Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 10-02-1448 H 24-07-2026 D
Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim
Tema Fëmijët: Në mes të mirësisë së të qenit dhuratë dhe përgjegjësisë së edukimi të tyre
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.
O ju muslimanë! Zoti ka dhuruar për robërit e Tij begati të dukshme dhe të padukshme. Nga mirësitë e Tij të mëdha është bekimi me fëmijë dhe nipërve. Zoti i Lartësuari ka thënë: “…e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat…” (En-Nahl 72) Allahu i Plotëfuqishëm na ka treguar se ata janë dhuratë nga Ai për robërit e Tij. Për Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, Ai ka thënë: “Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin si shpërblim…” (El-Enbija’ 72) Për Zekerijan, paqja e Zotit qoftë mbi të, Ai ka thënë: “…dhe i dhuruam Jahjain…” (El-Enbija’ 90) Ndërsa për Daudin, paqja e Zotit qoftë mbi të, Ai ka thënë: “Ne i falëm Daudit Sulejmanin…” (Sad 30)
Fëmijët janë përgëzim për baballarët dhe nënat. Allahu për Ibrahimin, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!” (Es-Saffat 101)
Për Zekerijan, paqja e Zotit qoftë mbi të, Zoti ka thënë: “Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja.” (Merjem 7) Për Sarën, paqja e Zotit qoftë mbi të, Zoti ka thënë: “…Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin.” (Hud, 71) Ndërsa Melaiket i thanë Merjemes, paqja e Zotit qoftë mbi të: “Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemes.” (Ali ‘Imran 45) Fëmijët janë stolia dhe zbukurimi i jetës së kësaj bote. “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote.” (El-Kehf 46).
Për madhështinë e pozitës së tyre, Zoti është betuar në ta duke thënë: “Dhe për atë që lind e për atë që është i lindur!” (El-Beled 3)
Fëmijët janë emanet i prindërve për ruajtjen e fesë së tyre, për ndërtimin e moralit të tyre, për drejtim e sjelljes së tyre dhe për mbrojtjen e natyrshmërisë, fitres, së tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Secili prej jush është bari, kujdestar, dhe secili është përgjegjës për ata që ai ka nën kujdestari.” Muttefikun Alejhi.
Të dërguarit iu drejtuan Allahut me lutje për pasardhës të mirë edhe para se t’i kishin ata. Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” (Es-Saffat 100) Ndërsa Zekerija, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë!” (Al ‘Imran 38)
Nga mirësitë e Allahut është se ka mbjellë në zemrat e fëmijëve ndihmën më të madhe për edukimin e tyre që është natyrshmëria (fitra) e besimit në Allahun dhe dashurinë për Islamin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo i porsalindur lind në fitre (natyrën e pastër).” Mutefikun Alejhi.
Guri i parë në edukimin e fëmijëve është forcimi i asaj me të cilën janë krijuar në natyrshmëri nga Njëshmëria e Allahut, Teuhidi, dhe shtimi i besimit të tyre duke ua mësuar Librin e Allahut. Xhundub Ibn Abdullah, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ishim me profetin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur ishim ende të rinj, afër moshës së pubertetit. Mësuam fillimisht besimin, pastaj mësuam Kuranin e me të na u shtua besimi.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe.
Sujuti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mësimi i Kuranit fëmijëve është një nga bazat e Islamit. Kështu rriten në natyrën e pastër (fitre), dhe në zemrat e tyre depërtojnë herët dritat e urtësisë.”
Lukmani e këshilloi të birin që të ruhej nga shirku, nga të bërit shok Allahut në adhurim: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.” (Lukman 13)
Lidhja e zemrave të fëmijëve me Krijuesin e tyre, mbështetja tek Ai dhe besimi në Të janë themeli i lumturisë dhe shpëtimit të tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të: “O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut, e kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu!” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Namazi, shtylla e Islamit, është ai që fëmijët i lidh me Zotin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj të falin namazin kur të mbushin shtatë vjeç.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi.
Namazi u sjellën atyre furnizim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë!” (Ta Ha 132) Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo do të thotë: Nëse e kryen namazin, furnizimi do të të vijë nga aty ku nuk e pret.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i nxiste të rinjtë në adhurime vullnetare. Ai i tha Abdullah Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur ai ishte ende djalosh: “Sa njeri i mirë është Abdullahu, sikur të falej edhe natën.” Muttefekun alejhi.
Fëmijët duhet të mësohen me të drejtat e njerëzve, nga më të rëndësishmet mirësjellja ndaj prindërve. Zoti i Plotëfuqishëm, në vazhdim të këshillës së Llukmanit për të birin, ka thënë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Lukman: 14)
Ata edukohen gjithashtu që të kenë vendosmëri dhe aspirata të larta. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “(Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin)”. Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri,” (Merjem: 12)
Sa më të larta të jenë virtytet e njerëzve të mëdhenj, aq më të përulur janë ata me fëmijët dhe të rinjtë, si dhe me bijtë e bijat e tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sillej me butësi me ta, herë i kapte për dore, herë vendoste dorën e tyre mes duarve të tij, herë i prekte në shpatull, dhe kur kalonte pranë fëmijëve, i përshëndeste me selam. Muttefekun alejhi.
Ai i priste me ngrohtësi dhe i nderonte. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Kur Fatimja erdhi duke ecur, i dërguari e pa, e mirëpriti dhe tha: ‘Mirë se erdhe, bija ime!’, pastaj e uli në të djathtën ose në të majtën e tij.” Muttefekun alejhi.
Ai tregonte dhembshuri ndaj tyre, pyeste për familjet e tyre, bënte shaka me ta, ishte i dashur dhe i mëshirshëm. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mori në krahë djalin e tij Ibrahimin, e puthi dhe e nuhati me dashuri.” Muttefekun alejhi.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, hante bashkë me fëmijët dhe u mësonte rregullat e mirësjelljes gjatë ngrënies. Omer Ibn Ebi Seleme, Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më ka thënë: “O djalosh, thuaj ‘Bismilah’, ha me dorën e djathtë dhe ha nga ajo që ke përpara.” Muttefekun alejhi.
Ai dallonte fëmijët e talentuar dhe i drejtonte drejt asaj që ishte në dobi të tyre dhe të umetit. Kur pa Zejd Ibn Thabitin, Allahu qoftë i kënaqur me të, ende nën moshën pesëmbëdhjetë vjeç, se shkruante bukur, e caktoi nga shkruesit e shpalljes. Kur vuri re zgjuarsinë e tij, e urdhëroi të mësonte edhe një gjuhë tjetër, që t’i përkthente letrat që vinin në gjuhën e tyre. Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi.
I dërguari i pyeste për bazat e fesë, për cilësitë e Zotit dhe librat e Tij, dhe i shpërblente kur përgjigjeshin saktë. Ai i tha një robëreshe: “Ku është Allahu?” Ajo tha: “Në qiell.” Ai e pyeti: “Kush jam unë?” Ajo u përgjigj: “Ti je i dërguari i Allahut.” Atëherë ai tha: “Lirojeni, sepse ajo është besimtare.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Në kuvendet e tij, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, respektonte fëmijët dhe ua ngrinte pozitën me gjithë praninë e sahabëve të mëdhenjë. Të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, iu soll një enë me pije dhe piu prej saj, në të djathtën e tij ishte një djalosh, ndërsa në të majtën disa pleq. Ai i tha djaloshit: “A më lejon t’ua jap atyre më parë?” Djaloshi tha: “Jo, pasha Allahun! Nuk ia lë askujt pjesën time që më takon prej teje.” Atëherë i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vendosi enën në dorë tij. Muttefekun alejhi.
Nëse tek ndonjëri prej tyre shfaqej një virtyt i bukur ose një vepër e lavdërueshme, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e lavdëronte dhe bënte të njohur pozitën e tij. Ai dëgjoi leximin e Kur’anit nga Salimi, robi i liruar i Ebu Hudhejfes, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ishte një djalosh me zë të bukur në leximin e Kur’anit, dhe i tha: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili ka bërë që në umetin tim të ketë njerëz si ti.” Hadithin e transmeton Ahmedi.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, rëndohej shumë kur dikush i lëndonte fëmijët. Muavije Ibn El Hakem, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Kisha një robëreshë që ruante delet e mia pranë Uhudit dhe Xhuvanijes. Një ditë pashë se një ujk kishte marrë një dele nga tufa e saj. Unë jam njeri si gjithë njerëzit, zemërohem siç zemërohen ata, ndaj e godita me një shuplakë. Pastaj shkova tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe ai e konsideroi këtë veprim timin shumë të rëndë.” Hadithin e transmeton Muslimi.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i mbronte fëmijët nga të këqijat me lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Ai i kërkonte Allahut mbrojtje për Hasanin dhe Husejnin, Zoti qoftë i kënaqur me ta, duke thënë: “Babai juaj, Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, kërkonte mbrojte për Ismailin dhe Is’hakun me këto fjalë: ‘Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të Allahut nga çdo shejtan, nga çdo krijesë helmuese dhe nga çdo sy i keq.” Hadithin e transmeton Buhariu.
Fëmija është i prirët nga natyra ta dojë atë që i afrohet dhe e mëson. Prandaj, kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kthehej nga ndonjë udhëtim, fëmijët dilnin për ta pritur. Muttefekun alejhi.
Nga përmirësimi i prindit vjen edhe përmirësimi i fëmijës. Për fëmijën, e mira është ajo që bën prindi, ndërsa e shëmtuara është ajo që ai e lë. Nga mënyrat për t’i edukuar është ngritja e aspiratave të tyre duke u treguar jetët e njerëzve të mëdhenj të këtij umeti. Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Të parët tanë, selefët, ua mësonin fëmijëve dashurinë për Ebu Bekrin dhe Omerin, ashtu siç ua mësonin një sure të Kur’anit.”
Nuk ka mjet më të dobishëm për përmirësimin e brezit të ri sesa lutja. Prandaj, profetët dhe njerëzit e mirë kanë trokitur këtë derë.
Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin!” (Ibrahim 40)
I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është lutur për Ibn Abasin, i cili ishte ende djalosh: “O Allah, mësoja atij Librin (Kur’anin).” Hadithin e transmeton Buhariu.
Gruaja e Imranit është lutur për mbrojtjen e vajzës së saj dhe ka thënë: “…dhe të lutem Ty që ta mbrosh atë dhe pasardhësit e saj nga djalli i mallkuar!” (Ali ‘Imran 36)
Njeriu i mirë nga robërit e Allahut i lutet Atij duke thënë: “Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!” (El-Ahkaf 15)
Robërit e Mëshiruesit i luten Allahut të Madhërishëm që tu japi atyre prehje për sytë: “edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë…” (El-Furkan 74)
Kur prindërit i afrohen fundit të jetës, zemrat e tyre gëzohen kur shohin udhëzimin e fëmijëve të tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas vdekjes sime?” – Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!”(El-Bekare133)
Dobia e fëmijëve të mirë vazhdon për prindërit edhe pas vdekjes së tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç tre gjërave: sadakasë rrjedhëse, dijes prej së cilës përfitohet njerëzit dhe një fëmije të mirë që lutet për të.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Allahu e ngre gradën e prindit në Xhenet për shkak të istigfarit, kërkimit të faljes tek Zoti, i fëmijës së tij për të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,ka thënë: “Allahu i Lartësuar ia ngre gradën robit të mirë në Xhenet. Ai thotë: ‘O Zoti im, nga më erdhi kjo?’ Allahu i thotë: ‘Nga kërkimi i faljes së fëmijës tënd për ty.’” Hadithin e transmeton Ahmedi.
Në Xhenet, Allahu do t’i bashkojë prindërit e mirë me fëmijët e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre.” (Er-Ra’d 23)
Në vijim
O ju muslimanë! Fëmijët janë frytet e zemrave. Ata u ofrojnë prindërve të tyre mirësi dhe respekt, dhe me devotshmërinë e tyre lënë pas lavdi, kujtim dhe emër të mirë. Jeta e të dërguarit tonë Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në marrëdhënien me të rinjtë është shembulli më i madh. Ai ishte i thjeshtë me ta, ulej dhe shoqërohej me ta, i vizitonte, i mësonte dhe ua ngrinte moralin e ambiciet e tyre. Kështu, prej tyre doli brezi më i mirë. Kush dëshiron të mirën për të rinjtë, le të ndjekë udhëzimin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrën se si sillej me ta.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Et-Tahrim 6)
Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumentet dhe urtësitë e tij të mëdha.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.
O ju muslimanë! Kujdesi për fëmijët është rruga e njerëzve të mirë. Asnjë prind nuk i jep fëmijës së tij dhuratë më të mirë sesa fenë e drejtë dhe një moral të lartë. Gruaja e mençur e ndan me bashkëshortin përgjegjësinë e përmirësimit të bijve dhe bijave të tyre.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Gruaja është kujdestare në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për ata që janë nën kujdesin e saj.” Muttefikun alejhi.
Nëse prindërit shikojnë tek fëmijët e tyre shmangie ose largim nga e mira, ata nuk duhet të humbin shpresën për përmirësimin e tyre. Gjithashtu duhet të ruhen nga lutja kundër fëmijëve të tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Mos bëni lutje kundër vetes suaj, as kundër fëmijëve tuaj dhe as kundër pasurisë suaj, se mos përkon me një kohë kur Allahu pranon lutjet, e pastaj t’ju përgjigjet.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi.
Gjithashtu, mos i qortoni ashpër dhe mos i kritikoni apo i turpëroni në prani të të tjerëve, sepse përmirësimi i tyre është nder dhe krenari për prindërit e tyre.
Dijeni se Allahu ju ka urdhëruar që të bini në Salavate dhe ta përshëndesni të dërguarin e Tij, ku në Librin e Tij, në Kuranin Famëlartë, ka thënë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë, Muhamedin.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë, të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, me Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, me Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, ruaj vendin tonë, ndihmo ushtarët tanë, largo prej nesh kurthet dhe ligësitë e atyre që na duan të keqen, o i Fortë, o i Plotëfuqishëm!
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe zëvendësin e fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri. O Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj