Ditët e Allahut – Meka   28.08.2020

Hytbe e Qabes                                  09-01-1442 H      28-08-2020 

Shejh Mahir El Muajkili                  Tema: Ditët e Allahut

Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut që e ka bërë njeriun mëkëmbës në tokë që ta ndërtojë atë. Ai krijoi gjithçka ka në qiej e në tokë ti shërbejnë njeriut. Ai ka derdhur mbi ne mirësi që i shohim e që nuk i shohim që të falenderojmë për to.

Unë e falënderoj Allahun e pastër prej mangësive dhe i jam mirënjohës, tek Ai pendohem dhe Atij i kërkoj falje.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq. Kjo është dëshmia e vërtetë, e sigurtë dhe tek Allahu e pres shpërblimin për të.

Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Ai i ka sqaruar shenjat e fesë dhe i ka bërë ato të duken qartë. Ne na ka lënë në një rrugë të ndritëshme, nata e saj është porsi dita. Paqja, shpëtimi dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij të cilët ishin më të mirët e këtij umeti, më të nderuarit e më bamirësit, edhe mbi tabi`inët dhe ata që pasojnë rrugën e tyre me korrektësi deri në ditën e gjykimit, shpëtim pastë për ta të gjithë.

O besimtarë, u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut të lartësuar e le të marrim mësim me kalimin e netëve e të ditëve dhe mbylljen e muajve e të viteve. Çdo vit që kalon e largon njeriun prej jetës së tij në këtë botë dhe e afron me jetën e botës tjetër. Kushdo që vdes, për të është bërë kijameti.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut). Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit.” (El Hashr; 18-20).

O popull i islamit, Allahu i ka krijuar robërit e tij të pastër “natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rrum; 30). Por pas kësaj ata i devijuan shejtanët e Allahu solli të dërguarit e Tij përgëzues e qortues dhe si përkujtues të ditëve të Allahut, të premtimit dhe besës së Tij. Ditët e Allahut të lartësuar janë ditë në të cilët Allahu u ka dhuruar mirësi disa njerëzve e është hakmarrë ndaj disa të tjerëve që njerëzit të falenderojnë për mirësitë e të kenë kujdes prej ndëshkimit e Tij.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Musai a.s po i kujtonte popullit të tij ditët e Allahut, e ditët e Allahut janë mirësitë dhe belatë e Tij. transmeton Muslimi.

Në Kuranin madhështor, Hudi a.s popullit të tij i thotë:

“Kujtoni që Ai ju bëri zëvendës pas popullit të Nuhut dhe ju dha trup e fuqi të madhe. Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses!” (El Araf; 69).

Kur Allahu solli profetin e Tij Salih ai i kujtoi popullit të tij ditët e Allahut. Ai tha: Dhe sillni në mend, kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në tokë!” (El Araf; 74).

Çdo profet që dërgoi Allahu i lartësuar e qortonte popullin e tij, e përgëzonte dhe i kujtonte atyre ditët e Allahut. I kujtonte ditët e Allahut që kishin kaluar me mësimet e këshillat që nxirren në to. I kujtonin ata me ditët e Allahut se çarë u kishte ndodhur popullit të Nuhut, Adit dhe Themudit, Banorët e Medjenit e të Mu`tefikatit. U kujtonte atyre ditët e Allahut të atyre të cilët mirësitë e Allahut i mohuan e popullin e tyre e çuan drejt banesës së shkatërrimit.

O besimtarë, mirësitë e Allahut të lartësuar ndaj robërve të Tij nuk numërohen e nuk llogariten. Në çdo moment ka mirësi dhe në çdo frymëmarrje ka mirësi.

“Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën. Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.” (Ibrahim; 32-34).

Çdo të mirë që posedon njeriu është prej dhuntive të Allahut dhe çdo e keqe që Allahu largon prej tij është prej dhuntive të Allahut mbi të. “Çdo mirësi që keni, është nga Allahu. E, nëse ju godet ndonjë fatkeqësi, prapë nuk keni kujt t’i kërkoni ndihmë përveç Tij.” (Nahl; 53).

Një prej mirësive më të mëdha të Allahut ndaj robërve të Tij është mirësia e islamit, mirësia e udhëzimit, e qëndresës dhe drejtimit për tek Allahu i madhërishëm.

Allahu i lartësuar në lidhje me dhurimin e kësaj mirësie shokëve të dërguarit të Tij u ka thënë: “Por Allahu jua ka bërë të dashur besimin dhe jua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, ashtu siç jua ka bërë të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mosbindjen. Pikërisht ata janë të udhëzuarit drejt me mirësinë dhe hirin e Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Huxhurat; 7,8).

Vëllezër besimtarë, përkujtimi i mirësive të Allahut duhet të sjellë së pari njohjen dhe dedikimin e tyre atij që na i ka dhënë Allahut, dhe se sjellje e keqe e njeriut me Zotin është zhytja e tij në mirësi dhe harrimi i Dhuruesit të mirësive. Muslimani kur pranon mirësitë e Allahut falenderon për to duke i përdorur në arritjen e kënaqësisë së Allahut. Musa a.s të cilit i foli Allahu, ka thënë: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (El Kasas; 17).

Nëse sheh se Allahu i jep njeriut atë që ai dëshiron e ai vazhdon në pabindshmëri ndaj Allahut dije se është një përshkallëzim i njeriut. “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” (El En`am; 44).

Imam Kurtubiu në lidhje me fjalën e Allahut: “dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar” (El Araf; 182), sa herë që ata bëjnë gjynahe ne i dhurojmë mirësi të tjera dhe i bëjmë që të harrojnë kërkimin e faljes.

Besimtarë ne duhet ta dimë se robi nuk mund të jetë falenderues ndaj Allahut vetëm atëherë kur falënderimi ndaj mirësive lë gjurmë në zemër me dëshirë e me dëshmi dhe në gjuhën e tij mirënjohje e pranim dhe tek gjymtyrët e tij bindje dhe nënshtrim. Falenderimi ndaj mirësisë bëhet me zemër, me gjuhë e me gjymtyrë. Falenderimi më i madh është shpejtimi në adhurim; “Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” (Zumer; 66).

Falenderimi o rob të Allahut i ruan mirësitë dhe i shton ato. Atij që i mundësohet falenderimi i shohen edhe më shumë mirësitë. “(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”. (Ibrahim; 7).

Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Mirësitë janë tre: Një mirësi e arrirë të cilën njeriu e di, mirësi që e pret dhe shpreson ti vijë, dhe mirësi që gjendet në të por nuk e kupton. Allahu kur dëshiron të plotësojë mirësinë ndaj robit të Tij i mundëson të njohë mirësinë prezente e të falenderojë për të me qëllim që të shërbejë si mbërthyes e të mos i ikë sepse mirësia ikën për shkak të gjynahut e ajo nga ana tjetër mbërthehet me falenderim. Gjithashtu i jep sukse të bëjë vepër të mirë nëpërmjet së cilës tërheq mirësinë e pritur e pastaj i mundëson të njohë mirësinë në të cilën gjendet e që se ndjen. Këtu mbaron fjala e tij, Allahu e mëshiroftë.

Askush nuk mundet ta realizojë tërë falenderimin që meriton mirësia sado të përpiqet. Le të mjaftohet me përpjekjen për të arritur kënaqësinë e Allahut, të Vetmit. Dhe sa herë ti jepet njeriut një mirësi e re po ashtu duhet të falenderojë sërisht. Gjithashtu të angazhohet me lutje me qëllim që të mbyllë mangësitë që ka në lidhje me falenderimin ndaj mirësive.

“kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”. (Ahkaf; 15).

Profeti i Allahut Sulejmani a.s ka thënë: “O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!” (Neml; 19).

Të gjithë profetët i kanë urdhëruar popujt e tyre të jenë falenderues. Ibrahimi a.s, popullit të tij i tha: “vetëm tek Allahu kërkoni furnizim dhe adhuroni e falënderoni vetëm Atë. Tek Ai do të ktheheni.” (Ankebut; 17).

Falenderimi është porosia e profetit (salallahu alejhi ue selem) drejtuar shokëve të tij. Në Sunenin e Ebi Daudit nga Muadh ibn Xhebel, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet se i dërguari i Allahut e kishte kapur një ditë për dore dhe i kish thënë: O Muadh të porosis të mos lesh pa thënë pas çdo namazi; O Allah më ndihmo në përkujtimin ndaj Teje, në falenderimin ndaj Teje dhe në adhurimin sa më të bukur ndaj Teje.

“Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut. Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues.” (Ibrahim; 5).

Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah e gabim. Kërkojini falje se ai është Falës e Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

LEXO  Shikimi i Zemrës - Meka 21.06.2019

Falenderimi i takon Allahut, falenderimi i takon Allahut për mirësitë e shumta atij i takon mirënjohja për dhuntitë e njëpasnjëshme.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i vetëm e i pashoq dhe dëshmoj se profeti ynë Muhamed është robi dhe i dërguari i Tij. Paqja, shpëtimi dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të zgjedhur dhe mbi shokët e tij të devotshëm, mbi tabi`inët dhe mbi ata që ndjekin si duhet rrugën e tyre për aq sa të jetë toka dhe qielli. Paqe dhe shpëtim pastë mbi të gjithë.

O besimtarë, prej ditëve madhështore të Allahut është dita e dhjetë e muajit të Allahut Muharrem. Allahu në të shpëtoi Musanë a.s me popullin e tij dhe mbyti Faraonin bashkë me ushtarët e tij. Allahu dëshiron prej robërve të tij që kur i dhuron atyre ndonjë mirësi ata ta falenderojnë për të. Kështu Musa e agjëroi këtë ditë si falenderim për Allahun.

I dërguari i Allahut erdhi në Medine dhe gjeti Jehudët agjërues të ditës së Ashurasë. Ai u tha se çështë kjo ditë që po agjëroni? Ata thanë se kjo është një ditë madhështore. Allahu në të ka shpëtuar Musain bashkë me popullin e tij dhe ka mbytur Faraonin bashkë me popullin e tij. Musai e agjëroi atë si falënderim dhe ne e agjërojmë. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Ne jemi më meritor e më parësor për Musain se sa ju. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) e agjëroi dhe urdhëroi të agjërohet ajo ditë. Transmeton Muslimi.

Agjërimi i ditës së dhjetë (ashurasë) është i pëlqyer dhe shpresohet të fitohet premtimi që Allahu i lartësuar ka pregatitur për agjëruesit. Në Sahihun e Muslimit: I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka nxitur agjërimin e kësaj dite duke thënë: Për agjërimin e ditës së Ashurasë llogaris tek Allahu të më falë vitin që është para saj.

Në agjërimin e ashurasë është prej sunetit të agjërohet dita e nëntë bashkë me të dhjetën për fjalën e tij (salallahu alejhi ue selem): Po të jetoj deri vitin tjetër do ta agjëroj dhe të nëntën. Transmeton Muslimi.

O Muslimanë, Ashuraja është ditë e unifikimit të fjalës, të bashkimit të rreshtit, ditë e dashurisë për besimtaët edhe pse janë me prejardhje të ndryshme e me gjuhë të ndryshme, edhe nëse vendet e kohët janë të largëta mes tyre. Muslimani me agjërimin e ashurasë kujton atë ngjarje të madhe historike. Ditën kur Allahu ndau detin për Musanë a.s dhe pasuesit e tij. Profetët janë pranë njëri-tjetrit. Zoti i tyre është një. Orgjina e fesë së tyre është e njëjtë. Ata ftojnë të adhurohet një Zot i vetëm. Në Sahihun e Buhariut shënohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Unë jam më primar se çdo njeri tjetër për Isain të birin e Merjemes në këtë botë e në botën tjetër. Profetë janë vëllezër. Nënat e tyre janë të ndryshme por feja e tyre është një.

Populli i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) është populli më meritor për të qenë më pranë profetëve të Allahut se popujt e tyre të cilët i mohuan e i përgënjeshtruan ata. Vula e profetëve është Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe populli i tij të cilët do të dëshmojnë ditën e kijametit se profetët e kanë kumtuar shpalljen.

Në Sahihun e Buhariut shënohet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nuhu vjen me popullin e tij. Allahu i thotë: A e kumtove? Ai thotë: Po o Zoti im. I thotë popullit të tij: A e ka kumtuar shpalljen ndër ju? Ata thonë: Jo, ne nuk na ka ardhë ndonjë profet. Ai i thotë Nuhut: Kush dëshmon për ty? Ai thotë: Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) dhe populli i tij. Dëshmojmë se ai e ka kumtuar shpalljen. Kjo është edhe fjala e Allahut të larmadhërishëm: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit” (El Bekare; 143).

Dita e ashurasë është ditë e mëshirës, e faljes dhe e shfaqjes së bujarisë së Allahut të madhërishëm. Ai jep dhurata të çmuara për punë të pakët. Falja e gjynaheve të një viti bëhet me agjërimin e një dite të vetme.

Dita e ashurasë është dita e edukimit në bindje dhe e mësimit të vetvetes me adhurimin. Shokët e profetit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e agjëronin këtë ditë dhe mësonin edhe fëmijët e vegjël me agjërimin e saj.

Në dy sahihet shënohet se Rubej` (e bija e Muauidh) (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) mëngjesin e Ashurasë dërgoi lajm nëpër fshatrat e Ensarëve rreth Medines që ai i cili është gdhirë agjërueshëm le ta plotësojë agjërimin ndërsa ai i cili është gdhirë joagjërueshëm le të mbajë agjërim pjesën e mbetur të ditës.

Ajo ka thënë: Ne pas kësaj e agjëronim këtë ditë dhe shtinim në agjërim edhe fëmijët tanë të vegjël. Shkonim me ta në xhami, i bënim lodra prej leshi që nëse dikush prej tyre qante për ushqim i jepnim lodrën deri në iftar. Në një version tjetër të Muslimit (Allahu e mëshiroftë) ajo Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: Ne pregatisnim lodra prej leshi dhe i mbanim me vete e nëse na kërkonin ushqim i jepnim lodrën që të angazhoheshin derisa të plotësonin agjërimin e tyre.

Neveviu, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Në këtë hadith gjejmë stërvitjen e fëmijëve në bindje dhe praktikimin e tyre në adhurime.

O robër të Allahut dërgoni salavate mbi të dërguarin e udhëzimit se Allahu ju urdhëron për diçka të tillë në Librin e Tij duke thënë:

Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)

O Allah bekoje Muhamedin,bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit

O Allah bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit

Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë, me pasuri e bollëk dhe tërë vendet muslimane!

O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen!

O Allah largoi brengat prej muslimanëve të përvuajtur, mundësoi borxhlinjve të shlyejnë borxhet e tyre, shëroji të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve!

O Allah posedues i madhështisë e bujarisë, o I Gjallë e i Përjetshëm ruaje shërbëtorin e Dy vendeve të Shenjta e ndihmoje me përkujdesjen Tënde, Jepi atij shëndet të plotë. O Allah ndimoje atë dhe jepi fitore!

Shpërbleje atë për muslimanët me shpërblimin më të mirë! O Allah jepi sukses atij dhe mëkëmbësit të tij besnik në të mirë të islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi sukses qeveritarëve muslimanëve të zbatojnë Librin Tënd dhe rrugën e Profetit Tënd!

O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme!

O Allah ti je Falës e do faljen andaj na fal neve!

O Allah na ndihmo ne e mos ndihmo ata që janë kundër nesh, na jep fitoren ne e mos i jep fitore atzre që janë kundër nesh, na mundëso plane e mos lejo kurthe e plane kundër nesh, na udhëzo e na e lehtëso udhëzimin, na jep fitore kundër atyre që na bëjnë padrejtësi!

O Allah na bëj përkujtues ndaj Teje, falenderues ndaj Teje, të përulur para Teje, të penduar e të kthyer për tek Ti!

Zoti ynë pranoje pendimin tonë, pastroji gjynahet tona, pranoje lutjen tonë, qëndroje argumentin tonë, udhëzoji zemrat tona, saktësoji gjuhët tona dhe largoje të keqen prej zemrave tona!

O Allah na ruaj prej mundimit të fatkeqësive, prej rënies në hidhërim, prej fatit të keq dhe prej gëzimit të armiqve!

O Allah na i shëro të sëmurit tanë, na i shpëto të sprovuarit tanë, mëshiroi të vdekurit tanë dhe ndihmoji të dobëtit tanë!

O Allah ruaji ushtarët dhe njerëzit që kujdesen për sigurinë tonë, O Allah jepi fitore ushtaëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë!

O Allah kush mundohet ti bëjë keq vendit tonë angayhoje atë me veten e tij dhe planet e tij bëji shkatërrim për të o dëgjues i lutjes!

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Teje i pastër je prej mangësive e ne jemi të padrejtë!

Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona, nëse Ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të shkatërruarve!

O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit