Fatimja, Lulja e Profetit alejhi selam – Halid el’Gamidi -Hytbeja e Mekës 14.Dhul Ka’deh.1439 – 27.07.2018

Hytbeja e Mekës 14.Dhul Ka’deh.1439

 

Halid el’Gamidi

Fatimja, lulja e profetit alejhi selam

 

Falënderimet qofshin për Allahun, i Cili e përzgjodhi këtë Umet, duke e bërë umetin më të mirë, e begatoi me mirësi aq të shumta, sa nuk mund të numërohen!

Në mesin e këtyre mirësive është dhe dërgimi i lajmëtarëve e dijetarëve të shumtë, të cilët të udhëzojnë në kohë të turbullta. Atë e falënderoj dhe e madhëroj, çdo mirësi Atij ia dedikoj! Dëshmoj se nuk Zot tjetër veç Allahut Një e i Vetëm dhe i pashoq, Bujari i Cili zbriti çdo mirësi e begati. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Zotit, ai ishte miku dhe Profeti i zgjedhur, të drejtën e tha, me të punoi dhe vuri drejtësi.

Përshëndetjet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij fisnike, mbi shokët e tij që ishin zotërinj të vërtetë dhe mbi mbarë ata që e ndjekin dhe e pasojnë rrugën e tij në mënyrë të vazhdueshme.

Kini frikë Zotin, o ju njerëz dhe jini vazhdimisht, të vetëdijshëm për madhështinë e Zotit, dijeni se Ai është më afër me ju se damari që rreh në qafën tuaj, asgjë nuk është e pamundur për Zotin, Atë nuk mund ta shmangësh edhe nëse ia mbath!

“Kush i frikësohet Allahut, Ai ia lehtëson atij problemet.”

Të nderuar myslimanë! Edukimi i shoqërisë me baza dhe morale të shëndosha, nëpërmjet ndjekjes dhe pasimit të shembujve ideal dhe ndikues, në jetë, në ligjërim dhe praktikë, është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në ndërtimin e personalitetit Islam.

Të një identitetit që krenohet me besimin, historikun e saj, si dhe përkatësinë islame, një identitet që kemi nevojë më së shumti në këtë kohë.

Për të treguar rëndësinë e shembullit konkret, por edhe se ai është ndër faktorët kryesorë në edukim dhe ndërtim, Zoti e urdhëroi Profetin e Tij që të durojë, ashtu sikurse kishin duruar Profetët e përzgjedhur më parë.

Ndaj dhe i tha: “Dhe ndiqe rrugën e tyre!”.

Në Kuranin Famëlartë, Zoti na sjell një sërë shembujsh të këtyre njerëzve, si Profetët, besimtarët në kohë të faraonit, Llukmani robi i urtë i Zotit, Merjemja e bija e Imranit, vetë gruaja e Faraonit e shumë të tjerë…

Në mesin e gjithë këtyre shembujve, vihet re qartazi të qenit e Profetit Muhamed a.s, shembulli më konkret.

Allahu ka thënë: “Ju e keni shembullin më të mirë në të dërguarin tuaj”.

Profeti a.s është shembull ideal që nuk kufizohet me kohë e vend, ai është shembull në fjalët dhe veprat e tij, në historinë dhe moralin e tij, madje dhe në miratimet e tij.

Ky shembull konkret, u përcoll dhe tek pasardhësit dhe gratë e tij, sikurse përcillet në një hadith, urdhëresa që të biem në salavat mbi të dhe familjen e tij, duke u bërë kështu shembull për mbarë njerëzimin.

Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju gratë e Profetit! Ju nuk jeni si gratë e tjera.”.

Dhe thotë: “Allahu dëshiron që ta largojë të ligën prej jush, o familja e Profetit dhe t’ju pastrojë plotësisht!”.

Shembull ideal pasimi në mesin e familjes së Profetit a.s, është vajza e tij Fatimja, Zoti qoftë i kënaqur me të, me nënën e saj dhe bekimet e Tij qofshin për babain e saj!

Të flasësh rreth të qenurit shembull i patjetërsueshëm pasimi i Fatimes, është një bisedë e frytshme dhe me plot pozitë, të jep kënaqësi, dëlirësi, e motivim.

I kujton të hutuarit dhe të vetëmahniturit pas gjërave të shumta, sikur thotë: “Ja tek e keni shembullin e nderit dhe çiltërsisë.”

Ky është shembulli Profetik, i përzgjedhur nga Zoti për të qenë si një ujitje dhe freski që i kthen në jetë moralet në kohën e thatësirës së virtyteve.

Ajo është si një oazë në mesin e shkretëtirës, si një qëndresë e fortë në ditët e përçarjeve shpirtërore.

Zoti i lartësuar e përzgjodhi këtë zonjë të ndershme, duke e pajisur me dituri e sinqeritet që karakterizonin karakterin e saj në nder e nderim.

Ajo u edukua në shtëpinë profetike, u diplomua në shkollën e Profetit a.s, mësoi nga pishtari i shpalljes hyjnore, mësoi nga dituria e bashkëshortit të saj, Imam Aliut r.a, duke arritur kështu në gradë dhe pozita të larta.

Qëndrimet e saja i shënoi historia, si qëndrimet më fisnike dhe ndodhitë më të denja, në mënyrën sesi sillej me Zotin e saj, me babain dhe bashkëshortin e saj, si dhe me mbarë shoqërinë.

Ajo lindi pesë vite para se Profeti të shpallej Profet, ndërsa nëna e saj Hatixheja ishte gruaja më e dashur për Profetin a.s, ndërsa qëndrimet e saja janë të njohura.

Fatimja ishte vajza më e vogël e Profetit a.s ,por ishte dhe më e dashura për të, kjo sepse ajo u rrit shumë afër me Profetin a.s, jetoi pranë tij dhe përjetoi gjithë ndodhitë me të.

Ajo përjetoi bashkë me të vuajtjet dhe dhimbjet, duke ndarë me të dhe preokupimet në lidhje me davetin.

Idhujtarët e Mekës i hodhën plëncrat e devesë mbi qafën e Profetit kur ai ndodhej në sexhde pranë Qabesë, erdhi kjo zonjë që ishte e vogël në moshë, duke i flakur tutje këto papastërti.

LEXO  Shantazhi - Meka 04.10.2019

Në betejën e Uhudit, Profeti a.s u plagos në faqe, ndërsa gjaku nuk kish të ndalur, shkoi kjo zonjë dhe ia lau gjakun nga faqja derisa u ndal.

Në një tjetër rast, mushrikët e qëlluan Profetin me dhe, ndërsa Fatimja duke qarë shkoi t’ia shkundte kokën prej pluhurit, ndërsa Profeti e qetësonte duke i thënë: -Mos qaj oj bija ime, se Zoti do e ndihmojë babain tënd.

Diturinë e mori drejtpërsëdrejti nga goja e Profetit, duke u shënuar transmetimet e saja në librat e haditheve.

Sjelljen dhe edukatën e mori nga vetë Profeti a.s, kur njerëzit e shikonin kujtonin Profetin a.s, të cilit ia kish imituar dhe ecjen e tij.

Thotë Aisheja :” Nuk kam parë kënd që ti ngjajë Profetit në sjellje, qëndrim , ecje, në mënyrën se si ulej e ngrihej sikurse e bija Fatimja.

Ajo ishte bujare me të atin dhe e respektuar, kur e shikonte se po vinte, ngrihej dhe e priste, e përqafonte dhe e ulet përbri tij duke i thënë: -Mirë se vjen o bija ime.

Ai e kishte zakon që kur kthehej prej ndonjë udhëtimi, fillimisht shkonte dhe falej në xhami, më pas shkonte tek shtëpia e Fatimes, e takonte dhe lutej për të, e më pas shkonte dhe përshëndeste bashkëshortet e tij.

Rast që tregon dashurinë e Profetit për të, është dhe rasti kur Profeti e mbështolli atë, Aliun, Hasenin dhe Husejnin me një copë dhe tha: O Zot! Këta janë familja ime, flak prej tyre çdo të keqe dhe pastroi më së miri.

Vlera e saj arriti deri aty sa Profeti a.s tha: -Fatimja është një pjesë e imja, mërzitem kur ajo mërzitet, dhe cenohem kur ajo cënohet.

Ndërsa në një tjetër transmetim: Mua më gëzon ajo që e gëzon atë, më hidhëron ajo që e hidhëron atë.

Trashëgimia në pasardhës e Profetit do jetë vetëm prej saj, thotë Profeti a.s: Çdo trashëgimi gjaku do jetë e shkëputur në ditën e kiametit, përpos trashëgimisë dhe gjakut tim.

Për nder të saj, zbriti prej qielli një melek që s’kishte zbritur më parë, zbriti për ta përgëzuar Profetin a.s se Fatimja është një ndër zonjat e grave të xhenetit, dhe se dy djemtë e saj janë zotërinjtë e të rinjve të xhenetit.

Profeti dëshmon për të se është një ndër gratë më të kompletuara dhe të mira, ndaj dhe ka thënë:” Ndër gratë më të mira dhe të kompletuara është: -Merjemja e bija e Imranit, Hadixhja e bija e Huëejlidit, Fatimja e bija e Muhamedit dhe Asija ,gruaja e faraonit.

O ju myslimanë! Zoti ka vendosur shumë cilësi të mira në personalitetin e zonjës Fatime, duke e bërë kështu shembull për mbarë gratë tjera, në të gjitha kohët.

Shtoi kësaj që u përmend, se Fatimja është shquar për e devotshme, askete, namaz falëse, agjëruese, pajtimtarë me të paktën, durimtare në jetën e saj, e bindur ndaj urdhrave të babait të saj, e kapur fort pas fesë së Zotit, respektuese ndaj bashkëshortit të saj.

Për të nuk përmendet ndonjë lëshim apo gabim.

Ajo kishte një devotshmëri dhe frikë të madhe prej Zotit, ishte e veshur me pëlhurën e turpit dhe të dëlirësisë.

Nuk përcillet për të që të ketë gënjyer ndonjëherë, të mos e ketë mbajtur premtimin apo të ketë patur ndonjë sjellje të shëmtuar.

Thotë Aisheja r.a: “Nuk kam parë kënd më të drejtë se Fatimja, përpos babait që i ka bërë kokën.”

Ajo sillej aq butë, sa të bënte për vete me sjelljen e saj, dashamire me të gjithë, i ruante fort marrëdhëniet me të tjerët, deri dhe me gratë e të atit a.s, të cilat e donin shumë , madje e dërgonin ndonjëherë dhe si ndërmjetëse tek babai i saj për çështje të ndryshme.

Për të treguar madhështinë e saj, përmendim dhe rastin e martesës së saj me Aliun r.a, rast që u shënua në histori si një hitori e ndritur.

A keni dëgjuar për këtë martesë se si ka ndodhur? A e dini se sa ke qenë paja dhe mehri i saj? Çfarë shtëpie ka pasur?

Vërtetë që kjo është një histori e padëgjuar më parë në histori. Po flasim për martesën e një prej zonjave të xhenetit, bija e prijësit të Profetëve, bashkshortja e Aliut, halifit të katërt të drejtë dhe një ndër më fisnikët e sahabëve.

Me gjithë pozitën që ajo kishte, dasma e saj do ishte tepër e lehtë dhe shumë modeste.

Ajo u martua me Aliun pas betejës së bedrit, mirëpo ky i fundit nuk kishte se ccfarë ti jepte për mehër, ndaj Profeti a.s i kërkoi vlerën e një parzmoreje që e kish fituar nga placcka e luftës së Bedrit, e cila kapte vlerën e 480 dërhemëve afërsisht.

Në gostinë e dasmës së saj, u servir një qengj i pjekur, ndërsa për mobilimin e shtëpisë së çiftit flet Esma binti umejsi: -Unë kam bërë gati shtëpinë e çiftit ku kishte vetëm një dyshek prej copash dhe dy jastëkë, ndërsa gostitja e dasmës së tyre ishte më e përfolura e kohës.

LEXO  Vlerat e Kuranit Famëlartë për umeti Islam - Meka 11.03.2022

Xha’fer ibn Muhamedi thotë: -Kam hyrë në shtëpinë e Aliut dhe aty kam parë: një dyshek i mbushur me copa, një postiqe dashi, një sitë, një peshqir dhe një tas.

Kjo ka qenë martesa e Fatimes dhe mobilimi i zonjës që ishte e bija e zotërisë së njerëzimit alejhis selam.

Pas martese, Fatimja do ishte shembulli i një gruaje që pajtohej me të paktën, respektuese ndaj bashkëshortit dhe nderuese e urdhrave të Zotit.

Normal që dhe ata kishin mospajtime të ndryshme në mënyrën e konceptimit, ashtu siç a çdo çift, por ajo nuk i kalonte kufijtë e edukatës me Aliun, por dhe ky nuk ishte kurrë i padrejtë me të, dhe nuk zgjaste shumë që ata të pajtoheshin, kjo si pasojë e respektit që ata kishin për njëri-tjetrin dhe si pasojë e dashurisë që gëzonin për njëri tjetrin, dashuri që bën të harrohen të gjitha mospajtimet.

Nga kjo martesë do lindte: -Haseni, Husejni, Muhsini, Umu Kulthumi dhe Zejnebja, ndërsa Umu Kulthumi do bëhet nuse e Umerit r.a, kjo si pasojë e dëshirës që ky kishte, të lidhte krushqi me familjen e Profetit a.s.

Fatimja përkujdesej vetë për fëmijët dhe burrin e saj, dhe aq shumë lodhej nga punët e përditshme sa dhe duart ju sëmurën, kjo bëri që të shkonte tek babai i saj dhe ti kërkonte një shërbëtore, por Profeti a.s nuk pranoi dhe i tha: -Pasha Zotin nuk do të jap shërbëtorë ty e të harroj nevojtarët që jetojnë në xhami.

Ajo u nis për në shtëpinë e saj, më pas shkoi dhe Profeti a.s i cili e gjeti aty bashkë me Aliun, dhe pasi u foli butë i mësoi dhe u tha: -Para se të bini në gjumë thoni nga herë SubhanaAllah dhe Elhamdulilah, më pas thoni herë Allahu Ekber, kjo është më e mirë se të kesh një shërbëtorë.

Ajo u pajtua me këshillën e të atit dhe ashtu vepruan, kjo e fuqizoi në shpirt dhe në fizikun e saj.

Këtë dhikër nuk e la kurrë Aliu r.a, madje as në betejën e Sifinit, kjo bëri që të ishte ndër më të fortit në atë ditë, dhe kjo si pasojë e bereqetit të bindjes ndaj Profetit dhe si faktor e të qenit të dhikrit bereqet prej Zotit.

Lavdia lind nga tre dalje, në djepin e Fatimes e atyre që janë mbi kokën e saj, bija e kujt është ajo? Gruaja e kujt është? Nëna e kujt është? E kush mund të krahasohet me krenarinë e të atit të saj. Ajo është shembull për mbarë nënat, dhe vetë hëna ecën në gjurmët e saj.

Zoti më bekoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kuranin Famëlartë, na bëftë të përfitojmë nga ajo që gjendet në të, Zotit i kërkoj falje për veten dhe ju, si dhe për mbarë myslimanët kudo ndodhen, ndaj kërkoji falje Atij se me të vërtetë Ai është Falës e Mëshirues!

Falënderimi i takon Allahut, që në çdo kohë ka bërë shembull të mirë njerëz të dijes, nëpërmjet moralit të tyre i gjallëron zemrat, ndërsa me diturinë e tyre i ringjall mësimet e harruara të fesë!

Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi udhëzuesin përgëzues, pishtarin ndriçues, si dhe mbi familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Aspektet që tregojnë për madhështinë e zonjës Fatime dhe të qenit të saj një shembull i mirëfilltë, nuk kanë të sosur dhe ne dëshirojmë që të hedhim vetëm pak dritë dhe jo t’i përmendim të tëra.

Padyshim që ndodhia e vdekjes së babait të saj, do ishte një çështje me ndikim të lartë në shpirtin e saj, do tundohej e tëra.

Ajo ishte durimtare e zonja, por kjo gjë ishte shumë e vështirë për të dhe për mbarë myslimanët.

Kjo histori e dhimbshme nis që në çastin që Profeti a.s u sëmur, sëmundje nga e cila ndërroi jetë, largohet mëshira që i ishte dhuruar gjithësisë, ndërpritet përfundimisht shpallja qiellore.

Profeti a.s u sëmurë në fillim të muajit Rebijul Evel të vitit 11 të Hixhretit, si pasojë e një dhimbje koke që e kaploi, pasi hëngri nga delja e helmuar, që ju servir nga një grua hebrehe në Hajber.

Thotë Profeti a.s: “Akoma e ndjej shijen e hidhur të helmit që hëngra në Hajber dhe kjo është koha që t’i jepet fund atij.”

Profeti a.s u sëmurë për dhjetë ditë me radhë, ndërsa dhimbjet sa vinin e i shtoheshin, aq sa i binte të fikët.

Fatimja e vizitonte të atin në këtë gjendje dhe zemra i copëtohej aq shumë sa thoshte: “E mjera unë, çfarë sikleti që ka babai im.”

Profeti vinte në vete dhe i thotë: “Mos u brengos se s’do ketë më vuajtje për babain tënd pas ditës së sotme”.

Më pas e afroi tek vetja dhe e njoftoi fshehurazi se do të vdesë gjatë këtij lëngimi, gjë që e bëri që të qante me dhimbje.

LEXO  Lutja në kohë fatkeqësish  - Meka 03.04.2020 

Profeti i tregoi dhe një sekret tjetër, se do jetë ajo e para nga familja e tij që do t’i bashkohet atij, dhe këtu qeshi e përgëzuar.

Kur Profeti a.s vdiq dhe e varrosën, Fatimja iu drejtua Enes ibn Malik dhe i tha: “Si ua bëri zemra, që të hidhni dhe mbi Profetin a.s?!”

Ajo jetoi vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit a.s, jetoi e pikëlluar dhe e trishtuar, tretej ashtu sikurse tretet dhe kripa në ujë.

Çiltërsia e kësaj luleje, tashmë ishte vyshkur, pishtari ndriçues i jetës së saj ishte shuar, zemra e butë i ishte copëtuar dhe nuk e përballonte ndarjen me të atin, kështu që një ditë të mërkurë, në datën tre të muajit Ramazan, në të njëjtin vit që vdiq dhe babai i saj, ndërroi jetë edhe ajo.

Ajo ishte afërsisht 29 vjeç kur ndërroi jetë, ndërsa larjen dhe përgatitjen e xhenazes së saj e bëri i shoqi Aliu dhe Esma binti Umejs, e shoqja e Ebu Bekrit, ndërsa varrimi i saj u bë natën në varrezën e Bekijës.

Të nderuar besimtarë! Fatimja ishte një simbol i nderit dhe turpit gjatë jetës së saj, por dhe në vdekje.

Në kohën e saj, xhenazet e grave mbuloheshin me një copë dhe më pas falej xhenazja, ku dërgohej për në varreza, por qefini mund ta përshkruante gjymtyrët e trupit.

Fatimja e kish me merak të madh diçka të tillë, ndaj duke e folur me disa gra që ishin për vizitë tek ajo, mori dhe propozimin nga Esma bint Umejsi, e cila në Abisini kishte parë se në tabut vendosej një degë palme në formë harku, futej aty kufome dhe më pas hidhej mbi të një pëlhurë, e kështu nuk kishte mundësi përshkrimi të trupit.

Fatimja u gëzua shumë me këtë propozim ndaj dhe i tha: “Më mbulove të mbuloftë Allahu të metat.”

Kështu Fatimja do bëhej zonja e parë që do përdorte diçka të tillë që ne përdorim sot, për të qenë e dobishme gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj.

O umeti Islam! Kjo grua e ka merituar për të qenë shembull për mbarë gratë, një pishtar që të ndriçon rrugën, një shembull madhështorë që meriton të pasohet, në turpin që ajo kishte.

Ku ka më mirë se të ëmbëltohen tubimet tona me përmendjen e virtyteve të saj, pse jo dhe të caktohen si programe mësimore në mënyrën e edukatës.

Ne e kemi detyrë që kësaj zonje t’ia dimë vlerat, ta nderojmë e respektojmë, ta marrim si shembull në jetë, por njëkohësisht nuk na lejohet që ta teprojmë e ta lartësojmë në gradë që nuk i takojnë, apo të shpikim vlera të pasakta.

Shpifësit dhe gënjeshtarët kanë shpifur për të, për të shoqin e saj Aliun, si dhe për djemtë e saj shumë, por ata janë të pafajshëm prej këtyre shpifjeve.

Metoda e saktë, është të jemi të mesëm, mes atyre që e teprojnë në lavdërimin e tyre dhe atyre që anashkalojnë vlerat dhe të mirat e tyre. Zoti qoftë i kënaqur me Fatimen, nënën e saj të begatë Hadixhen, bekimet e Zotit qofshin për babain e saj, më madhështorin e Profetëve, me të birin e njerëzve.

O ju myslimanë! Dërgoni salavate mbi Profetin, ky është urdhër i Zotit ku thotë në Kuranin e Tij: “Allahu dhe Melaiket e Tij bien salavate mbi Profetin, o ju që keni besuar, lutuni për bekimin dhe begatimin e tij!”.

Profeti a.s ka thënë: “Kush bie në salavate për mua një herë, Zoti ia shkruan atij 10 herë.”

O Zot bekoje e nderoje, Muhamedin, të dërguarin tënd, të dashurin dhe shembullin tonë në jetë, si dhe familjen e gratë e tij, shokët e tij të nderuar, veçojmë ndër ta Ebu Bekr es-Sidikun, Umer Farukun, Uthman Dhinnurejnin dhe Aliun ebul Hasenejnin, si dhe mbarë ata që i pasojnë ata.

O Allah lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje fenë tënde, sunetin e Profetit Tënd si dhe robërit e Tu të mirë!

Zot ndihmoji vëllezërit tanë myslimanë që u është bërë padrejtësi kudo qofshin ata!

Zot ndihmoji vëllezërit tanë luftëtarë në Palestinë, në Irak, në Jemen e kudo që ata janë!

Zot ndihmoji vëllezërit tanë luftëtarë, të qëndrueshëm që ndodhen në kufi, j mbrojtës dhe Ndihmës i tyre!

Zot udhëzoje të parin tonë në atë që Ti do dhe je i Kënaqur, Zot ndihmoje atë dhe zëvendësin e tij në atë që ka dobi vendi dhe atdhetarët, bëji Zot çelësa të së mirave, dry të së keqes, o Mëshiruesi i Mëshiruesve!

Zot na fal ne, prindërit tanë, myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të vdekur apo të gjallë qofshin ata, o më i Mëshirshmi!

Zot na lartëso dhe mos na ul poshtë, nderona dhe mos na poshtëro, ji me ne dhe mos ji kundra nesh!

Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Profetin e Tij Muhamedin, familjen dhe mbarë shokët e tij!

 

Meka / by

Post Author: admin