Virtytet e larta – Dr.Husejn ibn Abdilazijz Ali Shejh – Medine 7.12.2018

Falënderimet i takojnë Allahut, të Urtit, të Lartmadhërishmit, dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, një i vetëm dhe i pashoq. Zotit të fronit madhështor, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, i dërguari me virtytet e larta!

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi mbarë ata që e ndjekin dhe e pasojnë udhën e tyre deri në ditën e fundit!

Të nderuar besimtarë, ju porosis ju dhe veten time që t’i frikësohemi Allahut dhe t’i bindemi Atij në kohë begatie e sprove: “E kush i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, ai ka fituar fitim madhështorë” Ahzabë 71.

Të nderuar besimtarë, në kohën ku dashuria për botën shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme, lind nevoja që besimtari të përkujtohet për dashurinë ndaj të tjerëve, për ndihmesën e tyre, largimin e të këqijave prej tyre dhe padyshim se i tillë virtyt tregon për zemër të shëndoshë, virtyt që e ndihmon myslimanin të jetojë i lumtur, i kënaqur dhe i qetë.

Çiltërsia e zemrës është virtyt dinjitoz, nëpërmjet tij besimtari kupton shpërblimin e madh dhe kthimin e bukur për të cilin thotë Allahu:

“Ditën kur nuk bën dobi pasuria e fëmijët, përveç atij që prezanton para Zotit me zemër të bardhë” Shuara 88-89.

Prej shenjave që tregojnë se zemra është e çiltër pasi që ka besuar dhe njehsuar Zotin, është të qenit të saj larg zilisë, urrejtjes, smirës ndaj myslimanëve.

Myslimani jeton i çiltër me myslimanët, i qetë, i lumtur, nuk bart urrejtje dhe mëri ndaj tyre, nuk ka inat dhe hile ndaj tyre, nuk ka dredhi, ai jeton me një shpirt të mbushur me të mira, begati, moral të lartë dhe zemër të çiltër.

Ai është i qetë me veten, e të tjerët ndjehen të sigurt me të, nuk vuajnë prej tij dhe as nuk u vjen ndonjë e keqe e sprovë.

Profeti a.s ka thënë: “Askush prej jush nuk beson, derisa të dojë për vëllain e tij atë që dëshiron për veten” Mutefekun Alejhi.

Vëllezër të dashur, çiltërsia dhe qetësia e zemrës, të jetuarit me të tjerët në harmoni të plotë është prej begative të kësaj bote, madje mund ta konsiderojmë si xheneti i kësaj bote, Zoti i përshkruan banorët e xhenetit ku thotë: “Nga zemrat e tyre kemi hequr çdo zili” Araf 43.

LEXO  Vlera e ditës së Xhuma Shejh Abdul Muhsin El Kasim

Ibn Atijeh thotë rreth këtij ajeti: “Kjo sepse ziliqari është i dënuar dhe në xhenet nuk ka dënim.”

Ndër lutjet e shquara që Zoti përmend rreth besimtarëve: “E ata që erdhën pas tyre thonë: Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që na paraprinë në besim e mos lejo që ne zemrat tona të ketë zili e urrejtje kundrejt besimtarëve, vërtetë Ti je i Butë dhe i Mëshirshëm” Hashr 10.

Vëllezër të dashur, nuk ka dyshim se ndër veprat më të vyera është pastrimi i zemrës prej inateve dhe urrejtjeve.

Profetin a.s e pyetën një ditë:-Kush është njeriu më i mirë?

Ai tha: -Çdo person me zemër makhmul e gjuhë të drejtë.

Ata i thanë: -Gjuhëdrejtin e dimë, por zemër makhmul nuk e dimë?

Profeti tha: -Çdo i devotshëm, i çiltër, larg gjynaheve dhe padrejtësive, nuk ka urrejtje e zili” ibn Maxheh.

Selefët tanë të drejtë  kuptuan mirë këtë realitet, ndaj vepruan dhe ftuan për ta arritur atw.

Zejd ibn Eslemi viziton Ebu Duxhanen që ishte i sëmurë, mirëpo fytyra i qeshte, e pyeti: -Vallë pse qesh fytyra jote?

Ai i tha: -Kjo sepse ka dy punë që nuk i kam ndarë gjatë jetës sime, e para se nuk flisja për gjëra që nuk kisha lidhje dhe e dyta se zemra ime gjithmonë ka qenë e çiltër ndaj myslimanëve.

Fudajl ibn Ijadi ka thënë: “Devotshmëria nuk është arritur me nafile, apo agjërim të shumtë, por këtë e arritën me zemërgjerësi, çiltërsi dhe sinqeritet.

Vëllezër të besimit, ndër faktorët që ndihmojnë në çiltërsinë e zemrës është sinqeriteti me Allahun, të pajtuarit me caktimin e tij që ka caktuar për njeriun në këtë jetë, të përmbajturit ligjit të tij, shpeshtimi i këndimit të librit të Tij, si dhe në përpjekjen për ta pastruar zemrën prej mashtrimit, urrejtjes, smirës, duke e kujtuar vazhdimisht se moralet e prishura nuk i sjellin njeriut vetëm se të këqija.

LEXO  Muaji Shaban - Medine 12.4.2019

Besimtari duhet të jetë i pandalur në të luturit e Allahut që ta pajisë me zemër të sinqertë, vepër të drejtë që sjell dashuri e harmoni, largon urrejtjen, përhap paqen, braktis çdo gjë që nuk i intereson, kujdeset që të japë e dhurojë, pasi që një veprim i tillë sjell dashuri e largon urrejtjen.

Myslimani duhet të mos neglizhojë lutjen për besimtarët mbarë, të falë kur tjetri gabon, të shprehë bamirësi në forma të ndryshme me vepra dhe fjalë, gjë kjo që mbjell harmoni në zemrat e besimtarëve, kjo sepse besimtari gëzohet për gëzimin e besimtarit, i bëhet krah dhe i mbështet në vuajtjet dhe sprovat e tyre.

Vazhdimisht luftoje shejtanin, pasi që ai lufton për turbullimin e zemrave, Allahu i madhëruar thotë: “E thuaju robërve të mi të flasin më të mirën, pse shejtani ndërsen mes tyre, e është e ditur se shejtani është armik i hapur i njeriut” Isra 53.

Profeti a.s ka thënë: “Shejtani ka hequr dorë se do të adhurohet në gadishullin arab, por nuk heq dorë nga përçarja mes tyre” Muslimi.

Ajo çfarë e siguron besimtarin është qëndrimi larg debateve e konflikteve rreth çështjeve e ndodhive të ndryshme, të panevojshme, të cilat shkaktojnë urrejtje e inate, shkakton përçarje mes besimtarëve.

Diskutimi është i vlefshëm, kur realizohet nga dijetari i sinqertë që i plotëson të gjitha shkaqet për të diskutuar apo debatuar sipas edukatës dhe moralit të kërkuar, Allahu i Madhëruar thotë: “E njerëzve thuajini të mirën” Bekare 83.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe mbarë myslimanët prej çdo paudhësie, kërkojini falje Atij se vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues!

Falënderimet i takojnë Allahut, sikurse i takon madhështisë së Tij, dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, dëshmoj se profeti ynë Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, ftues për në mirësi, Zot bekoje e begatoje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Të nderuar besimtarë, çiltërsia e zemrës është begati e madhe, një ndër selefët ka thënë: “Baza e fesë është devotshmëria, adhurimi më i mirë është ai i natës, e rruga më e shkurtër për në xhenet është çiltërsia e zemrës.”

Kujdesuni për çiltërsinë e zemrës dhe transparencën e saj.

LEXO  Haxhi, shkollë diturie dhe vepre

Profeti a.s kujdesej për realizimin e kësaj baze në mënyrën më të mirë ndaj dhe thoshte: “Mos kini smirë, mos u urreni, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, jini robër të Allahut vëllezër, nuk i lejohet myslimanit që të mos i flasë myslimanit për më shumë se tre ditë” Muslimi.

Jini robër të Allahut, vëllezër të dashur, bashkëpunues në devotshmëri, punë të mira e nënshtrim ndaj Tij!

Allahu na ka urdhëruar për diçka të madhe, pikërisht shpeshtimi i salavatit mbi Pejgamberin.

Zot bekoje e begatoje të dashurin tonë, profetin dhe dritën e syve tona Muhamedin, natën dhe ditën, ji i kënaqur me prijësit e drejtë, shokët dhe familjen e tij dhe këdo që i pason në të mira!

Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, ndihmoji robërit e Tu Monoteistë!

Zoti ynë, kushdo  që intrigon ndaj myslimanëve, angazhoje me veten, e planet e tij bëji shkatërrim për to!

Zot fali besimtarët dhe besimtaret, myslimanët dhe myslimanet, të gjallët dhe të vdekurit!

Zot na jep të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër, mbrona prej dënimit të zjarrit!

Zoti ynë jepna çiltërsi të zemrës, sinqeritet në fjalë e vepra, na bëj vëllezër që e duan njëri-tjetrin dhe bashkëpunojnë në devotshmëri.

Zoti ynë jepi sukses shërbyesit të dy xhamive të shenjta  në gjithçka që Ty të pëlqen, udhëzoje dhe princin e kurorës në shërbim të islamit dhe myslimanëve, drejtoji mbarë prijësit myslimanë në atë që Ty të kënaq, bëji mëshirë për popullatën e tyre!

Zoti ynë largoji brengat ndaj nesh dhe mbarë myslimanëve, lehtësojua hallet kudo qofshin, pasuroje të varfëron, shëroje të sëmurin, udhëzoje të devijuarin, bëje të qëndrueshëm të nënshtruarin ndaj teje!

O i Lavdëruar dhe i Pasur, o Ti që jep dhe merr, na njom o Zot, zbrite shiun në trevat tona dhe mbarë trevat islame!

Zot na begato me mëshirën që na zbrite, bëje të dobishëm dhe të bereqetshëm për mbarë myslimanët, kaploji të gjithë myslimanët me një mëshirë të tillë!

Robër të Allahut, kujtojeni Allahun shumë, madhërojeni natën dhe ditën, e lutjet tona të fundit janë falënderimet ndaj Zotit!

Post Author: admin