Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 12-05-1448 H 23-10-2026 D
Shejh Ali Hudhejfi
Tema Dy dëshmitë: Themeli i besimit dhe uniteti i umetit
Lavdërimet janë për Zotin, Sunduesi, të Plotfuqishmin dhe të Urtin, Ai, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë, i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti. Zotin tim e falënderoj dhe e lavdëroj për begatitë e Tij që i dimë dhe ato që nuk i dimë. Zotit tonë i përkasin Emrat më të bukur dhe Cilësitë më të larta, Zotëruesi i mirësive të pafundme.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Buti dhe Bujari.
Dëshmoj se profeti dhe zotëria ynë, Muhamedi, është rob dhe i dërguar i Tij, udhëzuesi drejt rrugës së drejtë të Zotit. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, ndërmjetësuesi për ata që meritojnë ndërmjetësimin e tij Ditën e Ringjalljes, ditën e vështirësisë së madhe, si dhe familjen dhe shokët e tij, të cilët e ndihmuan fenë e Zotit të drejtë.
Në vijim
Kini frikë Zotin duke nxituar drejt veprave të mira dhe duke u larguar veprat e këqija. Kjo është ajo për të cilën thirrën të gjithë të dërguarit, të mbështetur me argumente të qarta, paqja dhe mëshira e Zotit të tyre qoftë mbi ta. I fundit prej tyre ishte zotëria i njerëzimit, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të cilit Zoti i zbriti Librin e qartë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët.” (En-Nahl 89) Dijetarët kanë thënë: Nuk ka asgjë që njerëzit kanë nevojë të dinë për çështjet e fesë së tyre, që Zoti i Lartësuar nuk e ka sqaruar atë në mënyrën më të plotë. Po ashtu, nuk ka asnjë çështje që lidhet me interesat e kësaj bote, për të cilën Zoti të mos i ketë udhëzuar njerëzit drejt asaj që është e dobishme. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (El-Isra’ 9)
Gjëja e parë me të cilën Zoti e urdhëroi të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte Njësimi i Zotit, ndërsa gjëja e parë nga e cila e ndaloi ishte shirku, t’i shoqërosh Zotit ortakë në adhurim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaj: “Mua më është urdhëruar që ta adhuroj vetëm Allahun dhe që të mos i shoqëroj Atij asgjë (në adhurim). Vetëm Atij i lutem dhe vetëm tek Ai kthehem.” (Er-Ra’d 36) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Thuaj (o Muhamed): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe nuk i shoqëroj Atij askënd (në adhurim).” (El-Xhinn 20)
Robi dhe i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, iu bind urdhrit të Zotit të Lartësuar: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (En-Nahl 125)
Gjëja e parë që bëri zotëria i njerëzimit, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte t’ua bënte njerëzve të njohur Zotin e botëve dhe t’u mësonte atyre Emrat më të bukur dhe Cilësitë më të larta të Zotit të Madhërishëm.
Kjo nga se ai që nuk e njeh Zotin e Lartësuar dhe nuk njeh Cilësitë e Tij, ai që nuk e madhëron dhe nuk e shenjtëron Zotin e tij, ai që nuk e pastron Zotin nga çdo mangësi, të metë dhe gjë e keqe dhe ai që nuk ia mohon Zotit çdo gjë që nuk i përshtatet madhështisë së Tij, nuk mund ta adhurojë Zotin e Lartësuar ashtu siç duhet, nuk e arrin kënaqësinë e Zotit të tij të Madhërishëm dhe nuk hyn në Xhenet.
Prandaj, shtylla e parë e Islamit, drejt së cilës thirri zotëria ynë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është dëshmia se s’ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmia se Muhamedi është i dërguari i Allahut.
Zoti është Ai që është përshkruar, zotëron të gjithë Emrat më të bukur dhe Cilësitë më të larta, dhe është përshkruar me përsosmërinë dhe madhështinë absolute. Kuptimi i dëshmisë “La ilahe il-lAllah” është: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Zotit. Kjo dëshmi vërteton se të gjitha format e adhurimit i takojnë vetëm Zotit të Lartësuar dhe se çdo adhurim që i drejtohet dikujt tjetër përveç Tij është i pavlefshëm. Kjo kërkon implikimin e përfshirjes dhe angazhimit.
Ndërsa kuptimi i dëshmisë se Muhamedi është i dërguari i Zotit, t’i bindesh këtij profeti të zgjedhur, ta besosh në gjithçka që ia ka përcjellë umetit si lajm dhe shpallje, të largohesh nga ato që ai i ka ndaluar prej gjërave të ndaluara dhe gjynaheve, si dhe ta adhurosh Zotin sipas sunetit të tij, për të cilin ai ka thënë se nata e tij është si dita e tij. E gjithë kjo duhet të bëhet me sinqeritet, në një mënyrë që e kënaq Zotin, të Plotfuqishmin dhe Falësin e Madh, si dhe me dashuri të sinqertë për Zotin, dashuri që bëhet shkak për shpëtim nga Zjarri.
Dëshmia se Muhamedi është i dërguari i Zotit nënkupton se ai është i vetmi shembull të cilin e ndjekim, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Fjala e tij duhet të paraprihet ndaj fjalës së kujtdo tjetër, kushdo qoftë ai.
O ju muslimanë! Këto kuptime madhështore, të cilat e ngrenë njeriun në shkallët më të larta, kur idhujtarët e Kurejshëve e kuptuan domethënien e tyre, u larguan prej tyre dhe i luftuan me të gjitha mënyrat. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” (Et-Teube 32)
Në disa vende, dielli i qiellit mund të mos duket për një kohë, por dielli i Islamit nuk është zhdukur kurrë nga toka. Transmetohet nga Ibn Abbasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, se një grup njerëzish nga Kurejshët, ndër të cilët ishte edhe Ebu Xhehli, shkuan tek Ebu Talibi dhe i thanë: “Djali i vëllait tënd po i fyen zotat tanë. Ai thotë se këta idhuj nuk sjellin as dobi e as dëm dhe se adhurimi i tyre është i pavlefshëm. Ai bën këtë e atë dhe thotë këtë e atë. Sikur ta thërrisje dhe ta ndaloje!” Ebu Talibi e thirri profetin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha: “O biri i vëllait tim, çfarë është kjo që po ndodh? Populli yt po ankohet për ty. Ata thonë se ti po thua këtë e atë.” Ata folën gjatë kundër tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, foli dhe tha: “O xhaxha! Unë prej tyre kërkoj vetëm një fjalë, të cilën, nëse e thonë, arabët do t’u binden dhe të huajt do t’u nënshtrohen.” Ata thanë: “Një fjalë të vetme? Po, për babanë tënd, edhe dhjetë fjalë!” Pastaj pyetën: “Cila është ajo?” Ebu Talibi tha: “Cila është ajo fjalë, o biri i vëllait tim?” Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u përgjigj: “La ilahe il-lAllah, s’ka Zot tjetër përveç Allahut.” Atëherë ata u ngritën të tmerruar dhe të zemëruar, duke shkundur rrobat e tyre dhe duke thënë: “A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” (Sad 5) Transmetuar nga imam Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu. Zoti zbriti për ta këto ajete: “Sepse, kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), veç Allahut!”, ata tregoheshin arrogantë dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” Nuk është ashtu (siç thonë ata), por ai (Muhamedi a.s.) ka sjellë të vërtetën dhe ka pohuar atë që thonin të dërguarit e mëparshëm. Sigurisht, ju do ta provoni dënimin e dhembshëm” (Es-Saffat 35–38)
Ata e kishin kuptuar dhe e dinin me bindje se dëshmitë dëshmitë “La ilahe il-lAllah, “S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedun Resulullah”, se Muhamedi është i dërguari i Tij”, përfaqësojnë një mënyrë të re, të drejtë dhe të plotë të jetës.
Ata mësuan se kuptimi i “La ilahe il-lAllah” S’ka Zot tjetër përveç Allahut, është t’ia drejtosh lutjet vetëm Zotit dhe të mos i lutesh askujt tjetër përveç Tij. Nuk duhet t’i lutesh askujt tjetër përveç Zotit, as ndonjë Meleku të afërt me Të, as ndonjë profeti të dërguar, as ndonjë veliu, as ndonjë varri, as engjëjve dhe as xhinëve.
Gjithashtu, mbështetja, dëshira dhe shpresa, frika, shpresa për shpërblim, kërkimi i ndihmës në gjendje të vështirë, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes dhe zotimet, të gjitha këto i takojnë vetëm Zotit të Lartësuar. Asnjë prej tyre nuk duhet t’i kushtohet dikujt tjetër përkrah Zotit. Këtë të vërtetë për Zotin e Vetëm e përcakton dëshmia: “La ilahe il-lAllah”, S’ka Zot tjetër përveç Allahut.
I Lartësuar qoftë Zoti, Mëshiruesi, i Gjithëdijshmi, i Urti, i Cili i ligjëroi këto dy dëshmi dhe mbi to ndërtoi shtyllat e Islamit, shtyllat e imanit dhe shkallën e ihsanit. Mbi këto dy dëshmi Zoti ndërtoi gjithashtu të gjitha ligjet dhe dispozitat e Islamit.
O ju muslimanë! Ju jeni bashkuar në shqiptimin e këtyre dy dëshmive për Zotin e Lartësuar, prandaj bashkohuni dhe në zbatimin e kuptimeve të tyre.
Gjëja e parë në zbatimin e këtyre dy dëshmive është të besoni në akiden e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për të cilin Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm…” (El-Ahzab 21) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Se ti je me virtyte madhore.” (El-Kalem 4)
Prandaj, bashkohuni në besimin tuaj duke iu përmbajtur akides së zotërisë së njerëzimit, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Bashkohuni edhe në zbatimin e akides së shokëve të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe të pasuesve të tyre që i ndoqën me përkushtim, për të cilët Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” (Et-Teube 100) Sikurse Zoti për ata ka thënë: “Ata që besojnë, mërgojnë e luftojnë për çështjen e Allahut dhe ata që u japin strehim atyre e i ndihmojnë, pa dyshim, janë besimtarë të vërtetë; për ta ka falje dhe shpërblim bujar.” (El-Enfal 74)
Kjo akide është rruga drejt shpëtimit nga çdo bidat dhe risi në fe. Ajo është akidja e Islamit, mbi të cilën janë mbështetur imamët e mëdhenj të fikhut, autorët e katër medhhebeve, shkollave juridike.
Ata pohojnë për Zotin e Lartësuar të gjithë Emrat e Tij të bukur dhe Atributet sublime, si thelbësore ashtu edhe aktive, duke pohuar ekzistencën dhe realitetin e tyre. Ata mohojnë natyrën e atributeve të Zotit të Lartësuar, sepse janë të sigurt se mendja nuk mund ta kuptojë natyrën e vërtetë të këtyre atributeve.
Pohimi i tyre është një pohim i ekzistencës dhe realitetit, dhe mohimi i tyre është një mohim i të kuptuarit të mendjes për thelbin e atyre atributeve supreme, dhe një mohim se Zoti i ngjan çdo krijimi të Tij, ashtu siç është përcaktuar në fjalën e Zotit të Lartësuar: “Asgjë e askush nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Esh-Shura 11)
Pohim pa përngjasim, interpretim ose ateizëm, por lavdërim dhe shenjtërim i Zotit të Plotfuqishëm pa mohim. Po kështu, madhërimi dhe pastrimi i Zotit nga çdo e metë bëhen pa mohuar emrat dhe cilësitë që Ai ia ka pohuar Vetes.
Pohimi i Emrave dhe Cilësive të Zotit është i hollësishëm në Kuran dhe sunet, sikurse mohimi i mangësive bëhet në mënyrë të përgjithshme në to, siç shihet në Ajetul-Kursij dhe në fundin e sures El-Hashr.
Prandaj, kapuni fort pas kësaj akideje të ndriçuar, e cila shpëton nga çdo sprovë dhe devijim dhe fitimtare e përjetshme.
O ju muslimanë! Ju jeni bashkuar në gjuhën arabe, me të cilën e adhuroni Zotin gjatë namazeve tuaja, dhe jeni bashkuar në historinë Islame, që nga koha kur Zoti i Lartësuar dërgoi profetët në tokë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!” (El-Enbija’ 92)
Ju jeni bashkuar në drejtimin nga kibla, kibla babait tonë, Ibrahimit. Prandaj, bashkohuni në forcë, në unitet, në harmoni dhe në bashkëpunim, dhe hidhni poshtë përçarjen dhe mosmarrëveshjet.
Përvoja historike e Islamit ka vërtetuar se çdo fatkeqësi, sprovë apo vështirësi që i godet muslimanët nuk largohet, nuk kapërcehet dhe nuk zgjidhet veçse nëpërmjet bashkëpunimit, ndihmës së ndërsjellë dhe mëshirës mes pjesëtarëve të Islamit.
Të gjitha ligjet dhe dispozitat e Islamit janë mirësi për njerëzimin. Megjithatë, njerëzit me qëllime të këqija i paraqesin ato si diçka të dëmshme dhe përpiqen me çdo mënyrë t’i shtrembërojnë, të mbjellin dyshime rreth tyre, t’i pengojnë dhe t’i shkatërrojnë përpjekjet e mira. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu ka kontroll dhe fuqi të plotë mbi çështjet e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf 21) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon Shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Al ‘Imran 103)
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë dhe me sunetin e zotërisë së të dërguarve, si dhe me fjalët e tij të drejta.
Zotit i kërkoj falje për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët, prandaj, Atij kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e tokës dhe të qiellit. Prej Zotit tonë vjen mirësia dhe Atij i takon lavdërimi më i bukur.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Mbrojtësit të çdo mirësie. Dëshmoj se profeti dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri i të dërguarve dhe profetëve. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij të devotshëm.
Në vijim
Kini frikë Zotin, sepse Ai është i Denjë që ti frikësoheni, për shkak të cilësive të Tij të madhështisë dhe krenarisë, si dhe për shkak të mirësive të panumërta që u ka dhuruar krijesave të Tij.
O ju muslimanë! Jini gjithmonë të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit, bashkëpunoni në vepra të mira dhe në devotshmëri, dhe bashkohuni rreth çdo çështjeje të dobishme për shoqërinë, sepse këto janë cilësitë e besimtarëve dhe besimtareve. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” ( Et-Teube 71–72) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10)
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën e në solidarizimin ndërmjet tyre i ngjan një trupi të vetëm, aq sa kur vuan një gjymtyrë e tij, atëherë i gjithë trupi ndan me të pagjumësinë dhe ethet.” Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, nga hadithet e Nu’man Ibn Beshiri, Zoti qoftë i kënaqur me të.
O ju muslimanë, në çdo vend dhe në çdo kohë!
Që nga agimi i tij, Islami është sprovuar me risi të dëmshme në fe, të cilat synojnë ta shuajnë dritën e tij me të gjitha forcat. Muslimanët u përballën me to, i mposhtën dhe shpëtuan Islamin nga e keqja e tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Allahu ka vendosur: “Unë dhe të dërguarit e Mi do të triumfojmë me siguri!” Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El-Muxhadile 21)
Adhurues të Zotit! “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) Lutuni, dërgoni salavate dhe selam mbi zotërinë e të gjithë të dërguarve.
O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.
O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar, lutje dhe përshëndetje të shumta.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë sahabët dhe me ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Kijametit. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta, me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët. O Zot, ndihmo fenë Tënde, librin Tënd, Kuranin, dhe sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në çdo kohë dhe vend, o i Fortë, o i Plotfuqishëm!
O Zot, poshtëro idhujtarinë, jobesimtarët dhe politeistët, dhe shkatërro armiqt e fesë, o Zot i botëve!
O Zot, merr nën kujdesin Tënd çështjet e çdo muslimani dhe muslimaneje, largo vështirësitë dhe fatkeqësitë nga muslimanët, o Zot i botëve!
O Zot, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve! O Zot, na ruan ne dhe pasardhësit tanë nga shejtanët, prej njerëzve dhe xhindëve, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, jepu pasuri muslimanëve dhe plotëso nevojat, o Zot i botëve!
O Zot, bëji të pavlefshme të gjitha risitë në fe që bien ndesh me udhëzimin e profetit Tënd, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, përgjithmonë!
O Zot, mposhti huthitë dhe ata që i ndihmojnë, dhe shkëput rrënjët e tyre, o Zot i botëve! O Zot, mposhti huthitë dhe ata që i ndihmojnë, shkëput rrënjët e tyre dhe ata që i ndihmojnë në këtë moment, o Zot i botëve! O Zot, mposhti huthitë në këtë çast, o Zot i botëve. Largo vuajtjet dhe fatkeqësitë nga muslimanët!
O Zot, ruaj këtë vend të bekuar, Mbretërinë e Arabisë Saudite, me kufijtë e saj, ushtarët e saj, sigurinë, begatitë, unitetin dhe krenarinë e saj! Ruaje atë nga agresioni i zullumqarëve dhe i sulmet e të padrejtëve! Ruaj vendet e muslimanëve nga çdo e keqe dhe e urryer!
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, ndihmoje të bëjë çdo të mirë për vendin! Jepi sukses princit të Kurorës, Muhamed Bin Selmanit, në atë që Ti e do dhe me të cilën je i kënaqur, dhe në çdo gjë që është e dobishme për vendin!
O Zot, ruaj Bejtul Makdis, Kudsin, nga sionistët uzurpues, pushtues. O Zot, ruaj Palestinën nga armiqësia e sionistëve shtypës dhe të padrejtë, largo dëmet, vështirësitë dhe fatkeqësitë që kanë rënë mbi popullin e Palestinës, o Zot i botëve, o i Gjithëmëshirshëm, o Mëshirëploti! Ndihmoji ata kundër armikut Tënd dhe armikut të muslimanëve, o Zot i botëve!
Adhurues të Zotit! Përkujtojeni Zotin tuaj me përkujtime të shumta, falënderojeni Atë për të mirat e Tij, e Ai do t’jua shtojë ato, sepse Zoti ka premtuar për shtim të mirësive tek falënderuesit e Tij.
Afrim Smakaj