Umeti Islam sëmuret por nuk do të vdesë kurrë

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     28-02-1447H   22-08-2025 D

Shejh Muhamed Sarandah

Tema    Umeti Islam sëmuret por nuk do të vdesë kurrë

Lavdërimet janë për Zotin. “Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” (Et-Teube 32)

Lavdërimet janë për Zotin. “ (Allahu) është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.” (Et-Teube 33)

Lavdërimet janë për Zotin. “Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij!”(El-Bekare 132)

I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Pasha Zotin, kjo çështje, fe, do të përhapet derisa kalorësi do udhëtojë nga Sana’a në Hadramaut, duke mos pasur frikë nga asgjë tjetër përveç Zotit dhe ujkut për delet e tij. Por ju jeni të nxituar.”

Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron, askush nuk mund të sjellë një të mirë përveç Zotit.  Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron, askush nuk mund të largojë një të keqe nga të shtypurit përveç Zotit. Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron, askush nuk largon një të keqe nga të burgosurit dhe të shpërngulurit përveç Zotit. Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron, askush nuk i ushqen të uriturit përveç Zotit. Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron. “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu.” (En-Nahl 53)  Me emrin e Zotit, bëhet çdo gjë që Ai dëshiron, Kudsi është Xheneti i Zotit në tokë. Nuk ka fuqi as forcë tjetër përveç Zotit.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai e ngriti qiellin të zbukuruar me yje dhe e fiksoi tokën me male në skajet më të largëta të kufijve. Ai di të gjitha gjërat, dhe nëse të njohurat janë të shumta. Ai ka përcaktuar se çfarë është e dashur dhe çfarë është e urryer, ka bërë çfarë është e lavdëruar dhe çfarë është e dënuar. Ai di sekretet e brendshme dhe misteret e fshehura të asaj që është e fshehur. Ai ka përcaktuar çfarë do të jetë dhe vendimi i Tij është i pashmangshëm. “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit…” (El-Bekare 255)

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

“Muhamedi është Keuther, i ëmbël është burim i tij, nga i cili sigurojnë pije i gjithë umeti, ujë i veçantë,

Në orën e ringjalljes do zbulohet sekreti i pozicionit dhe krenaria e tij, ditën kur njeriu ikën nga babai i tij.

O krijesa më bujare, nuk kam kujt t’i drejtohem përveç Teje kur më godet një fatkeqësi e madhe.”

Zoti të ka bekuar ty, o flamuri i udhëzimit, sa kohë një zog fluturon në ajër dhe këndon, Zoti të ka bekuar, sa kohë në në Aksa ngrihet thirrja, ezani, dhe sa kohë që njerëzit bëjnë vepra të mira dhe të qëndrueshme.

Zotëria im, o i dërguari i Allahut! Na ke lënë në rrugën e ndriçuar dhe të bardhë, fjalët e tua janë ilaç për zemrat, mjekim dhe shërim për të shtypurit. Ti me sinqeritet dhe të vërtetën ke thënë: “ Kjo çështje, feja Islame,  do arrijë atje ku arrinë nata dhe dita. Zoti nuk do të lërë shtëpi prej balte ose prej kashte pa e sjellë në të këtë fe, me lavdinë e të lavdishmëve, ose me poshtërimin e të poshtëruarve. Lavdi me të cilën Zoti e lartëson Islamin, dhe me poshtërim me të cilin Zoti e poshtëron mosbesimin.”

LEXO  Porosi dhe mësime nga kalimi i ditëve të kësaj bote

O umeti Islam! Nëse umeti Islam preket nga sëmundje, ai nuk do të vdesë. Umeti ynë sëmuret por nuk vdes. Umeti Islam është umeti i përjetësisë deri në Ditën e Kijametit. Dobësohet dhe sëmuret por nuk vdes.

Ai që shikon errësirën dhe ashpërsinë e saj, që dëshmon padrejtësinë dhe shtypjen e saj, që shikon botën dhe komplotin e saj, mendon se frutat nuk do të rriten dhe se dielli nuk do të lindë, por nuk ka dyshim se ajo që dëshirojmë sot janë realitetet e së nesërmes. “ Kjo çështje, feja Islame,  do arrijë atje ku arrinë nata dhe dita.”

Vendet islame janë përfshirë nga fushata pas fushate, në të kaluarën dhe të tashmen, të cilat mbartin brenda tyre urrejtje për këtë fe dhe popullin e saj. Umeti ka kaluar nëpër ditë që i bënë fëmijët të thinjur dhe korrupsioni është përhap në të gjithë vendin. A ka vdekur umeti Islam? Jo, për Zotin.  Zoti e zgjodhi dhe e bëri atë nga umetet e  fundit që të vazhdojë të bartë mesazhin e së vërtetës dhe drejtësisë deri në Ditën e Kijametit. “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” (El-Bekare 143) Umeti i zotërisë tonë, Muhamedit nuk vdes kurrë.

Vërtetë kjo fe bëhet më e fortë, më e lartë dhe më e qëndrueshme kur e godasin vështirësitë. Zoti dërgon frymëzimin e Tij në zemra, zgjon të pakujdesshmit, largon dobësinë, bashkon të shpërndarët dhe mbështet besimtari vëllain e tij besimtarë.

Medinen e Ndritshme e ka përfshirë një thatësirë e madhe,  duke bërë që njerëzit të vdisnin nga uria dhe të vdisnin nga mungesa e furnizimeve, ku ngordhën dhe bagëtia. Ky vit u quajt viti i thatësirës së madhe.  Halifi Omer Ibn El Hatabi nuk dinte çfarë të bënte, pasi njerëzit ishin të prekur nga vështirësitë, fatkeqësitë dhe uria e madhe, derisa njerëzit thanë:  “ Nëse Zoti nuk do e largojë, heqë,  këtë thatësirë do mendonim se Omeri do të vdiste nga shqetësimi për muslimanët, pasi ai ishte përgjegjës për ta dhe urinë e tyre.” Në të vërtetë, ai vendosi masa shtrënguese mbi veten dhe familjen e tij nga konsiderata për rrethanat, gjendja e muslimanëve. Ai mori delen që i përkiste të birit dhe ua shpërndau muslimanëve dhe e ndaloi që të hante prej saj nga turpi.

Po, ai ishte Omeri! Si mund të shpëtonte nga kjo uri që i mundonte banorët e Medinës?! Ai formoi komitete për të mbledhur ushqim dhe për të përmbushur nevojat e të uriturve. Kur vështirësia dhe uria u rëndua  tek banorët e Medines së Ndritshme, ai u shkroi princave të provincave. Ai i shkroi Amr Ibn El Asit, guvernatorit të Egjiptit, Zoti qoftë i kënaqur me të,  dhe tha për guvernatorin e  Egjiptit: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Nga robi i Zotit, Omeri,  halifi i besimtarëve, paqja qoftë mbi ju. Në Vijim! A mendoni se unë dhe ata përreth meje po shkatërrohemi, ndërsa ju dhe ata që janë me ju do jetoni në Egjipt?! Nga ju kërkoj ndihmë! Nga ju kërkoj ndihmë! Nga ju kërkoj ndihmë!” Amr Ibn El Asi shkroi në atë kohë: “Në shërbimin tuaj, në shërbimin tuaj. Do t’ju ​​ndihmoj me përforcime me karvanë, fillimi i të cilëve do të jenë në Medinen e Ndritshme dhe fundi në Egjipt.”

LEXO  Parime të qarta për arritjen e të mirave

Po, ai është umeti Islam, dhe nëse ai preket nga dobësia, brishtësia dhe uria, nuk do të vdesë.  “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre është si shembulli i një trupi të vetëm. Kur një gjymtyrë e tij (trupit) ankon, vuan dhe pjesa tjetër e trupit me pagjumësi dhe temperaturë.” Madje Omer Ibn El Hatabi urdhëroi çdo familje në lagjet përreth Medines që të kujdeset për një familje nga banorët e qytetit. Të hanin atë që hanë dhe të pinin ashtu siç pinë. Për më tepër, duke marrë parasysh rrethanat dhe duke i menaxhuar ato, fondet e zekatit mblidheshin paraprakisht për t’i ndihmuar njerëzit të dilnin nga vështirësitë, në mënyrë që të mund të hanin, larg poshtërimit dhe favoreve. Pra, për çfarë menaxhimi krize po flisni?! Dhe për çfarë poshtërimi të të uriturve po flisni?!

Zoti do t’i ndëshkojë këto padrejtësi, kështu që komplotistët nuk duhet të mendojnë se janë të sigurt nga përgjegjësia dhe ndëshkimi. A nuk kanë frikë shtypësit e padrejt që Allahu do t’u lëshojë një ditë si dita e thatësirës së madhe?! Populli i Shuajbit, paqja e Zotit qoftë mbi të, mohoi të vërtetën dhe bëri padrejtësi, kështu që Zoti lëshoi ​​mbi ta klithmën. A janë të sigurt shtypësit, të padrejtët nga dënimi që Ai u dërgon atyre? Vërtet, Allahu është vërtet i shpejtë në llogari.

Tiranët kërkojnë të coptojnë popujt dhe të mbjellin përçarje midis bijve të umetit, që të lehtësojnë tiraninë, grabitjen, shtypjen dhe nënshtrimin, si dhe të lehtësojnë izolimin e një grupi të vogël, ndërsa të gjithë shikojnë. “Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (El-Kasas 4) Pastaj, tirania vazhdon kundër spektatorëve të përulur, dhe shtypësi imagjinon se është i aftë ta shkatërrojë këtë umet. Këto janë vetëm ëndrra; umeti Islam sëmuret por nuk do të vdesë, me lejen e Zotit.

Ai të cilit Zoti i ka besuar punët e besimtarëve nuk e pranon neglizhencën në to dhe ai duhet ta mbajë përgjegjësinë. Misioni i bariut, kujdestarit është siç përcaktoi kujdestari i drejtë, Omer Ibn El Hatabi, kur dërgoi Ebu Musa El Esh’ariun në Basra si guvernator. Ai u ngrit duke predikues pasi lavdëroi Zotin dhe tha: “Udhëheqësi i besimtarëve, Omeri, më ka dërguar tek ju për t’ju mësuar Librin e Zotit tuaj, Kuranin, sunetin e profetit tuaj dhe për t’ju pastruar rrugët tuaja.”  Ndoshta na habit dhe na çudit fakti kur mësojmë se detyrat e sundimtarit dhe guvernatorit janë të marrin në konsideratë nevojat e nënshtetasve dhe të pastrojnë rrugët për ta. Po ne sot, kur të uriturit i ulërisit tek Zoti dhe thonë siç ka thënë Omeri: “Nga ju kërkoj ndihmë!” “Nga ju kërkoj ndihmë!” “Nga ju kërkoj ndihmë!”

Karmatianët pushtuan shtëpinë e shenjtë të Zotit, Qaben. Haxhi, ritualet dhe ceremonitë u pezulluan për dhjetë vjet. Ndjenjat e muslimanëve u tronditën në të gjithë botën, ashtu siç u tronditën ndjenjat e muslimanëve nga djegia e xhamisë Aksa. Por, pyetni korridoret e xhamisë së madhe, Qabes sot: Ku janë Karmatianët?! Pyetni oborret e xhamisë së madhe, Qabes sot: Ku janë Karmatianët që penguan Haxhin dhe ritualet?! Ata janë në koshin e plehrave të historisë. Drita është rikthyer përsëri në Kiblën e muslimanëve, dhe ritualet e Islamit u rikthyen përsëri. Umeti Islam sëmuret por nuk do të vdesë kurrë.

Karmatianët guxuan të përdhosnin shtëpinë e shenjtë, Qaben, dhe vodhën Gurin e Zi nga Qabeja. Pyeteni Gurin e Zi sot: Ku janë agresorët?! Ku janë hajdutët?! Ai do të përgjigjet si dëshmitar: Zoti i ka shfarosur dhe shkatërruar ata, dhe Guri i Zi mbetet duke shkëlqyer me dritë ashtu siç ishte. Umeti ynë Islam, dhe nëse e prekën atë sëmundja, dobësia dhe shpërfillja, neglizhenca ndaj të shenjtave të tij, ai është umet që nuk do të vdesë kurrë. “Vallë, a presin ata diçka tjetër veç asaj që goditi popujt e mëparshëm? Vërtet, Ti nuk mund të gjesh ndryshim ose shndërrim në ligjet e Allahut.” (El-Fatir 43)

LEXO  Bindja ndaj të Gjithëmëshirshmit dhe mbështetja për njerëzit e besimit

Shtrembërimi i fakteve, shtrembërimi i skenave dhe gënjeshtra është zakon i shtypësve, prandaj mos i dëgjoni gënjeshtrat e tyre. Shtrembërimi i kryer nga agresorët synon të përziejë faktet në mënyrë që shtypësi dhe i shtypuri të jenë të barabartë, dhe  në mënyrë që agresori të shikohet si ai i sulmuari. Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të, aksidentalisht shtyu një njeri dhe e vrau. Ndërsa  Faraoni vrau qëllimisht me mijëra dhe ekzekutoi fëmijë me forcë dhe padrejtësi. Por kur iu drejtua Musait para njerëzve, i tha: “ E pastaj bëre veprën që ti e di…” (Esh-Shu’ara’ 19) Duke harruar krimet e tij dhe duke përhapur gënjeshtrën e tij. Umeti Islam do të mbetet gjallë dhe nuk do të vdesë. Thelbi i çështjes është se e ardhmja i përket kësaj feje dhe e ardhmja i përket Islamit, sepse ai, Islami është metodë dhe rregull jete dhe përparim për njerëzimin. Nuk ka Zot tjetër përveç Zotit, çështje të cilën e urrejnë mbretërit. Qëllimi i fshehur i konfliktit është… “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju largojnë nga besimi juaj.” (El-Bekare 217) Ose të pasoni besimin, fenë e tyre. “ …por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” (Et-Teube 32)

I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nëse njeriu thotë: “Njerëzit janë shkatërruar”, atëherë ai është personi më i shkatërruar prej tyre.” Apo siç ka thënë.  Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin i Cili i ka dhënë përparësi atij që Ai dëshiron nga mirësia e Tij dhe ka vonuar atë që Ai dëshiron me drejtësinë e Tij. Askush me arsye nuk mund ta kundërshtojë Atë me arsyen e tij dhe asnjë krijesë nuk mund ta pyesë Atë për arsyen e veprimit të Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Ngadhënjimtari mbi robërit e Tij, Atij ju nënshtruan tiranët dhe ju përulën arrogantët.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është i dërguari i Zotit. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që bëri umetin e tij nga umetet më të mira, ai që ka thënë: “ Banorët e Xhenetit janë njëqind e njëzet rreshta, rradhë, tetëdhjetë prej tyre janë nga ky umet dhe dyzet të mbeturit janë nga të gjitha umetet e tjera.” Umeti Islam ka besim në mbështetjen e Zotit për të,  ka bindje dhe siguri se është në rrugën e duhur dhe se Zoti e ka bërë këtë umet përfaqësues të tij në Tokë. Ky është premtim nga Zoti që nxit vendosmërinë dhe mbush zemrat me siguri.

Feja Islame është feja e të qëndruarit në këtë tokë me lavdinë e të lavdishmëve dhe me poshtërimin e të poshtëruarve.

I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Përgëzoje këtë umet me lavdi dhe lartësi.”  “….për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë…” (Et-Teube 33) “Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!” (Gafir 14)

O Zot , kërkojmë nga Ty dije të dobishme, furnizim të bollshëm dhe vepra të pranueshme. O Zot, largo bllokadën, izolimin,  nga njerëzit tanë të izoluar. O Zot, mundëso ushqim atyre kur janë të uritur dhe mbroji ata nga frika. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, merr përsipër çështjet e tyre dhe përmirëso gjendjen e tyre.

O Zot, largo nga ata luftën dhe dëmet e saj. O Zot, mundëso lirimin e pengjeve dhe të burgsurve. O Zot, liro prangat e tyre, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, shëro të sëmurët e tyre, mëshiro të vdekurit tanë, mëshiro të mbyturit, ata që janë nën rrënoja dhe të dobëtit. 

O Zot, bëje xhaminë Aksa të mbushur plot me Islam dhe muslimanë. O Zot, jepu për ne shpërblimet më të mira dijetarëve, mësuesit dhe prindërve tanë.

O Zot, Ti  që ke bërë salavatet ndaj të dërguarit tonë nga adhurimet,  të lutemi të afrohemi pranë Teje me të gjitha salavatet që janë dërguar për të nga dita që është krijuar deri në pafundësinë e përsosmërisë.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Safat 180-182)

Dhe fto për namaz.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/699765973230683

Post Author: endrit