Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 07-04-1448 H 18-09-2026 D
Shejh Halid Ebu Xhumua
Tema Tradhtia dhe padrejtësia, ndëshkimi i tyre
Lavdërimet janë për Zotin, Dhuruesin dhe Bujarin e Madh. Mirësitë e Tij zbresin mbi krijesat dhe begatitë e Tij arrijnë te robërit e Tij. Atë e lavdërojmë dhe e falënderojmë, Atë e madhërojmë dhe nuk e mohojmë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Ai është i Urtë në veprat e Tij, i Butë në shtyrjen e dënimit, i Plotfuqishëm në hakmarrjen e Tij dhe i shpejtë në ndëshkim. Askush nuk ka fuqi përballë caktimit të Tij dhe krijesat nuk kanë mundësi të përballojnë dënimit të Tij. “Se Ai i ka shkatërruar fiset e lashta Ad e Themud, duke mos lënë askënd prej tyre, (ka shkatërruar) popullin e Nuhut më parë, sepse qe më i padrejtë dhe më rebel, dhe (ka zhdukur) qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i pllakosi ajo që i mbuloi?! Atëherë, në çfarë mirësie të Zotit tënd dyshon ti (o njeri)?” (En-Nexhm 50-55)
Dëshmoj se i dashuri, drita e syve tanë dhe gëzimi i zemrave tona, zotëria ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti i Lartësuar ngriti pozitën e tij, lartësoi emrin e tij në mbarë njerëzimin, bëri urdhrin e tij të dukshëm në tokë, ndërsa njerëzit hynin në fenë e tij grupe-grupe. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje më të nderuarin e krijesave, zotërinë tonë Muhamedin, familjen e tij, të gjithë shokët e tij dhe pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
Kini frikë Zotin e Lartësuar dhe binduni Atij: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102) Madhërojeni Zotin me zemrat, fjalët dhe veprat tuaja. Lidhini zemrat tuaja me Të, lëvizini gjuhët tuaja me përmendjen e Tij dhe angazhoni trupat tuaj në bindje ndaj Tij. Ai është i Madhi që duhet madhëruar, i Fuqishmi që nuk mund të mposhtet. Dituria e Tij ka përfshirë të gjitha krijesat e Tij. Ai nuk i la pas dore pasi i krijoi, por i drejtoi, i furnizoi, u kujdes për ta, u dha jetë dhe ua mori jetën, dhe tek Ai do të kthehen të gjitha krijesat: “Në të vërtetë, kthimi është te Zoti yt!” (El-‘Alak 8)
Adhurues të Allahut! Zoti i Madhëruar na ka treguar prej fuqisë së Tij mbi individët, popujt, grupet dhe shtetet gjëra që mahnitin mendjet dhe i bëjnë zemrat të dridhen nga frika prej Tij, madhërimi dhe respekti për të Madhërishmin. Zoti ka thënë: “Betohem për Zotin e lindjeve dhe të perëndimeve, që Ne jemi të Zotë t’i ndërrojmë ata me njerëz më të mirë se ata dhe askush nuk na pengon.” (El-Me’arixh 40-41)
O ju të lidhur me këtë vend! Jeta, historia, e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është shkollë e plotë. Po, historia e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, konsiderohet shkollë e plotë, metodë e qartë dhe rrugë e drejtë, për shkak të qëndrimeve të tij fisnike, dobive të çmuara, mësimeve dhe këshillave që ajo përmban.
Kjo tregon dhembshurinë dhe mëshirën që i dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishte ndaj besimtarëve, dhe ajo që ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kishte nga zgjuarsia dhe urtësia në menaxhimin e çështjeve të muslimanëve. Kjo është qartësisht e dukshme në udhëzimin e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe në qytetërimin Islam, i cili shfaqet në shumë aspekte dhe prej të cilit marrim mësime dhe këshilla.
Lajmet e transmetuara në historinë e dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na tregojnë se ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në vitin e çlirimit të Mekes, priti një grup muslimanësh që ishin kthyer pas emigrimit të tyre nga Abisinia, ku kishin shkuar për t’i shpëtuar dëmit dhe dhunës së jobesimtarëve në atë kohë. Ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u ul me ta, i pyeti për gjendjen e tyre dhe dëshironte të dëgjonte për gjërat e çuditshme që kishin parë në tokën e Abisinisë. Ky është transmetimi, nga Xhabiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: Kur emigrantët e detit u kthyen te i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ai u tha: “A nuk do të më tregoni për gjërat e çuditshme që keni parë në tokën e Abisinisë?” Ata thanë: “Po, o i dërguari i Zotit! Ndërsa ishim ulur, pranë nesh kaloi një e moshuar prej të moshuarave të murgjve të tyre, e cila mbante mbi kokë një enë me ujë. Ajo kaloi pranë një të riu prej tyre, i cili vendosi njërën dorë ndërmjet shpatullave të saj dhe e shtyu. Ajo ra në gjunjë dhe ena me ujë iu thye. Kur u ngrit, u kthye nga ai dhe i tha: ‘Do ta mësosh, o tradhtar’, në një transmetim tjetër: ‘o mashtrues’, ‘kur Zoti ta vendosë Fronin, t’i mbledhë të parët dhe të fundit dhe duart e këmbët të dëshmojnë për atë që kanë bërë. Atëherë do ta mësosh se si do të jetë çështja ime dhe çështja jote para Tij nesër.’” Atëherë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Ka thënë të vërtetën, ka thënë të vërtetën, pasha Zotin! Si mund ta shenjtërojë Zoti një popull ku të dobëtit midis tyre nuk janë të mbrojtur nga të fortët e tyre?” Në një transmetim tjetër: “…nga të fuqishmit midis tyre.”
O muslimanë! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i donte tregimet që preknin zemrën dhe ngjarjet e rralla e të çuditshme. Prandaj pyeti disa të rinjtë që po ktheheshin nga toka e Abisinisë për gjërat e jashtëzakonshme që kishin parë në atë vend të largët. Ai i pyeti: “A nuk do të më tregoni për gjërat e çuditshme?” Fjala “çuditshme” këtu nënkupton atë që është më e habitshme dhe më e pazakontë. Kjo ishte një histori ku ai që e tregoi e kishte parë me sytë e tij. Por se ajo kishte mbetur e gjallë në kujtesën e tij, sa e tregoi sikur skena të ishte ende para syve, një pamje e gjallë me gjithë zhurmën e saj, lëvizja e të riut të pamatur që përzihej me rënkimin e një gruaje të moshuar e të dobët, e cila kishte rënë në gjunjë. E sa nga të moshuarit kanë rënë në gjunjë?!
O ju të lidhur me këtë vend! Emigrimi në tokën e Abisinisë ishte emigrimi i parë që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, urdhëroi, për të shpëtuar besimtarët nga torturat dhe keqtrajtimet e jobesimtarëve dhe për të ruajtur jetën e tyre. Ata shkuan në tokën e Abisinisë, nën mbrojtjen e një mbreti, pranë të cilit askujt nuk i bëhej padrejtësi, Nexhashiut.
Prandaj shikojmë se qëndrimi i të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndaj padrejtësisë dhe tradhtisë ishte i qartë dhe në rastin e asaj gruaje të moshuar. Ai paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e konsideroi një sjellje të tillë prej veprave të rënda që sjellin zemërimin e Zotit në këtë botë para botës Tjetër, Ahiretit. Përgjigjja e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte e prerë: “Si mund ta shenjtërojë Zoti një popull ku të dobëtit midis tyre nuk janë të mbrojtur nga të fortët e tyre?”
Kjo është një pyetje mohuese dhe shprehje habie. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Më tregoni” e ky mesazh u drejtohej atyre, neve dhe çdo kohë, Si mund ta pastrojë Zoti një popull që nuk e mbron të dobëtin e të pafuqishmin nga i forti, agresori dhe zullumqari?!
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e mohoi pastërtinë dhe shenjtërinë e një populli që toleron zullumqarin dhe tradhtarin dhe nuk e mbron të dobëtin. Kjo ishte dhe një vërtetim nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i fjalëve të asaj gruaje të moshuar. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sqaroi se padrejtësia ka pasoja të rënda mbi individët dhe shoqëritë në këtë botë, siç u përmend, përpara botës Tjetër, Ahiretit.
Ajo ngjarje në tokën e Abisinisë nuk ishte thjesht një incident kalimtar, por se ishte shumë më e rrezikshme dhe me ndikim shumë më të madh, sa që i riu e tregoi sikur se e kishte parë. Ajo është çështje që lidhet me përbuzjen ndaj të dobëtit, me cenimin e pasurisë, me shkeljen e nderit dhe të të drejtave, si dhe me besimin e patundur në drejtësinë hyjnore. E mbi të gjitha ajo është çështje të lidhet me padrejtësinë, agresionin dhe tradhtinë.
Zullumqarët, tiranët, të padrejtët dhe tradhtarët mallkohen nga ata që janë në qiej dhe në tokë, madje i mallkojnë të gjitha krijesat dhe gjallesat, deri dhe peshqit në dete dhe zogjtë në foletë e tyre. Kur ata vdesin, prej tyre çlirohen robërit dhe vendet.
Adhurues të Allahut! Tradhtia është një moral i shëmtuar, tradhtia është cilësi e frikacakëve, cilësi e atyre që e kanë harruar botën e përtejme, Ahiretin, dhe Ditën e Llogarisë. Ajo është cilësi e atyre që kanë tejkaluar kufijtë në tokë, kanë shkatërruar njerëzit dhe kanë përhapur korrupsionin. Cilësi e atyre që, kur marrin pushtet, përpiqen të përhapin shkatërrimin në tokë dhe të shkatërrojnë të mbjellat dhe pasardhësit.
Ajo e moshuar nuk gjeti askënd që ta mbronte dhe nuk kishte asnjë fuqi fizike për të mbrojtur veten. Por se ajo kishte besim të palëkundur, të fortë si malet, dhe shpirt të lartë e krenar. Ajo u ngrit me dinjitet dhe krenari, u përball me guxim, u kthye nga tradhtari dhe agresori dhe i tha tradhtarit e zullumqarit me plot siguri e qëndrueshmëri, me një shprehje të tregon vendosmëri dhe krenari: “Do ta mësosh se si do të jetë çështja ime dhe çështja jote para Zotit nesër!”
Pastaj vazhdoi rrugën e saj, duke lënë pas një shuplakë të fortë për tradhtarin zullumqar dhe për çdo tradhtar e zullumqar, e bindur se padrejtësia ka një përfundim të keq, dhe nëse zullumqari i shpëton dënimit në këtë botë, fatkeqësitë dhe mallkimet do ta ndjekin dhe do ta rrethojnë Ditën e Gjykimit: “Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjë dobi shfajësimi i tyre. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i keq.” (Gafir 52)
O ti tradhtar! Ti ke hipur në anijen e shkatërrimit e do të pendohesh por pendimi nuk do të të bëjë dobi. Përfundimi yt është i keq, sepse tradhtia është padrejtësi, ndërsa padrejtësia është errësirë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim 42)
O tradhtar! Do e mësosh se si do të jetë gjendja jote dhe gjendja e popullit që tradhtove. O tradhtar! Do e mësosh se si do të jetë gjendja jote dhe gjendja e të pafajshmëve që i ke shtypur. Do e mësosh se si do të jetë gjendja jote dhe gjendja e të pastrehëve e të dëbuarve që ke shpërngulur. O tradhtar! Do e mësosh se si do të jetë gjendja jote dhe gjendja e atyre të cilëve ua ke marrë pasuritë, gjendja jote dhe gjendja e atyre që i ke terrorizuar.
Kujto, dhe pse nuk dëgjon, se kur Zoti i Plotëfuqishëm ta vendosë Kursinë, Fronin e Tij, të mbledhë të parët dhe të fundit, duart e këmbët të dëshmojnë, Ai do të të thërrasë, dhe do të të thërrasë, para të gjithë krijesave: “O tradhtar! Pse tradhtove?”
Nga Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Në ditën e Gjykimit, Zoti do t’i ngrejë tradhtarit një flamur dhe do të thuhet: ‘Ja, kjo është tradhtia e filanit.”
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, Atij lutuni dhe tek Ai kërkoni falje, fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, tek Ai kërkoni falje.
Hutbeja e dytë
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi më të nderuarin e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Në vijim
Nga faktorët e qëndrueshmërisë dhe rrënjosjes në qytetin e shenjtë është vakëfi Islam i lashtë. Vakëf është muri i Kudsit, rrethimi dhe mburoja e tij e pathyeshme. Ai është nga krenaritë e Islamit dhe shtyllë themelore e këtij dini. Është sistem i lashtë qytetërues dhe historik, i cili ka formësuar identitetin islam përmes sistemit të tij shoqëror, ekonomik, intelektual dhe kulturor për umetin Islam përgjatë shekujve.
Vakëfi synon të ruajë pasuritë e paluajtshme dhe pronat, duke i mbajtur ato të paprekshme. Ai ruan shenjtërinë e tokës, sepse është trashëgimi e gjyshërve dhe e etërve tanë, në zbatim të sunetit të profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë që ata të kenë shpërblim dhe ata që vijnë pas tyre të kenë dobi. Kështu, ata ndërtuan shkolla, hapën puse, mbollën pemë, korrën frutat e tyre, ndërtuan shtëpi e banesa dhe ngritën për hatrin e Zotit xhami, vende adhurimi, teqe, zavije dhe biblioteka.
Ky është vakëfi. Rëndësia e vakëfit në qytetin e Kudsit shfaqet në faktin se ai është mbrojtësi dhe kujdestari i këtij qyteti të shenjtë dhe i xhamisë së shenjtë të Aksasë. Ai garanton vazhdimësinë e mirëmbajtjes dhe kujdesit, ruan identitetin Islam dhe praninë Islame në qytetin tonë të shenjtë. Bazuar në sa u tha më sipër, sipas dispozitës fetare dhe ligjore, pronësia themelore e tokave vakëf nuk shitet, nuk dhurohet dhe nuk trashëgohet, shitja e tyre, heqja dorë prej tyre dhe cenimi i tyre janë të ndaluara.
Këtë ua them atyre që kanë devijuar dhe që e kanë konsideruar të lejueshme grabitjen dhe cenimin e vakëfit, ata kanë ndryshuar dhe deformuar, kanë shtrembëruar dhe rrethuar me gardhe, kanë shkuar deri aty sa ta shesin dhe ta shkatërrojnë. Ndërsa disa të tjerë e kanë fshehur faktin se është vakëf dhe kanë shkelur shenjtërinë e tij, pa u shqetësuar dhe pa u ndikuar nga tekstet fetare që e ndalojnë këtë krim të madh dhe këtë gjynah të rëndë.
Prandaj, ua kujtoj fjalën e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Kush merr padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, do të fundoset për shkak të saj Ditën e Kiametit deri në shtatë tokë, thellësi.”
I lutemi Zotit të Madhëruar të na ndihmojë në ruajtjen e vakëfit dhe të amanetit që Ai na e ka besuar, dhe të na marrë pranë Vetes duke qenë të palëkundur në këtë qëllim, pa u sprovuar dhe pa ndryshuar.
O Zoti ynë, na i fal gjynahet tona dhe teprimin tonë në çështjet tona, na i forco këmbët dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar. O Zoti ynë, mos na lër asnjë gjynah pa e falur, asnjë brengë pa e lehtësuar dhe asnjë borxh pa e shlyer.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa dhe ata që qëndrojnë të vendosur në të. O Zot, bëji ata nën kujdesin dhe mbrojtjen Tënde. O Zot, ruaj me ruajtjen Tënde dhe vendosi nën mbrojtjen e sigurinë Tënde.
Ti që fton për në namaz, fto në namaz!
“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj