Hytbe e Qabes 21 Muharrem 1441 h 20-09-2019 D
Shejh Fejsal Xhemil Gazauij
Tema: Mirësia e rendit dhe e sigurisë.
Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se ska hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, ai është i vetëm e i pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa 1).
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)
Prej emrave të bukur të Allahut të paraqitur në librin e Allahut El Mu`min (Siguruesi) sikurse Allahu cilëson veten e tij duke thënë:
“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim), Njohësi i së dukshmes dhe i së padukshmes, Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti! Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim). Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), Paqëdhënësi, Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi mbi gjithçka, i Plotfuqishmi, Imponuesi, Madhështori. Qoftë i lartësuar Allahumbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (El Hashr: 22,23).
Prej kuptimeve që përmban fjala arabe el Mu`min është dhe siguria. Allahu është ai i cili i dhuron robërve të tij besimtarë sigurinë në këtë jetë me stabilitet e prehje në zemrat e tyre e cila kultivohet prej besimit në Të dhe në njësimin e Tij. Allahu është siguruesi i gjithë krijesave të tij. Ai i siguron atyre jetën deri në afatin e përcaktuar. I siguron atyre furnizim dhe largon prej tyre fatkeqësitë.
O rob të Allahut një prej kërkesave të jetesës së mirë është siguria dhe qetësia. E si mund të jetojë individi në një kohë kur nuk gjen siguri e stabilitet!? E si mund të kënaqet me jetën kur mungon siguria. Ajo është domosdoshmëri për çdo shoqëri, të shpëtosh prej trazirave, djallëzive dhe kanosjeve. Me të arrihet, qetësia, prehja, begatia dhe zhvillimi. Me të rregullohen interesat, mbrohet jeta, ruhet nderi dhe pasuria, sigurohen rrugët, zbatohen ligjet. Me mungesën e sigurisë humbasin të drejtat humbin interesat, krijohet kaos, hidhen të fortët mbi të dobëtit, fillon rrëmbimi e grabitja, derdhet gjaku e shkelen nderet e të tjera shfaqje të humbjes së sigurisë në një shoqëri.
Siguria është mirësi madhështore, dhuratë e madhe. Nuk arrin ta perceptojë vlerën e saj dhe nuk e ka të qartë rëndësinë e saj vetëm ai i cili ka gëlltitur privimin prej saj e që është përzhitur prej zjarrit të humbjes së saj duke mbetur në frikë e ankth, në tmerr e çoroditje, në anarki, genocid e shfarosje.
Sa emigrantë kanë humbur vatanin e tyre, sa të dëbuar kanë mbetur larg familjarëve dhe të afërmëve të tyre, e sa fatkeqë enden rrugëve të pastrehë, të pasigurtë e pa stabilitet.
Vështroni, Allahu iu mëshiroftë, panoramën e mungesës së sigurisë sot nëpër botë prej së cilës janë privuar shumë njerëz për shkak të shpërthimit të trazirave të errëta e të luftërave shkatërrimtare. Ku mbizotëron frika, tmerri, uria, plaçkitja, grabitja, kaosi total dhe krime makabre.
Siguria, o rob të Allahut, është kërkesë primare në jetën e njeriut. Njeriu me natyrën e vet kërkon sigurinë dhe shkaqet që e largojnë prej rreziqeve dhe tensioneve.
Për shkak të rëndësisë së saj dhe pozitës madhore Ibrahimi a.s u lut për banorët e Mekës duke thënë:
“Kur Ibrahimi u lut: Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” (El Bekare: 126).
Lutjes për siguri i ka dhënë përparësi ndaj lutjes për furnizim sepse siguria është domosdoshmëri e njerëzit nuk mund ti shijonë të mirat kur frika është prezente.
Në Kuran vërejmë lidhje të fortë reciproke mes sigurisë dhe jetesës së këndëshme nga njëra anë dhe mes frikës e urisë nga ana tjetër.
Allahu, duke kritikuar arsyetimet e kurejshëve në lidhje me mosbesimin e tyre ka thënë: “Vallë, a nuk ua kemi mundësuar, që të jetojnë në një vend të shenjtë e të sigurt, ku sillen fruta të llojllojshme, si ushqim prej Nesh? Por shumica e tyre nuk e dine” (El Kasas: 57).
Allahu tregon mirësinë mirësinë ndaj tyre dhe thotë: “i Cili i ushqen ata në ditë urie dhe i siguron në ditë frike.” (El Kurejsh; 4).
Për rëndësinë e sigurisë Allahu i ka premtuar besimtarëve që frikën që përjetojnë do tua këmbejë me rend, siguri, rehati në mendje dhe qetësi në gjendje nëse ata adhurojnë vetëm Atë, qëndrojnë në bindje ndaj Tij e nuk i shoqërojnë Atij askënd në adhurim.
Allahu thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (En Nur; 55).
Argument që tregon nevojën e individit për sigurinë është fakti që ajo ka qenë një prej kërkesave që profeti (Salallahu alejhi ue selem) i ka drejtuar Zotit të tij.
Nga ibn Umer përcillet se ka thënë: I dëruari i Allahut (Salallahu alejhi ue selem) kur shihte hënën e re lutej duke thënë: O Allah mundësoje që kjo hëne e re të kalojë me siguri e me besim, me shpëtim e me islam dhe me sukses në atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Zoti ynë e zoti yt është Allahu. Transmetoi Ibn Hibani.
Kuptimi: Shikimit tonë të hënës së re bashkangjiti sigurinë prej kanosjeve e fatkeqësive dhe me qëndrueshmërinë në besim gjatë kohës së saj dhe shpëtim prej kanosje në jetesë e në fe.
Ai (Salallahu alejhi ue selem) gjithashtu lutej duke thënë: O Allah më mbulo çdo gjë të turpshme e më siguro ndaj çdo gjëje tmerruese. Transmetuan; Ahmedi, Ebu Daudi dhe ibn Maxheh.
Rendi, o vëllezër është objektiv i ndritur të cilin e synojnë shoqëritë dhe që nxitojnë tërë popujt për ta realizuar.
Allahu i lartësuar, duke përkujtuar popullin e Sebeit në lidhje me mirësinë e sigurisë që posedonin gjatë udhëtimeve natën e ditën rreth vendbnimeve të tyre thotë: “Udhëtoni të sigurt nëpër to natë e ditë!” (Sebë; 18).
Gjithashtu, Allahu u tregon kurejshëve mirësinë e sigurisë dhe thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se si Ne u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt (Mekën), ndërkohë që njerëzit rreth tij po grabiten?” (El Ankebut; 67).
Në një hadith profeti Muhamed (Salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kush gdhihet i sigurtë në strehëzën e tij, i shëndetshëm në trupin e tij, e ka ushqimin e ditës është sikur ti jetë dhuruar tërë bota. Transmeton; Tirmidhiu dhe ibn Maxheh.
O Musliman kur prishet sistemi i sigurisë, tronditen themelet e tij dhe çahet manteli i tij atëherë mos pyet për pasojat shkatërruese që ndodhin më pas e që sjellin trazira të forta e djallëzi të mëdha.
Humbja e sigurisë nuk ndodh vetëm pasi nxiten trazira qorre, krime të shëmtuara dhe veprime të pahijshme.
Kështu që siguria në islam është një objektiv madhështor. Shumë dispozita janë ligjëruar pwr mbrojten e tij dhe për ruajtjen mantelit të tij duke mos lejuar të preket në asnjë anë. Ne kemi shumë tekste fetare që obligojnë ruajtjen e pesë domosdoshmërive të cilat janë; feja, jeta, mendja, nderi dhe pasuria. Ligji islam e ka bërë detyrë ruajtjen e tyre, duke i mbrojtur me kufinj ligjorë e me ndërshkime me qëllim që siguria të mbetet e paprekshme. Islami ka ndaluar çdo veprim që cënon rendin, sigurinë dhe stabilitetin. Islami ka tërhequr vërejtjen ndaj çdo vepre që përhap frikë, tmerr dhe çoroditje. Këtë e ka bërë për të ruajtur këtë mirësi të vyer.
Me këto që thashë i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju. Kërkojini falje Atij për çdo gjynah e çdo faj dhe pendohuni tek Ai se Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.
Huteja e dyte
Falenderimi i takon Allahut, poseduesi i mirësisë dhe bamirësisë që sigurinë e ka lidhur me besimin.
Dëshmoj se nuk ka hyjni që meriton të adhurohet pos Allahut, i vetëm e i pashoq, Fisniku dhe Dhuruesi.
Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Zotëria i bijve të Adnanit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të, familjen e tij, shokët e tij dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.
O rob të Allahut, besimtari i sinqertë nuk kënaqet të preket një vend islam nga diçka e keqe e aq më tepër të jetë vendi i dy xhamive të shenjta. Ai armiqëson dhe i kundërvihet atij që cënon parimet dhe vlerat e këtij vendi apo që mundohet të përhapë kaos në të, apo që i përgjigjet dikujt që dëshiron të lëkundë stabilitetin e të prishë rendin në këtë vend. Kjo nuk përbën habi. Kujdesja për sigurinë dhe stabilitetin në shoqërinë tonë konsiderohet adhurim me të cilin ne afrohemi tek Allahu i madhërishëm. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve. Duhet të unifikojmë të gjitha përpjekjet tona në këtë fushë që ti bëjmë ballë atyre që mundohen të prishin sigurinë e vendit e të njerëzve. Duhet ti bëjmë ballë çdo propagande që rrezikon sigurinë dhe lëkund stabilitetin. Pa siguri nuk ka rehati në jetë. Pa stabilitet nuk i gëzohesh pasurisë. Allahu u ka dhënë njerëzve mirësi të shumta e të bollshme, u ka ngarkuar atyre detyra të ndryshme si sigurinë të cilën ata e kanë detyrë ta ruajnë e të punojnë që ajo të qëdrojë përgjithmonë. Njerëzit kanë detyrë të mos shkelin rregulla që dëmtojnë sigurinë e që zhdukin ndikimin e bukur të saj.
O Muslimanë! Pa dyshim se ata që tmerrojnë muslimanët, që dëmtojnë sigurinë e tyre që kërcënojnë interesat e tyre ekonomike janë duke bërë atë që konsiderohet si një prej shkatërrimeve më të mëdha në tokë.
“Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin. Kur atij i thuhet “Kije frikë Allahun!”, ai mburret dhe bën më shumë të këqija. Atij i mjafton Xhehenemi. Eh, sa vendbanim i keq është ai vend!” (El Bekare; 204-206).
Allahu thotë; “Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (El Kasas; 77). Pra mos kërko të bësh ngatërresa në tokë nëpërmjet padrejtësisë e zullumit sepse Allahu nuk i don të padrejtët dhe mëkatarët.
Me atë çka thamë më lart kuptohet se sulmi mëkatar e i rëndë mbi dy rafineritë e naftës është një lloj shkatërrimi mbi tokë, shkelje e rëndë ndaj të shejtës. Shëmtia e kësaj të keqeje të madhe, e kësaj vepre monstruoze dhe e këtij krimi të madh rëndohet akoma më shumë për faktin që është zullum i madh i kryer në muajin e Allahut Muharrem, një muaj madhështor, një prej muajve të shenjtë për të cilët Allahu ka thënë:
“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Teubeh; 36).
Dëmi në këtë muaj përbën mëkat më të rëndë dhe krim më të madh sepse personi në këtë rast nga njëra anë merr guximin të kundërshtojë Allahun duke bërë gjynahe e gabime e nga ana tjetër shkel atë që Allahu e ka bërë të shenjtë e madhështor.
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi përgëzuesin, qortuesin, pishtarin ndriçues ashtu sikurse ju ka urdhëruar Allahu i madhërishëm:
“Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah ndihmoje atë që ndihmon fenë, poshtëroje atë që poshtëron muslimanët.
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, mposhte mohimin dhe poshtëroi mohuesit!
Mbroje fenë!
Ndihmoji robërit e tu monoteistë, shkatërroi armiqtë e Tu armiqtë e fesë.
O Allah ata që kanë qëllim ti bëjnë keq vendeve tona angazhoji me probleme në vetet e tyre, kurthet e tyre hidhi mbi ta dhe planet keqdashëse bëji shkatërrim të tyre o Dëgjues i lutjes!
O Allah ruaje vendin e Dy të Shenjtave dhe të shenjtat e muslimanëve prej çdo keqbërësi dhe shkatërrimtari,prej lojërave e kurtheve të mbrapshta të çdo të poshtri e çdo armiku.
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë e pa probleme, o Allah bëje këtë vend të sigurtë e të qetë, me pasuri e bollëk dhe tërë vendet muslimane!
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona
Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë!
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjallë e Kujdestar
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.
O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës. O Allah mbuloji të metat e tyre dhe largoje frikën prej tyre, ruaje gjakun e tyre dhe mbroje nderin e tyre, Ti je Madhështori dhe Fisniku.
O rob të Allahut:
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete dhe mos e thyeni betimin, pasi ta keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorë-zënësin tuaj; vërtet, Allahu e di se çfarë bëni ju.” (En Nahl: 90,91).