Hytbe e Qabes 29 Dhulhixhe 1440 h, 30-08-2019 D
Shejh Fejsal Xhemil Gazauij Tema: Askush nuk do të hyjë në xhenet me punën e tij.
Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se ska hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Sure Nisa, 1.)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)
Buhariu në sahihun e tij ka shënuar hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (Salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Asnjë prej jush nuk ka për të shpëtuar me punën e tij. Të pranishmit thanë: As edhe ti o i Dërguar i Allahut!? Ai tha: As unë, vetëm nëse më mbulon Allahu me mëshirën e Tij. Perfeksiononi ose afrojuni, synoni mëngjesin, pasditen, një pjesë të natës dhe mesataren, mesataren kështu do arrini.
Në një version tjetër ka thënë: Kjo fe është lehtësim. Kush mundohet ta shtrëngojë tërë fenë do të mundet prej saj. Perfeksiononi e afrojuni dhe përgëzohuni. Përfitoni prej kohës së mëngjesit të pasdites e diçka prej natës.
Gjithashtu ai transmeton prej Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i dërguari i Allahut (Salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Perfeksiononi e afrojuni dhe dijeni se asnjërin prej jush nuk mund ta fusë puna e tij në xhenet. Më të dashurat e punëve tek Allahu janë ato të vazhdueshmet edhe nëse janë të pakta.
Ky hadith është themel madhështor dhe rregull i rëndësishëm. Puna e njeriut sado të arrijë në madhështi, në bukuri e në perfeksion nuk mundet e vetme ti mundësojë atij futjen në xhenet e shpëtimit prej zjarrit. E tëra kjo arrihet vetëm me faljen e Allahut dhe mëshirën e Tij.
Fjala e Profetit (Salallahu alejhi ue selem) Askush nuk do të hyjë në xhenet me punën e tij dhe fjala e Allahut: “Hyni në Xhenet, si shpërblim për veprat që keni kryer!” (Nahl; 32) shpjegohen kështu: Hyrja në xhenet është me mëshirën e Allahut të lartësuar ndërsa ndarja e vendeve në të dhe dallimi i gradave do të jetë sipas punëve. Kush ka punuar më shumë e më bukur do ta ketë vendin në xhenet më lart. Gjithashtu duhet ditur se puna edhe pse është shkak për të hyrë në xhenet ajo është një mirësi prej Allahut dhe mëshirë prej Tij. Me kaq mund të themi se xheneti dhe punët janë mirësi prej Allahut dhe mëshirë ndaj robërve të Tij besimtarë. Për këtë banorët e xhenetit kur hyjnë në të do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu.” (EL Araf: 43). Pasi që pranuan se hyrja në xhenet dhe shkaqet e saj prej udhëzimit është mirësi e Allahut dhe kështu e falenderuan Atë, atëherë u shpërblyen; “Dhe një zë do t’i thërrasë: Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar” (EL Araf: 43) Puna këtu i bashkangjitet njerëzve dhe falënderohen për të.
Këtu mund të përmendim faktin që shumëfishimi i veprave të mira është dhuratë dhe bamirësi prej Allahut, ku një vepër të mirë e shpërblen sa për dhjetë pastaj e shumëfishon atë në shtatëqind fish e më shumë. Ndërsa njerëzit vazhdojnë të jenë debitorë, nevojtarë për faljen e Zotit të tyre. Të gjithë kanë gjynahe dhe kërkojnë që Allahu t`ia falë ato e që më pas ti nderojë me xhenetin për tek i cili i ka ftuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve).” (EL Bekare; 221). Nga sa u tha më sipër besimtari nuk duhet ti vështrojë fare veprat që bën e as të mbështetet në to sado të shumta e të arrira qofshin. Besimtari nuk duhet të mbështetet në veprat e mira e në adhurimet që bën dhe në pranimin e tyre sepse një gjë të tillë e di vetëm Allahu i madhërishëm. Le të vështrojë vetëm mirësitë e Allahut mbi të. Shokët e Muhamedit fisnikë (Kënaqësia e Allahut qoftë mbi ta) me gjithë vlerën e tyre, pararojën dhe garimin e tyre për të bërë vepra të mira nuk i shihnin vetvetet e tyre si diçka me vlera por gjithmonë i kërkonin Zotit të tyre mirëbërës mbi ta i Cili u mundësoi atyre kryerjen e veprave të mira duke i dhënë sukses në punët afruese me Të, kështu që tërë mirësinë e dhuruar ia dedikonin Atij. Ata arritën kulmin në këtë ndjesi saqë bënë bashkë përpjekjet e mëdha në realizimin e veprave të mira dhe frikën prej mos pranimit.
Nga Aishe transmetohet se ka thënë: O i Dërguar i Allahut në ajetin; “…dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre” a mos bëhet fjalë këtu për atë që vjedh, bën imoralitet, pinë alkol dhe ka frikë Allahun? Ai tha: Jo oj bija e Ebu Bekrit, oj bija e të sinqertit. Ky është ai që falet, që agjëron, që jep sadeka e i frikësohet Allahut. Transmeton Ahmedi.
Ky hadith shërben si nxitës në kryerjen e punëve të mira, shtimin e tyre me frikë dhe droje ndaj Allahut. Sahabet, (shokët e Muhamedit) më të mirët, bamirësit, njerëz të kulluar, frika prej përmbylljes së jetës me vepra jo të mira i linte edhe pa gjumë natën. Frika prej ndërshkimit kishte mbushur zemrat e tyre. Tronditja prej frikës së mospranimit të veprave i mundonte shumë.
Transmetohet se një person po qëndronte me Ibn Mes`udin (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe tha: Unë nuk dua të jem prej njerëzve të anës së djathtë në xhenet por dua të jem prej atyre të afërmëve. Abdullah ibn Mes`udi ia ktheu duke thënë: Mirëpo këtu një person do të dëshironte që kur të vdesë të mos ringjallej. Kishte për qëllim veten e tij.
Besimtari i vërtetë, o robër të Allahut derdh tërë mundin në punë dhe përpiqet të bëjë të mira, lodhet në realizimin e bindjes ndaj Allahut, por megjithatë nuk mahnitet me vetveten, nuk i ekspozon veprat e tij dhe nuk kërkon pozitë nderi për atë që ka vepruar sepse e di që këto mirësi janë prej Allahut. Ai i ka dhënë sukses, ndihmë dhe ka larguar të gjitha pengesat.
Ai duket sikur thotë: Pasha Allahun! Sikur të mos ishte Allahut ndihmësi ynë nuk do e kishim gjetur udhëzimin, nuk do kishim dhënë sadeka e nuk do falnim namaz.
Njeriu duhet të nxitojë të kryejë çdo vepër të mirë të ligjshme që mund ta bëjë e të mos nënçmojë asgjë prej mirësisë, se ku mund ta dijë, ndoshta një vepër e vogël e bërë me sinqeritet për Allahun bëhet shkak që Allahu ta falë me të e ta fusë në xhenet.
Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i Allahut (Salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Një person teksa udhëtonte e zuri etje e madhe. Ai gjeti një pus, zbriti në të dhe piu. Kur doli pa një qen që po lihte e po hante dheun prej etjes së madhe. Burri tha: Ky qen qenka po kaq i etur sa isha dhe unë. Atëherë zbriti në pus, mbushi opingën e tij me ujë e mbajti me gojën e tij u ngjit dhe i dha qenit të pijë. Allahu e falenderoi dhe e fali atë njeri. Njerëzit thanë o i dërguar i Allahut edhe për kafshët do të kemi shpërblim. Ai tha: Për çdo gjë të gjallë ka shpërblim. Mutefekun alejhi.
Në një version të Buhariut “Allahu e falënderoi, e fali dhe e futi atë në xhenet.”
Allahu e fali këtë njëri, e falenderoi për veprën e tij dhe e bërë shkak që ai të hyjë në xhenet.
Besimtari i cili kërkon të shpëtojë nga zjarri e të hyjë në xhenet duhet ta kërkojë diçka të tillë me shkaqet që të çojnë në arritjen e mëshirës së Allahut, faljes, kënaqësisë dhe dashurisë së Tij.
Allahu do ato punë të cilat njeriu i kryen në mënyrë të vazhdueshme edhe nëse është punë e pakët. Profeti (Salallahu alejhi ue selem) e ndalonte ndërprerjen e punës sikurse i tha Abdullah ibn Amr ibnil As: Mos u bëj si filani i cili falej natën mirëpo e la namazin e natës.
Allahu i do punët e përkryera, të ballancuar e të lehta e nuk i do ato që kryhen me stërmundim e me vështirësi.
Allahu ka thënë: “Allahu dëshiron për ju lehtësim e nuk dëshiron për ju vështirësi.” (El Bekare; 185).
I dërguari i Allahut (Salallahu alejhi ue selem) ka kritikuar ata që shprehën dëshirën të mos martoheshin e të tridheshin, të faleshin tërë natën, të agjëroni çdo ditë e të lexonin Kuranin për çdo natë.
Ai,tre personat që deshën të përdornin një metodikë adhurimi që binte ndesh me traditën e tij i udhëzoi dhe i ktheu në perfeksion e në mesatari, duke i thënë: Mirëpo unë agjëroj dhe rri pa agjëruar, falem gjatë natës dhe fle, gjithashtu martohem me gratë. Prandaj ai i cili largohet prej traditës time nuk është prej meje.
Ky është edhe kuptimi i fjalë së tij (Salallahu alejhi ue selem) “perfeksiononi dhe afrojuni” dmth përpiquni të veproni me përsosmëri që është mesatarja në adhurim pa teprim e pa pakësim, pa egzagjërim e pa mangësim.
Ndërsa fjala e të Dërguarit (Salallahu alejhi ue selem) “Afrojuni” pra mos e teproni në adhurim duke rraskapitur trupin tuaj e të përfundoni të bezdisur prej adhurimit pastaj të leni punën e kështu të bini në ekstremin e kundërt, lënjen mangët të veprës.
Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Duhet të dijmë se kënaqësia dhe dashuria e Allahut nuk arrihet vetëm duke ndërshkuar vetveten dhe ngarkimi i saj me vështirësi me mendimin se sa më e rëndë të jetë puna aq më e mirë është. Sikurse pandehin shumë prej injorantëve të paditur se gjoja shpërblimi është në bazë të masës së vështirësisë në çdo gjë. Jo, shpërblimi është në bazë të dobisë, interesit, përfitimit që vjen prej punës dhe në bazë të masës së bindshmërisë ndaj urdhërit të Allahut dhe të dërguarit të Tij. Puna e cila është më e mira dhe personi i cili e kryen atë është më i përpiktë në bindje ndaj Allahut dhe në pasimin e profetit ajo është më me vlerë. Sepse veprat nuk dallohen mes njëra-tjetrës me shtimin e sasisë por me atë që i ndodh zemrave gjatë tyre.
Fjala e profetit (Salallahu alejhi ue selem) në këtë hadith “përgëzohuni” do të thotë që nëse përsosni ia keni qëlluar, ose i jeni afruar të saktës dhe jeni treguar mesatar në adhurim pa teprim e pa mangësim atëherë përgëzohuni me shpërblim të madh e mirësi. Vihet re se përgëzimi këtu është i pakufizuar e kështu përfshin çdo mirësi në përgjithësi, dhunti madhështore dhe dhurim të panumërt në dunja e në ahiret.
Duhet ta dijmë o robër të Allahut se vlerat nuk vijnë për shkak të punëve të shumta trupore por vijnë kur ato kryhen me sinqeritet për Allahun, të sakta në përputhje me traditën profetike.
Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) nuk ja kanë kaluar atyre që erdhën më pas me namaz më shumë apo me agjërim më shumë por me pastërtinë e kraharorëve të tyre, me këshillë drejtuar umetit, me qëllimet e tyre të sinqerta, me lidhjen e fortë që kishin zemrat e tyre me botën tjetër, synimi i botës tjetër dhe mos interesimi për dunjanë. Ata duke u shoqëruar me të Dërguarin (Salallahu alejhi ue selem) si besimtarë, e si luftëtarë me të arritën të fitojnë një besim e vendosmëri që nuk e arritën dot ata që erdhën më pas.
O Muslimanë! Njerëzit më të mirë janë ata që pasojnë rrugën e Profetit (Salallahu alejhi ue selem) dhe shokëve të tij të ngushtë në mesatarinë e adhurimeve trupore dhe në përpjekje për të rregulluar gjendjen e brendëshme. Udhëtimi për në botën tjetër kryhet me ecjen e zemrave e jo me ecjen e trupave.
Në këtë hadith janë paraqitur kohët e ecjes për tek Allahu i Lartësuar si pjesa e fundit e natës, pjesa e parë e ditës dhe pjesa e fundit e saj. Këtë nënkupton dhe fjala e tij (Salallahu alejhi ue selem) “Përfitoni prej kohës së mëngjesit të pasdites e diçka prej natës”. Këtë e ka përmenduar Allahu në librin e Tij: “Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje. Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe, natën falju gjatë Atij.” (Insan; 25,26)
Dy kohë, fillimi i ditës dhe fundi i saj takohen me to punë të detyrueshme e punë vullnetare. Puna e detyrueshme është namazi i sabahut dhe namazi i ikindisë e ato janë dy të ftohtat që kush kujdeset për to hyn në xhenet. Puna vullnetare është përmendja e Allahut pas namazit të sabahut derisa të lindë dielli e pas namazit të ikindisë derisa të perëndojë dielli. Koha e tretë, një pjesë e natës që ka për qëllim ecjen gjatë pjesës së fundit të natës. Qëllimi në hadith është puna në pjesën e fundit të natës që është edhe kohë e kërkimit të faljes siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “…dhe ata që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Al Imran; 17).
Vëllezërit e mi! “Nuk do të hyjë në xhenet askush me punën e tij” ky hadith nuk tregon se veprat nuk bëjnë dobi apo që njeriu të braktisë adhurimin. Jo sepse puna duhet patjetër. Ajo ka interes të madh. Puna është shenjë që tregon prezencën e mëshirës e cila e çon vepruesin në xhenet. Qëllimi është ky; të punoni e të kini si synim të veproni me saktësi duke ndjekur rrugën profetike e duke qenë të sinqertë ndaj Allahut me qëllim që puna juaj të pranohet e të zbresë mbi ju mëshirën e Tij. Vepra është e kërkuar. Njeriu nuk duhet ta ndërpresë atë derisa të jetë gjallë. Sa më shumë i shton njeriu veprat e mirë aq më shumë shtohet mirësia e tij, perfeksioni dhe gradat tek Allahu. Vetëm se me gjithë këto nuk duhet të mbështetet tek veprat e tij për të hyrë në xhenet. Hadithi tregon se shkaku i vetëm nuk do të thotë domosdo se do të ndodhë pasoja. Nëse shiu bie e fara është hedhur në tokë kjo nuk do të thotë se mjafton për daljen e bimës nga toka por duhet ajri, dheu, largimi i faktorëve dëmtues të saj. Duhet patjetër të përbushen kushtet e të mënjanohe pengesat. Të gjitha këto ndodhin me vendimin dhe përcaktimin e Allahut. Kështu edhe çështja e botës tjetër, njeriu nuk e fiton lumturinë vetëm me veprat e tij. Vepra është vetëm shkak dhe njeriu bashkë me veprën e tij ka nevojë për mëshirën e Allahut dhe mirësinë e Tij për të hyrë në xhenet. Puna e mirë sado e madhe të jetë nuk mund ta shpëtojë e vetme robin e ta çojë atë në xhenet apo ta shpëtojë prej zjarrit.
Në përsëritjen e fjalëve të Profetit (Salallahu alejhi ue selem) “…dhe mesataren, mesataren kështu do arrini” është tregues i rëndësisë së vazhdimësisë në vepra. Ecja e shpejtë dhe përpjekja e madhe të bëjnë të mendosh se do ketë mërzitje dhe ndërprerje të punës ndërsa mesatarizmi është më pranë vazhdimësisë.
Me këto fjalë e mbyll duke i kërkuar falje Allahut për vete e për ju. Kërkojini falje Atij se Ai është Falësi Mëshiruesi.
Hutbeja e Dyte
Falenderimi i takon Allahut që na udhëzoi në islam, na bëri pjesë e popullit të zotërisë së njerëzimit mbi të qofshin salavatet më të mira e përshëndetjet më të pastra.
Dëshmoj se ska hyjni që meriton të adhurohet përpos Allahut, i vetëm e i pashoq.
Dëshmoj se i nderuari ynë, profeti ynë Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, e përcolli mesazhin, e kreu amanetin, e këshilloi umetit e la atë në bardhësi të plotë ku nata për të është tamam si dita dhe prej saj devijon vetëm një i mbaruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
O besimtar, rruga për tek Allahu është ndjekja e rrugës së tij të drejtë për të cilën Allahu ka sjellë të dërguarin e Tij, ka zbritur Librin e Tij dhe të gjitha krijesat i ka urdhëruar të zgjedhin këtë rrugë e të ecin në të.
Kreu i kësaj rruge e dërgon besimtarin tek Zoti i tij. Ai i cili nuk e di rrugën për tek Zoti i tij humbet dhe del prej xhadesë.
Arritja tek Allahu është dy llojëshe, njëra në dynja e tjetra në ahiret.
Arritja tek Allahu në këtë jetë nënkupton zemrat që arrijnë ta njohin Atë. Zemrat nëse e njohin Allahun e duan, gjejnë prehje tek Ai, e ndjenë se e kanë pranë e që u përgjigjet lutjeve.
Ndërsa arritja në botën tjetër nënkupton hyrjen në xhenet që është vendbanimi i bujarisë së Allahut ndaj miqve të Tij me pozita të ndryshme.
Në këtë ecje të njerëzve për tek Zoti i tyre duhet të vemë në dukje atë çka e asgjëson veprën dhe e bën si pluhuri i shpërndarë. Pra të kenë njeriu shumë vepra përmes të cilave shpreson të fitojë mirësi mirëpo i shkojnë kot.
Allahu ka thënë: “Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.” (Furkan; 23)
Ose njeriu bën ndonjë gjynah nuk e përfill atë mirëpo bëhet ai gjynah shkak i shkatërrimit të tij.
Allahu i madhërishëm ka thënë: “Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.” (Nur; 15)
Më keq se kaq është personi të cilit vepra e keqe i zbukurohet dhe e pandeh si të mirë.
Allahu i madhërishëm thotë: Thuaj: “A doni t’ju lajmëroj për ata që, më së shumti, humbasin nga punët e veta, për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?” (Kehf; 103,104).
Ose kur personi ka bërë punë të mira porse ka mbi vete zullume ndaj të tjerëve. Punët e tij të mira i ndajnë mes njëri-tjetrit njerëzit që ai u ka bërë zullume. E pasi që nuk e kanë marrë tërë atë që meritojnë nisin e hedhin mbi të veprat e tyre të këqija e më pas ky person hidhet në zjarr.
Në ecjen për tek Allahu çështje e rëndësishme është fakti se si mbyllen dhe vulosen veprat në këtë jetë. Prandaj besimtari duhet të kujdeset që ti kërkojë Zotit të tij mbyllje të mirë në këtë jetë e të kërkojë prej tij mbrojtje nga mbyllja e keqe. Ti lutet Atij që ta bëjë të qëndrueshëm në fe deri në vdekje.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Al Imran; 102).
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Ruajeni islamin kur jeni mirë me shëndet që të vdisni me të sepse fisniku e vazhdon zakonin e tij prej fisniku dhe se një person me atë që jeton me atë do të vdesë e ai i cili vdes me diçka po me atë do të ringjallet. Allahut i lutemi të vdesim ndryshe.
O musliman duhet të pregatitemi për atë që kemi përpara, të shohim se sa ka kaluar prej jetës sonë, e të marim në llogari vetveten që tani përpara se të na befasojë vdekja.
Fudejl Ibn Ijadi i tha një burri: Sa vjeç je? Ai tha: Gjashtëdhjetë vjeç. I tha: Ti që prej gjashtëdhjetë vitesh ecën për tek Zoti yt ndoshta për pak arrin. Personi tha: O Ebu Ali, të Allahut jemi e te Ai do kthehemi.
Fudejli it ha: A e di çka po thua? Personi tha: Unë thashë; të Allahut jemi e te Ai do kthehemi. Fudejli i tha: A e di kuptimin e kësaj? Personi tha: Na e shpjego o Ebu Ali. Ai tha: Fjala jote; Të Allahut jemi, po thua se unë jam rob i Allahut dhe unë tek ai do kthehem. E ai i cili e di se është rob i Allahut e se tek Ai do të kthehet le ta dijë se ai do të ndalet, e ai i cili e di se do të qëndrohet le ta dijë se do të meret në pyetje, e ai i cili e di që do të pyetet atëherë le të pregatisë për pyetjet përgjigje. Personi tha: A kam zgjidhje? Ai tha: E lehtë. Burri tha: Cila është ajo? Ai tha: Të punosh mirë në atë që të ka mbetur prej moshës e Allahu ta fal të kaluarën por nëse ti punon keq në atë që të ka mbetur do të merresh në përgjegjësi për atë që të ka mbetur e për të kaluarën gjithashtu.
Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë ka thënë: Vërtetësia e gadishmërisë për takimin është çelësi i gjithë punëve të mira, e gjendjeve të besimit, dhe pozitave të njerëzve që ecin për tek Allahu si; të qenurit aktiv, pendesa, rikthimi, dashuria, shpresa, frika, mirëbesimi, dorëzimi e të tjera vepra të zemrës e të gjymtyrëve.
Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi mëshirën e dhuruar e mbi mirësinë e dhënë, mbi atë që u dërgua me fenë e pastër e tolerante. Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah përmende lart Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke përmendur lart familjen e Ibrahimit.
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah forcoje islamin dhe muslimanët, poshtëroje mohimin dhe mohuesit. Ndihmoji robërit e tu monoteistë, shkatërroi armiqtë e Tu armiqt e fesë.
O Allah ata që kanë qëllim ti bëjnë keq vendeve tona angazhojë me problem në vetet e tyre, kurthet e tyre hidhi mbi ta dhe planet keqdashëse bëji shkatërrim të tyre o Dëgjues i lutjes!
O Allah ruaje vendin e Dy të Shenjtave dhe të shenjtat e muslimanëve prej çdo keqbërësi dhe shkatërrimtari, prej çdo poshtri e çdo armiku.
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë, me pasuri e bollëk dhe tërë vendet muslimane!
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona
Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjallë e Kujdestar
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë.
O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës o Zot i gjithë botëve.
Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve.