Ditët e Teshrikut: Në mes të vlerave të përkujtimit të Zotit dhe qëndrueshmërisë së besimit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     12-12-1447 H    29-05-2026 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema   Ditët e Teshrikut: Në mes të vlerave të përkujtimit të Zotit dhe qëndrueshmërisë së besimit

Lavdërimet janë për Allahun, Atij i përkasin atributet e bukurisë dhe madhështisë, i Vetëm posedon përsosmëri. Çdo gjë përveç Tij është krijuar dhe i nënshtrohet vullnetit të Tij, vetëm Ai është Krijuesi dhe i Denjë për adhurim. Të gjitha lavdërimet janë për Allahun. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Ai bën çfarë të dojë dhe vendos çfarë dëshiron.  Allahu është Ai që meriton më shumë të kujtohet, që meriton më shumë të falënderohet, që meriton më shumë të lavdërohet dhe që meriton më shumë të adhurohet. Ai është më i Mëshirshmi nga të gjithë ata që zotërojnë, më Bujari nga të gjithë ata që kërkohen, më Bujari nga të gjithë ata që japin, më i Mëshirshmi nga të gjithë ata që kërkohen për mëshirë dhe më Bujari nga të gjithë ata që synohen.

Dëshmoj se zotëria ynë, mbështetja jonë, krenaria jonë dhe thesari ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është më i miri nga ata që bënë tavaf, rrotullim rreth Shtëpisë së Shenjtë, Qabes, dhe më i miri nga ata që erdhën mëshirë për njerëzimin. Zoti e lartësoi statusin e tij, e ngriti përmendjen e tij në të gjithë botën, e bëri të shfaqet urdhri i tij në tokë dhe e përhapi mesazhin e tij, sa që njerëzit hynë në fenë e tij në turma. Paqja, bekimet dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe ndjekësit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon Atij, binduni Atij, zbatoni fenë e Tij, lartësoni ritualet e Tij, lavdërojeni dhe madhërojeni Atë hapur. “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”(El-Haxhxh 32) Shfrytëzoni sezonet e mirësive në atë që ju afron më shumë me Zotin tuaj dhe ju ngrenë në gradë. Ruajuni nga gjynahet, sepse ato ju privojnë nga falja gjatë sezoneve të mëshirës. Shtoni adhurimet vullnetare dhe kryerjen e veprave të pëlqyera, sepse me to përmbushen detyrimet fetare, ngrihen gradët dhe falen gabimet.

O ju muslimanë! Jeni ende në ditë të bekuara dhe të lavdishme. Dita e Sakrificës, kurbanit, ka kaluar dhe jemi në Ditët e Teshrikut. Prandaj, përpiquni të bëni vepra të mira gjatë këtyre ditëve, shtoni aktet e adhurimit, shtoni devotshmërinë ndaj Zotit tuaj duke iu bindur urdhrave të Tij dhe duke u përmbajtur nga ajo që Ai ju ka ndaluar. Vazhdoni në këtë mënyrë deri në vdekje, në bindje ndaj urdhrit të Zotit të Plotfuqishëm, sikurse Ai ka thënë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

Dijeni se Zoti i Plotfuqishëm i ka veçuar këto ditë dhe se ato janë ditë të përkujtimit të Zotit, sikurse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut).” (El-Bekare 203) Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ditët e Teshrikut janë ditë të ngrënies, të pirjes dhe të përkujtimit të Zotit të Plotëfuqishëm.”  Gjithashtu është transmetuar në hadith të saktë prej tij se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dita e Arafatit, Dita e Sakrificës dhe ditët e Teshrikut janë Bajrami ynë, ne muslimanëve.”

LEXO  Përfitime dhe mësime nga sureja Asr

O ju namazfalës! Nga gjërat më të mëdha me të cilën jeton shpirti, bëhet i lumtur dhe i sigurt, qetë, është kujtimi i Krijuesit të tij të Lartësuar. Ai, përkujtimi i Zotit, është ngritja e tij me të cilin ai ngrihet, zbukurimi i tij me të cilin ai bëhet i bukur dhe furnizimi i tij me të cilin ai forcohet. “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!”(El-Ahzab 41-42) Vërtetë, përkujtimi i Zotit të Lartësuar është ilaç që pastron zemrat.   Përkujtimi është bekim i madh dhe dhuratë madhështore. Nëpërmjet përkujtimit shmangen, largohen, fatkeqësitë, dhurohen bekime dhe arrihen gradat më të larta. Përkujtimi është pozita më e lartë tek Zoti i Lartësuar. Përkujtimi është jeta e shpirtit dhe shpirti i jetës, nëse largohet nga zemrat, trupat bëhen si varre dhe shpirtrat bëhen shterpë.

Adhurues të Zotit! Meditoni  dhe përkujtoni sa lutje u ngritën për ju vetëm dje nga kodra e Arafatit derisa arritën në qiell! Sa lutje u ngritën për ju nga Muzdelifeja kur Haxhinjtë qëndruan në vendet e Shenjta! Nga Minaja kur po gjuheshin me gurë! Sa lutje do të ngrihen për ju sot ashtu siç u ngritën dje! Dhe ato do të ngrihen për ju nesër, nga afërsia e Qabes, nga Safaja dhe Merva! Lutje të bekuara nga ata që i njihni, dhe akoma më shumë lutje nga ata që nuk i njihni, janë ngritur tek Zoti i Plotfuqishëm në gjuhë të ndryshme, deklaruesit e tyre që bëjnë lutje për muslimanët dhe muslimanet, për besimtarët dhe besimtaret,  për ata që janë të lidhur e të vendosur në vijën e parë dhe për ata që janë të duruar. Ne dhe ju jemi të përfshirë në ato shumë lutje, duke qenë këtu në xhaminë  dhe në tokën tonë. Pra, kush prej jush mund të numërojë numrin e lutjeve të mira që kanë arritur, lutje të sinqerta të bëra në fshehtësi, nga një vëlla musliman që nuk të ka parë dhe nuk të njeh, nga dikush i një race tjetër dhe që nuk flet gjuhën e tënde?

Çfarë lidhjeje madhështore vëllazërie në besim, kur Zoti i Plotfuqishëm e përshkroi atë me atributin më të madh, më të bukur dhe më sublim, duke thënë: “ Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10) Prandaj lavdëroni Zotin e Plotëfuqishëm, i Cili ju udhëzoi drejt në besim dhe falënderojeni Atë që bëri miliona njerëz të kërkojnë falje tek Zoti për ju në vendet më të shenjta, po, në vendet më të shenjta dhe në ditët më të mira.

O ju të lidhur me këtë vend! Mbushni zemrat tuaja me nderim dhe madhërim për Zotin dhe përkujtoni madhështinë e Tij gjatë këtyre ditëve. Përkujtoni madhështinë e Tij, Zotit të Lartësuar, ndërsa përkuleni dhe bini në sexhde para Tij. Përkujtoni madhështinë e Zotit të Lartësuar ndërsa ofroni sakrifica, kurbane, dhe rituale. Përkujtoni madhështinë e Zotit të Lartësuar ndërsa shikoni sundimin e qiejve dhe të tokës.

LEXO  Mësime dhe këshilla nga kalimi i kohës

Zoti ju mëshiroftë! Meditoni në fjalët e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, në debatin e tij me atë që mohoi Sundimin e Zotit, i cili u bë arrogant, tiranik dhe shtypës ndaj njerëzve, duke përhapur korrupsion dhe duke shkatërruar të korrat, pasardhësit dhe tokat, dhe ai mendonte se ishte njeri i pushtetshëm dhe madhështor.

Përkujtoni madhështinë e Zotit të Plotfuqishëm në ngjarjet që përjetoni dhe në ndryshimet që shikoni në vende dhe individë. Të gjitha këto janë sikurse Zoti i Madhërishëm ka thënë: “…që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.”(Et-Talak 12)

E keni parë fuqinë e Tij, Zotit të Lartësuar, në Librin e Tij mbi tiranët dhe shtypësit,  e keni parë se si Ai i zhveshi ata nga sundimi i tyre dhe i fuqizoi të shtypurit mbi ta. Banorët e qiejve dhe të tokës iu drejtuan Atij për të gjitha nevojat e tyre, e Ai, ua plotësoi ato, Zoti i Lartësuar sa i Madh është Ai! Zoti i Lartësuar menaxhon dhe drejton çështjet e krijimit të Tij. Asnjë çështje nuk e shpërqendron Atë nga një tjetër dhe asnjë gjë nuk mund ta bëjë Atë të harrojë një tjetër. “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e plotë.”(Er-Rahman 29) Fuqia e Zotit të Madhërishëm është ajo që jep jetë dhe vdekje, siguron furnizim, lartëson një popull dhe poshtëron një popull, shëron të sëmurë, liron rob,  lehtëson të pikëlluar, i përgjigjet thirrësit, i jep lypësit dhe falën gjynahet, përveç veprimeve dhe ngjarjeve të panumërta të tjera në krijimin e Tij sipas dëshirës së Tij.

O ju besimtarë! Në këto ditë, zemrat duhet të lidhen me Zotin e Plotëfuqishëm duke iu drejtuar Atij me pendim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.”(Ez-Zumer 54) Meditoni në qëndrueshmërinë e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, kur u hodh në zjarr, ku Zoti i Plotëfuqishëm e përshkroi atë të penduar: “Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).”(Hud 75)

Vërtetë, sakrificat e Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, nuk ishin thjesht histori për t’u treguar, por mësime të qëndrueshme. Çdo skenë është shkollë qëndrueshmërie dhe nënshtrimi, dhe pasqyrë që pasqyron imazhin e njeriut kur ai bëhet rob i Zotit, i sinqertë ndaj Sunduesit  të tij asgjë nuk e shpërqendron, asnjë frikë nuk e dobëson, as nxitja e frikës dhe as dekurajimi nuk do ta dekurajojnë atë nga rruga e sigurt.

Ne e dimë se pendimi është shkak për qëndrueshmëri në kohë të vështira, dhe vetëm ata që pendohen përfitojnë nga ngjarjet që kalojnë dhe qëndrojnë në pozita të konsiderueshme. “Por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.”(Gafir 13) Pendimi është largimi nga çdo gjë drejt Zotit të Plotëfuqishëm. Prandaj, mos u lidhni me askënd tjetër përveç Zotit dhe mos u mbështetni tek askush tjetër përveç Zotit. Kini besim tek Zoti.

“Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.”(Et-Talak 7) Një e vërtetë hyjnore, përgëzim i madh, premtim i përmbushur. “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Vërtet, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!”(Esh-Sherh 5-6) Ai na premtoi lehtësi dhe e shoqëroi atë me vështirësi, në mënyrë që të mos vijë pas saj, por me të, dhe sa herë që ka vështirësi dhe vështirësi, lehtësia e shoqëron atë dhe është me të, edhe nëse vështirësia hyn në vrimën e një hardhuce, lehtësia do të hyjë me të. Një vështirësi nuk do t’i mposhtë dy lehtësira.

LEXO  Vlerat dhe dobitë e përmendjes së Zotit të Plotfuqishëm

O ju të lidhur me këtë vend! Ne nuk e dimë se nga cila derë do të hyjë lehtësimi tek ne, duke na gëzuar zemrat dhe duke na kënaqur sytë. Prandaj, kini mendime të mira për Zotin, nënshtroni punët tuaja Zotit dhe gëzohuni me lajmin e mirë të të dërguarit të dashur, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  kur thotë: “ Dijeni se fitorja vjen me durim, lehtësimi vjen me vështirësi, dhe me vështirësi vjen lehtësimi.”  Prandaj, jini të palëkundur dhe të sigurt.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Ai kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka favorizuar vende siç ka dashur dhe me urtësinë e Tij ka veçuar zona të caktuara me bekim, nder dhe bujari. Ai e bëri Meken vend të shenjtë të sigurt, Medinen e Ndritshme vend të emigrimit, shpërnguljes, dhe bëri Bejtul Makdisin, Kudsin, djepin e profetëve, dhe vendin e Udhëtimit të Natës së të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.  Ai i pastroi dhe i bekoi ata, lartësoi përmendjen e tyre dhe u dha shpërblime të bollshme, i bëri ato vende faljeje, vendbanime mëshire dhe streha qetësie dhe bekimesh.

Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të mirin e njerëzimit, zotërinë e të parëve dhe të fundit, zotërinë tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

O ju të dashur! Dijeni, siç do ta dinë dhe Haxhinjtë, se Haxhi është një shkollë e shkëlqyer për pendim nga gjynahet dhe shkeljet, për drejtim dhe kthim tek Zoti, për pastrim, rafinim dhe sterilizim të shpirtit dhe për ruajtjen e moralit fisnik nga jashtë dhe nga brenda, me fjalë dhe vepra.

O ju namazfalës! Urimi i Haxhinjëve për kthimin e tyre të sigurt në shtëpitë e tyre është një nga shprehjet më të bukura të solidaritetit shoqëror dhe një nga shembujt më të shkëlqyer të unitetit të këtij populli të durueshëm dhe të palëkundur. Prandaj, ne i këshillojmë Haxhinjtë  dhe familjet e tyre që të zvogëlojnë shpenzimet e pritjes së dashamirësve, t’ua japin këto para të varfërve dhe nevojtarëve dhe të heqin dorë nga përdorimi i fishekzjarrëve.

Sprovat, fatkeqësitë dhe vështirësitë që po kalon populli ynë duhet të jenë të pranishme me ne në çdo rast. Prandaj, jini të durueshëm, kërkoni falje, këmbëngulni dhe shpeshtoni përkujtimin e Zotit të Lartësuar dhe të Plotëfuqishëm.

O Zoti ynë, të lutemi të na japësh diturinë e të frikësuarve, pendimin e të përulurve, sinqeritetin e të sigurtëve, mirënjohjen e të duruarve dhe pendimin e të sinqertëve.

O Zoti ynë, të lutemi të na mundësosh të bëjmë vepra të mira dhe të braktisim veprat e këqija.

O Zot, Largues i shqetësimeve, Qetësues i fatkeqësive, që u përgjigjesh lutjeve, mëshirona me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që e ruajnë atë, janë të lidhur me të, vendin e udhëtimit në Isra dhe Miraxh të profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, fortifikoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, merre atë nën kujdesit, ruajtjen, mbrojtjen, sigurinë dhe garancinë Tënde, o Zotërues i Madhërisë dhe Nderit.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët! O Zot, mëshiro muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret. O Zot, na fal gjynahet tona, mbulo të metat tona, shëro të pikëlluarit tanë, shëro të sëmurët tanë, ki mëshirë për të vdekurit tanë dhe liro të burgosurit tanë.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun  Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për mirësitë e Tij  do t’ju jap më shumë.

“… vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1577008727759135/1034952339489464

Post Author: endrit