Agjërimi i Ramazanit me vendosmëri, durim dhe besim në shpërblim

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa    27-08-1445 H    08-03-2024 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema  Agjërimi i Ramazanit me vendosmëri, durim dhe besim në shpërblim

Lavdërimet janë për Zotin,  Allahu i Madhërishëm në hadith Kud’si,  ka thënë: “ Çdo vepër e birit të Ademit është për të, përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë do ta shpërblej për të.”

Madhërimi është për Allahun, ka bërë shpërblimin e agjërimit të veçantë për Të, sepse agjërimi nuk ka hipokrizi në të dhe se shpërblimi i tij është i madh. I lartësuar qoftë Allahu e ka veçuar popullin tonë musliman me lidhjen e tyre në Bejtul Makdis, Kud’sin,  dhe rrethinat e tij, na ka siguruar porta të shumta përmes të cilave do të hyjmë në Xhenet. Prandaj trokitni në dyert e tij me çdo vepër të mirë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, ka thënë: “ O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).” (El-Bekare 183) Pra, o njerëz të lidhur dhe të vendosur me këtë vend, nxitoni në muajin e Ramazanit për në xhaminë e Aksasë.  Ajo është kështjella juaj, streha juaj dhe Aksa  juaj. Ruajeni shenjtërinë e saj në Ramazan dhe mos e cenoni atë, ruajeni shenjtërinë dhe prestigjin e Aksasë, ngrihuni dhe bini në sexhde për Zotin, përkujtojeni Atë dhe binduni Atij. Bëni mirë sepse Allahu bën mirë ju, ekspozohuni para mirësive të Zotit dhe tregoni Zotit nga vetët tuaja vetëm të mira.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ka qenë bujarë dhe ka qenë më bujarë se asnjë herë tjetër në muajin e Ramazanit. Sakrifikoi, dhuroi, pasurinë e tij, kohën dhe pozitën e tij në rrugë të fesë. Ndërsa popullit tonë muslimanë i mjaftojnë gjurmët e të dërguarit të tij, pason udhëzimet e tij, sakrifikon me shpirtin e tij, më të shtrenjtë,  dhe me  më të lirën. O Zot, në muajin e Ramazanit në veçanti na dhuro siguri në vetet tona, në familjet tona dhe në pasuritë tona, na jep mirësi dhe begati, na jep të mira dhe dhurata. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë i cili sakrifikoi me veten e tij, me kohën e tij, me pasurinë dhe prestigjin e tij për hir të Islamit. O Zot, fale dhe mëshiroje popullin tonë musliman i cili ecën në udhëzimin e të dërguarit tonë. O Zot, fali dhe mëshiroi sahabet dhe tabi’inët, të cilët duruan dhe triumfuan. O Zot, fali dhe mëshiroi të plagosurit dhe të burgosurit, robërit, të uriturit dhe të pastrehët, të cilët janë të durueshëm me besim dhe shpresë për shpërblim deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O banorë të Bejtul Makdis, Kudsit dhe rrethinat e tij! Përgëzoni, merrni lajmin e mirë,  duke pritur muajin e Ramazanit, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Për çdo shekull nga umeti im do të ketë që janë të parë.” Ndërsa ju jeni të parët e kësaj kohet për muslimanët. Jeni të parët me lidhjen tuaj, të parët me namazin tuaj në xhaminë e Aksasë. Prandaj vazhdoni udhëtimin tuaj për në të. Ju jeni të parët me të vërtetën në të cilën jeni. Prandaj lëreni dëshpërimin pas shpinave tuaja, dhe mos thoni që u lodhëm, sepse shpresa jonë nuk shkëputet kurrë nga Zoti ynë. Muslimanët që ishin para nesh shijuan hidhërimin e armiqve të tyre e pastaj Zoti e zëvendësoi frikën e tyre me sigurinë. Populli i dobët është ai që e prekën dëshpërimi, ndërsa ne jemi umet i fortë me Zotin e tonë dhe me fenë tonë. Ne jemi popull që beson në Zoti e tij dhe në caktimin e Tij, që beson në fenë dhe historinë e tij, me kauzën, çështjen e tij të drejtë dhe me të drejtën e tij të qartë.

O ju besimtarë! Ju, që do të ju thuhet në ditën e Gjykimit: “  (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”( Er-Ra’d 24) Duruat përballë vrasjeve, duruat përballë shpërnguljeve, duruat përballë urisë dhe etjes, duruar përballë zhgënjimit të popullit tuaj ndaj jush, duruat përballë botës që komplotoi kundër jush, prandaj hyni në Xhenet, sa vendbanim i bukur që është ky! Ka ardhur në  Ether: “ Kur të jetë dita e Gjykimit një thirrës, Melek, do të thërrasi: Le të ngrihen njerëzit durimtarë?! Ngrihet disa nga njerëzit, dhe  u thuhet: Shkoni për në Xhenet. Do ti takojnë ata Melaiket dhe do tu thonë: Për ku jeni nisur? Ata do të thonë: Për në Xhenet! Do të ju thonë: Para llogarisë, pa dhënë llogari? Ata do të thonë: Po, për në Xhenet para llogarisë, pa dhënë llogari! Melaiket do t’i pyesin: Kush jeni ju? Ata do të thonë: Ne jemi njerëzit durimtarë! Do të thonë: E kush ka qenë durimi juaj? Ata do të thonë: Kemi bërë vetet tona të duruara në bindjen ndaj Zotit, i kemi bërë ato të duruara përballë mosbindjes ndaj Zotit, sikurse i kemi bërë vetet tona të duruara përballë  sprovave dhe vështirësive në jetën e kësaj bote. Melaiket do të ju thonë: “  (e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”( Er-Ra’d 24)

LEXO  Gëzimi: Etiketa dhe disa nga rregullat e tij

O muslimanë! Muaji i Ramazanit, muaji i durimit, prandaj plotësoni në këtë muaj këto cilësi që të jeni nga ata njerëz të nderuar në ditën e Kijametit. O Zot, na bë nga robërit e Tu të nderuar! O Zot, na bëj nga robërit e Tu të parë! O Zot, na bëj nga robërit e Tu të afërt!

O ju durimtarë! Përgëzoni, sepse vërtetë Allahu është me ju, sepse Zoti është me ata të cilët kanë besuar, me ata të cilët bëjnë vepra të mira, me ata të cilët i frikësohen Zotit, dhe me ata të cilët bënë durim. Ai është që ka thënë: “ …por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” (Al ‘Imran 120) O robër të Allahut, përgëzoni me lajmin e mirë nga i dërguari i Zotit për ju,  se umeti i tij në fund të kësaj bote do të mbulojë tokën me drejtësi, me paqe dhe me monoteizëm, besimin në Një Zot. E kjo është feja e Allahut, e Zoti është ndihmues i fesë së Tij nuk ka pikë dyshimi, kjo është feja e të dërguarit të Tij, dhe Zoti nuk do e humb të dërguarin e Tij dhe umetin e tij.  Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum 47) E këtë detyrë e ka obliguar Allahu i Madhërishëm për Veten e Tij, fitorja në fund është për besimtarët dhe përfundimi i mirë është për të drejtët.

O ju muslimanë! Muaji i Ramazanit është muaji i dallimit të së keqes nga e mira, dallimit të besimtarit të sinqertë nga hipokriti. Toka jonë e shenjtë dallon rreshtat, rreshtin e besimtarit në të cilin nuk ka hipokrizi nga rreshti i hipokritëve që nuk ka besim në të. Prandaj dallohuni në muajin e Ramazanit duke zgjedhur rreshtat e besimit dhe besnikërisë ndaj Zotit, ndaj të dërguarit të Tij dhe ndaj besimtarëve. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “   Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit.” (Al ‘Imran 179)

O Zot, kthe zemrat tona në fenë Tënde dhe në bindjen ndaj Teje! O Zot, na mbaj në këmbë me Islam, na mbaj të ulur me Islam dhe mos lejo që armiku ziliqar të gëzohet me ne.

O besimtarë! Në muajin e Ramazanit muslimani ka uri duke pasur ushqimin në duart e tij, me besim dhe bindje në shpërblim nga Zoti, sikurse muslimani në muajin e Ramazanit ka etje dhe nuk pi nga besimi dhe bindja në shpërblim. Ndërsa keni vëllezërit tuaj në muajin e Ramazanit, në Gaza, të cilët do të agjërojnë duke qenë të uritur dhe nuk kanë ushqim. Do të agjërojnë dhe ata kanë etje dhe nuk kanë pije çfarë të pinë. Për ata njerëz shpërblimi është i shumëfishtë, e Zoti  dhe i dërguari i Tij, janë të pastër, larg udhëheqësve të umetit të cilët marrin pjesë në urinë e tyre.  I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nëse njerëz në lagje shkojnë të flenë kur në mesin e tyre, në lagje, ka të uritur, ata janë të çliruar, larg nga  mbrojtja e Allahut dhe e dërguarit të Tij.”

O Zot, ne jemi të pastër, larg nga ata që Ti ke larguar mbrojtjen Tënde, largohemi nga mashtruesit, largojmë veten tonë nga zullumqarët dhe e largojmë veten nga hipokritët. O Zot, zëvendëso urinë e popullit tonë me ngopjen, etjen e tij zëvendësoje me shuarje etjeje, freski, zëvendëso frikën e tij me siguri,  dhe mos i impono, vendos në sundim,  mbi ta dhe mbi ne nga ata që nuk të frikësohen dhe nuk na mëshirojnë, me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O ju muslimanë! Muaji i Ramazanit është muaji i umetit të unifikuar, bashkuar në agjërimin dhe namazet e tij. Kur do të arrijë umeti ynë unitetit dhe bashkimin e tij në dashurinë, dhembshurinë dhe afrimitetin e tij? Kur do ta shikojë umeti ynë popullin tonë, sepse ai sot nuk po e shikon? Populli ynë shihet në kanalet satelitore, por umeti  ynë nuk e sheh popullin tonë! Ku janë sytë me të cilët ai shikon? Ku janë zemrat me të cilat ai kupton, ndjen? Kur do të shikojmë nga umeti ynë një qëndrim ndershmërie, të sinqertë? Kur do të ndalojnë pushtetarët të na nënçmojnë ne, çështjen tonë dhe vuajtjet tona?! Ndëshkimi i Zotit  qoftë mbi zullumqarët, ashtu siç u ndëshkua Medjeni, ndëshkimi qoftë ndaj mashtruesve sikurse u ndëshkua Themudi.

O ju besimtarë! Tradita e umetit musliman është që të hyjë në muajin e Ramazanit duke qenë i lavdishëm dhe bujar. Si është me këtë umet që po hynë në muajin e Ramazanit dhe gjendja e tij nuk e kënaqën Zotin, të dërguarin e Tij dhe besimtarët. A nuk ka thënë i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “ Merreni në llogari vetet tuaja para se të ju marrin në llogari dhe peshoni veprat tuaja para se të jua peshojnë ato.” Vallë umeti a e ka marrë veten e vet në llogari, dhe a e ka peshuar veten e tij, para se të peshohet në peshoren e Zotit në ditën e Gjykimit? A e di umeti se nuk peshon as sa pesha e një atomi dhe nuk peshon as sa krahu i mushkonjës tek Zoti.

LEXO  Ku është nderi i këtij Umeti - Dr. Muhamed Selijm - Aksa - 10.8.2018

O adhurues të Zotit! Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin prangosen shejtanët Xhind, ndërsa shejtanët njerëz ata lëvizin, shkojnë dhe vinë gjithandej, mblidhen kundër nesh, jo arabët dhe arabët, hipokritët e tyre dhe na gjuajnë me një hark, shigjetë të vetme. Sido që të jetë, ne besojmë se muaji i Ramazanit ka efektet e tij në vlerat e muslimanëve, në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen, dhe kemi mendim të mirë në Zotin tonë se Ramazani dhe muajt në vijim do të jenë muaj lavdie për Islamin dhe muslimanët. Ne në Bejtul Makdis, Kud’s dhe rrethinat e tij jemi prezent me adhurimet ndaj Zotit tonë, lëvizim, kalojmë nga një adhurim në një adhurim tjetër, e Allahu është me ne, si dhe Melaiket në qiell që ju prinë, është i pari i tyre, Xhibriili, paqja e Zotit qoftë mbi të, janë prezent me ne, kërkojnë falje tek Zoti për ne, i luten Zotit për ne, na bëjnë të vendosur dhe dëshmojnë me ne në xhaminë e Aksasë në pesë namazet e ditës, në namazin e teravive dhe në Itikafin, në qëndrimin në xhami në tubimet e diturisë, dhikrit, përmendjes së Zotit, dhe në të gjitha paraqitjet. Na mjafton të krenohemi se jemi pasues të profetit Muhamed, na mjafton të jemi krenarë që jemi vëllezër të profetit Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Sikurse ka ardhur në hadith që thotë: “ Sa do të doja të kisha parë vëllezërit tanë.” Sahabet kanë thënë: “ O i dërguari i Allahut, a nuk jemi ne vëllezërit tua?” Ka thënë: “ Por se ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit tanë të cilën nuk kanë ardhur akoma dhe unë jam para tyre, d.m.th, paraardhësi i tyre për në Havud, luginën e Xhenetit.” Urime për ju o adhurues të Zotit, urime o muslimanë, për këdo nga ju që është i qëndrueshëm në fenë e tij, sepse ai është vëlla i të dërguarit, ai është nga të përgëzuarit me lule në luginën e Xhenetit dhe që pinë ujë nga duart e tij të ndershme, paqja dhe shpëtimi  Zotit qoftë mbi të. O Zot, na mundëso të hyjmë në luginën e tij, në Xhenet, na mundëso të pimë ujë nga duart e tij të nderuara, dhe na mundëso shoqërimin tonë me të dërguarit, të sinqertët dhe të drejtët.

Adhurues të Zotit, kjo është një orë e bekuar, prandaj luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai ndihmon ata që e ndihmojnë Atë dhe poshtëron ata që e kundërshtojnë, e mohojnë Atë.

Dëshmoj se zotëria i ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Solli mesazhin, plotësoi emanetin dhe këshilloi umetin, me atë Allahu largoi errësirën. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit.

Në vijim

O ju besimtarë! Ramazani është muaji i devotshmërisë. E realiteti i devotshmërisë është të pranojmë obligimet e Zotit dhe ti kryejmë ato, dhe të përmbahemi nga ato që Allahu na i ka ndaluar. Çfarë po ndodh, si është puna me shumë njerëz në shoqërinë tonë në rrjetet sociale që kërkojnë ndërprerjen e lidhjeve familjare gjatë Ramazanit?! Ose kërkojnë ti kufizojnë apo ti pakësojnë ato?! Kjo me pretekstin e solidaritetit me popullin tonë në Gaza?! Mos vallë solidariteti është duke braktisur obligimet fetare, siç janë lidhjet farefisnore, të gjakut, apo është me mbajtjen e tyre?!  Në Ramazan në betejën e Bedrit ka pasur nga Sahabet dëshmorë dhe të plagosur, po a u kthyen pas në rrugën e tyre?! A ndaluan nga agjërimi dhe lidhjet farefisnore me pretekstin e asaj që i goditi ata apo qëndruan të vendosur në fenë e tyre?!  Në kohë fatkeqësish muslimani a kthehet për tek Zotit me bindje, pranim dhe nënshtrim?! Apo kthehet pas, ndërron drejtim?!

O ju njerëz! Frikësojuni Allahut, thoni fjalë të drejta dhe mos guxoni të nxirrni vendime, mendime fetare. Më herët dijetarët tanë kanë thënë: Kush flet në atë që nuk është fusha e tij do të vij me çudira.

O muslimanë! Në mënyrë që njerëzit tanë të ruajnë lidhjet farefisnore, të gjakut,  dhe të ju sigurohet lehtësim për familjet e tyre gjatë muajit të Ramazanit, veçanërisht të punësuarit në mesin e tyre, u bëjmë thirrje muslimanëve, në pasurinë e të cilëve obligohet nxjerrja e zekatit, të shpejtojnë për ta paguar atë. Sikurse nga ana e sheriatit nuk ka kundërshti që i pasur të  para paguajë zekatin e pasurisë e tij për dy vjet, përkundrazi, kjo është në përputhje me qëllimin e Sheriatit për ta shpejtuar atë, në dritën e kushteve që po jeton populli ynë nga uria dhe lufta. E i pasuri e ka shpërblimin dhe sevapin tek Zoti i tij, i Cili e krijoi dhe e furnizoi atë.

O muslimanë! Punonjësi, paga e të cilit nuk është e mjaftueshme për nevojat e tij elementare dhe që nuk ka pasuri tjetër përveç rrogës së tij, shpenzon prej saj për veten dhe fëmijët e tij,  për të cilët i kërkohet t’i mbulojë shpenzimet e tyre, një punonjës i tillë i jepet nga paratë e zekatit dhe nuk ka problem. Allahu i Madhërishëm thotë: “ Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (El-Ma’ide 2)

LEXO  Haxhi i pranuar: Njësim i Zotit, pasim dhe siguri për muslimanët

O ju besimtarë! Dijeni se arsyet për të hyrë në Xhenet në Ramazan janë të shumta, sikurse dhe format e solidaritetit me muslimanët janë të shumta, të cilat nuk ju fshihen. Prandaj nxitoni të bëni vepra të mira, mbani lidhjet farefisnore dhe mos i shkëpusni ato, falini namazet tuaja dhe mos i humbni ato,  jini me Zotin në të gjitha kohët tuaja në mënyrë që Allahu të jetë me ju, ai me të cilin është Zoti me të, do të jetë me të grupi fitimtarë. “Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij…” (Ez-Zumer 54), që të shpëtoni!

O ju të sinqertë! O ju besimtarë! Muaji i Ramazanit i largon shpirtrat nga dëshirat e këqija dhe të ndyra. Pra, o njerëz të mençur, rishikoni llogaritë tuaja nga e para, me të afërmit, me familjen dhe me të njohurit tuaj para se të vijë Ramazani dhe para se vdekja të ju befasojë ndonjërin prej jush dhe të marrë me vete shumë gjynahe dhe pasoja të shumta, e do të takojë Zotin e tij i falimentuar, dhe nëse është falur, ka agjëruar, ka bërë Haxhin dhe umren, dhe pretendon se është musliman. “ Atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai, nga e ëma dhe nga i ati, nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.” ( ‘Abese 34-37)

O Zot, na shpëto dhe na jep paqe.

O besimtarë! O ju të lidhur me këtë vend! Ky është Ramazani që pas pak ditësh do të trokas në portat tuaja mysafir tek ju, prandaj mirëpriteni atë duke u kapur fort pas Zotit dhe duke iu përmbajtur udhëzimit të dërguarit tuaj, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.   Të mos hyjë muaji i Ramazanit e në mesin tuaj të ketë ndonjë që i ka shkëputur lidhjet farefisnore me familjen e tij, ose që është i pabindur ndaj Zotit të tij, ose që ka hipokrizi në zemrën e tij, ose që të jetë besnikëri ndaj dikujt tjetër përveç Islamit dhe muslimanëve. Mjerë për atë që i ka shkëputur lidhjet farefisnore, mjerë për atë që nuk i bindet Zotit të tij, ka dështuar dhe është i humbur ai që kthehet pas dhe është hipokrit.

O ju besimtarë! Përmbajuni udhëzimeve të administratës së Vakfit Islam në Kud’s, merrni nga agjërimi i Ramazanit mburojë, mbulim dhe largim nga zjarri i Xhehenemit.

I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të ka thënë: “ Agjërimi është mburojë, sikur mburoja e ndonjërit nga ju nga lufta.”

O ju besimtarë! Allahu i Madhërishëm vërtetë ju ka mbledhur tek ju në Bejtul Makdis, Kud’s dhe rrethinat e tij, në muajin e Ramazanit në veçanti, cilësitë e mirësive dhe adhurimeve, prandaj konkurroni në to, llogarisni shpërblimin e namazeve tuaja në xhaminë Aksasë, shpeshtoni  udhëtoni në të, bindje ndaj  Allahut dhe adhurimin e Tij. Vërtetë namazet tuaja në të ju pastrojnë nga gjynahet tuaja duke ju bërë sikur dita që ju kanë lindur nënat tuaja.  Sot ju jeni të zotët e xhamisë Aksa, ju sot e arrini nderin e drejtësisë dhe lavdisë së saj. Mjerë për ata nga umeti ynë që janë të pavëmendshëm ndaj Kud’sit dhe Aksës dhe neglizhues, shpërdorues ndaj tyre. I  mjerë është ai që është shitës i popullit tonë dhe i çështjes sonë. Prandaj, o muslimanë, qëndroni përpara përgjegjësive tuaja, dhe ruani pozitën dhe statusin tuaj, për të cilin ju ka lajmëruar i dërguari juaj, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur ka thënë: “ Ju plotësoni shtatëdhjetë umete,  popuj, prej të cilëve ju jeni më të mirët dhe më të nderuarit tek Zoti.”

Dijeni se i dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, u ka thënë sahabeve: “ Me të vërtetë, pas jush është koha e durimit, ata që do të kapen, do të jenë të vendosur në të, do të marrë shpërblimin e pesëdhjetë shehidëve, dëshmorëve  nga mesi juaj.” O Zot, na bëj nga pasardhësit më të mirë e paraardhësve më të mirë, na shkruaj për ne këtë shpërblim të madh, na shkruaj tek Ti nga të sinqertët dhe ata që janë afër Teje.

O Zot, na e mundëso të arrijmë hënën e Ramazanit me siguri dhe besim, me paqe dhe nënshtrim ndaj Teje, të pastër ne hipokrizia, sy faqësija  dhe morali i keq.   

O Zot, na ndihmo të ruajmë lidhjet farefisnore, të agjërojmë dhe të falim namaz nate në Ramazan.

O Zot, ne mundëso të arrimë Ramazanin me të burgosur të liruar  dhe me këtë shqetësim të popullit tonë të larguar.

O Zot, shpëto qafat tona nga Xhehenemi, shpëto qafat e popullit tonë nga padrejtësia e zullumqarëve dhe nga zhgënjimi i mashtruesve.

O Zot, bëje këtë Ramazan një muaj faljeje dhe shpëtimi për popullin tonë në Gaza, për popullin tonë kudo që ndodhet, dhe për muslimanët kudo që janë dhe ndodhen.

O Zot, na jep forcë për të udhëtuar në xhaminë e Aksasë, bëje Xhaminë Aksa të sigurt me sigurinë Tënde, të fuqishme me Fuqinë Tënde dhe triumfuese me fitoren Tënde të qartë.

O Zot, largo nga ne fatkeqësitë në të cilat ndodhemi, zbrit mbi ne mëshirë, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo  fenë tonë dhe jepi asaj pozitë në tokë, o i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.

O Zot, na fal ne, baballarët dhe nënat tona, gratë tona, djemtë dhe vajzat tona, vëllezërit dhe motrat tona, familjet tona dhe fqinjët tanë të drejtë.

O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun,  Ai ju kujton ju, Falënderojeni Atë që të jua shtojë të mirat, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën, kërkoni prej Tij sepse Ai ju jep.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“ Dhe fale namazin! Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/294805716773313

Post Author: endrit