Sureja Kaf: Argumente për ringjalljen dhe këshilla për zemrën

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    05-05-1448 H     16-10-2026 D

Shejh Dr. Ahmed Bin Ali Hudhejfe

Tema    Sureja Kaf: Argumente për ringjalljen dhe këshilla për zemrën

Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë,  Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

Në vijim  

Vëllezër të besimit! Vërtet, devotshmëria ndaj Zotit është thelbi i porosive dhe i pari prej tyre, më i larti dhe më sublimi prej tyre. Nëse stoliseni me të dhe e mbështillni veten me petkun e saj, do të arrini nderimin dhe do të ngjiteni drejt shkallëve të larta tek Zoti juaj. “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat 13)

Umeti Islam! Vërtet, Zoti i Madhëruar ka vendosur në thesaret e Librit të Tij madhështor dispozita dhe urtësi, të cilat u japin përgjigje bindëse mendjeve, qetësi shpirtrave dhe shërim gjokseve. Në Kuran Zoti ka shtjelluar historinë e jetës së kaluar dhe udhëtimin kalimtar të njeriut në këtë botë, që nga koha kur ai nuk ishte asgjë e përmendur, e deri te krijimi dhe formësimi i tij, derisa të përfundojë afati i udhëtimit të tij të shkurtër mbi këtë tokë. Pastaj ka sqaruar atë që do ndodhë në jetën tjetër të Përhershme, nga çasti i vdekjes deri tek ringjallja dhe dalja para Zotit, e më pas gjykimi dhe përfundimi drejt të cilit do të shkojë. Përmes gjithë kësaj, Kurani përcakton qëllimin për të cilin Zoti e krijoi dhe e solli njeriun në ekzistencë, si dhe atë që bëhet shkak për lumturinë ose mjerimin e tij.

Në Kuran Zoti ka rrëfyer gjendjen e popujve të mëparshëm dhe të brezave të kaluar, përmes një vargu të pandërprerë ajetesh dhe udhëzimesh Kuranore, të cilat i përcaktojnë besimtarit rrugën e jetës dhe u japin përgjigje pyetjeve të tij.

Le të meditojmë së bashku në një sure madhështore të Kuranit, në suren Kaf. I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e lexonte këtë sure, ose një pjesë të saj, gjatë hytbes së xhumasë. Umu Hisham Bint Harithe Ibn Nu’man, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Unë nuk e kam mësuar suren:  “ Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm!” (Kaf 1), përveçse nga goja e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili e lexonte atë çdo të premte nga minberi, kur u mbante hytbe njerëzve.”

LEXO  Motivimi i njerëzve për të lehtësuar shqetësimin

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e bënte këtë sepse kjo sure madhështore përmbledh kuptime të mëdha dhe synime të larta, të shprehura në një renditje të veçantë Kuranore dhe në një strukturë të bukur gjuhësore. Ajo ndërthur argumentet e qarta me këshillat që zgjojnë ndërgjegjen, duke i nxitur shpirtrat, duke i bërë sytë të derdhin lot dhe duke i dhënë zemër njeriut të ecë drejt rrugës së drejtë të Zotit dhe udhëzimit të Tij të qëndrueshëm.

Zoti e nisën këtë sure me një hyrje të mrekullueshme, që ndalë zemrat përpara madhështisë së saj dhe fton mendjet të meditojnë mbi hollësitë e kuptimeve të saj. Zoti e fillon suren Kaf me një nga shkronjat e veçuara të Kuranit, të pasuar nga një betim madhështor, përgjigjja e të cilit nuk përmendet shprehimisht. Për t’u drejtuar më pas vëmendja tek çështja madhore, ringjallja dhe jeta e Përtejme.

Madhështia dhe solemniteti i kësaj hyrjeje i pushtojnë shpirtrat dhe zemrat. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar thotë:  “Kâf. Betohem në Kuranin e lavdishëm! Po! Ata çuditen që nga gjiri i tyre u ka ardhur një paralajmërues, kështu që mohuesit thonë: “Kjo gjë është e çuditshme. Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur (do të ringjallemi sërish)? Ai kthim është i largët!” Ne e dimë sa prej tyre i merr toka, tek Ne është Libri i ruajtur. Mirëpo, ata e mohojnë të Vërtetën kur u vjen, kështu që ata janë në gjendje të turbulluar.” (Kaf 1–5)

Zoti e saktëson këtë të vërtetë madhore  të shpërndara në faqet e gjithësisë përmes dëshmive të fuqisë së Tij të dukshme dhe shenjave të Tij madhështore në Fjalën e Tij kur thotë: “A nuk e shohin ata qiellin që qëndron sipër tyre, si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa pasur kurrfarë plasaritje në të? Ndërsa Tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë, që nga ajo, të mbijë çdo lloj bime e bukur, si mjet ndriçimi (të mendjes) dhe përkujtesë për çdo rob që i drejtohet Zotit të vet. Ne lëshojmë nga qielli ujë të bekuar dhe nëpërmjet tij krijojmë kopshte, drithëra që korren dhe palma hurme të larta me tufa frutash njëra mbi tjetrën, si ushqim për robërit Tanë; në këtë mënyrë Ne me shi e ringjallim tokën e vdekur. E kështu do të jetë edhe ringjallja.” (Kaf 6–11)

Më pas, rrjedha e sures vazhdon me shpjegimin e saj dhe kalon nga faqet e gjithësisë së dukshme tek faqet e historisë njerëzore, duke sjell ndër mend përfundimin e atyre që e pritën shpalljen e Zotit me përgënjeshtrim dhe mospërfillje. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Para tyre ka mohuar populli i Nuhut, banorët e Ressit dhe fisi Themud, edhe fisi Ad, Faraoni dhe vëllezërit e Lutit, edhe banorët e Ejkës, edhe populli i Tubbas; të gjithë ata i quajtën gënjeshtarë të dërguarit, prandaj kundër tyre u përmbush dënimi Im.” (Kaf 12–14)

Zoti e përmbyll këtë kuptim duke rikonfirmuar çështjen madhore me të cilën e nisi suren: “Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e sërishëm.” (Kaf 15)

Pastaj sureja na çon drejt kuptimit të gjithë përfshirjes së dijes Hyjnore mbi krijesat dhe të fuqisë së Zotit mbi to, duke na kujton çastet kur faqet e jetës sonë mbyllen dhe afati i saj përfundon, si dhe hyrjen në jetën Tjetër, Ahiretit të përhershme, me ndodhitë dhe situatat e saj, me përfundimin e udhëtimit të njeriut në lumturi të përjetshme, ose në vuajtje të pafundme. Rrëfim ky që fillon me fjalët e Zotit të Lartësuar: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet. Dy engjëj i rrinë atij nga e djathta dhe e majta.” (Kaf 16–17)

LEXO  Pastrimi i shpirtit dhe përmirësimi i tij

Në këto ajete gjenden udhëzime që forcojnë besimin, bukuri shprehjeje dhe ndriçime Kuranore, që i përmbyll këto kuptime me këshilla që dridhin zemrat dhe i bëjnë ato të rrëqethen: “Eh, sa breza shumë më të fuqishëm Ne i kemi shkatërruar para tyre! Ata brodhën nëpër Tokë, po a mund të gjenin strehim?! Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.” (Kaf 36–37)

Zoti na begatoftë të gjithëve përmes Kuranit Madhështor dhe na bëftë të përfitojmë nga suneti i profetit të Tij fisnik! Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirues.

Hutbeja e Dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Vetmi që e meriton falënderimin dhe lavdërimin, Dhuruesi i mirësive dhe Mbuluesi i të metave. Lavdërim që  udhëheq jetën, ëmbëlson të korrat dhe ndriçon dritën.

Paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, profetin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe shokët e tij të zgjedhur e të pastër, si dhe mbi ata që i pasojnë me përkushtim deri në Ditën e Gjykimit, për sa kohë që shiu bie me rrëmbim, vetëtima ndriçon dhe shkëlqen. O Zot i mirësive dhe i dhuntive të shumta!

Në vijim

Vëllezër të besimit! Në pjesën përmbyllëse të sures, ligjërimi thekson dhe një herë atë çështje të besimit që i përket së fshehtës, çështjes së ringjalljes, daljens para Zotit dhe jetën e përhershme në Ahiret. Kjo bëhet për ta ngulitur në zemër se besimi në Zot dhe në Ditën e Fundit është çështje themelore në jetën e besimtarit, për shkak të gjurmëve të këndshme dhe fryteve të begata që lë në jetën dhe realitetin e tij. Këto shfaqen në qetësinë dhe prehjen e shpirtit, mes vështirësive të kësaj jete, luhatjeve të saj, ndryshimeve të shpejta dhe shqetësimeve të shumta.

Besimtari e përshkon rrugëtimin e jetës dhe përballet me dallgët e saj, duke pasur një zemër që e ndien mbikëqyrjen e Zotit, ruan të drejtën e Tij dhe të drejtat e krijesave të Tij. Ai e shikon këtë botë si një etapë të rrugëtimit drejt Zotit, ashtu siç Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne.” (El-Gashije 25) Dhe sikurse Zoti i Madhëruar ka thënë: “Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” (El-‘Alak 8)

Kështu, besimtari është në një ekuilibër realist dhe dualitet plotësues midis shikimit të jetës së parë dhe botës së përtejme, Ahiretit, dhe punës për të dyja, duke përfunduar me një këshillë gjithëpërfshirëse të bazuar në besim. “Andaj, duroje atë që thonë ata, madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit. Madhëroje Atë edhe në një pjesë të natës, edhe pas faljes së namazit.” (Kaf 39–40)

Ky është një program madhështor hyjnor, i paraqitur përmes një shpjegimi të pashembullt Kuranor: “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Kaf 45)

LEXO  Turpi: Pjesë e besimit dhe mburojë e moralit

Umeti Islam! Dy xhamitë e shenjta dhe dy qytetet e bekuara, Meka e Nderuar dhe Medina e Ndritur,  kanë një shenjtëri madhështore dhe një pozitë të lartë tek Zoti dhe i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe tek njerëzit e besimit dhe të akides përgjatë shekujve dhe epokave. Kjo i ka bërë ato vende të shenjta e të sigurta, strehë të begatë dhe vendprehje të qetë për adhuruesit, ata që përkulen në ruku, ata që bien në sexhde dhe të gjithë ata që u drejtohen këtyre vendeve. Madje, Sheriati, Legjislacioni Islam, e ka ndaluar gjuetinë dhe prerjen e pemëve në këto dy vende, në mënyrë që ato të mbeten të sigurta dhe të begata si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët. Atëherë, ç’mund të thuhet për frikësimin e banorëve të tyre, të atyre që i vizitojnë dhe të atyre që vijnë nga vende të ndryshme?!

Ajo që ka bërë grupi terrorist i Huthive dhe banda e tij kriminale, duke vënë në shënjestër Mekën e Nderuar dhe Medinën e Ndritur, si dhe sulmi i ndërmarrë nga kjo bandë terroriste kundër Aeroportit Ndërkombëtar të Mbretit Halid në Riad, e pasojat që kanë ardhur prej këtyre veprimeve, përfshirë humbjen e jetëve, terrorizimin e njerëzve të pafajshëm dhe vrasjen e vizitorëve e të atyre që kryejnë umren, përbëjnë krime dhe vepra të rënda që dënohen ashpër nga Sheriati Islam, nga mendjet e shëndosha, nga natyrshmëria e pastër njerëzore dhe nga ligjet ndërkombëtare. Edhe pse këto janë përpjekje të dëshpëruara dhe veprime të mjera, historia i ka regjistruar ato në kronikat e njerëzve të padrejtësisë dhe të shkatërrimit. Kurani ka përmendur gjithashtu veprën e keqe të paraardhësve të tyre, njerëzve të elefantit, ka paralajmëruar përfundimin e humbjes dhe të disfatës së tyre: “Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit? A nuk ua prishi atyre kurthin, duke dërguar kundër tyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur? Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.” (El-Fil 1–5)

O Zot! Ndëshkoje grupin terrorist të Huthive, bandën e tyre kriminale, ndihmësit dhe përkrahësit e tyre! O Zot, kërkojmë strehim tek Ti prej tyre dhe tek Ti kërkojmë mbrojtje nga e keqja e tyre!

O Zot, bëje këtë vend të sigurt, të qetë dhe të begatë, o më i Madhi Bujar!

O Zot, mbroje këtë vend të mirë e të pastër, Mbretërinë e Arabisë Saudite, vendin ku strehohet besimi, ku zbriti shpallja hyjnore, ku drejtohen zemrat e besimtarëve dhe ku prehet zotëria i profetëve dhe i të dërguarve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!

O Zot, ruaje këtë vend nga planet e komplotistëve, intrigat e intrigantëve dhe e keqja e atyre që ushqejnë urrejtje, o Zot i botëve!

O Zot, ruaje kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e xhamive të shenjta, dhe princin e kurorës me ruajtjen Tënde! O Zot, mbuloji ata të dy me mbrojtjen dhe përkujdesjen Tënde, mbështeti ata të dy me përkrahjen Tënde, jepu sukses nga suksesi Yt dhe udhëzoji drejt asaj që sjell të mirën për popullin dhe vendin, o Zot i botëve!

O Zot, ndihmo ushtarët tanë, ruaj kufijtë tanë, mbro pikat tona të mbrojtjes, ruaj dijetarët tanë, mbështet me të vërtetën dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin çështjeve tona.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët! O Zot, përmirëso gjendjet e muslimanëve në çdo kohë dhe në çdo vend, o Zot i botëve, dhe ndihmoji ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi!

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

Shtoni sa më shumë lutjet dhe përshëndetjet ditën e xhuma dhe vazhdimisht gjatë ditëve të tjera, për të zgjedhurin e krijesave dhe zotërinë e njerëzimit!

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin dhe zotërinë tonë Muhamedin,  familjen e tij dhe shokët e tij fisnikë, si dhe ata që i pasojnë me përkushtim, për sa kohë që hëna e plotë shkëlqen dhe retë lëshojnë shi!

Adhurues të Zotit! Përjetësoni mirësinë e Zotit tuaj me falënderimin ndaj Tij, ruani begatitë e Tij duke pasuar urdhrat e Tij, këmbëngulni me lutjet drejtuar Atij dhe me përmendjen e Tij.

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1711405997652740/1643820830812590

Post Author: endrit