij nga dënimi i Tij, Ai është Dhurues i Madh, Bujar.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët dhe ata që i pasojnë ata në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta, me faljen dhe bujarinë Tënde, o Zoti i botëve.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro mohuesit dhe idhujtarët, shkatëro armiqt e Tu dhe armiqt e fesë. O Zot, përmirëso çështjet tona dhe çështjet e muslimanëve në çdo vend.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe me udhëzim udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të Shenjta dhe princin e tij të kurorës, në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. Jepu atyre këshilltarë të drejtë dhe të sinqertë që do t’i udhëzojnë ata drejt së vërtetës dhe do t’i ndihmojnë në të, dhe në atë që është më e mira për vendin dhe popullin e tij, o i Gjalli, o i Përjetshmi, o më i Madhi dhe më Bujari. Shpërbleji ata me më të mirën për dy xhamitë e Shenjta dhe për gjithçka që ata ofrojnë për Islamin dhe muslimanët.
O Zot, jepu sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve që të punojnë me Librit Tënd, Kuranin, që të gjykojnë me legjislacioni, sheriatin Tënd, dhe të praktikojnë sunetin e profetit Tënd Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij. O Zot, jep mbrojtjen Tënde për vendit tonë dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, na fal ne, besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit.
“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”(El-Hashr 10)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, të kërkojmë falje, sepse Ti je Falës, prandaj dërgo nga qielli shi të bollshëm mbi ne. O Zot, na furnizo me shi! O Zot, ne jemi krijesa nga krijesat Tua, mos na privo nga Mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180)
Afrim Smakaj