Dashuria për Zotin dhe të dërguarin e Tij burimi i shpëtimit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     07-11-1447 H    24-04-2026 D

Shejh Muhamed Hysejn 

Tema  Dashuria për Zotin dhe të dërguarin e Tij burimi i shpëtimit

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili na udhëzoi në Islam, na bëri besimin të dashur dhe na e zbukuroi atë në zemrat tona, dhe na bëri të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen, të tillët janë në rrugë të drejtë.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, çdo e mirë është në duart e Tij dhe Ai është i aftë për të bërë çdo gjë.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri, ndërmjetësuesi, udhëheqësi dhe modeli  ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij, të parët e të mirëve, dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre, pasojnë gjurmët e tyre dhe i përmbahen traditës së tyre deri në ditën e Kijametit.

Lutje dhe përshëndetje për dëshmorët dhe të rënët, për robërit dhe për të burgosurit, për ata që janë në namaz, në ruku dhe që bien në sexhde për Zotin, në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe në çdo tokë nga vendet muslimane.

Në vijim

O ju muslimanë! O bijtë e Kudsit dhe rrethinat e Bejtul Makdis, qytetit të shenjtë! I dërguari ynë fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Kush i ka tre gjëra, ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit. Të jetë Allahu dhe profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në mosbesim, siç urren të hidhet në zjarr.”

Sa madhështor është ky hadith fisnik! Ky është një rregull i artë i madh që zbulon ëmbëlsinë e këtij besimi, nëse gëzimi i ti, besimit, përzihet me zemrat, ato jetojnë të gjalla me përqafimin e tij, dhe gjymtyrët janë të lidhura në të gjitha veprimet dhe veprat e tyre me atë që e kënaqën Zotin dhe të dërguarin e Tij. Po, o muslimanë, këto janë parime të mëdha, të vendosura dhe të ligjësuara për ne nga më i dashuri i dërguarve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Shtylla e këtij Islami dhe themeli i këtij besimi ngrihen mbi dashurinë për Zotin dhe të dërguarin e Tij. Kjo dashuri nuk duhet të zëvendësohet nga asnjë dashuri tjetër, pavarësisht se cila mund të jetë ajo dashuri tjetër: “ Zoti dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër.”  Dhe “Çdo gjë tjetër” i referohet të gjitha kënaqësive kalimtare të kësaj bote, duke përfshirë pasurinë, fëmijët, familjen, fisin dhe të shtuarit në pasuri, pasardhës dhe dëshira të kësaj bote. Dashuria për Zotin dhe të dërguarin e Tij është parimi themelor në orbitën e këtij Islami dhe në ndërtimin e këtij besimi. Asgjë në këtë botë apo në botën Tjetër, Ahiret, nuk ka përparësi mbi to, “ Zoti dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër.”

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! A e kemi zbatuar të gjithë këtë rregull të artë për veten tonë në lindje dhe perëndim të tokës, në mënyrë që të mund ta ekuilibrojmë këtë besim fisnik që të mos lëkundet përballë vështirësive ose fatkeqësive, por të mbetet i fortë dhe i palëkundur si malet, me qëndrueshmërinë e besimit që nuk tronditet nga fatkeqësitë dhe as nuk nxirret jashtë kufijve të tij nga bekimet dhe dhuratat?

LEXO  Të mbrojmë të shenjtat tona - Aksa 17.01.2020

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Zoti i Plotfuqishëm e ka bërë të qartë në Librin e Tij të Shenjtë dhe në Shpalljen Fisnik se besimtarët e duan Zotin dhe të dërguarin e Tij: “ Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).”(El-Bekare 165)  “Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan…”(El-Ma’ide 54)  Dashuria e vërtetë është e ndërsjellë midis Zotit dhe robërve të Tij besimtarë, por është, me të drejtën e Zotit të Plotfuqishëm, një dashuri që tejkalon të gjitha ndjenjat dhe emocionet, është dashuria e përzgjedhjes, dashuria e zgjedhjes, dashuria e kënaqësisë dhe miratimit nga Zoti i Botëve, Allahu i Madhërishëm;  “…që i do dhe që e duan…”(El-Ma’ide 54) 

Hasan El Basri, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe shumë nga paraardhësit tanë të drejtë me të, kanë  thënë: “Zoti i ka testuar dhe i ka vënë në provë robërit në këtë ajet fisnik: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë…” (Al ‘Imran 31) Po, kjo është provë e qartë dhe përfundimtare për dashurinë e besimtarit për Zotin, për sinqeritetin e besimit në Zot dhe për sinqeritetin e veprimit për Zotin, sepse ai nuk do askënd tjetër përveç Zotit, ai kërkon strehim vetëm tek Zoti dhe i drejtohet vetëm Zotit.

Po, o ju muslimanë! Këto standarde të vendosura për ne nga i dërguari ynë më i nderuar, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, janë standardet e besimit derisa Zoti të trashëgojë tokën dhe çfarë është mbi të dhe ata në të. Këto janë standarde që peshohen me peshoren e të Drejtit, Zotit të Lartësuar,peshohen me peshoren e Zotit të Madhërishëm, peshohen me peshoren e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili nuk flet nga vetja e tij: “ Zoti dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se çdo gjë tjetër.”

Dashuria për Zotin dhe të dërguarin e Tij kërkon zbatimin e urdhrave të Zotit të Lartësuar, bindjen ndaj Zotit të Madhërishëm, dhe pasimin e të dërguarit të Tij fisnik dhe udhërrëfyesin tonë më të madh në rrugën e drejtë. Këto janë peshore që nuk lëkunden kurrë, sepse ato janë peshore të së vërtetës dhe drejtësisë. Ato janë thelbi i provës për robin besimtar në besimin e tij, në Islamin e tij, nënshtrimin e tij ndaj Zotit, në sjelljen e tij në jetën e kësaj bote dhe në veprat e tij të sinqerta për hir të Zotit, duke kërkuar kënaqësinë e Tij dhe për të fituar Xhenetin e Tij në Ditën e Gjykimit.

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit! Kush e ka besimin sundues në zemrën e tij dhe ka marrë në kontroll shpirtin e tij, ai nuk do të lëvizë përveçse për Zotin, as nuk do të punojë përveçse për Zotin, dhe as nuk do të tejkalojë në fjalët dhe veprat e tij atë që Zoti i ka urdhëruar të bëjë.

Për ta ilustruar, argumentuar  këtë,  japim një shembull  nga qëndrimet e shokëve të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, dhe ju të gjithë e dini se kush është Omeri, kush është Faruku, Omeri, është ai për të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, është lutur që Islami të forcohej me njërin nga dy Omerët. Omeri ishte i pari që besoi dhe përqafoi Islamin, e Zoti e forcoi Islamin përmes tij. Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, thotë për të dërguarin e nderuar, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “O i dërguar i Zotit, ti je njeriu më i dashur për mua se çdo gjë përveç vetes time.”  Unë të dua, o i dërguar i Zotit, më shumë se të gjithë njerëzit: fëmijët e mi, prindërit e mi, të afërmit e mi, fisin tim, pasurinë time dhe familjen time,  përveç vetes time!” I dërguari fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke na mësuar realitetin e besimit të përsosur, i thotë: “Jo, o Omer, derisa të jem më i dashur për ty sesa vetja jote.” Pastaj Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, tha: “Tani, o i dërguari i Allahut, për Zotin, ti je më i dashur për mua sesa vetja ime.” I dërguari fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit, qoftë mbi të,  i tha: “Tani, o Omer!” që do të thotë: Tani besimi është i plotë, tani e ke shijuar ëmbëlsinë e besimit, tani Zoti dhe i dërguari i Tij janë më të dashur për ty se çdo gjë tjetër.

LEXO  Për të sprovuarit... mendoni mirë për Zotin

O Zot, na bëj prej atyre që e duan Allahun dhe të dërguarin e Tij, dhe që i duam ata më shumë se çdo gjë tjetër. O Zoti ynë, na frymëzo që gjithmonë të veprojmë sipas Librit Tënd, Kurani Famëlartë, dhe të ndjekim sunetin e profetit Tënd të madh, sepse Ti, o Zoti ynë, je i aftë për gjithçka dhe i denjë për t’iu përgjigjur lutjeve tona.

I dërguari ynë fisnik, paqja dhe mëshira e Zotit, qoftë mbi të, ka thënë: “E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit ai që është i kënaqur me Allahun si Zot të tij, me Islamin si fe të tij dhe me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, profet dhe të dërguar të tij.”  Apo sikurse ka thënë.

Fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Ai kërkoni falje. Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet  janë vetëm për Zotin. Lutje dhe përshëndetje për zotërinë tonë Muhamedin, s’ka të dërguar pas tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, ka dashur që robërit e Tij të punojnë për fenë e tyre dhe jetën e tyre të kësaj bote, deri sa të fitojnë nga mirësitë e Zotit dhe të meritojnë kënaqësinë e Tij.

Dëshmoj se zotëria, i dashuri dhe ndërmjetësuesi ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij.

Në vijim

O ju muslimanë! Nga shenjat e besimit të plotë, është: “Që dikush ta dojë një person vetëm për hir të Zotit.” Këto marrëdhënie shoqërore, janë marrëdhënie që duhet të mbizotërojnë në shoqëri me të gjithë anëtarët e saj, pavarësisht nga pozicionet, gradat dhe vendet e tyre në jetën e kësaj bote, “që dikush ta dojë një person vetëm për hir të Zotit”, domethënë, që bashkëpunimi dhe dashuria e muslimanëve duhet të jetë brenda kufijve të këtij besimi, i pastër nga çdo e metë, larg nga çdo e metë, përveç dashurisë për Zotin e Plotfuqishëm.

Paraardhësit tanë të drejtë, Selefu Salih, Zoti qoftë i kënaqur me ta, e zbatuan këtë parim fisnik. A nuk e shikoni se si i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vendosi vëllazëri midis Ensarëve dhe Muhaxhirëve, dhe midis Muhaxhirëve dhe Ensarëve, deri në atë pikë sa ata ndanë në mes njëri-tjetrit ushqimin, furnizimin e tyre? Ajo vëllazëri ishte thjesht për hir të Zotit të Plotfuqishëm, e pastër nga të gjitha motivet e kësaj bote përveç dashurisë për Zotin e Plotfuqishëm. Le të jetë shoqëria jonë në këtë metodë, formë.

LEXO  Pastrimi i vetes, shpirtit

Jam i habitur dhe i dënoj me forcë këto armiqësi, këto sprova, këto mosmarrëveshje dhe gjakderdhje midis bijve të muslimanëve, në të njëjtin qytet, ose në të njëjtin fshat, ose në çdo vend nga vendbanimet e tyre!  A nuk e kanë lexuar hadithin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Muslimani është vëllai i muslimanit?”  “Çdo gjë e muslimanit është e ndaluar, e shenjtë, për muslimanin tjetër: gjaku, pasuria  dhe nderi i tij.” Ku jemi ne në krahasim me shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të? Ku jemi ne në krahasim me paraardhësit e drejtë, Selefu Salih,  të cilët Kurani i Shenjtë i përmend dhe i lavdëron? “…por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë.”(El-Hashr 9)

O ju muslimanë! Një çështje tjetër nga rregullat e ëmbëlsisë së besimit, kur ai përshkon zemrat dhe bëhet ushqim për shpirtin dhe trupin, është: “Dhe që ai ta urrejë kthimin në mosbesim aq sa e urren të hidhet në zjarr.” Domethënë, ai që Zoti e ka udhëzuar në besim dhe ia ka hapur zemrën Islamit, e urren kthimin në mosbesim, në gjynah dhe në devijimin nga rruga e udhëzimit. Po, “ aq sa e urren të hidhet në zjarr.”.

Kush prej nesh do të donte të hidhej në zjarr?! Përgjigja është sigurisht: Askush! Prandaj, kjo është një shenjë e ëmbëlsisë së besimit dhe shijes së besimit në zemra dhe shpirtra: “Dhe se ai e urren të kthehet në mosbesim aq sa urren të hidhet në zjarr.”

O Zot, na bëj nga robërit e Tu besimtarë, nga robërit e Tu të drejtë dhe nga ata që i përmbahen parimeve të besimit, në mënyrë që të shijojmë ëmbëlsinë e këtij besimi.

Prej ëmbëlsisë së besimit! O ju muslimanë! O ju që keni udhëtuar drejt xhamisë së bekuar Aksa për të kryer namazin dhe adhurimin në të! Prej ëmbëlsisë së besimit është që dashuria për xhaminë Aksa dhe adhurimi në xhaminë Aksa për Zotin e Plotfuqishëm të jetë në thelb të zemrave tona. Që ajo dashuri të na shoqërojë në çdo kohë dhe në të gjitha rrethanat. Që kjo xhami të jetë ndër masat e vërteta për të peshuar besimin dhe Islamin tonë dhe shkallën e lidhjes sonë me këtë besim. Kjo xhami e bekuar përbën pjesë të besimit tonë,  pjesë të adhurimit tonë,  pjesë të qytetërimit tonë dhe pjesë të historisë sonë. Zoti e ka emëruar atë kështu dhe ne nuk pranojmë asnjë emër tjetër për të. Zoti e quajti atë dhe ne refuzojmë çdo emër tjetër për të. Zoti e quajti atë “xhamia Aksa” dhe do të mbetet, me lejen e Zotit,  xhamia Aksa siç e quajti Zoti i Plotfuqishëm. Thjesht e tëra vetëm për muslimanët dhe për adhurimin e muslimanëve. Atë e mbrojnë muslimanët me dritën e syve të tyre,  sakrifikojnë për të jetën dhe shpirtrat e tyre, derisa Zoti të caktojë atë që Ai ka caktuar.

O ju muslimanë! O bijtë e tokës së Israsë dhe Miraxhit!

Këtë javë, xhamia e bekuar e Aksasë i dha lamtumirën një shejhu të nderuar dhe fisnik, i cili e ngriti ezanin nga minaret e xhamisë së bekuar të Aksasë për gati gjysmë shekulli. Ai ishte i ndjeri Shejh Naxhi Al Kazaz, një nga muezinët e nderuar të kësaj xhamie të bekuar. Ai e ngriti ezanin,  thirrjen për monoteizëm, nga minaret e xhamisë Aksa në kohë të mira dhe të vështira. Ai kurrë nuk u lëkund në këtë angazhim. I lutemi Zotit të Plotfuqishëm ta pranojë atë në mëshirën e Tij të gjerë dhe t’i dhurojë atij, së bashku me të gjithë dëshmorët dhe muslimanët e ndjerë, një vend të gjerë në Xhenet. Ai është me të vërtetë i aftë për gjithçka dhe i denjë për t’u përgjigjur lutjeve tona.

O Zot, të lutemi ta na japësh kthim të mirë tek Ti. Mundëso për ne dhe muslimanët  rrugëzgjidhje të shpejtë dhe të afërt,  na jep, udhëheqës besimtarë dhe të mëshirshëm, që të njësojë rrallët tona, të bashkojë forcat tona  dhe të na japi fitore.

O Zot, na e trego të vërtetën të vërtetë dhe na mundëso ta pasojmë atë, na e trego të kotën të kotë dhe na jep sukses që të shmangemi prej saj, na udhëzo në rrugën e paqes, na çliro nga errësira në dritë dhe na dhuro rrugën e drejtë në punët tona.

Dhe ti që fton për  namaz, fto për namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1545675990892409/861406870318648

Post Author: endrit