Hytbe e Qabes 25-07-1441 H, 20-03- 2020
Shejh Usameh Khajat Tema: Allahu sjell lehtësimin.
Falenderimi i takon Allahut. Ai e heq brengën, largon belanë dhe dhuron mirësi. E falenderoj të Lartin për rehatinë që na jep dhe për vështirësinë.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Allahut i vetëm e i pashoq. Tek Ai drejtohemi për largimin e çdo dëmi e çdo të keqeje.
Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, më i miri i njerëzve të pastër e të devotshëm.
O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen e tij të pastër e të mirë, shokët e tij prijës të dalluar, sa të jetë qielli dhe toka.
Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut! “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El Bekare; 281).
O Muslimanë, ditët dhe netët pasojnë njëra-tjetrën e i sjellin njeriut gjendje të ndryshme; rënie në vështirësi e në fatkeqësi të mbushura me strese e brenga të cilat e pushtojnë njeriun duke i bërë keq në veten e tij, në fëmijën e tij, në trupin e tij, në shëndetin e tij, në nderin e tij, në pasurinë e tij, dhe në vatanin e tij. Të gjitha këto ia ngushtojnë kraharorin dhe ai kërkon shpëtim prej tyre. Ai kujton fjalën e Allahut të lartësuar:
“Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përveç Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi, dije se vetëm Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (El En`am; 17).
Fjalën e Allahut të plotfuqishëm:
“Thuaju: Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur i luteni Atij haptazi dhe fshehurazi (duke thënë): Nëse Ai na shpëton prej këtyre (rreziqeve), vërtet do të bëhemi mirënjohës. Thuaj: Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij” El En`am; 63,64).
Atëherë binden plotësisht se vetëm Allahu i shpëton prej çdo rreziku, i largon çdo gjë që i dëmton dhe ai është ndihmëtari i çdo nevojtari. Kështu njeriu i drejtohet Zotit me lutje, me përgjërim, me sinqeritet, me drojë, me përulësi, me këmbëngulje, duke u kujdesur për kohët e pranimit të lutjes, duke qenë i bindur se Allahu do ti përgjigjet thirrjes së tij e duke zbatuar njëkohësisht fjalën e Allahut:
“Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” (Gafir; 60).
Me këtë ai shpreson që Allahu ta shpëtojë prej fatkeqësisë, ti largojë brengën e ti heqë stresin. Robi në këtë rast i drejtohet Allahut ashtu sikurse i drejtohej Profeti (salallahu alejhi ue selem) me lutje gjithëpërfshirëse. Në hadithin që përcjell Tirmidhiu në Sunenin e tij me zinxhir të mirë prej Enes ibn Malik se ka thënë: – Të Dërguarin e Allahut, kur e preokuponte diçka thoshte: “O i Gjallë e i Përjetshëm! O Mbajtësi i Gjithçkaje! Me mëshirën Tënde të kërkoj ndihmë!”
Në Sahihun e imam Buhariut (Allahu e mëshiroftë) nga Abdullah ibn Abas r.a se i Dërguari i Allahut në raste mundimi e sprove thoshte: – “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Madhërishmit, Dhuruesit. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Zotit të Fronit madhështor! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, Zotit të shtatë qiejve, Zotit të tokës, Zotit të Fronit fisnik!”
Prej fatkeqësive mund të shpëtosh duke thënë lutjen e profetit të Allahut Junus a.s kur ishte në barkun e balenës. Hakimi, Allahu e mëshiroftë, në Mustedrak me zinxhir të saktë përcjell prej Sa`d ibn Ebi Uekas r.a se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: – “Lutja e Dhenunit me të cilën u lut kur ishte në barkun e balenës: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përpos Teje, I lartë e pa të meta je Ti, e unë jam prej zulllumqarëve.”
Çdo musliman sa herë që lutet me këtë lutje Allahu i përgjigjet lutjes së tij. Këtë e vërteton fjala e Allahut a.xh. ku thotë: “Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija; 88).
Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) kur gjendej në vështirësi nxitonte të falte namaz. Në Sunenin e Ebu Daudit me zinxhir të mirë, prej Hudhejfe ibnul Jeman r.a transmetohet se profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) kur e preokuponte diçka niste të falte namaz. Do të thotë që kur kishte diçka të rëndësishme, stres apo brengë niste të falej sepse namazi, siç kanë thënë dijetarët është kështjella e muslimanit, vendi në të cilin ai strehohet, nyja e fortë për të cilën kapet, litari i shtrirë mes tij e Zotit, ushqimi i shpirtit, balsami i plagëve, ilaçi i vetvetes, ndihmë për të vobektin, siguri për të frikësuarin, forcë për të dobëtin dhe armë për të pambrojturin.
Një prej gjërave më të mëdha që e largojnë brengën dhe vështirësinë gjatë belave është besimi në Allahun e Madhërishëm, nxitimi për të fituar kënaqësinë e Tij, kthimi i fortë tek Ai, mbështetja e vërtetë tek Ai dhe siguria e plotë në Të. Gjithashtu besimi në të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selem) me zbatimin e traditës së tij, me ecjen në gjurmët e tij, duke i dhënë përparësi dashurisë për të ndaj dashurisë së vetes, fëmijës, prindit dhe çdo njeriu tjetër. Gjithashtu lutjet e shumta me këmbëngulje, kërkimi i faljes, sadekaja, leximi i kuranit, pendimi, përsëritja e fjalëve: Me emrin e Allahut mbrohem prej gjithçkaje, emër ky me të cilin nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë e në qiell. Ai është Dëgjuesi i gjithçkaje dhe i Gjithëdituri. Ebu Daudi dhe Tirmidhi me zinxhir të saktë përcillet se i Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush thotë në mbrëmje: Me emrin e Allahut mbrohem prej gjithçkaje, emër ky me të cilin nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë e në qiell. Ai është Dëgjuesi i gjithçkaje dhe i Gjithëdituri. Nuk do ta dëmtojë asgjë derisa të agojë. E kush thotë në mëngjes: Me emrin e Allahut mbrohem prej gjithçkaje, emër ky me të cilin nuk mund të bëjë dëm asgjë në tokë e në qiell. Ai është Dëgjuesi i gjithçkaje dhe i Gjithëdituri. Nuk do ta dëmtojë asgjë deri në mbrëmje.” Të kujdesemi ta themi këtë lutje mëngjes e mbrëmje.
Është detyrë zbatimi i të gjitha masave mbrojtëse të marra prej sektorëve përgjegjës. Gjithashtu është detyrë bashkëpunimi me to bazuar në parimin e bashkëpunimit në të mira e në devotshmëri dhe në parimin e bindjes ndaj udhëheqësit për të realizuar qëllimet sheriatike (ligjore islame). Kjo konsiderohet dhe si marrje e masave mbrojtëse për të ruajtur jetën e njerëzve, për tu kujdesur e për tu ruajtur nga çdo sëmundje dhe për të shpëtuar ndaj çdo belaje. Në të gjitha këto i mbështetemi Krijuesit të tokës e të qiellit i cili ka thënë:
“Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.”(Junus 107)
Allahu na bëftë dobi me udhëzimet e Librit të Tij dhe me traditën e profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem).
Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut të Madhërishëm e të Lartë për vete, për ju e për të gjithë muslimanët ndaj çdo gjynahu. Ai është falës e mëshirues.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Nderimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi më të mirin e njerëzve, mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, mbi të gjithë shokët e tij, mbi tabi`inët dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.
O rob të Allahut, njeriu bëhet i fortë në kohë vështirësish e sprovash dhe arrin të largojë dallgën e dhembjes së fatkeqësisë me anë të shpresës në shpëtimin e afërt të Allahut dhe me anë të besimit të sigurtë në mëshirën dhe drejtësinë e Tij se Allahu është më i mëshirëshmi i mëshiruesve. Allahu është i mëshirshëm me robërit e tij e për këtë nuk i sjell vazhdimisht fatkeqësi apo shkatërrime të shumta por e pason vështirësinë me lehtësim, sprovën me mëshirë e mirësi. Allahu i madhërishëm thotë: “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!” (Inshirah; 5,6). Shihet se lehtësimi është përsëritur dy herë pas vështirësisë për të treguar se nuk mbizotëron vështirësia dy lehtësime. Sa herë që do të ketë vështirësi me të gjitha llojet e saj do dë gjesh pranë saj lehtësim që e largon fatkeqësinë, e qetëson zemrën, i mjekon plagët, të bën ti harrosh dhimbjet dhe i largon mërzitë. Sidomos kur besimtari në vështirësi e në bela i drejtohet Zotit të tij duke iu lutur që vështirësinë ta shdërrojë në begati, mërzitë dhe streset ti shdërrojë në shpëtim, në lehtësim e shëndet.
Kijeni frikë Allahun o rob të Allahut e të jeni të sigurtë se lehtësimi dhe shpëtimi do të vijë prej Allahut, Mëshirëplotit të Gjithëmëshirëshmit. Vështirësitë, sprovat dhe belatë s`janë gjë tjetër veçse një hap në rrugën e përmirësimit të situatave dhe një kapërcimi drejt një jete më të mirë e drejt përmbushjes së shpresave. Ata gjithashtu shërbejnë si spastrim, si asgjësim i veprave të këqija dhe ngritje në grada të besimtarëve.
Dërgoni vazhdimisht salavate e selame mbi më të mirin e krijesave të Allahut, për këtë urdhëroheni në librin e Allahut në të cilin Allahu i lartësuar thotë: Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah bekoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin. O Allah kënaqësia jote qoftë mbi prijësat e drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e profetit Tënd dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre, mbi bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve dhe mbi ata që zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! Ti je më i miri tolerues e më i miri falës.
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
Mbroje fenë, shkatërroi armiqtë e fesë dhe tërë tiranët e shkatërrimtarët. Bashkoji zemrat e muslimanëve, forcoi rradhët e tyre, përmirësoi udhëdheqësit e tyre dhuroi atyre unitet rreth të vërtetës o Zot i botëve.
O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë, luftëtarë e të sinqertë.
O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.
Ndihmoje në të vërtetetën prijësin dhe udhëheqësin tone. Mundësoji atij të ketë shpurë të vlefshme.
O Allah jepi sukses në atë që Ti do dhe kënaqesh o Dëgjues i lutjes.
Jepi sukses Atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është më e mira për islamin dhe muslimanët dhe jepi sukses në atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin! Tek ty është përfundimi ditën e Kthimit.
O Allah na dhuro devotshmëri në vetet tona, na i pastro se Ti je më i miri pastrues e tyre, ti je kujdestari i tyre dhe ndihmësi i vërtetë.
O Allah mos na largo mirësitë e tua, mos na e largo faljen tënde, na ruaj prej ndërshkimin të papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt.
O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!
O Allah, largo prej nesh çdo sëmundje, epidemi e bela, O Zot i botëve!
O Allah shëroi të sëmurët tanë, mëshiroi të vdekurit tanë, na i plotëso ëndrrat tona, na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira.
Zoti ynë ne i kemi bërë padrejtësi veteve tona e nëse ti nuk na fal e nuk na mëshiron do të jemi prej të humburve.
Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.
Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi profetin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, dhe mbi gjithë shokët e tij.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.