Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 14-04-1448 H 25-09-2026 D
Shejh Salah Ibn Muhamed El Budejri
Tema Xheneti vendi i begatisë dhe synimi i besimtarëve
Lavdërimet janë për Zotin, Falësin, të Dashurin, Zotëruesin e Begative, Mirësive të mëdha dhe Bujarisë të pafundme. Atë e falënderoj për begatitë e Tij të bollshme dhe dhuratave e pastra e të shkëlqyera.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që poshtëron hundët e mohuesve.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, drita e mesazhit të tij shkëlqeu në fusha dhe male, dhe largoi errësirën e injorancës dhe netët e saj të zeza. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, sa kohë që pëllumbat gumëzhijnë dhe pemët nxjerrin gjethe.
Në vijim
O ju muslimanë! Kini frikë Zotin me frikën e atij që shëron veten me bindje ndaj Tij dhe e mbron veten nga gjërat e ndaluara. “Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” (El-Bekare 194)
O ju muslimanë! Zoti e krijoi Xhenetin, e bëri atë vendbanim për të dashurit e Tij dhe vend qëndrim të përhershëm për të zgjedhurit e Tij. E mbushi atë me mëshirën, nderimin dhe kënaqësinë e Tij. Ai e ka bërë atë të dëshiruar për ne, na ka ftuar për në të dhe e quajti atë “Darus-Selam”, Shtëpia e Paqes. Vend ku begatia nuk mbaron dhe nuk zhduket, vend ku çdo e mirë është më shumicë. Ai është shumë i dëshiruar për kërkuesit e tij dhe u zbukurua për ndjekësit e tij. Argumentet e Kuranit dhe sunetit kanë përshkruar atë që gjendet në të. Çfarë lumturie për banorët e tij dhe çfarë fitoreje për trashëgimtarët e tij! Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë se Zoti i Madhëruar ka thënë: “Kam përgatitur për robërit e Mi të devotshëm atë që syri nuk e ka parë, vesh nuk e ka dëgjuar dhe atë që askujt nuk i ka shkuar në mendje.” Mutefikun alejhi. Xheneti është vend ku bukuria e tij shkëlqen, hapësirat e tij janë të këndshme dhe ndërtesat e tij janë madhështore. Ndërtesat e tij kanë një tullë prej ari dhe një tullë prej argjendi, llaçi i tyre është misk i pastër, gurët e vegjël janë margaritarë dhe xhevahire, ndërsa dheu e tij është shafran. Kush hyn në të, jeton në mirëqenie dhe nuk njeh mjerim, jeton përgjithmonë dhe nuk vdes kurrë, rrobat e tij nuk vjetrohen dhe rinia e tij nuk shuhet.
I pari që do të trokasë në derën e Xhenetit është profeti ynë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Roja e portës së Xhenetit do t’i thotë: “Kush je ti?” Ai do të përgjigjet: “Muhamedi.” Atëherë roja do të thotë: “Jam urdhëruar të mos ia hap derën askujt para teje.”
Xheneti ka tetë dyer. Hapësira ndërmjet dy kanatave të dyerve të tij është sa largësia ndërmjet Mekës dhe Haxherit, ose ndërmjet Mekës dhe Busras.
Grupi i parë që do të hyjë në Xhenet do të jetë në pamjen e hënës së plotë. Ata që do të vijnë pas tyre do të jenë si ylli më i ndritshëm në qiell. Ata nuk do të urinojnë, nuk do të kryejnë nevojën, nuk do të kenë sekrecione hundësh dhe nuk do të pështyjnë. Krehrit e tyre do të jenë prej ari, djersa e tyre do të ketë aromën e miskut dhe enët e tyre do të jenë prej alo e vere. Mes tyre nuk do të ketë mosmarrëveshje e as urrejtje. Zemrat e tyre do të jenë si zemra e një njeriu të vetëm. Do të jenë në pamjen e babait të tyre, Ademit, gjatësia dhe gjerësia e të cilit ishte gjashtëdhjetë krahë. Ata do e madhërojnë Zotin në mëngjes dhe në mbrëmje.
Banorët e Xhenetit do të hyjnë në të të rinj e të bukur, pa qime në trup dhe të zbukuruar, mosha e tyre do të jetë tridhjetë e tre vjeç. Në fytyrat e tyre do të shkëlqejnë drita, bukuria, hijeshia dhe madhështia. Në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin e Lumturisë. Do t’u thuhet: “Ju është dhënë që të jetoni dhe të mos vdisni kurrë, që të jeni të shëndetshëm dhe të mos sëmureni kurrë, që të jeni të rinj dhe të mos plakeni kurrë, që të jetoni në mirëqenie dhe të mos përjetoni kurrë mjerim.” “Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash…” (Muhammed 15)
Sikur një burri prej banorëve të Xhenetit të shfaqej dhe të dukej byzylyku i tij, ai do ta mbulonte dritën e diellit ashtu siç dielli mbulon dritën e yjeve.
Kur t’i kërkoni Zotit diçka, kërkoni Atij Firdeusin, sepse ai është në mes të Xhenetit dhe është pjesa më e lartë e Tij. Mbi të është Arshi, Froni i të Gjithëmëshirshmit dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit.
Nga lumenjtë më të mëdhenj, më të ëmbël dhe më të bukur të Xhenetit është lumi Keuther, të cilin Zoti ia ka dhuruar nderim profetit tonë Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Brigjet e tij janë me kupola prej margaritarësh të zbrazëta nga brenda. Dheu i tij është misk i pastër, ndërsa gurët e tij janë margaritarë. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Enët e tij janë sa numri i yjeve. Në të vijnë zogj, qafat e të cilëve janë si qafat e deveve të mëdha.
Havuzi, lugina e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, do të jetë në vendin e tubimit, gjerësia e saj është sa gjatësia e tij, distanca ndërmjet dy skajeve të tij është sa udhëtimi i një muaji, ose sa largësia ndërmjet San’as dhe Medines.
Në të derdhen dy degë lumi nga Xheneti. Atë do ta vizitojnë besimtarët. Kush pi prej tij nuk do të ketë më etje kurrë. Disa njerëz do të dëbohen prej tij sepse kanë ndryshuar, zëvendësuar dhe shpikur gjëra në fe.
Banori me pozitën më të ulët në Xhenet do të jetë një njeri që do të hyjë në të pasi banorët e Xhenetit të jenë futur në të. Atij do t’i thuhet: “Hyr në Xhenet.” Ai do të thotë: “O Zoti im, si të hyj, kur njerëzit kanë zënë vendet e tyre dhe kanë marrë pjesën e tyre?” Atij do t’i thuhet: “A je i kënaqur që të kesh pasuri sa mbretëria e njërit prej mbretërve të kësaj bote?” Ai do të thotë: “Jam i kënaqur, o Zoti im.” Zoti do t’i thotë: “E ke atë, dhe po aq sa ajo, dhe po aq sa ajo, dhe po aq sa ajo, dhe po aq sa ajo.” Në të pestën herë ai do të thotë: “Jam i kënaqur, o Zoti im.” Zoti do t’i thotë: “E ke këtë dhe dhjetëfishin e saj. Ke gjithçka që dëshiron shpirti yt dhe që kënaq syrin tënd.” Ai do të thotë: “Jam i kënaqur, o Zoti im.” Ndërsa për banorët e pozitës më të lartë në Xhenet, Zoti thotë: “Ata janë që Unë i kam zgjedhur, kam mbjellë me dorën Time nderimin e tyre dhe e kam vulosur atë. Ajo është që syri nuk e ka parë, vesh nuk e ka dëgjuar dhe që askujt nuk i ka shkuar në mendje.”
Në Xhenet është një pemë, nën hijen e së cilës kalorësi udhëton njëqind vjet dhe prapë nuk do ta përshkojë të gjithën.
Besimtari në Xhenet do të ketë një tendë prej një margaritari të vetëm, të zbrazët nga brenda. Gjatësia e saj drejt qiellit do të jetë gjashtëdhjetë milje. Brenda saj besimtari do ketë familjen dhe do të shkojë tek ata, por nuk do ta shohin njëri-tjetrin.
Sikur një grua prej banoreve të Xhenetit të shfaqej para banorëve të tokës, ajo do ta ndriçonte hapësirën ndërmjet tyre dhe do ta mbushte atë me aromë. Shamia e saj mbi kokë do të ishte më e mirë se e gjithë bota dhe çfarë ka në të. Në Xhenet nuk ka të pamartuar.
Zoti i Madhëruar do t’u thotë banorëve të Xhenetit: “O banorë të Xhenetit!” Ata do të thonë: “Ja ku jemi, o Zoti ynë, në shërbimin Tënd. E gjithë e mira është në dorën Tënde.” Ai do t’u thotë: “A jeni të kënaqur?” Ata do të thonë: “Si të mos jemi të kënaqur, o Zoti ynë, kur na ke dhënë atë që nuk ia ke dhënë askujt tjetër prej krijesave të Tua?” Ai do t’u thotë: “A t’ju jap diçka edhe më të mirë se kjo?” Ata do të thonë: “E çfarë mund të jetë më e mirë se kjo?” Ai do të thotë: “Unë po ju jap kënaqësinë Time dhe pas kësaj nuk do të zemërohem kurrë me ju.”
Sa e madhe është kjo begati dhe sa madhështor është ky nderim!
Por dhurata më e madhe dhe begatia më e lartë, përpara së cilës çdo begati tjetër bëhet e vogël, është shikimi në Fytyrën e Zotit të Madhëruar. Xherir Ibn Abdullahu, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ishim me të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ai shikoi hënën në natën e plotë dhe tha: “Ju do ta shikoni Zotin tuaj me sytë tuaj, ashtu siç e shihni këtë hënë, nuk do të keni vështirësi në shikimin e Tij.” Mutefikun alejhi.
Në mes të njerëzve dhe shikimit të Zotit të tyre nuk do të ketë tjetër veçse perdja e madhështisë mbi Fytyrën e Tij në Xhenetin e Adnit. Atëherë një thirrës do të thërrasë: “O banorë të Xhenetit! Ju keni një takim tek Allahu, të cilin Ai dëshiron t’jua përmbushë.” Ata do të thonë: “Cili është ai? A nuk na i ka rënduar peshoret tona? A nuk na i ka zbardhur fytyrat? A nuk na ka futur në Xhenet? A nuk na ka shpëtuar nga Zjarri?” Pastaj do të hiqet perdja dhe ata do ta shohin Zotin. Nuk ju është dhënë asgjë më e dashur për ta sesa shikimi i Tij. Zoti është më i Madhi! Ai u dha begati dhe mirësi, u dha gjithçka që dëshironin madje dhe më shumë.
Zoti na bëftë të gjithëve prej banorëve të lumturisë, Xhenetit, dhe na dhëntë të mirat e tij dhe më shumë se ato.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai kërkoni falje. “…sigurisht që Ai është Falës për ata që pendohen.” (El-Isra’ 25)
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime që i përgjigjen mirësive të Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa i shok, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dalluari dhe i përzgjedhuri i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të vazhdueshme dhe të përhershme deri në ditën e Kijametit. “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” (Et-Teube 119)
O ju muslimanë! Këto janë disa nga përshkrimet e Xhenetit dhe begatitë e tij. E si mund të neglizhojë dikush këtë mirësi të madhe për hir të një dynjaje të përkohshme, e cila tashmë ka marrë lejen për t’u larguar dhe po i afrohet fundit të saj?
Prandaj, o adhurues të Zotit, bëni kujdes dhe ruhuni sa më shumë! Vdekja është e lidhur pas jush, ndërsa dynjaja po paloset pas jush. Sa e sa plagë kanë sjellë vdekjen, sa e sa pengesa kanë shkaktuar shkatërrimin! Kush ka frikë, niset herët, e kush niset herët, arrin në vendmbërritje.
Vërtet, malli i Allahut është i shtrenjtë! Vërtet, malli i Allahut ka shpërblim Xhenetin.
O ju muslimanë! Le të kujtojmë me mirënjohje mirësinë e Zotit, dhuntinë e Tij të madhe dhe bujarinë e Tij ndaj këtij vendi të bekuar, nga begatia e sigurisë dhe e besimit, unitetit të radhëve dhe bashkimit të fjalës. Vend të cilin Zoti e ka nderuar me kujdestarinë ndaj dy xhamive të shenjta, dhe të cilit i ka dhënë një pozitë madhështore në zemrat e muslimanëve. Në të ndodhet xhamia e shenjtë në Mekë, Qabeja, dhe xhamia e profetit në Medinë, si dhe vendet e shenjta të haxhit. Në të ndodhet vendi ku zbriti shpallja dhe vendi ku emigroi profeti ynë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Nga ky vend u përhap mesazhi i Islamit. Prandaj, ky vend ka qenë dhe vazhdon të jetë vendi i besimit, fener i dijes, arenë e shërbimit ndaj muslimanëve dhe atyre që vizitojnë dy xhamitë e shenjta.
Lutuni dhe dërgoni selame për të lavdëruarin, udhëzuesin dhe ndërmjetësuesin e vetëm për nevojtarët. Kush bie salavat një herë për të, Allahu do bie dhjetë herë salavat për të. O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin dhe zotërinë tonë Muhamedin, bartësi i lajmeve të mira të mëshirës dhe shpërblimit, dhe paralajmëruesi i fuqisë dhe i ndëshkimit, ndërmjetësuesi për ata të cilin do të meritojnë ndërmjetësim në Ditën e Llogarisë.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë, udhëheqësit e drejtë, njerëzit e nderuar dhe të ngritur, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe me ne së bashku me ta, o Bujar, o Dhurues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë, politeistët dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, ruaj vendin tonë, mbretërinë e Arabisë Saudite dhe të gjitha vendet muslimane, nga komplotet e komplotistëve, skemat e intrigantëve, urrejtja e atyre që urrejnë dhe zilia e ziliqarëve, o Zot i Botëve.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoje atë drejtë të mirës dhe devotshmërisë.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë, mbro kufijtë tanë, bashko forcat tona, poshtëro armikun tonë, udhëzo bijtë dhe bijat tona, na fal ne, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona.
O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të plagosurit e tyre, prano të vdekurit e tyre nga dëshmorët, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o Dëgjues i lutjeve.
O Zot, shëro të sëmurët tanë, shpëto të sprovuarit tanë dhe mëshiro të vdekurit tanë, o Zoti i botëve,
O Zot, pastro xhaminë e Aksasë nga pisllëku i hebrenjve uzurpatorë.
O Zot, zbrit mbi ne shi! O Zot dërgo shi mbi ne dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve.
O Zot, bëj lutjet tona të dëgjuara dhe thirrjet tona të ngritura lart tek Ti, o Bujar, o i Madhërishëm, o Mëshirues.
Afrim Smakaj