Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 28-04-1448 H 09-10-2026 D
Shejh Urvetu Ikrime Sabri
Tema Kamata është e luftuar nga Zoti dhe shkatërruese e bereqetit
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, udhëzim dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. “Sa për atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. E sa për atë, që Ai e lë në humbje, ti, me siguri, nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë.”(El-Kehf 17) Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na bekoi me dhuntinë e Islamit dhe dërgoi tek ne më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përgëzues dhe paralajmërues. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na urdhëroi të kërkojmë furnizim të lejuar (hallall) dhe na ndaloi nga e ndaluara (harami).
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na i lejoi të mirat dhe na i ndaloi të këqijat në çështjet e furnizimit.
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na e ndaloi kamatën dhe ngrënien e pasurisë së njerëzve padrejtësisht.
“Ka disa njerëz që e kanë bërë zakon t’u bëjnë padrejtësi të tjerëve, dhe përpiqen ta arsyetojnë atë me justifikime të ndryshme.
Të guximshëm në ngrënien e pasurisë së ndaluar, por pretendojnë se ekziston ndonjë arsyetim që e bën atë të lejuar.
O ti që ushqehesh me pasuri të ndaluar, na trego, në cilin Libër e ke gjetur të lejuar atë që po e konsumon?
A nuk e di se Zoti di gjithçka që ndodh dhe se në Ditën e Gjykimit do të gjykojë në mes të njerëzve?”
Dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull i predikuesve të sinqertë deri në Ditën e Kijametit. O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, fale dhe mëshiroje atë në pozitën më të lartë deri në Ditën e Gjykimit.
“ Zoti e mëshiroftë dhe e nderoftë atë në mbretërinë e Tij, sa herë që një rob ngrihet për namaz dhe shqipton tekbirin.
Zoti e mëshiroftë dhe e nderoftë atë në mbretërinë e Tij, sa herë që nata ia lë vendin ditës dhe dita largohet.
Zoti e mëshiroftë dhe e nderoftë atë në mbretërinë e Tij, për sa kohë që rrotullohen galaktikat dhe yjet lëvizin.”
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
Në vijim
Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar, në Librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si fajdeja. Mirëpo Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse fajdenë e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget fajdesë, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen fajdesë sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (El-Bekare 275)
Adhurues të Zotit! Një prej parimeve themelore të Sheriatit është obligimi për të kërkuar hallallin, të lejuarën, gjatë sigurimit të furnizimit dhe shmangia e fitimit të pasurisë në mënyrë të ndaluar, në të gjitha format e tij. Sheriati, legjislacioni Islam, lejon shumë forma të fitimit të ligjshëm, pasuri hallall, si tregtia, bujqësia, industria, punësimi dhe veprimtaritë e tjera të lejuara. Në të njëjtën kohë, ndalon fitimin e pasurisë së papastër në të gjitha format e tij, si marrjen e kamatës, përvetësimin e pasurisë së jetimit dhe përdorimin e saj pa marrë parasysh interesat e tij, bixhozin dhe bastet, mashtrimin në shitblerje, cenimin e pronës së njerëzve dhe përvetësimin e pasurisë së tyre padrejtësisht.
O ju muslimanë! Ngrënia e kamatës është nga gjërat që Islami i ka ndaluar dhe ndalimi i saj është theksuar në mënyrë të prerë. Madje, Zoti i Lartësuar i ka shpallur luftë atij që merret me kamatë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga fajdeja, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.” (El-Bekare 278–279)
Sikurse konsumimi i kamatës konsiderohet gjithashtu nga gjynahet e mëdha. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Largohuni nga shtatë gjynahe shkatërruese!” Sahabet e pyetën: “O i dërguari i Allahut, cilat janë ato?” Ai është përgjigjur duke thënë: “Shirku (t`i bësh Zotit ortak në adhurim) ndaj Allahut, magjia, vrasja e një njeriu që Zoti e ka ndaluar, vetëm se me të drejtë, ngrënia e kamatës, konsumimi i pasurisë së jetimit, zbrapsja në përballjen me armikun dhe akuza (shpifjet) ndaj besimtareve të ndershme.”
Kamata ka qenë e ndaluar edhe për popujt e mëparshëm. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin fajde, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve. Jobesimtarëve midis tyre, Ne u kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.” (En-Nisa’ 160–161)
Adhurues të Zotit! Personin që merret me kamatë Zoti e ka kërcënuar me dënim në botën Tjetër, Ahiret, nëse nuk pendohet, si dhe me ndëshkim në këtë botë, i cili shfaqet në humbjen e pasurisë dhe zhdukjen e bereqetit të saj. Zoti i Plotëfuqshim thotë: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë.” (El-Bekare 276) Zhdukja e pasurisë mund të ndodhë nëpërmjet shkatërrimit të vetë pasurisë ose nëpërmjet heqjes së bereqetit prej saj. Kjo shoqërohet me ngushtim të zemrës, vështirësi në jetë, mungesë kënaqësie me atë që ke, braktisje dhe mungesë suksesi. Pasuria e fituar nga kamata, edhe nëse duket se po shtohet, në të vërtetë është drejt pakësimit. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kamata, sado e madhe të jetë, përfundimisht do të çojë në pakësim.”
O ju muslimanë! Ndalimi i kamatës nuk lidhet vetëm me atë që e merr atë, por përfshin atë që e paguan, atë që e shkruan kontratën, dy dëshmitarët e saj, garantuesin dhe këdo që merr pjesë në një transaksion kamatar. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (El-Ma’ide 2)
Kamata është pjesë e gjynahit dhe e padrejtësisë në të cilat muslimani nuk lejohet të marrë pjesë drejtpërdrejt apo tërthorazi. Nga Ibn Mes’udi transmetohet se ka thënë: “ I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka mallkuar atë që e ha kamatën, atë që e paguan, dy dëshmitarët e saj dhe atë që e shkruan kontratën e saj.”
Adhurues të Zotit! Sistemi bashkëkohor kapitalist ka sjellë forma të ndryshme transaksionesh me kamatë, të cilat rregullohen nga ligje dhe sisteme të ndryshme dhe praktikohen përmes bankave me kamatë, institucioneve të huadhënies dhe kompanive financiare. Këto institucione kanë përdorur terma të rinj që e zbukurojnë të pavërtetën. Kamatën e quajnë “interes”, e ajo është dëmi vetë. Huadhënien me kamatë e quajnë “lehtësi bankare”, “kredi e favorshme”, “limit financimi”, “kartë krediti” ose “pagesë me këste të përshtatshme”. Llogaritë bankare emërtohen “depozita me afat”, “llogari kursimi” e të tjera, ku në thelb forma e tyre e veprimit është huadhënia dhe huamarrja me kamatë.
O ju muslimanë! Veprimet me kamatë e dëmtojnë shoqërinë nga pikëpamja ekonomike dhe morale. Ato nxisin shfrytëzimin dhe kontrollin mbi borxhlinjtë. Kamata konsiderohet nga faktorët e rëndësishëm që kontribuojnë në ngecjen ekonomike dhe në inflacion. Ajo ndihmon në përqendrimin e pasurisë në duart e një grupi të privilegjuar, të cilët pasurohen gjithnjë e më shumë në kurriz të të tjerëve.
Sot, kreditë me kamatë janë bërë gjithashtu një mjet që fuqitë e mëdha e përdorin për të ndikuar dhe kontrolluar vendimmarrjen e shteteve më të dobëta. Këto shtete bëhen gjithnjë më të varfra, përballen me vështirësi më të mëdha për shkak të këtyre kredive dhe e humbin pavarësinë në vendimmarrje duke u bërë të paafta për të marrë vendime sovrane.
Këto kredi përdoren gjithashtu, nëpërmjet institucioneve të huadhënies të lidhura me organizata ndërkombëtare, në nivel individual, për t’i mbajtur njerëzit të zënë me të. Ato reklamohen në një mënyrë që krijon përshtypjen se ofrojnë ndihmë për shtresat në nevojë, ndërkohë që shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për t’i futur në borxhe.
Për më tepër, këto kredi përdoren për financimin e projekteve të diskutueshme me pasoja të rënda shoqërore, që lidhen me atë që quhet “fuqizimi ekonomik i gruas”, përmes kredive me kamatë, të cilat synojnë dobësimin e strukturës familjare dhe ofrimin e alternativave ekonomike ndaj sistemit të përgjegjësive financiare brenda familjes.
O ju muslimanë! Disa prej atyre që merren me kamatë përpiqen ta justifikojnë veprimin e tyre duke thënë se kanë nevojë për para ose ata janë të detyruar ta bëjnë këtë. Ne u themi se kamata u ndalua edhe në një kohë kur shumica e njerëzve që merrnin hua me kamatë ishin njerëz në nevojë. Megjithatë, ndalimi i saj mbeti në fuqi.
Këtu duhet të tërhiqet vëmendja se shumë huamarrës i konsiderojnë gjërat luksoze siç janë makinat e reja dhe apartamentet luksoze nga nevojat e domosdoshme. Ata gjithashtu zgjerohen në marrjen e kredive për të përballuar shpenzimet e jetës, siç pretendojnë, përfshirë martesën, udhëtimet dhe shpenzime të tjera. Kjo përbën tejkalim të kufijve dhe shpërfillje të dispozitave fetare, duke sjellë humbjen e bereqetit në shtëpi dhe mungesën e qetësisë familjare.
O ju muslimanë! Fetvatë e pazakonta dhe të pabazuara, të cilat qarkullojnë herë pas here dhe lejojnë disa forma të veprimeve me kamatë, nuk e bëjnë të ligjshëm veprimin e atij që mbështetet në to. Përkundrazi, ato do të jenë argument kundër atij që vepron sipas tyre dhe kundër atij që i ka dhënë, sepse janë fetva që nuk mbështeten në argumente të vlefshme. Ato bien ndesh me tekstet e qarta të Kuranit dhe sunetit, me qëndrimet e pranuara dhe të përcaktuara nga dijetarët e fikhut, si dhe me vendimet e institucioneve të njohura të jurisprudencës Islame.
Këto fetva mbështeten tek dëshirat personale dhe nënshtrimi ndaj interesave të atyre që përfitojnë prej tyre. Prandaj, nuk lejohet të mbështetemi në to dhe as të veprojmë sipas tyre. Përkundrazi, është detyrë të sqarohet devijimi dhe dobësia e tyre.
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin Famëartë, me ajetet dhe me këshillat e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Tij, të besuarin, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Në një kohë kur kamata është ndaluar në fenë tonë, janë hapur mundësi për alternativa të lejuara sipas Sheriatit, siç janë huaja e mirë (pa kamatë), shitblerjet me këste, ortakëritë dhe shitblerjet me fitim të deklaruar (murabaha), të cilat përmbushin nevojat e ndryshme të njerëzve. Islami e ka nxitur dhënien e huasë së mirë, Zoti i Madhëruar ka thënë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?” (El-Bekare 245)
Po ashtu, Islami i ka kërkuar huadhënësit që ka mundësi financiare t’i japë afat borxhliut kur ai është në vështirësi ekonomike, ose t’ia falë borxhin. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit shpërblimin.” (El-Bekare 280)
Në të njëjtën kohë, nga borxhliu kërkohet të kujdeset për shlyerjen e borxhit dhe t’ia kthejë të mirën huadhënësit duke u përpjekur me gjithë mundësitë për ta shlyer atë. Ndërsa vonimi i qëllimshëm i pagesës, zvarritja dhe shmangia nga shlyerja e borxhit konsiderohen padrejtësi dhe prej gjynaheve të mëdha. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vonesa në shlyerjen e borxhit nga ana e atij që ka mundësi të paguajë është padrejtësi. Nëse ndonjëri prej jush ia kalon borxhin një personi të pasur dhe të aftë për ta shlyer, le ta pranojë këtë kalim.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush merr nga pasuria njerëzve me qëllimin për t’ua kthyer, Zoti do ta ndihmojë që t’ua kthejë, ndërsa kush i merr ato me qëllimin për t’i shkatërruar, Zoti do ta shkatërrojë atë.”
Kjo sjellje e borxhliut që e zvarrit shlyerjen e borxhit bëhet shkak për ndërprerjen e bamirësisë dhe ndihmës së ndërsjellë ndërmjet njerëzve.
O ju muslimanë! Nga çështjet e dispozitave fetare që lidhen me faljen e namazit në xhaminë e bekuar të Aksasë, për të cilat duhet të tregojmë kujdes, është çështja e vazhdimësisë dhe lidhjes së rreshtave, safave, të xhematit. Ajo që vihet re është se shumë namazfalës falen në grupe të ndara, ndërkohë që parimi themelor është që safat të jenë të njëpasnjëshëm dhe të lidhur me njëri-tjetrin, ashtu si safat e Melaikeve.
Sa u përket personave që kanë arsye të justifikuara ose nuk kanë mundësi të rreshtohen në safat e bashkuar, ata mund të falen në një xhemat veçmas, larg safave, duke marrë parasysh arsyen e tyre.
Prandaj, le të kujdesemi që ta zbukurojmë Aksanë tonë me safa të rregullt e të drejtë, të denjë për pozitën e saj dhe që dëshmojnë dashurinë tonë për Aksanë, si dhe për ringjalljen e një prej riteve tona të adhurimit.
O Zot, na bëj shkak për ringjalljen e sunetit të profetit Tënd dhe na ndihmo në këtë drejtim!
O Zot, na furnizo me risk hallall e të mirë dhe na e beko atë! O Zot, na largo nga pasuria e ndaluar, nga kamata dhe nga fitimi i ndyrë! O Zot, mbro muslimanët nga kurthet e fajdexhinjve dhe nga kurthet e armiqve të fesë!
O Zot, ruaj për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe dhe bëje atë të mbushur me Islam dhe muslimanë! O Zot, shkruaj për ne shpërblimin e atyre që janë të lidhur me të deri në ditën e Kijametit.
O Zot, na dhuro dituri të dobishme, zemër të përulur, gjuhë që të përkujton Ty dhe vepra të mira që pranohen.
O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit në çdo vend dhe largo fatkeqësitë prej tyre, o Zoti i botëve.
O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti e ke të mundur ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.
Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.
Fto për namazin, Zoti të mëshiroftë.
Afrim Smakaj