Hutbe e Kurban Bajramit nga Medina e Ndritshme 10-12-1447 H 27-05-2026 D
Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe
Tema Kurban Bajrami: Në mes të gëzimit të festës dhe madhështisë së Islamit
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.
Zoti është më i Madhi sa dielli i Bajramit lind e shkëlqen, sa retë e fatit të mirë mblidhen dhe hedhin hijen e tyre, dhe faqet e reve që shkëlqejnë që lajmërojnë agimin. Zoti është më i Madhi sa hëna e plotë shkëlqen me plotësinë e saj, sa lule shpërthejnë nga sythat e tyre, sa shiu që derdhet nga retë dhe sa shpirtra pinë nga burimi i kujtesës dhe ngrihen. Zoti është më i Madhi sa Haxhinjë mbushen me ndjenjat e tyre, sa luginat dhe vendet e shenjta mbushen me to, sa obligime dhe rituale kryhen, sa Haxhinjë hyjnë në gjendjen e ihramit dhe dalin prej saj. Zoti është më i Madhi sa kohë bëj tavaf Shtëpinë e Zotit, Qabes, ata që bëjnë tavafë, sa kohë qëndrojnë tek porta e Zotit ata që qëndrojnë aty, sa kohë qëndrojnë në fushën e Arafatit ata që qëndrojnë në atë kodër dhe sa kohë që Haxhinjtë i përgjigjen thirrjes për Haxh dhe e plotësojnë atë.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Lavdërimet janë për Allahun, i Cili e bëri Shtëpinë e Tij një vend të shenjtë dhe sigurie për njerëzimin, na dhuroi bekime dhe favore të shumta nga ky Bajram i bekuar. Ai na dhuroi, nëpërmjet mirësisë të Tij, pozitën më të lartë dhe vendbanimin më të lartë, forcoi këtë fe me ata që Ai zgjodhi për këto vende të shenjta dhe e vendosi atë si një shtyllë përmes tyre.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Atij i përkasin cilësitë më të larta dhe emrat më të bukur.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili e përcolli mesazhin dhe zhduku injorancën, atij i shpalli Zoti i tij, Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm: “ Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”(El-Ma’ide 3) Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë në mirësi, nder dhe bekim prej Tij.
Në vijim
O muslimanë! Urime për këtë Bajram të lavdishëm, lulet e të cilit kanë çelur dhe dritat e të cilit kanë shkëlqyer në këtë ditë madhështore, një nga ditët më të mira të vitit dhe qendra e këtyre ditëve të shkëlqyera. Zoti i plotësoftë bekimet e Tij mbi ju dhe i përjetësoftë mirësitë e Tij mbi ju. Ai i bëftë bekimet e këtij Bajrami gjithnjë e më të shumta, ju dhuroftë kthime të gëzueshme dhe ju mbrojt nga fatkeqësitë e së keqes. Ai jua ktheftë ato në shumë raste të ngjashme dhe ju dhuroftë mirësitë e Tij në rrethanat më të mira dhe më të lumtura, në jetën më të këndshme dhe të bollshme, me bekime që nuk mbarojnë kurrë dhe freskia e të cilave nuk zbehet kurrë.
Vëllezër në besim! Në këtë ditë të lavdishme dëshmojmë manifestin më të madh të madhështisë dhe përsosmërisë së Islamit, shikojmë një nga imazhet e tij më të shkëlqyera dhe të bukura. Kjo është e dukshme në mbërritjen e këtij takimi madhështor dhe të gëzueshëm, dhe soditet nga vëzhguesi në turmat e Haxhinjëve që vërshojnë. Këto janë skena që flasin për madhështinë e kësaj feje hyjnore të përjetshme, e cila mbështetet mbi shtyllën e monoteizmit të pastër, të manifestuar në një nga skenat më të mëdha të Islamit, tubimet e tij më gjithëpërfshirëse dhe rastet e tij më të gjera dhe të bollshme: Haxhin e Madh, në të cilin Haxhinjtë jehojnë me Telbijen. “ Zoti im, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje, Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim, të përgjigjem Ty përgjigje pas përgjigje, me të vërtetë, lavdërimi, mirësia dhe sundimi të takon vetëm Ty, Ti nuk ke asnjë ortak në adhurim.”
Ajo është fe që ngrenë strukturën shoqërore mbi themelet e drejtësisë, mëshirës dhe vlerave të përsosura njerëzore, duke forcuar me të lidhjen e umetit, popullit. Kjo përfshin ndërtimin e individit në besimin dhe veten e tij të brendshme, në sjelljen, moralin dhe ndërveprimet e tij, dhe në ndërtimin e shoqërisë në kohezionin, mbështetjen e ndërsjellë, në dhembshurinë dhe në sjelljen e mirë. Meditoni në këtë dualitet plotësues të individit dhe shoqërisë në fjalët e Zotit të Lartësuar dhe të Plotëfuqishëm: “Vërtet, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!”(El-Enbija’92) Ku tjetër mund të gjesh një skenë që përshkruan përsosmërinë dhe bukurinë e Islamit në mishërimin e doktrinës së monoteizmit dhe unitetit të zemrave, më të shkëlqyeshme dhe më të gjallë se sa skena e Haxhinjëve në ditën e Haxhit të Madh dhe shfaqja e këtij tubimi të madh dhe të lavdishëm?
Popull musliman! Në përcaktimin e këtyre kuptimeve të mëdha dhe qëllimeve supreme të kësaj feje, ndalemi në fjalë nga vendi i shpalljes, nga i cili burojnë dritat e profetësisë dhe nga i cili buron aroma e mesazhit, të përcaktuara nga profeti i mëshirës, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në Haxhin e tij të lamtumirës për këtë umet. Ato bien mbi shpirtra, për shkak të madhështisë së folësit të tyre, kohës së thënies dhe vendit të tyre, në pozicionin e bërthamës së zemrës për në zemër dhe të bebëzës së syrit në sy.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, iu drejtua njerëzve në Ditën e Arafatit gjatë Haxhit të Lamtumirës, dhe përsëri në Ditën e Sakrificës, Kurban Bajramit, në një ditë të ngjashme, dhe përsëri në ditën e largimit të parë, Nafr evel. Në këto ligjërime elokuente theksoi themelet e besimit dhe shpjegoi shtyllat e fesë me fjalë koncize, por të thella dhe kuptime gjithëpërfshirëse e sublime. Ai theksoi çështjen më të rëndësishme dhe gurthemelin e profetësisë: Njëshmërinë e Zotit dhe të drejtën e Tij ekskluzive për tu adhuruar, gjithashtu lartësoi të drejtat e njerëzve dhe shenjtërinë e jetës, pronës dhe nderit të tyre. Sikurse vendosi parimet e barazisë dhe drejtësisë njerëzore, sqaroi të drejtat e grave dhe urdhëroi mirësi ndaj tyre, duke i përmbledhur të gjitha këto në një testament, porosi të madhe, në të cilën ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “ Kam lënë midis jush atë me të cilën nuk do të humbisni kurrë rrugën e drejtë, nëse i përmbaheni, Librin e Zotit, Kuranin.” Duke iu referuar lamtumirës së tij ndaj umetit të tij, me fjalën e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke u thënë: “ Ndoshta nuk do t’ju takoj pas këtij viti.”
Këto fjalë profetike, pavarësisht formulimit dhe strukturës së tyre koncize, dhe thellësisë së implikimeve dhe kuptimeve të tyre, shërbejnë si deklaratë profetike gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, dhe një dokument i mirënjohur i të drejtave të njeriut, por ato janë të ndryshme nga çdo tjetër! Sepse kush i shqiptoi ato, Zoti i tij i Lartësuar dhe i Madhërishëm, ka thënë për të në zbulesën e Tij vendimtare dhe fjalën e Tij të vërtetë: “Betohem në yllin kur perëndon, se shoku juaj (Muhamedi a.s.), nuk ka humbur e nuk ka devijuar! Ai nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë) është vetëm Shpallje hyjnore, që i vjen atij.”(En-Nexhm 1-4)
Pastaj, i dërguari i Allahut, në fund të ligjërimit, predikimit të tij, i bëri thirrje umetit të dëshmonte përmbushjen e mesazhit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur do të pyeteni për mua, çfarë do të thoni?” Ata thanë: “Dëshmojmë se e keni përcjellë mesazhin, përmbushur detyrën dhe ke dhënë këshilla të sinqerta.” Kështu ai ngriti gishtin tregues drejt qiellit dhe e drejtoi drejt njerëzve, duke thënë: “O Zot, dëshmo, o Zot, dëshmo, o Zot dëshmo!” tri herë. Ne themi siç thanë shokët e tij fisnikë, Zoti qoftë i kënaqur me ta: “O Zot, dëshmojmë se ai e përcolli mesazhin, e përmbushuri detyrën dhe ka dhënë këshilla të sinqerta.”, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Zoti na i sjellë neve dhe juve bekimet e këtij Bajrami dhe na dhëntë neve dhe juve më shumë nga mirësia e Tij e bollshme.
Zotit i kërkoj falje për veten dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Hutbeja e dytë
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Lavdërimet janë për Zotin, i Vetmi i Denjë për t’u lavdëruar gjatë gjithë ditëve të vitit dhe në ditët e festave të tij, të vitit. Lavdërimi më i plotë i takon Krijuesit të Mirësisë, Atij që e rikthen atë. Falënderimet i takojnë Allahut për mirësitë e Tij të mëparshme dhe për shtimin e tyre në vazhdimësi. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të mirën e krijimit të Tij, të zgjedhurin e të dërguarve dhe robërve të Tij, zotërinë dhe profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e premtimit dhe paralajmërimit të Tij.
Në vijim
Thelbi i të gjitha urdhërimeve është devotshmëria ndaj Zotit në të gjitha çështjet dhe mbi të qëndron themeli i të gjitha çështjeve, në vendosjen dhe në zgjidhjen e tyre. Ajo është zbukurimi i vetes në brendësi dhe i sekreteve të zemrës, porosia e Zotit për brezat e parë dhe të fundit. Sepse Zoti i Lartësuar është Ai që ka thënë në fjalën e Tij të vërtetë: “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut! Nëse mohoni, dijeni se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lavdërim.”(En-Nisa’ 131)
Popull muslimanë! Në këtë ditë të lavdishme shikojmë këto turma që vërshojnë mbi këto toka të shenjta dhe fusha të gjelbra. Zërat e tyre jehojnë me telbijen dhe lutjen drejtuar Zotit të botëve, sytë e tyre mbushen me lot përmallimi, dashurie dhe dëshire. Trupat e tyre janë bashkuar, zemrat e tyre janë bashkuar dhe shpirtrat e tyre janë përqafuar, dhe pse gjuhët e tyre ndryshojnë, gjuhët dhe shtëpitë e tyre janë larg njëra-tjetrës. Skena të gjalla që mishërojnë frymën e vëllazërisë në besim dhe unitetin Islam, që i përkasin këtij umeti të madh, umetit të Islamit. Në djepin e Islamit dhe vendbanimin e mirësisë dhe paqes. Kjo tokë e bekuar mbi të cilën zbritën procesionet e shpalljes dhe në të cilën shkëlqyen yjet e profecisë.
Kjo është një tokë e shenjtë, që mbart brenda maleve dhe luginave të saj një histori të pasur dhe një të tashme të lavdishme, thellësitë dhe malësitë e saj që shkëlqejnë me aromën e lashtësisë. Thellë e rrënjosur në faqet e historisë, ajo është një pioniere në epokën moderne. Zoti e ka bekuar atë me udhëheqës që e konsiderojnë shërbimin ndaj dy xhamive të shenjta dhe vizitorëve të tyre nder, e konsiderojnë atë përgjegjësi, krenohen me të dhe e vlerësojnë si një thesar. Urime atyre për këtë nder në këtë jetë dhe për shpërblimin në Jetën e Përtejme, Ahiret. Urime për ata që kanë vizituar këto vende të shenjta dhe kanë qenë dëshmitarë të këtyre vendeve të shenjta. Urime atyre që e kanë përjetuar këtë Bajram dhe kanë veshur rrobat e tij, që kanë marrë sevapin dhe shpërblimin e tyre për veprat e mira që kanë bërë.
Prandaj, hapni zemrat dhe mendjet tuaja për gëzimin e festës suaj: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen!” (Junus 58)
Shtoni lutjet dhe përshëndetjet tuaja në vazhdimësi për të zgjedhurin e krijimit dhe zotërinë e njerëzimit. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë dhe profetin tonë Muhamed, familjarët dhe shokët e tij fisnikë dhe të nderuar, dhe ata që i ndjekin në mirësi, për sa kohë që shiu bie nga retë dhe për sa kohë që hëna e plotë shkëlqen.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, përmirëso gjendjen e tyre ku do që janë, o Zoti i botëve. Ndihmoi ata përballë armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fuqishëm, o i Fortë.
O Zot, të lutemi mbro kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës me mbrojtjen Tënd dhe t’i mbash ata nën mbrojtjen dhe kujdestarinë Tënde. Shpërbleji ata me shpërblimet e Tua më të mira për shërbimin ndaj dy xhamive të shenjta dhe vizitorëve të tyre, në të dy botët, jepu atyre një reputacion të mirë midis atyre që vijnë pas tyre. O Zot, udhëzoji ata drejt asaj që është më e mira për vendin dhe popullin e tij, dhe drejt asaj që është e mirë, e dobishme dhe e drejtë në këtë botë dhe në botën Tjetër, në Ahiret, o Bujari më i Madh.
O Zot, mbroje këtë tokë, djepin e dy xhamive të shenjta, zemrën e botës muslimane dhe vendin e prehjes së zotërisë së të dërguarve, nga komplotet e intrigantëve, tradhtia e mashtruesve dhe sulmet e agresorëve. O Zot, mbro sundimtarët e saj, dijetarët e saj, besimin e saj, vendet e saj të shenjta dhe të drejtat e saj. Mbro ushtarët e saj dhe ruaji kufijtë e saj. Shtri këtë mbrojtje tek pleqtë e saj, të rinjtë e saj, burrat dhe gratë e saj.
O Zot, prano nga Haxhinjtë ritualet e tyre, përgjigju lutjeve të tyre me mirësinë Tënde, përmbushi shpresat e tyre në atë që të pëlqen Ty dhe ktheji ata tek familjet e tyre në siguri të plotë, me një rezultat të mirë dhe me mirësinë e pranimin Tënd, o më i Madhi Bujar.
Adhurues të Zotit! Dijeni se mënyra më e bukur për t’iu përgjigjur bekimeve, mënyra më sublime për të shtuar dhuratat dhe mjeti më i qëndrueshëm i favoreve është përmes lavdërimit dhe falënderimit të Zotit, dhe duke e lartësuar Atë ashtu siç Ai e meriton. Atij i përket çdo lavdërim ashtu siç Ai e do dhe është i kënaqur me të, derisa Ai të dojë dhe të jetë i kënaqur me të.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Afrim Smakaj